Në pamundësi për të formuar një qeveri të qëndrueshme, talebanët kanë deklaruar ditën e djeshme se vendi do të ketë si udhëheqës suprem një klerik të linjës së ashpër sunite. Mawlawi Haibatullah Akhundzada, 55 vjeç është edhe udhëheqës i grupit radikal fundamentalist. Ai u vu në krye të kësaj pozite në maj të vitit 2016, disa ditë pasi udhëheqësi i dytë i talebanëve, Mullah Akhtar Mohammad Mansur, u vra në një sulm të SHBA-së me dron, në jugperëndim të Pakistanit. Deklaratat e fundit të talebanëve lënë të kuptohet se Akhundzada do të përcaktojë drejtimin strategjik të Qeverisë së re në, siç thonë ata, Emiratin Islamik të Afganistanit dhe deklaratat e tuj të para tregojnë pikërisht këtë gjë.
Ashtu si themeluesi i lëvizjes, Mullah Omar, Akhundzada vjen nga provinca Kandahar e Afganistanit, ku lëvizja talebane u shfaq për herë të parë në vitin 1994. Në fund të viteve 1990 ai u emërua kryetar i gjykatave ushtarake të talebanëve. Nën udhëheqjen e Akhundzadas, talebanët shënuan fitore diplomatike dhe ushtarake.
Me zëvendësin e tij politik, Mullah Abdul Ghani Baradar, ai negocioi me sukses një marrëveshje për paqe me Shtetet e Bashkuara, e cila u nënshkrua në Shkurt të vitit 2020 në Doha të Katarit dhe që shtroi rrugën për tërheqjen e SHBA-së dhe të forcave aleate nga Afganistani.
Akhundzada i mbajti të bashkuara gradat ushtarake të talebanëve, duke promovuar djalin e madh të Mullah Omarit, Mullah Yaqoob, si zëvendës të tij dhe duke e vënë atë në krye të krahut ushtarak të lëvizjes së bashku me Sirajuddin Haqqanin, udhëheqësin e rrjetit Hakani.
Pas njëzet vitesh pothuajse në arrati dhe shumë prej tyre të strehuar në vendet fqinje, talebanët e rikthyer në pushtet përballen me një sërë sfidash. Akhundzada dhe talebanët e kanë të domosdoshme njohjen ndërkombëtare, për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së brendshme ekonomike ose për të ofruar qeverisje të mirë për afro 38 milionë banorët e Afganistanit, të cilët përveç sigurisë, kërkojnë prosperitet dhe liri personale.
Lajmi kryesor:
SHBA të shqetësuara nga përbërja e qeverisë së re talebane! DASH: Qeveri vetëm me burra dhe me lidhje të dyshimta
K.T.//ReportTv.al