Bota

SHBA të shqetësuara nga përbërja e qeverisë së re talebane! DASH: Qeveri vetëm me burra dhe me lidhje të dyshimta

8 Shtator 2021, 09:28| Përditesimi: 8 Shtator 2021, 17:43

  • Share

Shtetet e Bashkuara deklaruan se janë të shqetësuara, pasi talebanët e prezantuan ditën e djeshme qeverinë e re të përbërë vetëm nga burrat dhe me figura të lidhura me sulmet ndaj forcave amerikane. Kabineti i qeverisë së përkohshme udhëhiqet nga Mullah Mohammad Hassan Akhund, i cili është në një listë të zezë të Kombeve të Bashkuara. Një figurë tjetër, Sirajuddin Haqqani, është i kërkuar nga FBI-ja.

Përmes një deklarate të publikuar të martën, Departamenti i Shtetit tha: “Vërejmë se lista e publikuar e emrave përbëhet ekskluzivisht nga individë që janë anëtarë të talebanëve ose njerëz të afërt me ta dhe nuk ka gra. Jemi gjithashtu të shqetësuar nga lidhjet dhe e kaluara e disa individëve.”

Në deklaratë gjithashtu thuhet se Uashingtoni do t’i gjykojë talebanët në bazë të veprave e jo fjalëve dhe do t’i mbajë përgjegjës për zotimet e tyre për të ofruar largim të sigurt për afganët dhe të huajt me dokumente të udhëtimit.

Sirajuddin Haqqani, i emëruar ministër i Brendshëm, është kryetar i një grupi militant të njohur si rrjeti Haqqani. Ky rrjet cilësohet nga Shtetet e Bashkuara si organizatë e huaj terroriste.

Më herët të martën një deklaratë udhëheqësi suprem i talebanëve Mawlawi Hibatullah Akhundzada i tha qeverisë të respektojë rregullat e Sheriatit .

Talebanët duan marrëdhënie "të forta dhe të shëndetshme" me vendet e tjera dhe do të respektojnë ligjet dhe traktatet ndërkombëtare për sa kohë që ato nuk bien ndesh me "ligjin islam dhe vlerat kombëtare të vendit", tha ai.

Emërimi i tij shihet si një kompromis, pas raporteve të fundit për luftime mes disa figurave relativisht të moderuara talebane dhe kolegëve të tyre të vijës së ashpër.

Talebanët morën kontrollin e plotë të Afganistanit në një ofensivë gjithëpërfshirëse më shumë se tre javë më parë.

E megjithatë populli afgan, në veçanti gratë nuk janë dorëzuar ende duke mbajtur protesta të shumta të cilat janë shpërndarë nga talebanët edhe me dhunë.

Militantët mohojnë të përdorin dhunë kundër tyre, por qeveria e tyre përballet me shumë sfida të vështira në vendin e shkatërruar nga konflikti, stabilizimin e ekonomisë dhe njohjen ndërkombëtare.

 

Ora 17:34
Talebanët do të ndalojnë sportin e grave në Afganistan: I panevojshëm dhe i papërshtatshëm

Gratë afgane do të ndalohen të luajnë sportin e quajtur kriket, si edhe sporte të tjera të ngjashme me të. Lajmi u bë i ditur nga Zëvendës Kryetari i Komisionit Kulturor të Talebanëve, Ahmadullah Vasik, gjatë një interviste për median australiane SBS.

Sipas tij, sporti i grave është i panevojshëm dhe i papërshtatshëm, duke theksuar se ky lloj sporti kriket nuk i lejon gratë afgane që të mbulojnë fytyrën dhe trupat.

Unë nuk mendoj se gratë do të lejohen të luajnë kriket sepse nuk është e nevojshme të luajnë kriket. Në kriket, gratë mund të hasin në një situatë ku nuk mund të mbulojnë fytyrat dhe trupat e tyre. Islami nuk i lejon gratë të duken kështu," tha Vasik.

Ora 12:38
Austria, Çekia dhe Sllovakia kundër pranimit të refugjatëve afganë në BE: Nuk ka vend për ta

Janë tri vende evropiane që po mbajnë qëndrim të përbashkët për mospranimin e më shumë refugjatëve afganë në Bashkimin Evropian.

Austria, Republika Çeke dhe Sllovakia nuk janë të pajtimit që blloku të hap dyert për afganët nëse do të ketë një fluks të njerzve që ikin nga vendi.

Në fakt i gjithë blloku është i shqetësuar se mund të ketë një valë refugjatësh nga Afganistani.

Kryeministri çek, Andrej Babis, tha më 7 shtator se afganët duhet të qëndrojnë në vendin e tyre ose vendet fqinje.

"Nuk ka vend për ta në Evropë", tha Babis, pasi takoi homologët e tij në qytetin juglindor çek të Lednices.

Këto shtete, por edhe Polonia dhe Hungaria prej kohësh kanë marrë një qëndrim të ashpër në lidhje me migracionin.

Kjo ka shkaktuar ndarje të thella brenda bllokut për këtë çështje.

Talibanët e pushtuan Afganistanin në muajin gusht pas tërheqjes së forcave të huaja nga ky vend.

Vendet evropiane kanë frikë se mund të përsëritet skenari i vitit 2015 kur 1 milion njerëz ikën nga luftrat dhe varfëria në Lindje të Mesme dhe ia mësyen vendeve evropiane.

BE-ja ka pranuar mijëra refugjatë afganë përmes një evakuimi të organizuar dhe të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Të evakuuarit kanë qenë kryesisht personat që kanë punuar me forcat e huaja në këtë vend dhe familjet e tyre.

Gjatë krizës së migracionit në Evropë, qindra mijëra njerëz shkuan në Turqi dhe pastaj përmes së ashtuquajturës rrugë ballkanike arritën në vendet më të pasura të BE-së.

"Një mundësi është që të zhvillohen bisedime me presidentin turk Reccep Tayyip Erdogan, por unë nuk mendoj se kjo është një alternativë e mirë", tha Babis.

Zgjidhja më e mirë do të ishte ajo që iu mundëson njerëzve të qëndrojnë në Afganistan.

Ai iu referua një marrëveshjeje të BE-së me Turqinë në vitin 2016 e cila obligoi Turqinë të ndalë migrantët në vend dhe si këmbim për këtë evropianët i ofruan Ankarasë miliarda dollarë mbështetje financiare.

Turqia strehon gati 4 milionë refugjatë sirianë dhe 300,000 afganë.

Erdogan ka paralajmëruar se vendi i tij nuk do të pranojë më shumë migrantë nga Afganistani për të ndihmuar Evropën./ REL

Ora 09:49
Kush është udhëheqësi suprem i talebanëve të Afganistanit?

 

Në pamundësi për të formuar një qeveri të qëndrueshme, talebanët kanë deklaruar ditën e djeshme se vendi do të ketë si udhëheqës suprem një klerik të linjës së ashpër sunite. Mawlawi Haibatullah Akhundzada, 55 vjeç është edhe udhëheqës i grupit radikal fundamentalist. Ai u vu në krye të kësaj pozite në maj të vitit 2016, disa ditë pasi udhëheqësi i dytë i talebanëve, Mullah Akhtar Mohammad Mansur, u vra në një sulm të SHBA-së me dron, në jugperëndim të Pakistanit. Deklaratat e fundit të talebanëve lënë të kuptohet se Akhundzada do të përcaktojë drejtimin strategjik të Qeverisë së re në, siç thonë ata, Emiratin Islamik të Afganistanit dhe deklaratat e tuj të para tregojnë pikërisht këtë gjë. 

Ashtu si themeluesi i lëvizjes, Mullah Omar, Akhundzada vjen nga provinca Kandahar e Afganistanit, ku lëvizja talebane u shfaq për herë të parë në vitin 1994. Në fund të viteve 1990 ai u emërua kryetar i gjykatave ushtarake të talebanëve. Nën udhëheqjen e Akhundzadas, talebanët shënuan fitore diplomatike dhe ushtarake.

Me zëvendësin e tij politik, Mullah Abdul Ghani Baradar, ai negocioi me sukses një marrëveshje për paqe me Shtetet e Bashkuara, e cila u nënshkrua në Shkurt të vitit 2020 në Doha të Katarit dhe që shtroi rrugën për tërheqjen e SHBA-së dhe të forcave aleate nga Afganistani.

Akhundzada i mbajti të bashkuara gradat ushtarake të talebanëve, duke promovuar djalin e madh të Mullah Omarit, Mullah Yaqoob, si zëvendës të tij dhe duke e vënë atë në krye të krahut ushtarak të lëvizjes së bashku me Sirajuddin Haqqanin, udhëheqësin e rrjetit Hakani.

Pas njëzet vitesh pothuajse në arrati dhe shumë prej tyre të strehuar në vendet fqinje, talebanët e rikthyer në pushtet përballen me një sërë sfidash. Akhundzada dhe talebanët e kanë të domosdoshme njohjen ndërkombëtare, për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së brendshme ekonomike ose për të ofruar qeverisje të mirë për afro 38 milionë banorët e Afganistanit, të cilët përveç sigurisë, kërkojnë prosperitet dhe liri personale.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?