Politikë

Sondazhi ekskluziv i Piepolit për 11 majin/ PS fiton me 75 mandate, konfirmon rezultatet e 2021-shit! PD me aleatët rënie drastike, 9 deputetë më pak! 10 për Lapajn e Shehajn! Parashikimet në 12 qarqe

5 Maj, 10:31| Përditesimi: 6 Maj, 00:07

  • Share

TIRANË- Qytetarët shqiptarë në shumicë dërrmuese do t’i besonin kryeministrit Edi Rama një mandat të katërt qeverisës. Sondazhi ekskluziv i Piepolit në bashkëpunim me Report Tv, i publikuar vetëm 6 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, e projekton Partinë Socialiste fituese me 48.4% të votave ose 75 mandate me të cilat mund të qeverisë e vetme pa pasur nevojën e një koalicioni. Kështu, PS nën drejtimin e Edi Ramës konfirmon pothuajse rezultatet e 4 viteve më parë, me vetëm një mandat më shumë në Kuvend se në zgjedhjet e 2021, kur fitoi me 74 mandate.

Të dhënat e sondazhit ekskluziv të Piepolit tregojnë një rënie drastike për PD dhe aleatët. Koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha në këto zgjedhje do të siguronte vetëm 54 mandate nga 63 në vitin 2021 (59 të PD dhe 4 të LSI). Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore do merrnin 35,4% të votave nga 46.3% krahasuar me 4 vite më parë.

Për herë të parë në Kuvend, dy forca të reja politike ‘kërcënojnë’ sistemin politik dhe arrijnë të futen në Kuvend, duke marrë plot 10 deputetë. Bëhet fjalë për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt që në rang kombëtar merr 7 mandate deputetësh, nga 1 në Korçë, Elbasan, Durrës, Fier dhe 3 mandate në Tiranë. Ndërkohë, Partia Mundësia e themeluar nga Agron Shehaj pas largimit nga PD, merr 3 mandate në gjithë vendin, nga 1 në Elbasan, Durrës dhe Tiranë. Kështu, Lapaj konfirmohet forcë e tretë me 7.6% të votave, i ndjekur nga Shehaj me 4.8% të votave. Projeksionet e Piepolit nuk janë të kënaqshme për Tom Doshin, të cilit në këto zgjedhje i kërcënohen ndjeshëm pozitat politike duke humbur dy deputetë, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër. Doshi mbetet me një deputet në Shkodër nga 3 që kishte në total në 2021.

37 mandatet e Tiranës, qarku më i madh dhe më vendimtar, sipas projeksionit të Piepolit ndahen kështu: PS forcon pozitat duke fituar 19 mandate, një më shumë se në 2021, ndërsa PD me aleatët humbet terren dhe kalon nga 17 në 14 mandate. Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt merr 3 deputetë dhe 1 i shkon Agron Shehajt. Ndërkohë, PSD e Tom Doshit humb mandatin e siguruar në Tiranë më 2021.   

Sa i takon qarqeve të veriut, PD dhe aleatët ruajnë pothuajse të njëjtat mandate edhe pse ka një rënie të thellë edhe në bastionet e saj, ndërsa surprizë është qarku i Dibrës ku rezultati përmbyset në favor të Partisë Socialiste. Në Shkodër, koalicioni i Berishës ka një lëkundje të besimit, me 42.8% të votave nga 53.2% në 2021. Koalicioni i Berishës merr po aq mandate sa në zgjedhjet e 2021, pra 6 mandate, ndërsa surprizë është PS-ja që merre një mandat më shumë dhe shkon nga 3 në 4, ndërsa Tom Doshi bie nga 2 deputetë në qarkun e Shkodrës, në vetëm 1.

Kukës ruhet ndarja tradicionale: 2 mandate për PD dhe 1 për PS. Në Dibër ndodh përmbysja më e fortë në veri: PS kalon në vend të parë me 3 mandate (nga 2 në 2021), ndërsa PD bie në 2 mandate (nga 3). Në Lezhë, situata mbetet e pandryshuar në ndarje mandatesh, 4 për PD dhe 3 për PS.

Në jug, Partia Socialiste vijon të dominojë. Në Gjirokastër, PS mban 3 mandate dhe PD-ASHM 1 mandat, njëjtë si në 2021. Në Berat dhe Vlorë, ndarja mbetet respektivisht 5 me 2 dhe 8 me 4 në favor të PS-së, me PD-ASHM në rënie, ndërsa Nisma Shqipëria Bëhet dhe Partia Mundësia grumbullojnë mbi 10% të votave në Berat dhe mbi 5% në Vlorë, por pa siguruar mandate. Në Fier, PS ruan 9 mandate, PD-ASHM ka një rënie me 12.4% në këtë qark dhe humb një mandat. Kështu, koalicioni i Sali Berishës në qarkun e Fierit merr 6 mandate dhe 1 shkon për Adriatik Lapajn.

Korça është një nga qarqet që po ashtu ka prodhuar surprizë, ku sipas projeksionit të Piepolit, Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt merr 1 mandat, ndërsa PS merr 5 mandate, koalicioni i Berishës pëson rënie të thellë me 14%, por merr 4 mandate. Në këto zgjedhje, Korçës i është hequr një mandat (nga 11 ka mbetur në 10) dhe i ka kaluar Tiranës, qark që në këto zgjedhje prodhon për herë të parë 37 deputetë.  

Elbasan dhe Durrës partitë e reja kanë rritje. Në qarkun e Elbasanit, PS ruan pozitat me 8 mandate. Koalicioni PD-ASHM pëson një rënie të ndjeshme nga 41.5% në 2021, në vetëm 26.9%, duke humbur 2 mandate dhe zbret nga 6 në 4 deputetë në këtë qark. Lapaj e Shehaj marrin nga 1 mandat si në Elbasan, edhe në Durrës. Ndërkohë, në qarkun e Durrësit, PS bie nga 8 në 7 mandate, PD nga 6 në 5.

Partitë e tjera ngelin pa përfaqësues në Kuvend. Lulzim Basha tashmë pa logon e PD, por me Koalicionin Euroatlantik, Arlind Qori me Lëvizjen Bashkë dhe Koalicioni Djathtas për Zhvillim i Enkelejd Alibeajt dhe Dashamir Shehit ngelin pa deputetë. Prej 10-vjetësh Report Tv në bashkëpunim me Institutin Piepoli ka parashikuar në mënyrë të saktë rezultatin e të gjitha zgjedhjeve në Shqipëri.

Ora 23:01
EKSKLUZIVE/ PS merr 75 mandate më 11 maj! Rënie drastike për PD dhe aleatët, humbin 9 deputetë! Lapaj 7 mandate, 3 për Shehajn! Tom Doshit i ngel vetëm 1 ligjvënës

Report Tv në bashkëpunim me institutin Piepoli sjellin ekskluzivisht sondazhin e fundit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, dhe projeksionet se si do të ndahen mandatet në rang kombëtar. Shqiptarët do t’i besonin Edi Ramës një mandat të katërt qeverisës. Nga 74 mandate të siguruara në 2021, sipas projeksionit të Piepolit, PS do merrte në këto zgjedhje 75 mandate në rang kombëtar, përkthyer në vota 48.4%.

Ndërkohë, Koalicioni PD-ASHM shënon një rënie drastike, duke humbur 9 mandate në rang kombëtar. Koalicioni i Berishës merr 54 mandate nga 63 mandate në 2021. Në vota, koalicioni i udhëhequr nga Berisha merr 35.4% të votave, nga 46.3% të votave në 2021, një rënie 10.9%.

Për herë të parë, dy parti të reja arrijnë të futen në Kuvend. Adriatik Lapaj me Nisma Shqipëria Bëhet konfirmohet forcë e tretë politike dhe merr 7 mandate në rang kombëtar, me 7.6% të votave. Lapaj, ndiqet nga Partia Mundësia me 4.8% të votave, i cili merr 3 mandate në gjithë vendin. Duke u bërë të vetmet parti të reja që arrijnë të kalojnë pragun kombëtar.  

PSD e Tom Doshit mbetet me 1 mandat me 2% të votave, nga 3 mandate që kishte siguruar në 2021. Doshi humb një mandat në Tiranë dhe 1 mandat në Shkodër dhe tashmë mbetet vetëm me një deputet në Kuvend që sipas projeksionit e fiton në qarkun e Shkodrës. Në rang kombëtar, 1.4% e shqiptarëve më 11 maj do votonin partinë ‘Lëvizja Bashkë’ të Arlind Qorit dhe nga 0.1% do votonin partinë ‘Koalicioni Euroatlantik’ të Lulzim Bashës dhe koalicionin ‘Djathtas për Zhvillim’ të Enkelejd Alibeajt.

Ora 22:55
Sondazhi i Piepolit për Tiranën/ PS rritet me 1 mandat, shkon në 19! Berishës i ‘firojnë’ 3 deputetë! Lapaj merr 3 mandate, 1 Shehaj! Doshi ngel pa deputet

Si ndahen 37 mandatet që prodhon qarku i Tiranës, beteja kryesore politike për zgjedhjet e 11 majit? Sondazhi i Report Tv në bashkëpunim me Piepolin sjellin ekskluzivisht projeksionet e qarkut më të madh, që në këto zgjedhje prodhon 37 mandate, nga 36 që nxirrte në 2021. Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj thyejnë binomin PS-PD edhe në qarkun e Tiranës.

Partia Socialiste forcon pozitat e saj me 48.2% të votave, duke fituar 19 mandate, një më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021 (48.9% dhe 18 mandate).

Nga ana tjetër, Koalicioni PD-ASHM pëson një rënie të fortë nga 45.1% në 2021 në vetëm 34.6%, dhe humbet 3 mandate, duke zbritur nga 17 në 14 deputetë, me 34.6% (rënie me 10.5%).

Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, me 8.6% të votave, siguron 3 mandate, duke u kthyer kështu forcë e tretë politike.  Partia Mundësia, me 4.8%, arrin të kapërcejë pragun elektoral dhe të sigurojë 1 mandat, ndërsa Partia Social Demokrate, e cila në 2021 kishte marrë një mandat me 2.9%, këtë herë bie në 1.3% dhe nuk merr asnjë deputet.

Ndërkaq, 2.2% e qytetarëve të qarkut të Tiranës do votojnë partinë ‘Lëvizja Bashkë’ të Arlind Qorit dhe nga 0.1% do votojnë partinë ‘Koalicioni Euroatlantik’ të Lulzim Bashës dhe koalicionin ‘Djathtas për Zhvillim’ të Enkelejd Alibeajt.

Ora 22:50
Sondazhi i Piepolit/ PS ruan 9 mandatet në qarkun e Fierit me 49.4% të votave! Berisha rënie me 12.4%, humb një mandat! Ia merr Adriatik Lapaj

Partia Socialiste mbetet forca dominuese me 49.4% të votave në qarkun e Fierit, duke ruajtur 9 mandate, njësoj si në 2021 (52.8%). Megjithëse ka një rënie prej 3.4%, PS vijon të mbajë shumicën në këtë qark të madh. Forcë e dytë mbetet koalicioni PD-ASHM, me 31.9% të votave, por Sali Berishës i ‘firon’ edhe një mandat në këtë qark, të cilin ia merr Adriatik Lapaj. Sa i takon votave, Berisha ka një rënie me 12.4% në këtë qark, në të cilin në 2021 mori 44.3% të votave dhe 7 mandate.

Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, me 10.2% të votave, siguron 1 mandat. Ndërkohë, 5.2% e qytetarëve të qarkut të Fierit do votojnë partinë ‘Mundësia’ të Agron Shehajt, 1.8% partinë ‘Lëvizja Bashkë’ të Arilnd Qorit, 1% e qytetarëve të qarkut të Fierit do votojnë  PSD e Tom Doshit (rritje nga 0.5% në 2021) dhe nga 0.1% të votave marrin ‘Koalicioni Euroatlantik’ i Lulzim Bashës dhe koalicionin ‘Djathtas për Zhvillim’ i Alibeajt.

Ora 22:46
Sondazhi i Piepolit/ PS dhe PD me aleatët humbin nga një mandat në qarkun e Durrësit, i marrin Lapaj e Shehaj

Dy forcat kryesore politike, PS dhe PD më aleatët humbin nga një mandat në qarkun e Durrësit. Sipas projeksioneve të institutit të Piepolit, që sjell ekskluzivisht Report TV, PS e Edi Ramës kryeson si forca më e besuar, por bie në 7 mandate nga 8 që siguroi në zgjedhjet e vitit 2021.

48.8% e qytetarëve në këtë qark janë shprehur se do të votojnë për PS, në krahasim me 50.3% nga zgjedhjet e kaluara. Edhe PD me aleatët humbin një mandat, merr 5 nga 6 në 2021. PD-ASHM ka besimin e 33.8% të qytetarëve, një rënie e ndjeshme nga 47.6% që morën demokratët në 2021. Nga 1 mandat marrin Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt dhe Mundësia e Agron Shehajt.

8.5% e qytetarëve janë shprehur se votën e tyre do ta japin për Kolicionin Nisma Shqipëria Bëhet të Adriatik Lapajt, partinë Mundësia të Agron Shehajt do ta votojnë 6.9%, 1.4% janë shprehur për PSD e Tom Doshit, e cila pëson rritje nga 0.4% në zgjedhjet e kaluara.

Sipas projeksioneve, 0.3% do të votojnë për Partinë Lëvizja Bashkë të Arlind Qorrit. Në fund renditen, me 0.1% secila koalicioni i Lulzim Bashës dhe ai i Enkelejd Alibeajt.

Ora 22:44
Sondazhi i Piepolit/ PS ruan pozitat në Elbasan me 8 mandate, por ‘goditet’ Berisha! Lapaj e Shehaj i marrin nga 1 mandat, PD mbetet me 4

Sondazhi i fundit i realizuar nga Report Tv në bashkëpunim me Piepolin për 11 majin, tregon ndryshime të rëndësishme në skenën politike lokale të Elbasanit. Për herë të parë në këtë qark, dy forca të reja jashtë binomit PS–PD, marrin përfaqësim me nga një mandat secila, duke i marrë kështu 2 mandatet Sali Berishës.

Partia Socialiste mban pozitat dominuese me 55.7% të votave, duke siguruar 8 mandate, njësoj si në zgjedhjet e vitit 2021 kur mori 8 mandate me 55.2%.

Ndërkohë, Koalicioni PD-ASHM pëson një rënie të thellë nga 41.5% në 2021, në vetëm 26.9%, duke humbur 2 mandate dhe zbret nga 6 në 4 deputetë në këtë qark.

Partitë e tjera të vogla nuk marrin mandat, ndërkohë 2% e qytetarëve të qarkut të Elbasanit do votonin partinë ‘Lëvizja Bashkë’ të Arlind Qorit, 1.2% PSD e Tom Doshit (rritje nga 0.4% në 2021), dhe nga 0.1% e votave shkon për ‘Koalicioni Euroatlantik’ të Lulzim Bashës dhe ‘Djathtas për Zhvillim’ të Enkelejd Alibeajt.

Ora 22:41
Sondazhi i Piepolit/ Qarku i Vlorës pa ‘surpriza’, Rama ruan 8 mandatet! 4 të tjerat shkojnë për Berishën, por mbështetja i bie me 5%! Partitë e vogla ‘jashtë loje’

Sipas sondazhit të fundit të Piepolit në bashkëpunim me Report Tv për zgjedhjet e 11 majit, qarku i Vlorës nuk sjell surpriza në garën elektorale. Dy partitë kryesore, Partia Socialiste dhe Koalicioni PD-ASHM, ruajnë të njëjtin numër mandatesh si në zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa partitë e vogla, ndonëse me rritje në përqindje, nuk arrijnë të sigurojnë përfaqësim.

Partia Socialiste kryeson bindshëm me 53.7% të votave, duke marrë 8 mandate, të njëjtat si në zgjedhjet e mëparshme. Megjithatë, krahasuar me rezultatin e 2021 (57.9%), PS shënon një rënie prej 4.2% të votave.

Koalicioni PD-ASHM mbetet forcë e dytë në këtë qark me 32.6% të votave, duke ruajtur 4 mandate, edhe pse me një rënie prej 5% krahasuar me rezultatin e vitit 2021 (37.6%).

Partitë e vogla nuk marrin mandate as në këtë qark, ndërsa sa i takon votave, 5.6% e qytetarëve të qarkut të Vlorës do votonin partinë ‘Mundësia’ të Agron Shehajt, 5.4% ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt, 1.9% partinë ‘Lëvizja Bashkë’ të Arlind Qorit, 0.5% PSD e Tom Doshit (në rënie nga 0.6% në 2021), dhe nga 0.1% do votonin partinë ‘Koalicioni Euroatlantik’ të Lulzim Bashës dhe ‘Djathtas për Zhvillim’ të Enkelejd Alibeajt.

Ora 22:20
Sondazhi i Piepolit/ PD ruan 6 mandatet, por pëson tkurrje në Shkodër! Rritet PS, i merr një mandat PSD! Tom Doshi ngel me 1 deputet

Sipas projeksioneve të Piepolit, Partia Demokratike merr 6 mandatet në qarkun e Shkodrës. Por edhe pse i ruan mandatet nga viti 2021, PD pëson një tkurrje të ndjeshme në përqindje. Sipas sondazhit që sjell ekskluzivisht Report TV në bashkëpunim me institutin Piepoli, koalicioni PD-ASHM merr 42.8% të votave,nga 53.2%. 

Shkodranët kanë rritur besimin për Edi Ramën dhe partinë e tij pasi 35.3% e tyre janë shprehur se do të votonin për PS më 11 Maj, krahasuar me 28.1% në 2021.  PS siguron katër mandate, një më shumë se katër vite më parë. 

E treta renditet PSD e Tom Doshit, edhe pse humb një mandat nga dy që kishte në 2021. Partitë e tjera nuk sigurojnë asnjë mandat. Sipas projeksioneve të Piepolit, Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt merr 6.6% të votave, Mundësia e Agron Shehajt siguron 4.9%, Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit 0.9%, Koalicioni Djathtas për Zhvillim merr 0.2% ndërsa koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës 0.1%.

Ora 22:10
Sondazhi i Piepolit/ Lapaj ‘thyen’ binomin PS-PD në Korçë, merr 1 mandat! Rama 5 deputetë! Berisha rënie të thellë me 14%, por merr 4 vende në Kuvend

Report Tv në bashkëpunim me Institutin Piepoli sjellin projeksionet për qarkun e Korçës, i cili në këto zgjedhje ka 10 mandate në ndryshim nga viti 2021. Sipas sondazhit të Piepolit, sjell një ‘surprizë’ në qarkun e Korçës, ku për herë të parë në këtë garë elektorale, një forcë e re arrin të thyejë ‘polin’ mes PS dhe PD-ASHM. Bëhet fjalë për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, i cili me 11% të votave siguron 1 mandat deputeti, duke marrë për herë të parë përfaqësim në Kuvend.

Partia Socialiste, merr 5 mandate nga 6 që kishte në 2021. Sa i takon votave, qytetarët e Korçës do i besonin PS së Edi Ramës me 46.2% të votave, duke i rënë mbështetja me 2.7 pikë përqindjeje, nga 48.9% të votave që ka marrë në 2021.

Koalicioni PD-ASHM, gjithashtu në rënie, merr 33.5% të votave dhe siguron 4 mandate, një më pak se në 2021, kur kishte 47.6% të votave dhe 5 mandate. Po të analizojmë shifrat e 2021, Berisha ka rënie të thellë në këtë qark, me 14% të votave.

Ndërkohë, partitë e tjera të reja nuk marrin asnjë mandat. Partia Mundësia sipas të dhënave të sondazhit merr 4.4%, Partia Social Demokrate merr 3.9% (rritje nga 1% në 2021). Lëvizja Bashkë merr 0.7% të votave dhe nga 0.1% marrin ‘Koalicioni Euroatlantik’ i Lulzim Bashës dhe koalicionin ‘Djathtas për Zhvillim’ i Enkelejd Alibeajt.

Ora 22:00
Sondazhi i Piepolit/ Rama ruan 5 mandatet në Berat! PD bie ndjeshëm në krahasim me zgjedhjet e 2021, por ruan 2 deputetët

PS ruan 5 mandatet si në zgjedhjet e vitit 2021 në qarkun e Beratit. Në sondazhin e fundit që sjell ekskluzivisht Report TV në bashkëpunim me institutin Piepoli, 57.2% e qytetarëve janë shprehur se do të votonin për PS e Edi Ramës, duke shënuar një rritje të lehtë në krahasim me 56% në 2021.

Koalicioni PD-ASHM, i udhëhequr nga Sali Berisha, merr vetëm 26.4%, një shifër e ulët në krahasim me rezultatin e PD katër vite më parë, 41.6%. Megjithatë, sipas projeksioneve të Piepolit, dy mandatet i ruan. 

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, ndonëse ka besimin e 10.7% të qytetarëve të këtij qarku, nuk siguron mandat. As partitë e tjera nuk sigurojnë asnjë mandat. ‘Mundësia’ e Agron Shehajt siguron 3.2% të votave, PSD e Tom Doshit  merr 1% të votave në krahasim me 0.5% në vitin 2021, partia ‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorrit merr 0.9%. 

Për Koalicionin Euroatlantik të Lulzim Bashës do të votojnë vetëm 0.1% e qytetarëve të Beratit, ndërsa për Koalicionit Djathtas për Zhvillim, të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, shprehen se do të votonin vetëm 0.2%.

Ora 21:47
Sondazhi i Piepolit/ Berisha ruan 4 mandatet në Lezhë, por bie me 10%! PS rritje, por mbetet me 3 mandate! Të vegjlit ‘asgjëkund’

Report Tv në bashkëpunim me institutin Piepoli sjellin sondazhin e fundit për zgjedhjet e 11 majit. Sipas projeksionit 7 mandatet e qarkut të Lezhës do ndaheshin njësoj si në vitin 2021. Konkretisht 4 mandate i merr PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore dhe 3 mandate i ruan PS.

Por, sipas votave që do merrnin subjektet elektorale, shohim një rënie të votave për koalicionin e udhëhequr nga Sali Berisha. PD-ASHM merr 47.9% të votave, por një rënie gati 10% e votave krahasuar me vitin 2021, kur mori 57.8% të votave. Rënia nuk ka ndikuar në numrin e mandateve, ndërkohë nga ana tjetër shohim një rritje për PS. Partia e Edi Ramës, sipas sondazhit të Piepolit merr 42.1% krahasuar me 38.0% të vitit 2021, por mbetet sërish me 3 mandate.

Sa i takon partive të vogla, as në këtë qark nuk marrin mandate. 3.9% e qytetarëve të qarkut të Lezhës do votojnë ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt, 2.6% partinë ‘Mundësia’ të Agron Shehajt, 2% e ‘Lëvizja Bashkë’ të Arlind Qorit, 0.9% PSD e Tom Doshit, 0.2% koalicionin ‘Djathtas për Zhvillim’ të Alibeajt dhe 0.1% do votojnë partinë ‘Koalicioni Euroatlantik’ të Lulzim Bashës. Tom Doshi ka një rritje të lehtë nga 0.5% të votave që ka marrë në 2021, në 0.9% më 11 maj, por mbetet në mandat, ndërkohë që 0.3% e qytetarëve do të votojnë për parti të tjera.

Ora 21:34
Sondazhi i Piepolit/ 'Përmbyset' rezultati në Dibër, PS rritet dhe i 'rrëmben' një mandat PD! Berisha ngel me 2 deputetë, bie mbështetja ndaj demokratëve

Partia Socialiste siguron 3 mandate në qarkun Dibër më 11 maj, një mandat më shumë në krahasim me vitin 2021. Sipas sondazhit të Piepolit, në bashkëpunim me Report TV, 45.2% e qytetarëve të këtij qarku janë shprehur se do të votojnë për PS e Edi Ramës në zgjedhjet e 11 majit, një rritje e lehtë në krahasim me zgjedhjet e 2021, ku kishte 44.7%. 

Ajo që vihet re është rënia e besimit ndaj Sali Berishës në këtë qark, që PD e ka pasur një lloj bastioni. Në sondazhin e Piepolit, 44.9% janë shprehur se do të votonin për koalicionin PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ndërkohë që në vitin 2021 PD kishte 52%. PD humb një mandat në këtë qark nga tre që mori katër vite më parë.

Sa i përket partive të tjera, ata nuk sigurojnë asnjë mandat. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt merr 3.3%, Mundësia e Agron Shehajt 4.2%, PSD e Tom Doshit shënon rritje nga 0.7% që ishte në vitin 2021 në 1.5% më 11 Maj. Me  0.3% renditet Partia Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit, Koalicioni Djathtas për Zhvillim i Enkelejd Alibeajt me 0.2% ndërsa koalicioni i Lulzim Bashës merr vetëm 0.1%.

Ora 21:28
Sondazhi i Piepolit/ PS shënon rritje në Gjirokastër, por merr 3 mandate si në 2021! Berisha rënie të ndjeshme, por ruan 1 mandat

Pjesa më e madhe e qytetarëve të qarkut Gjirokastër besojnë se PS duhet të jetë forca që duhet të drejtojë vendin edhe për katër vitet e ardhshme. Sipas sondazhit të institutit të Piepolit, në bashkëpunim me Report TV, 54.1% e qytetarëve të këtij qarku thonë se do të votojnë për PS në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa 34.8% për koalicionin e Sali Berishës. PS ruan 3 mandatet si dhe PD 1 mandat.

Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, PS ka një rritje të lehtë në përqindje, ku do merrte 54.1% të votave nga 53.8% në 2021. PD një rënie të ndjeshme nga 43.3% në 2021 në 34.8%, një humbje prej 8.5%, por gjithsesi mban 1 mandat.

Partitë e tjera nuk arrijnë të marrin asnjë mandat. Përqindje më të lartë e merr Koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” e Adriatik Lapajt me 4.4% , ndjekur nga partia “Mundësia” e Agron Shehajt me 3.3%. 2.6% thonë se do të votonin për Partinë Social Demokrate të Tom Doshit, një rritje në krahasim me 2021 ku kishte 1.2%.  Për partinë “Lëvizja Bashkë” të Arlind Qorrit do të votonin 0.3%.

Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës dhe Djathtas për Zhvillim i Enkelejd Alibeajt marrin secili me nga 0.1%.

Ora 21:11
Sondazhi i Piepolit/ Berisha rënie në Kukës, por ruan 2 mandatet! PS rritet, por i mbetet 1 mandat si në 2021! Ja si do votoheshin partitë e reja

Vetëm 6 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Report Tv sjell ekskluzivisht sondazhin e fundit në bashkëpunim me institutin Piepoli. Si ndahen 3 mandatet për qarkun e Kukësit?

Sipas sondazhit të Piepolit, gara mbetet e përqendruar mes dy forcave kryesore politike. Koalicionit PD-ASHM ruan 2 mandatet në këtë qark, njëjtë si në zgjedhjet e 2021, ndërsa mandati tjetër shkon për Partinë Socialiste.

Por, edhe pse merr 2 mandate, Berisha ka rënie në qarkun e Kukësit, ku sipas të dhënave të sondazhit të Piepolit, kryeson me 55.8% të votave, por një rënie 6.6%, krahasuar me vitin 2021, kur në këtë qark mori 62.4%. 

Ndërkohë, Partia Socialiste renditet e dyta me 38.5%, duke shënuar një rritje të lehtë prej gati 3%, pasi në 2021 mori 35.8% të votave. Por edhe pse një rritje e lehtë e votave, kjo nuk i mjafton PS për të marrë një mandat të dytë.

Partitë e tjera të vogla, sipas sondazhit të Piepolit nuk marrin asnjë mandat. 2% e kuksianëve do votojnë ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt, 1.7% partinë ‘Mundësia’ të Agron Shehajt, 0.4% partinë ‘Lëvizja Bashkë’ të Arlind Qorit, 0.1% ‘Koalicionin Euroatlantik’ të Bashës dhe po 0.1% e kuksianëve më 11 maj do votojnë koalicionin ‘Djathtas për Zhvillim’ të Alibeajt.

Ndërkohë, as PSD e Tom Doshit nuk merr asnjë mandat, sipas projeksioneve të Piepolit, ndonëse vetë Doshi ka shprehur publikisht ambicien për t’i marrë një mandat Berishës në Kukës. PSD ka një rritje të lehtë nga 0.5% në 2021, në 1.3% këtë vit.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bravo: 06/05/2025 00:13

    Jemi ne BE domethënë, po pres me pasaportë ne dorë, fitoreeeee, erdhen dhe paisjet te onlologjiku dhe ilacet te infektivi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?