Politikë

Kushtetuesja pezulloi dekretin e Begajt, KQZ ndërpret përgatitjet për Tiranën: Më 9 nëntor, zgjedhje vetëm në 5 bashkitë e tjera

10 Tetor, 10:43| Përditesimi: 10 Tetor, 16:32

  • Share

TIRANË- Me botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të Kushtetueses që pezulloi dekretin për zgjedhjet në Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërprerë të gjitha përgatitjet. Ishte vetë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi që në një konferencë për mediat sqaroi se përgatitjet për zgjedhjet e Tiranës do të jenë të pezulluara deri kur Kushtetuesja të dalë me një vendim për ankimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Celibashi theksoi se në asnjë rast, zgjedhjet e Tiranës nuk mund të zhvillohen më 9 nëntor dhe puna përgatitore për procesion zgjedhor po vijon vetëm për 5 bahskitë e tjera që do të zgjedhin kryetarin e ri, Vlora, Tepelena, Berati, Mati dhe Cërriku. 

“Në zbatim të vendimit të Kushtetueses, që dje KQZ ka ndërprerë dhe pezulluar përgatitjet që lidhen me procesin zgjedhor në Tiranë dhe vazhdon normalisht për 5 bashkitë e tjera. Çdo veprim i KQZ, i cili lidhet me përgatitjet e zgjedhjeve për Tiranën është pezulluar që ditën e djeshme. Me datë 9nëntor, është e sigurt që do të zhvillohen zgjedhjet për 5 bashkitë e tjera, përjashto Tiranën, pra për Vlorën, Tepelenën, Cërrikun, Beratin dhe Matin”, theksoi Celibashi.

Për gazetaren e Report Tv, Esiona Konomi, Celibashi tha se KQZ po respekton vendimin e Kushtetueses, pasi do ishin në shkelje të ligjit nëse do të vijonin me përgatitjet, duke theksuar se do të presin vendimin e Kushtetueses për Veliajn.

“Në momentin që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar efektet për atë pjesë të dekretit të Presidentit është sikur ai dekret të mos ekzistojë në një lloj mënyre për atë pjesë për të cilën ka urdhëruar Gjykata. Dhe do të ishim në shkelje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor nëse KQZ do të vazhdonte me procesin përgatitur të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Ndaj e thashë se bazuar në urdhërimin e vendimit të Kushtetueses do të duhet ta respektoj vendimin. Kjo është e qartë në gjykimin tim. KQZ nuk mund të kryejë asnjë veprim që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor në Bashkinë e Tiranës, është çështje e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi ankimin që është bërë në gjykatë nga zoti Veliaj në lidhje me vendin për shkarkimin e tij.  KQZ nuk po zhvillon asnjë veprimtari që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor për Tiranën për datën 9 nëntor për shkak të urdhërimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Celibashi.

Por, çfarë mund të ndodhë më zgjedhjet e Tiranës nëse Kushtetuesja del me një vendim të formës së prerë për Veliajn në seancën që do të mbahet më 31 tetor? Celibashi përgjigjet kështu.

“Kushtetuesja ka caktuar datën 31 për të vendosur mbi këtë çështje, mund të jetë vendim përfundimtar me datë 31, 1, 2 këtë nuk e dimë. Në çdo lloj versioni, qoftë KQZ, Këshilli i Ministrave apo Presidenti, do të shohin nëse do ketë vend për të marrë ndonjë veprim të caktuar, as nuk më lejohet as nuk do preferoja të flisja se çfarë, në një situatë hipotetike, do duhej të bënte Presidenti apo Këshilli i Ministrave”, tha Celibashi.

I sigurt Celibashi thotë se me datë 9 nëntor zgjedhje në Tiranë nuk do të ketë.

“Zhvillimi i procesit zgjedhor për Tiranën në datën 9 është thuajse i pamundur. Se çfarë angazhon pas datës 31 nëse Gjykata Kushtetuese vendos më 31, ky vendim për KQZ, për Këshillin e Ministrave apo Presidentin këtë nuk di ta them”, tha Celibashi.

Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e Erion Veliajt dhe pezulloi dekretin e Presidentit Begaj për zgjedhjet në Tiranë. Gjykata argumenton se zbatimi i dekretit do të sillte pasoja të pariparueshme për të drejtat e të zgjedhurit vendor për sa kohë çështja gjyqësore ndaj tij është ende në shqyrtim. Ky vendim unanim i Kushtetueses, nuk prek 5 bashkitë e tjera, të cilat do të mbajnë zgjedhje siç ishte planifikuar.

Me vendimin e Kushtetueses, që u botua dhe në Fletoren Zyrtare, KQZ nuk mund të vijojë me përgatitjet për garën e kryeqytetit: as të regjistrojë partitë, as të regjistrojë koalicionet apo kandidatët, as të ngrejë komisionet e votimit, as të përcaktojë QV, as modelin e fletë së votimit dhe as ta printojë.

Ora 11:07
Task Forca e përbashkët me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme? Celibashi: Ndoshta s’do jetë e nevojshme për këto zgjedhje

 

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në konferencën për mediat, u pyet nga gazetarët edhe për bashkëpunimin me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Ai tha se për shkak të masës së këtyre zgjedhjeve të pjesshme, ndoshta nuk do të jetë e nevojshme, ndërsa shtoi se komunikimet janë të vazhdueshme me të dyja institucionet e drejtësisë.

“Ai bashkëpunim ka ekzistuar edhe para se të formalizohej ashtu sikurse u formalizua më 11 maj dhe me siguri do të vazhdojë. Por ndoshta për shkak të masës në këto zgjedhje, nuk do të jetë e nevojshme për të patur një marrëveshje. Bashkëpunimin e kemi, edhe pas procesit ka vazhduar. Ne shkëmbejmë informacione me të dy strukturat. “, tha Celibashi.

Ora 11:06
A u bëtë palë në shkeljen e Kushtetutës? Celibashi iu përgjigjet gazetarëve për zgjedhjet e Tiranës: Asnjë shkelje nga KQZ, po respektojmë autoritetin e Gjykatës

 

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse KQZ është bërë palë në shkelje të Kushtetutës, pasi po zhvillonte përgatitjet për zgjedhjet në Tiranë ndonëse Erion Veliajt kishte ankimuar shkarkimin nga qeveria. Celibashi u sqaroi gazetarëve se KQZ nuk ka asnjë lloj detyrimi ligjor që e detyron të presë për përgatitjet për zgjedhje sa kohë nuk ka asnjë vendimmarrje. Celibashi theksoi se tashmë që ka një vendim nga Kushtetuesja, që ka pezulluar dekretin e Begajt, po respektojnë autoritetin e saj.

“KQZ nuk ka patur asnjë detyrim, nuk detyrohet as nga Kushtetuta as Kodi, që të presë, sa kohë nuk ka vendimarrje se çfarë ndodh me pretendimet që njëra palë ka kundrejt dekretit. Nëse ne do të diskutonim dekretin, do kishim marrë kompetencën e një organi tjetër dhe ishim në shkelje. Tani që Kushtetuesja vendosi, po respektojmë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është shumë e qartë”, theksoi Celibashi.

Ora 10:57
Celibashi: Zhvillimi i procesit zgjedhor në Tiranë në datën 9 nëntor është i pamundur

 

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se është e pamundur që më datë 9 Nëntor të mbahen zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, edhe sikur Gjykata Kushtetuese të shprehet më 31 tetor për ankimimin e Erion  Veliajt. Kjo, sipas tij, vjen për shkak të disa procedurave për përgatitjen e zgjedhjeve që kërkojnë kohë dhe KQZ nuk mund të veprojë tani për bashkinë e Tiranës për sa kohë është dhënë një urdhër për pezullimin e dekretit për Tiranën.

“Është procesi i përgatitjes së ngritjes së komisioneve zgjedhore, procesi i regjistrimit të partive politike si subjekt zgjedhor dhe i regjistrimit të koalicionit. Pra janë një sërë aspektesh të tjera që jo veçmas kohës që kërkojnë se të gjitha mund ti mbarojmë qoftë për 24 orë, por janë disa të drejta që këto subjekte i kanë të garantuara na Kushtetutë dhe Kod Zgjedhor. Kur vijmë te kandidatët, kemi rastin e kandidatëve të pavarur do të duhet të regjistrohen nëpërmjet një procesi që jo vetëm kërkon kohë e ditë, por përmban edhe disa të drejta që nuk ua mohon atyre. Duhet të paraqesin nismëtarë, të shprehin interesin për zgjedhjet, duhet që KQZ ta pajisë me formularët për mbledhjen e nënshkrimeve dhe këtë formular për Tiranën nuk mund ta vendosim tani në dispozicion se është e pezulluar. Kështu që janë disa veprime juridike të obliguara për t’u kryer si nga KQZ por ajo çfarë ka më shumë rëndësi nga ata që marrin pjesë në zgjehdje dhe kandidatë. Kështu që mendoj se do të ishte më me dobi që ta themi që zhvillimi i procesit zgjedhor për Tiranën në datën 9 është thuajse i pamundur. Se çfarë angazhon pas datës 31 nëse Gjykata Kushtetuese vendos më 31, ky vendim për KQZ, për Këshillin e Ministrave apo Presidentin këtë nuk di ta them. Secili prej nesh duhet ta ketë të qartë se çfarë veprimi duhet të ndërmarrë.”, tha Celibashi.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?