Politikë

S’ka zgjedhje më 9 nëntor në Tiranë, Kushtetuesja pezullon unanimisht dekretin e Presidentit Begaj! Më 31 tetor shqyrtohet shkarkimi i Veliajt (VENDIMI I PLOTË)

9 Tetor, 14:10| Përditesimi: 9 Tetor, 18:22

  • Share

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e parakoshme të Tiranës të caktuara më datë 9 nëntor. Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankimimit të Erion Veliajt, i cili kërkoi që Dekreti i Presidentit të shpallej i paligjshëm dhe të pezullohej procesi për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. 

Burime për Report Tv bëjnë me dije se vendimi u mor unanimisht nga e gjithë trupa e Gjykatës Kushtetuese. Kështu, në datë 31 tetor 2025, në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seanca publike për të shqyrtuar shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt nga Qeveria, i cili e kundërshtuar këtë vendim.

"Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.
Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 "Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore", për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si i papajtueshëm me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.
Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 "Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore", për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës i njeh ankimit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë, ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese", njoftoi Gjykata Kushtetuese.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u botua pasdite edhe në Fletoren Zyrtare, duke hyrë kështu në fuqi.

Veliaj kishte ankimuar në Gjykatë Kushtetuese më 29 shtator vendimin e Këshillit të Ministrave që e shkarkoi nga detyra. Sipas Kushtetutës, akti i qeverisë pezullohet automatikisht. Për rrjedhojë nuk mund të shpalleshin as zgjedhjet në Tiranë. Por Presidenti Bajram Begaj, më datë 1 tetor 2025, nxorri dekretin për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera të vendit.

Menjëherë, avokatët e Erion Veliajt u vunë në lëvizje dhe të nesërmen bënë shtesë në ankimimin e tyre të mëparshëm, duke kërkuar edhe shpalljen anti-kushtetues të dekretit të Presidentit për zgjedhjet e Tiranës.

Ogerta Manastirliu, Florjan Binaj dhe Arlind Qori, duhet të presin, për të kuptuar nëse një betejë dimri mes tyre do të zhvillohet.

KRONOLOGJIA E NGJARJEVE PËR BASHKINË E TIRANËS:
11 shtator 2025 – Në Asamblenë e PS, Edi Rama i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tiranës të niste procedurat për shkarkimin e Erion Veliajt. Ogerta Manastirliu prezantohet si kandidate e PS për kryeqytetin.
17 shtator 2025 – Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës organizojnë mbledhje në selinë e PS për të diskutuar për nisjen e procedurës së shkarkimit të Erion Veliajt. Motivacioni: Aktivizimi i nenit 62 të qeverisjes vendore me mosparaqitjen në detyrë të kryebashkiakut për 3 muaj.
23 shtator 2025 – Këshilli Bashkiak i Tiranës propozoi shkarkimin e Erion Veliajt me 50 vota. Kryebashkiaku Veliaj nuk u lejua të merrte pjesë në mbledhje.
24 shtator 2025 – Prefekti i Tiranës i dërgon Qeverisë propozimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Erion Veliajt.
25 shtator 2025 – Këshilli i Ministrave shkarkon nga detyra Erion Veliajn.
29 shtator 2025 – Erion Veliaj ankimon në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës.
30 shtator 2025 - Qeveria njofton zyrtarisht Presidencën për vakancën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
1 tetor 2025 – Presidenti Begaj dekreton zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë Tiranë më datë 9 nëntor
2 tetor 2025 – Avokatët e Erion Veliajt ankimojnë në Kushtetuese dekretin e Presidentit, kërkojnë pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë
9 tetor 2025 – Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Veliajt dhe rrëzon dekretin e Presidentit duke pezulluar zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës

 

Përse lindi debati kushtetues për Bashkinë e Tiranës?

Debati lindi që prej shkarkimit të Erion Veliajt nga Këshilli i Ministrave si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Procesi nisi nga socialistët në këshillin bashkiak të Tiranës me motivacionin e mosparaqitjes në detyrë për 3 muaj.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e ankimoi në Kushteteuese vendimin për shkarkimin e tij, që do të thotë se sipas Kushtetutës, Presidenti nuk do të duhej të kishte shpallur dekret për zgjedhjet në Tiranë pa pritur vendimi te Gjykata.

Por pavarësisht kësaj, kreu i Shtetit nxorrit dekretin për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës më 9 nëntor, duke argumentuar se shkarkimi i Veliajt për mosparaqitjen në detyrë është çështje administrative dhe jo kushtetuese.

Vetë Veliaj e kundërshtoi këtë dekret në Kushtetuese dhe argument të Presidentit, duke thënë se neni 62 te Ligji per pushteti vendor, të cilit iu referuan në propozimin për shkarkimin me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës (i cili përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave bëhet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve).

Veliaj thekson se shkarkimi mund të merrej vetëm kur të kishte një vendim të formës së prerë, pasi atëherë mund të cilësohej si një shkelje e rëndë e ligjit apo Kushtetutës. Por, në ankim, argumentohet se mosparaqitja e tij në detyrë është “rezultat i një pamundësie objektive”, pasi ndodhet prej 10 shkurtit në paraburgimin e Durrësit.

Ai arsyeton në kërkesën e tij se është Kushtetuta, si akti më i lartë i rendit juridik, ajo që i përcakton shkaqet për të cilat mund të shkarkohet kryetari i bashkisë dhe se Këshilli i Ministrave ka aplikuar një “kriter” të ri, që nuk gjendet në asnjë dispozitë juridike. 

Sot, Gjykata Kushtetuese e pranoi ankimimin e Veliajt për Dekretin e Presidentit Bajram, duke rrëzuar këtë të fundit dhe rrjedhimisht pezullohet i gjithë procesi për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë. Ky proces do të qëndrojë i pezulluar deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese që do të përcaktojë nëse shkarkimi nga detyra i Erion Veliajt ishte i ligjshëm ose jo. Në këtë aspekt, zgjedhjet në Tiranë do të mbahen vetëm pasi të jepet ky vendim përfundimtar nga Kushtetuesja.

Ora 18:01
Gjykata Kushtetuese: Ja përse e pezulluam dekretin e Begajt për zgjedhjet në Tiranë

1758043191_gjykatakushtetuese.jpg

Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e plotë të rrëzimit të dekretit të Presidentit Bajram Begaj duke pezulluar zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës.

Në arsyetimin e vendimit, Kushtetuesja shpjegon se nëse dekreti i Begajt për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë do të qëndronte në fuqi, do të sillte pasoja të pariparueshme në adresë të Erion Veliajt, teksa vendimi për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.

“Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr. 8577/2000. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (kërkuesit), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim”, thuhet në pikën 4 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa në pikën 3 të vendimit, Kushtetuesja thekson se gjykata vepron kryesisht ose me kërkesë të palëve kur vlerëson se zbatimi i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërore ose të individid, pikë që i referohet dekretit të Begajt për zgjedhjet në Tiranë, në një kohë kur Veliaj e ka ankimuar shkarkimin e tij nga detyra.

Vendimi i Kushtetueses i është dërguar edhe Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që e vendos në dijeni për mosmbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë në datë 9 nëntor.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

/Lajmi ne përditësim...

Ora 17:45
GJK rrëzoi dekretin e Begajt për zgjedhje në Tiranë, Marash Logu: Tani dihet kush nuk ka dije mbi Kushtetutën

 

Këshilltari Ligjor i PD, Marash Logu ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhje në Tiranë më 9 nëntor.

Logu ka publikuar një video ku kryeministri Edi Rama, thotë se ata që kundërshtojnë dekretin nuk kanë dije mbi Kushtetutën.

‘Ata që diskutojnë legjitimitetin e dekretit të presidentit për zgjedhjet nuk kanë faj, sepse nuk kanë as shkollën dhe as dije mbi Kushtetutën’, thotë Rama.

Logu shkruan se pas vendimit që dha Kushtetuesja tashmë shihet qartë se kush nuk ka dije mbi Kushtetutën.

‘Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese është e qartë se kush nuk ka shkollë, pavarësi intelektuale dhe dije mbi Kushtetutën’, tha ai.

Ora 17:32
Reagon Presidenti Begaj: Do të respektoj vendimin e Kushtetueses për pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë

1759337518_PresidentiBajramBegaj.jpeg

Presidenca ka reaguar duke thënë se kreu i shtetit Bajram Begaj do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve të Tiranës më 9 nëntor.

Kushtetuesja i ka pezulluar zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës pas ankimimit të Erion Veliajt.

Ky i fundit ka ankimuar gjithashtu edhe shkarkimin e tij nga detyra që u mor nga Këshilli i Ministrave.

Më 31 tetor, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra.

Njoftimi i Presidencës:

Zyra e Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun

Njoftim për Media

Tiranë, më 9 tetor 2025

Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës të dekretit me nr.350, datë 01.10.2025.

Ora 16:54
Kushtetuesja rrëzoi dekretin e Begajt për zgjedhjet në Tiranë, Bardhi publikon foton: Kllouni në Presidencë u diskretitua sot!

1760022196_kllounibegaj.jpg

Foto e publikuar nga Gazment Bardhi për presidentin Begaj

Pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi dekretin e presidentit Bajram Begajt për zgjedhjet e pjesshme lokale për zgjedhjet e 9 nëntorit për Bashkinë Tiranë, ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi.

Bardhi shkruan se  shkelje më të rëndë të Kushtetutës nuk ka kryer kurrë asnjë President në këto 35 vitet e fundit. Ndërsa po ashtu shkruan se kllouni në Presidencë u diskretitua sot.

“Kllouni në Presidencë u diskretitua sot në sytë e gjithë opinionit publik, duke u shpallur me vendim të GJK si ushtar i ER. Nëse do kishte një grimcë dinjiteti sot do kishte dhënë dorëheqjen. Shkelje më të rëndë të Kushtetutës nuk ka kryer kurrë asnjë President në këto 35 vjet”, shkruan Bardhi.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Cccc: 09/10/2025 17:17

    Ja pra,ne vend te shijonim anarkine,po jetojme ne anarshi,totale.. kush nuk e di ndryshimin,te keshilloje fjaloret e latinishtes

    Përgjigju
  • Nexho Shaban Nexhi: 09/10/2025 14:57

    Tashi kur presidenti nxjerr dekret te paligjshem, a i bie qe te mbaje pergjegjesi, morale, civile, apo penale?

    Përgjigju
    • Ilir: 09/10/2025 16:27

      Nuk ka penale, civile jo e jo...morale po. Por ne AL se pj**dh kush moralen

  • Bravo: 09/10/2025 14:33

    Cfare gallate, cfare estrade. Te dhjefdha boten w trete.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?