Megjithëse Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës, dhe KQZ ndëpreu përgatitjet për procesin zgjedhor më 9 nëntor, kandidatja socialiste Ogerta Manastirliu vazhdon që të bëjë fushatë. Ajo është takuar sot me banorët e Njësisë nr. 2.
Në fokus të bisedimeve ka qenë çlirimi i hapësirave publike, një aksion i ndërmarrë prej disa javësh, përmirësimi i transportit rrugor, koncepti i ri urban për blloqet e banimit, që sipas kandidates së Partisë Socialiste, do të shndërrohen në modele modern të jetesës qytetare.
“Kemi filluar një operacion të çlirimit të hapësirave publike në qytet. Kemi arritur më shumë se 1500 pika në qytet, të cilat janë çliruar tashmë por nga ana tjetër nuk duam ta konsiderojmë këtë si një operacion në dëm të dikujt por në të mirën e përbashkët dhe kështu duhet ta konsiderojmë çdo projekt. Si ta bëjmë Tiranën më të jetueshme, si t’i bëjmë lagjet më të jetueshme, si t’i krijojmë hapësirat më të mira për fëmijët tanë që të luajnë, si t’i krijojmë hapësirat për të moshuarit që të kenë hapësira çlodhëse por nga ana tjetër dhe të harmonizojmë bashkëjetesën mes komunitetit dhe biznesit për t’ia rritur vlerën pronës edhe biznesit”, u shpreh Manastirliu.
Duke iu referuar shqetësimi që banorët ndanë lidhur me trafikun e rënduar dhe vështirësinë me të cilën ata përballen duke përdorur transportin publik, kandidatja socialiste tha:
"Ka shumë për të bërë për transportin publik që ne duam që të shfrytëzohet edhe më shumë për qytetarët e Tiranës, për të lehtësuar trafikun e Tiranës që jeta jonë të bëhet edhe më e mirë. Do të kemi një koncept të ri për blloqet e banimit, duke pasur më shumë hapësirë për të ecur dhe për të krijuar më shumë gjelbërim brenda lagjeve me konceptin e super blloqeve që krijojnë mundësinë e lëvizjes së këmbësorëve, të vendeve të lojërave për fëmijët dhe gjithashtu edhe të qarkullimit i cili prioritizon ecjen në qytet”.
Manastirliu tha se sot më shumë se kurrë Tiranës i duhet një ekip që punon me zemër, një ekip që zhvillon Tiranën me ritmin që Shqipëria po zhvillohet.
Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e presidentit Begaj për zgjedhjet në Tiranë pas ankimimit të Erion Veliajt. Më 31 tetor pritet që kjo gjykatë të shqyrtojë edhe ankimimin për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të bashkisë së Tiranës. Po ashtu, edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha sot se kanë ndërprerë përgatitjet zgjedhore për Tiranën pas anulimit të dekretit dhe përjashtoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve më 9 nëntor, edhe sikur Kushtetuesja të shprehet më 31 tetor, pasi sipas tij, nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për të kryer të gjitha procedurat e nevojshme.
Komente

Zonja Manastirliu kur ishte te shendetesia nuk e zgjidhi plagen e ilaceve qe mungonin per pacientet me kancer, as rremujen e qellimshme qe behet te onkologjiku. E kam provuar ne njerez te afert. Duket zonje e nderuar, s'e mohoj,
Përgjigju