Zgjedhje në Tiranë nuk do të ketë derisa gjykata (Kushtetuese) të shprehet lidhur me themelin e ankimit të Veliajt për vendimin e Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Bashkiak (të Tiranës) për shkarkimin e tij.
Kështu tha avokati Arbër Hoxha në “Studio Live” me Ermal Qorin në Report Tv, lidhur me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese që pezullon dekretin e presidentit Bajram Begaj për zhvillmin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Tiranë më 9 nëntor.
Pavarësisht vendimit të Kushtetueses, Partia Socialiste ka lajmëruar se nuk do të ndalojë fushatën në Tiranë me kandidaten Ogerta Manastirliu. Për avokatin Hoxha, kryebashkiaku Erion Veliaj duhet të bëjë një kallëzim për këtë vendim të PS, pasi ndonëse është politik, nuk është ligjor.
“Besoj që është një shkelje e përsëritur jo vetëm nga ana e Presidentit, është një shkelje e përsëritur e Këshillit Bashkiak, natyrisht e Partisë Socialiste dhe më pas e Këshillit të Ministrave. Shkelja do të vazhdojë të paktën në optikën e çdo juristi, por të paktën këto persona që kanë përcjellë këto mesazhe le ta thonë avokatët e zotit Veliaj, të cilët unë mendoj se duhet të bëjnë kallëzim. Çdo gjë që ndodh brenda një kampi politik është politike, por duhet të jetë edhe ligjore”,- tha Hoxha.
Avokati theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk do të shpallë një vendimin lidhur me ankimimin e Veliajt më 31 tetor, pasi ajo do të jetë seanca e parë që zhvillohet për këtë rast, ku do të dëgjohen pretendimet e palëve, dhe vendimmarrja do t’i marrë disa ditë kohë.
“Unë besoj që nga Gjykata Kushtetuese nuk do të ketë një vendimmarrje më 31 tetor, sepse seanca do të jetë publike, palët do të dëgjohen. Nuk mendoj që Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim brenda 1 ore apo 2 orësh, do duhet rreth 10 ditë kohë. Pra, unë nuk besoj që para datës 9 nëntor do të ketë një vendimmarrje”,- tha Hoxha.
Në fund të intervistës, Hoxha tha se presidenti mund të ndiqet penalisht për shpërdorim detyre, pasi sipas avokatit, nxorri një dekret në injorim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës.
Komente
