TIRANË - Diaspora shqiptare vijon regjistrimin në aplikacionin e KQZ për të qenë votues në zgjedhjet e 11 majit dhe gjithçka pritet të zyrtarizohet në Kodin Zgjedhor.
Por ditën e sotme, lideri i PD-së Sali Berisha u shpreh se forca që drejton nuk do të votojë asnjë ndryshim në kodin zgjedhor nëse aty nuk parashikohet edhe lejimi për tu regjistruar si zgjedhës edhe i atyre shqiptarëve jashtë që nuk kanë pasur kurrë një mjet identifikimi.
Kjo deklaratë dhe kushti i Berishës mund të rrezikojë mundshmërinë e votës së diasporës. Lavdrim Krashi, deputet i PS-së deklaroi në Repolitix se tani që ka nisur procesi për diasporën nuk mund të dilet me rregulla të reja.
'Na duket sikur po bëjmë çmos për ta bërë të vështirë votën e emigrantëve. Çfarë dokumentoi duhet për të votuar. Ne në Shqipëri paraqesim një kartë identiteti. Duhet të jemi realist. Shqiptarët që jetojnë jashtë e kanë shumë të pamundshme rinovimin dhe marrjen e dokumenteve nga konsullata. E dini çdo të thotë Kanada, nga një cep në tjetrin. Debati nuk është ky. Është tjetërsoj. Dokumenti, një nga gjërat e mira që ka bërë PD-ja ka qenë identifikimi biometrik. Ligji, është dhe standard ndërkombëtar. Një qytetarët që të votojë duhet të identifikojë veten e tij. Qasja për diasporën mund të ishte bërë ndryshe. Nuk ka kuptim që në mes të procesit të regjistrimit dilet me kërkesa të reja. Veprime të tilla do dekurajojnë një numër të madh shqiptarësh që të regjistrohen.'
Avokati Rezart Kthupi deklaroi për Denis Mingën, se kur nisi ky proces PD ishte e bindur se KQZ nuk do dilte me një platformë dhe vota e diasporës nuk do realizohej.
'Kur bëhet fjalë për zgjaten e afatit të ID është edhe për shqiptarët brenda Shqipërisë. Në 2011 ka pasur betejë kush bënte më shumë karta identitetit votuesve. Ta shpëtojmë votuesin për 6 muaj. Ka një problem, që politika shqiptare ka një gangrenë që zgjat gjithnjë afatin. Ke një gamë, mund të përdoret edhe patentat. Nuk skadojnë të gjithë dokumentet në të njëjtën kohë. Kërkesa e PD-së është pasojë e një marrëveshje në keqbesim, që prej 26 korrikut. Kështu e kërkonte PS-ja formatin e votës në diasporë.
PD ka qenë e bindur se KQZ nuk do prodhonte programin për regjistrimin e diasporës. Partitë politike ishin të lara. Ky format ka 3 gjëra, është i pakontrollueshëm, jashtë sferës së përgjegjësisë penale, i jep mundësi partisë në pushtet ta kompensojë vlerën e ardhjes në Shqipëri me zarfin. Jashtë mund të votohet në grup. Mund të bëhej shumë mirë nëse do votohej në konsullatë. Nëse shkon dhe paraqet një dokument të falsifikuar të një shteti të huaj, kush e verifikon?'
Gazetari Flogert Muça, mendon se opozita tani që gjendet para faktit të kryer që po bëhet vota e diasporës, ka gjetur një kleçkë që të mos realizohet.
'Duke mos ndërtuar dot sistemin për këtë punë të jashtëzakonshme i kanë dhënë PS-së këtë që kemi sot. KQZ e ka realizuar dhe është një histori suksesi për numrin e aplikimeve dhe pranimeve. Janë 3500 kërkesa në ditë. Punojnë 40 veta atje me 4 turne. Në momentin që opozita është gjendur para faktit të kryer që regjistrimi po bëhet masiv, ka gjetur një kleçkë dhe thotë do kërkojë të votojnë ata që janë me ID të huaj. Por sistemi nuk e pranon. Tani që ka ndodhur thonë, nuk do luajmë 11 me 11, por do fusim gjithë stadiumin në fushë. Nuk kontrollohet dot a është valide pasaporta.'
Avokati Përparim Çaça mendon se KQZ nuk mund të verifikojë ata që mund të regjistrohen me dokumente të huaja.
'Më duket e ekzagjeruara që PD ka luajtur blofin. Ndryshimet ligjore duhej të ishin bërë në kohë të hershme. Nëse ka lindur shqetësimi mund të adresohet. Kodi zgjedhor ka të përcaktuar disa afate regjistrimi. 50 ditë duhet të kemi të mbyllur disa lista. Duhet të jenë gati. KQZ minimalisht thotë më duhen 2 javë për ti printuar. Pastaj sa kohë i duhet postës të shkojë tek emigranti dhe për tu kthyer. E pamundur që faktikisht të vijojnë me postë votat brenda afatit ligjor. Ky është problemi që ka lindur dhe duhen bërë këto ndryshime ligjore.
Na ka lindur problemi i kushtëzimit. Janë dhe ata qytetarë shqiptarë që nuk kanë pasur ndonjëherë mjet identifikimi. KQZ duhet të dali me shifër sa shqiptarë kanë tentuar regjistrimin që nuk kanë asnjë mjet identifikimi shqiptar. Një person që nuk ka qenë kurrë i interesuar për një mjet identifikimi, ndoshta nuk do ketë interes për të votuar. Po bëhemi më katolik se Papa. Sa zgjedhës janë ose janë identifikuar që duan të votojnë por nuk kanë një mjet identifikimi shqiptar. E rëndësishme si do kontrollohet kjo kartë ID. Nuk bëhet, nuk identifikohet dot.'
Gazetari Flogert Muça duke folur në 'Repolitix' mbi deklaratat e Berishës se për heqjen e non-gratës ndaj tij prej SHBA-së do lobohet në një moment të dytë, tha se përtej oqeanit nuk ka lajme të mira.
Sipas tij, edhe Belind Këlliçi ndoshta e ka gënjyer Berishën, pasi u kthye nga Amerika në një kohë kur Trump ka halle të tjera si Groenlanda, Kanadaj apo Gaza.
'Përtej oqeanit nuk ka lajme të mira. Beloja ndoshta i ka gënjyer. Këlliçi nuk flet më për këtë çështje. Situata ka ngelur pezull. Trump ka hallin e Groenlandës, Gazës, taksave, këta pretendonin se do kishin hallin tonë. Doktori ka të drejtë, demokratët nuk e kanë pyetur shumë për non gratën, mbi 450 mijë e votuan. Edhe unë mendoj se problemi nuk është non grata. Problemi i doktorit është me shqiptarët dhe me SPAK.'
Avokati Përparim Çaça foli në 'Repolitix' lidhur me kushtin e Berishës për votën e diasporës që të lejohet dhe regjistrimi i atyre shqiptarëve jashtë që kanë një pasaportë të huaj dhe jo shqiptare.
Ky kusht mund të rrezikojë votimin e kodit për votën e diasporës dhe mund ta rrezikojë këtë proces në zgjedhjet e 11 majit. Çaça theksoi se KQZ ka filluar një proces për të mundësuar votimin e diasporës me një modalitet të ri dhe i ka dhënë afat deri më 5 mars. Ai theksoi se ky proces nuk mund të ndalohet, pasi aplikacioni ka filluar dhe diaspora është duke u regjistruar. Ai krahasoi situatën me një dasmë që ka nisur dhe tani është shumë vonë për ta ndaluar.
'Ka filluar KQZ një proces. Ka vendosur që diaspora të votojë me këtë modalitet. I ka ftuar dhe i ka dhënë afat. Deri më 5 mars. Do ta anulojmë këtë dhe do thonë ishte lojë? Tashmë është bërë aplikacioni, është duke u regjistruar, nuk mund të zhbëhet. Jemi në mes të dasmës. Ose do bëhet zgjedhje me diasporën ose nuk ka fare.'
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)