Politikë

Kuvend/ Debate të forta në sallë, Bardhi: Batakçinjtë e Bashkisë sulmuan SPAK, Policia nuk veproi! Hoxha: Ishin simpatizantë që u grumbulluan pa njoftim, s’pati asnjë incident

13 Shkurt, 11:21| Përditesimi: 13 Shkurt, 11:44

  • Share

Debate të forta në sallën e Parlamentit për situatën e ditës së djeshme, kur vlerësohej masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.

Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit e të Tiranës për mosveprim në grumbullimin e djeshëm te SPAK nga punonjësit e Bashkisë së Tiranës. Bardhi i quajti “batakçinj” drejtorët e bashkisë, teksa kërkoi masa edhe ndaj drejtuesve të Policisë.

“Emrin s’ia dimë ministrit të Brendshëm, dimë që është emëruar nga bandat. Por dua të denoncoj precedentin e djeshëm ku një turmë kanë pushtuar ambientet e jashtme të SPAK dhe nuk a pasur polici për grumbullimin e paligjshëm, mungesa e policisë atje, me një grup personash të filmuar dhe identifikuar, drejtorët e bashkisë së Tiranës që urdhëronin punonjësit e administratës që të dilnin në mbështetje të një personi të akuzuar për miliona euro vjedhje. Jo vetëm që nuk ka pasur asnjë veprim për tubimin e paligjshëm dhe mungesë të Policisë duke mos vepruar, por u pengua edhe transferimi i të arrestuarit për korrupsion për ta dërguar anë paraburgim”, tha ai.

Më tej kërkoi edhe masat ndaj tyre.

“Duhet të merren masa që nga drejtori i Policisë së Shtetit dhe deri më poshtë, kjo nuk ka ndodhur kurrë, këta njerëz paguhen me taksat e qytetarëve të Tiranës. Nuk kemi dëgjuar asnjë procedim penal ndaj drejtorëve batakçinj, hajdutë, të Bashkisë së Tiranës për protestën e paligjshme dhe bllokimin, dhe asnjë masë ndaj këtyre personave që bënë shkeljen dhe bllokuan për orë të tëra rrugë të Tiranës”, tha ai.

Ministri Ervin Hoxha u kundërpërgjigj duke mohuar se Policia nuk veproi pas grumbullimit të panjoftuar të simpatizantëve të kryebashkiakut.

“Nuk është e vërtetë, dje në mënyrë të menjëhershme simpatizantë janë grumbulluar te SPAK për të mbështetur kryetarin e Bashkisë. Nuk jemi në kushtet e një lajmërimi për protestë, por në kushtet kur këta simpatizantë donin të ishin prezent në dhënien e vendimit. Kur këta u grumbulluan, u dërguan edhe forcat e Policisë atje deri në fund të vendimit. Është e vërtetë që për grumbullim të menjëhershëm pati bllokim, por nuk është e vërtetë që Policia e Shtetit nuk mori masa, por shkuan për të siguruar perimetrin e SPAK. Menjëherë pas grumbullimit kanë shkuar efektivë të policisë. Dhe për të theksuar, dje nuk ka pasur asnjë incident, e theksoj asnjë dëm gjatë atij grumbullimi dhe asnjë shkelje”, u përgjigj ministri.


Lajmi kryesor:

Tensione në Kuvend/ Deputetët PD përplasen me gardën! Doda shkul mikrofonin tenton të godasë Ballën! Noka i hedh shishe ministrit e Spiropalit, përjashtohet! Ndryshimet e Kodit shtyhen të hënën


A.Q/E.H/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?