Kryetarja e Komisionit të Mediave, Ina Zhupa, mori fjalën në foltoren e Kuvendit ditën e sotme, teksa lexoi edhe projektvendimin e Komisionit për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, pas gjetjeve të konstatuara në raport dhe abuzimeve të shumta në procedurën e përzgjedhjes së drejtorit, por edhe ato nepotike e financiare.
Deputetja e PD lexoi një listë me shkelje të gjetura, të dëgjuara edhe gjatë ballafaqimit në Komision ditë më parë të Këshillit me deputetët në Kuvend. Zhupa i kërkoi kolegëve në sallë shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit për këto shkelje të rënda, si një vendim unanim i Komisionit, përfshi edhe anëtarët e mazhorancës.
“Pas 3 vitesh beteje u pa ajo që ne kemi thënë. Edhe mazhoranca u bind tani. Zgjedhja e anëtarëve apo drejtorëve të Këshillit të RTSH-së ishte me shkelje dhe ne e kemi thënë. U zgjodh Alfred Peza me shkelje dhe tani këto shkelje janë konstatuar. Komisioni ynë arriti në këtë përfundim. Këshilli i RTSH ka kryer një sërë shkeljesh për zgjedhjen e drejtorit të ri, që nga përzgjedhja e kandidatëve deri te votimi, si ai online nga Vietnami dhe mbajtur shënim, por e deklaruar votë e fshehtë. Po me këtë pseudovotim të fshehtë vendosën të mos fusin ata që plotësonin kriteret dhe të zbatonin atë që nuk thotë ligji”, tha deputetja.
Më tej ajo renditi disa nga shkeljet më të rënda, si mungesa e dokumenteve, anashkalimi i ligjeve dhe deri te konflikti i interesit.
“Këshilli nuk kërkoi për kandidatët zbatimin e ligjit për një dokument nga Autoriteti i Dosjeve nëse kandidatët ishin spiunë apo informatorë të Sigurimit të Shtetit. Ka shpallur vonesë të pajustifikuar, duke e mbajtur postin vakant prej kohësh. Shumica e anëtarëve ishin mpleksur me konflikte interesi në lidhje me detyrën aty. Disa kishin punësuar familjarët aty, të tjerë merrnin projekte, teksa ishin anëtar te RTSH., Disa merrnin shpërblime për veten, thua se ishin në tokën e babait dhe jo në Këshill të RTSH. Aty janë abuzuar dhe shpenzuar 23 milionë euro në vit, me qoka, shkarkime, emërime, hiq e vër, me kosto dyfish të mëdha, me gjyqe që fitohen dhe paguhen me paratë e buxhetit të shtetit. Me drejtorë që abuzojnë që janë akuzuar. Mbante vetëm vetëveten dhe nuk i shërbente interesit publik”, u shpreh Zhupa.
Në fund ajo vuri në dukje sjelljen dhe mosnjohuritë ligjore të anëtarëve të Këshillit, që kishin kryer në vijim edhe shkeljen e tij si pasojë e padijenisë.
“Bëmë dëgjesën atje në Komision dhe na thanë se nuk e dinin ligjin. Na bënin atje rolin e budallait, por në fakt janë njëlloj fajtorë edhe sikur e dinin, edhe nëse nuk e dinin. Ata kanë shpërdoruar taksat e shqiptarëve, ndaj në emër të Komisionit dhe kolegëve, kërkojmë shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të RTSH-së”, përfundoi Zhupa.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ PS e PD dakordësi, miratohen me 108 vota pro ndryshimet në Kodin Zgjedhor, futen në fuqi menjëherë! 1.5 mln euro fond partive për 11 majin (FOTOT)
A.Q/I.M/ReportTv.al
