TIRANË- Presidenti i Republikës Bajram Begaj bekoi marrëveshjen PS PD për Kodin Zgjedhor duke dhënë pëlqimin për hyrjen menjëherë në fuqi të ndryshimeve. Socialistët dhe demokratët miratuan të gjitha ndryshimet që lehtësojnë votën e emigrantëve.
Më konkretisht:
1. diaspora nuk do të paguajë asnjë lek për postën që do të kthejë votën në Shqipëri.
2. Fletët e votimit do të prodhohen 10 ditë më shpejt për tu dërguar jashtë
3. Votat e diasporës do të numërohen nga komisionerë politikë me kërkesë të PD.
Kuvendi nuk e votoi kërkesën e PD që të votojnë edhe ata shqiptarë që s'kanë asnjë dokument biometrik shqiptar, por e transferoi konfliktin në KQZ për të gjetur një zgjidhje për shqiptarët me dokumente të huaja.
Kuvendi miratoi me 107 vota pro 1,5 mln euro fond për partitë që të financojnë fushatën e 11 majit. Votimi për Avokatin e Popullit u shty.
Sali Berisha: Ftoj kuvendin të bashkojë votat, për të kaluar si përfaqësues të Avokatit të Popullit, Besim Ndreqonin që përfaqëson shtresën e madhe të të përndjekurve politikë.
Niko Peleshi: E njohim dhe të gjithë e dimë traditën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit i takon Kuvendit të zgjedhë, por propozimet i takojnë opozitës dhe diskutohet për të arritur një emër konsesual. Duhet thënë që edhe në respekt të emrave.
Sali Berisha: Në rast se është problemi për konsultim më të thelluar, mos e hidhni në votë, të bëjmë konsultimin dhe të vijmë ta votojmë. Kemi besim të plotë se ai kandidat nderon atë post.
Niko Peleshi: Jemi dakord për ta hequr nga rendi i ditës dhe të ndërtojmë procesin sic është tradita.
Kuvendi shkarkoi të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH, pas shkeljeve të konstatuara në këtë institucion, si për përfitimet e anëtarëve ashtu edhe për zgjedhjen e drejtorit të Televizionit Publik.
Çfarë ndodhi më parë?
Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi duke folur për propozimin e PD-së për votimin e diasporës me kartë identiteti të vendit ku jetojnë e 'quajti hile, për të hedhur në erë votën e diasporës."
Një aventurë e rrezikshme që kërcon votën e emigrantëve, kështu e ka konsideruar deputeti i PS, Pandeli Majko, konsensusin e arritur mes PD e PS, për t’iu drejtuar komisionit rregullator të KQZ lidhur me votimin me pasaporta të huaja të shtetasve shqiptarë.
“Mua kjo më mban shumë erë, dhe më mban një erë që s’dua ti vë emrin. Do jetë një arsye që votimi për emigrantët të bllokohet do jetë e papërgjegjshme që ky propozim të shkojnë në komisionin rregullator të KQZ. Tejkaluam krizën në një sallë me 5 veta.
Shpresoj tek ndërgjegja kolektive e KQZ që të mos ndërmarrin hapin aventuresk, se me demek nuk u realizua kërkesa
Propozimi juaj mund ta shtyjë jo vetëm komisionin rregullator dhe integritetin e procesit zgjedhor në drejtim të paditur. Shpresoj që KQZ të mos jetë në nivelin të ndërmarrë aktin aventuresk e të bllokojë të drejtën e 100 mijë shtetasve" tha Majko
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se “lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, PD mbështet ndryshime që nuk janë as të PD dhe as të PS, por të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, që lidhen me dy aspekte teknike të procesit për të garantuar votën e bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit”.
Bardhi theksoi se cilido që ka një dokument biometrik identifikimi ka të drejtë të votojë dhe Kodi Zgjedhor nuk specifikon se dokumenti biometrik do të duhet të jetë shqiptar apo i SHBA-së. Ai deklaron se vota e shqiptarëve që kanë dokumente të vendit ku jetojnë nuk rrezikojnë zgjedhjet në Shqipëri.
“Zgjedhjet i dëmton përdorimi i administratës shtetërore në zgjedhje. Ti që drejtues politik i qarkut Dibër i ke dhënë urdhër çdo punonjësi të sjellë listë me 10 emra të votuesve jashtë vendit, sepse nëse nuk i sjell 10 emrat i rrezikohet vendi i punës dhe kjo e rrezikon integritetin e zgjedhjeve dhe jo vota e emigrantëve që nuk kanë dokument biometrik shqiptar, por kanë vendit ku jetojnë”, tha ai.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, falënderoi në kuvend 180 mijë bashkatdhetarët që kanë aplikuar dhe nxit ata të cilëve iu është refuzuar ta ribëjnë aplikimin në KQZ për të votuar më 11 maj. Ai theksoi se diaspora do të na japë 84 mandate për të bërë reforma.
Elda Hoti regjistron Berishën për 23 minuta
Parlamentit ditën e sotme përveç debateve nuk i munguan edhe replikat ironike dhe ngacmimet në distancë mes deputetëve.
Një episod ishte ai i fjalimit të Sali Berishës pas bllokimit të foltores së Kuvendit dhe prerjes së fjalës nga kryeparlamentarja, teksa ai zgjodhi rrjetin social Facebook për të vijuar.
Kolegët e mazhorancës e ndiqnin dhe bënin batuta, teksa ai lëshonte akuza dhe mbajti një fjalë për 23 minuta.
Ajo që ra në sy ishte ‘tortura’ që i bëri deputetes Elda Hoti, të cilës iu desh që në mënyrë statike, në këmbë, të mbante telefonin në dorë gjatë regjistrimit.
Ky moment që shihet edhe në foto, duket se tregon edhe mënyrën se si Berisha i trajton deputetët e PD-së apo në përdorimin që u bën.
Kjo situatë ka bërë që ministri Taulant Balla të ndërhyjë dhe të marrë në mbrojtje deputeten e PD disa herë, por mori reagime jo miqësore prej tyre.
“Boll se u lodhe, ulu! U lodh edhe ai”, i këshilloi ministri socialist.
Madje Balla i ka kërkuar Berishës që ta mbajë vetë telefonin.
“O Taulant, nuk lodhena ne. O Taulant, i shkretë je vetë, nuk lodhemi ne. Je i shkretë, mos na e qaj hallin ne!”, iu përgjigj Hoti teksa vijonte të mbante telefonin për të regjistruar Berishën.
Madje aq e sikletshme u bë situata, sa në një moment deputetes iu desh të mbështeste dorën ku mbante telefonin, te dora tjetër që të mos i lëvizte gjatë regjistrimit pas kohës së gjatë.
Në kulmin e debateve në Kuvend, ku sot u miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe shkarkimi i 11 anëtarëve të Këshilit Drejtues të RTSH, me konsensus nga të dy palët, Sali Berisha duket se ka gjetur kohë të merret edhe me rrjetet sociale.
Objektivi i LSA e ka “kapur mat” kryetarin e Partisë Demokratike, duke u marrë me një foto të Edi Ramës.
Gjatë kohës që Sali Berisha kishte bllokuar foltoren e Kuvendit dhe vijoi komunikimin nëpërmjet rrjetit social Facebook, pati edhe momente tensioni, ku përsëri objekt sulmi dhe kërcënimi ishte ministri Taulant Balla, që ndodhej në vendin e tij në podium.
Por duket se Flamur Nokës nuk i ka dalë inati ende ndaj Taulant Ballës, edhe pse ishte përjashtuar seancën e kaluar kur tentoi të godiste dy herë Ballën.
Sekretari i Përgjithshëm i selisë blu dëgjohet teksa i drejtohet ashpër ministrit Balla, madje duke i thënë se do i shkonte atje ta “zvarriste”.
“Pusho, rri aty, mbylle! Pusho po të them! Mbylle ore!. Pusho mo, se do të të vij aty! Mos fol më, pusho. Mbylle se të erdha aty. Do të vij të zvarris, mbylle”, dëgjohet të thotë Noka nga salla, teksa Balla replikonte me Berishën.
Shkak u bë këshilla që ministri socialist i jepte Berishës që të ulej sepse ishte lodhur dhe po lodhte deputetët e tij.
“Shlodhu Sali, u lodhe, u lodhën edhe ata!”, tha Balla.
Këtu fillimisht ndërhyn një nga deputetet, që i thotë që të pushonte.
Gjithçka u shënua teksa seanca ishte ndërprerë pasi Berisha nuk lëshonte foltoren e Kuvendit. Kujtojmë se javën e kaluar seanca u shty për shkak të tensioneve.
Flamur Noka tentoi të godiste ministrin Balla, por u ndal nga gardistët e për këtë arsye edhe u përjashtua nga seanca.
Sali Berisha kërkoi votat në Kuvend për Besim Ndreqonin, propozimin e opozitës për Avokat Populli. Por, Niko Peleshi i PS u shpreh se ka munguar procesi i konsultimit dhe palët ranë në dakordësi që të ta heqin nga rendi i ditës.
Sali Berisha: Ftoj kuvendin të bashkojë votat, për të kaluar si përfaqësues të Avokatit të Popullit, Besim Ndreqonin që përfaqëson shtresën e madhe të të përndjekurve politikë.
Niko Peleshi: E njohim dhe të gjithë e dimë traditën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit i takon Kuvendit të zgjedhë, por propozimet i takojnë opozitës dhe diskutohet për të arritur një emër konsesual. Duhet thënë që edhe në respekt të emrave.
Duhet ti japim seriozitet procesit, mos ta lemë në seancë, thuhet një emër. Nuk kemi një vendim politik, përsa kohë ka munguar ky proces, nëse s’do kemi një rezultat për një emër të caktuar, ftoj opozitën të ndërtojmë procesin siç është traditë për të arritur me konsensus me një emër. S’jemi kundër asnjë emri, të ndërtojmë procesin dhe flasim për propozimet tuaja.
Sali Berisha: Në rast se është problemi për konsultim më të thelluar, mos e hidhni në votë, të bëjmë konsultimin dhe të vijmë ta votojmë. Kemi besim të plotë se ai kandidat nderon atë post.
Peleshi: Jemi dakord për ta hequr nga rendi i ditës dhe të ndërtojmë procesin sic është tradita.
Deputeti demokrat Petrit Doda u shpreh nga Kuvendi se ai dhe PD i kërkojnë SPAK-ut që të nisë hetimet për godinat arsimore të shembura dhe ndërtuara në Kamëz, pasi ka dyshime për shkelje ligji dhe abuzime ekonomike, duke akuzuar edhe kryebashkiakun socialist, Rakip Suli.
Kjo ishte edhe fjala e fundit e mbajtur para se deputetët sipas lajmërimit të kryeparlamentares Elisa Spiropali, të kalonin në votimin e 16 projekvendimeve të ndryshme në rend dite.
Ligjvënësi bëri edhe ironi me kolegët në sallë për seancën e kaluar, duke kujtuar çështjen e “heqjes së rripit”, ku tentoi të godiste me mikrofon të shkulur ministrin Taulant Balla.
“Sot nuk do të merrem me rripin, pasi sipasi siç shihet jo vetëm u është trashur truri nga zullumet ndaj shqiptarëve, por ju është prishur edhe shikimi (e ka fjalën për seancën e kaluar kur shkuli mikrofonin për të goditur ministrin Taulant Balla)”, tha ai.
Më tej kujtoi edhe çështjen e plehrave dhe abuzimit me fondin e rindërtimit në Kamëz.
“Po bëhen punësime dhe legalizime elektorale. Po kërcënohet administrata me pushime nga puna. Partia Demokratike i kërkon SPAK të nisë hetimet për shembjen e godinave të arsimit të ndërtuara në vitet 2010-2014. Shpërdorimi i fondeve të arsimit me ndërtimin e godinave të reja, me 5 herë më shumë të fondeve sesa standardet ndërkombëtare. Në krye të këtij shpërdorimi është kryebashkiaku Rakip Suli dhe ushtria që ka ai. Po kështu edhe grumbulli i mbeturinave që kanë pushtuar tërësisht Kamzën dhe rrethinat e saj”, tha Doda.
Në fund ai kujtoi kolegët e mazhorancës se “pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve të administratës për votën e Diasporës, emigrantët do votojnë për ndryshimin dhe rotacionin”.
Kjo fjalë i dha fund edhe diskutimeve në sallë, për të kaluar në votim. Spiropali kujtoi deputetët se do kishte 10 minuta pushim dhe më pas do votohej sipas procedurës.
Kryetarja e Komisionit të Mediave, Ina Zhupa, mori fjalën në foltoren e Kuvendit ditën e sotme, teksa lexoi edhe projektvendimin e Komisionit për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, pas gjetjeve të konstatuara në raport dhe abuzimeve të shumta në procedurën e përzgjedhjes së drejtorit, por edhe ato nepotike e financiare.
Deputetja e PD lexoi një listë me shkelje të gjetura, të dëgjuara edhe gjatë ballafaqimit në Komision ditë më parë të Këshillit me deputetët në Kuvend. Zhupa i kërkoi kolegëve në sallë shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit për këto shkelje të rënda, si një vendim unanim i Komisionit, përfshi edhe anëtarët e mazhorancës.
“Pas 3 vitesh beteje u pa ajo që ne kemi thënë. Edhe mazhoranca u bind tani. Zgjedhja e anëtarëve apo drejtorëve të Këshillit të RTSH-së ishte me shkelje dhe ne e kemi thënë. U zgjodh Alfred Peza me shkelje dhe tani këto shkelje janë konstatuar. Komisioni ynë arriti në këtë përfundim. Këshilli i RTSH ka kryer një sërë shkeljesh për zgjedhjen e drejtorit të ri, që nga përzgjedhja e kandidatëve deri te votimi, si ai online nga Vietnami dhe mbajtur shënim, por e deklaruar votë e fshehtë. Po me këtë pseudovotim të fshehtë vendosën të mos fusin ata që plotësonin kriteret dhe të zbatonin atë që nuk thotë ligji”, tha deputetja.
Më tej ajo renditi disa nga shkeljet më të rënda, si mungesa e dokumenteve, anashkalimi i ligjeve dhe deri te konflikti i interesit.
“Këshilli nuk kërkoi për kandidatët zbatimin e ligjit për një dokument nga Autoriteti i Dosjeve nëse kandidatët ishin spiunë apo informatorë të Sigurimit të Shtetit. Ka shpallur vonesë të pajustifikuar, duke e mbajtur postin vakant prej kohësh. Shumica e anëtarëve ishin mpleksur me konflikte interesi në lidhje me detyrën aty. Disa kishin punësuar familjarët aty, të tjerë merrnin projekte, teksa ishin anëtar te RTSH., Disa merrnin shpërblime për veten, thua se ishin në tokën e babait dhe jo në Këshill të RTSH. Aty janë abuzuar dhe shpenzuar 23 milionë euro në vit, me qoka, shkarkime, emërime, hiq e vër, me kosto dyfish të mëdha, me gjyqe që fitohen dhe paguhen me paratë e buxhetit të shtetit. Me drejtorë që abuzojnë që janë akuzuar. Mbante vetëm vetëveten dhe nuk i shërbente interesit publik”, u shpreh Zhupa.
Në fund ajo vuri në dukje sjelljen dhe mosnjohuritë ligjore të anëtarëve të Këshillit, që kishin kryer në vijim edhe shkeljen e tij si pasojë e padijenisë.
“Bëmë dëgjesën atje në Komision dhe na thanë se nuk e dinin ligjin. Na bënin atje rolin e budallait, por në fakt janë njëlloj fajtorë edhe sikur e dinin, edhe nëse nuk e dinin. Ata kanë shpërdoruar taksat e shqiptarëve, ndaj në emër të Komisionit dhe kolegëve, kërkojmë shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të RTSH-së”, përfundoi Zhupa.
Deputeti Kuvend Saimir Korreshi në Kuvend
Deputeti demokrat Saimir Korreshi foli nga foltorja e parlamentit ditën e sotme, ku trajtoi problematikën e pronave dhe jo vetëm, pasi preku çështjen e bujqësisë, sidomos në zonën e Lushnjës, deputet i të cilës është, por edhe gjendjen e varfërisë dhe demografisë.
“Flasim për pronat në Shqipëri, ku asnjë nuk e ka marrë pronën në kaq vite. Nuk marrë dot unë pronën ku kam lindur, jo pronën e gjyshit. Bëni legalizime ju, po, por i bëni selektive. I bëni për votat. E bëtë si në Himarë, u bë për të marrë votat”, tha Korreshi.
Ligjvënësi i PD kujtoi edhe gjendjen e mjerueshme të fshatit, duke përmendur disa nga njësitë dhe fshatrat e Lushnjës.
“Bujqësia përtokë, fermeri përtokë, produktet e fermerëve hodhën se çmimet kanë rënë, si lulelakra nga 2 mijë lekë ka shkuar në 200 lekë dhe bujqit i hedhin. Varfëria është rritur. Çfarë rilindët ju? Rilindët varfërinë? Bujqësinë? Në lokale hyn dhe gjen 3 burra, gjen vetëm pleq, mosha e tretë, fshatrat janë boshatisur”, shtoi deputeti.
Teksa lakoi edhe çështjen e votës së emigrantëve, duke e lidhur me braktisjen e vendit, ai kujtoi se po bëhet gjithçka nga qeveria vetëm për t’i marrë këto vota me presione.
“Do kërkoni votën e Diasporës, të kujt? Të atyre që larguat nga vendi? Ju jeni deputetë, të hiqni edhe nga puna. Keni 12 vjet që i tregoni Noc Rrokun shqiptarëve. Atë i keni dhënë!”, përfundoi Korreshi.
Berisha në Kuvend
Sali Berisha nuk e lëshoi foltoren e Parlamentit edhe pas paralajmërimeve të kryeparlamentares Elisa Spiropali.
Në këto rrethana ai vijoi fjalën e tij, që u kthye në një bashkëbisedim me deputetët në sallë dhe me ndjekësit në Facebook.
Berisha hodhi akuza për të gjithë, duke thënë se Edi Rama çoi Erion Veliajn në burg dhe do u vinte edhe radha atyre.
Berisha akuzoi Ramën për abuzime me buxhetin, për një abuzim me 60 milionë euro, teksa nuk kurseu as ministrin Ulsi Manja për të mbesën e përfshirë në tendera sipas tij.
Fjala e Berishës pati edhe momente jo të zakonta teksa u kthye në bashkëbisedim, pasi kryeparlamentarja Spiropali e la karrigen e saj dhe u largua. Ai bëri ironi edhe se "kishte shkuar për blerjet online".
Në një moment, kur Taulant Balla raplikonte nga vendi i ministrit, deputetët demokratë e kërcënuan se do i shkonin atje dhe që të pushonte, e mos t’i ndërpriste fjalën Berishës.
Ky i fundit tha se Rama ishte shndërruar në një “lubi” bashkë me ministrat dhe deputetët, duke vjedhur gjithçka, por se bashkë me kreun e SPAK, Altin Dumani, "s'do i shpëtojnë ndëshkimit nga ligji".
Një pjesë e fjalës së Berishës në Parlament:
“Sa projekte keni vjedhur nga USAID dhe të tjerat. Mos u bëni parzmore për Ramën. Kërcënoni se do shkrini policët e një Komisariati se janë si boerët! Lubia është zhdukur. E futi Veliajn dhe iku... Njeriun e parë që telefonoi Veliaj ishte Rama. U zhduk, ka dy ditë Mazniku, nuk duket më.
Ai që ndenji dy ditë nëpër studio, pse s’ia hapi telefonin Veliajt, kur i vajtën me hekura në zyrë, sepse ia kisht e dërguar vetë (i drejtohet Ramës) Ku e keni Xhafajn, ku është ai? Se ka filluar doktrinën e shkatërrimit të SPAK. Jeni të pashpresë.
Ta dysh ti Ulsi se bashkë me Ymer Lalën dhe Altin Dumanin apo Altin Lalën, të tre ju do përballeni me ligjin, me drejtësinë.
Ermonela më thuaj se si mund ta merrte tenderin mbesa e Ulziut. Një firmë me 7 mln euro, morën djegësin e Tiranës. Këta janë të çmendur pas plehrave, në garë për të vjedhur sa më shumë.
Edhe blerjet online, jo, janë paratë e taksapaguesve amerikanë ato. Edi Rama të japë llogari për paratë e grabitura nga taksapaguesit amerikanë. Jo tani, po prej vitesh e vitesh, kjo është e vërteta. Kërkoni ju të shpëtoni? Jo.
-(Balla ndërhyn nga podiumi: O i shkretë, boll se u lodhe, u lodhën ata!)
-Ndërhyrje nga salla: O Taulant, je i shkretë vetë, nuk lodhemi ne.
Ta dini ju se Edi Rama, siç ia këputi atij tjetrit, për ty e ka më të lehtë (i drejtohet Ballës).
Mbeti duke publikuar video me video shpendësh e kafshësh, unë s’i kam parë. Një qytetar më dërgoi një mesazh dhe fotografi, qytetar dixhital. Doktor thuaji socialistëve për një shpend sqep këpucë, se atëherë do e kuptojnë se çfarë bën Edi Rama me ta. Unë nuk e di çfarë është ai, ju shikojeni verifikojeni në internet çfarë bën ky sqep këpucë.
-(Një nga deputetët (duket si zëri i Nokës) i drejtohet Ballës: Mbylle se të erdha aty. Mbylle, të erdha të të zvarris!)
Rritja e pagave, pensioneve e taksave. Nuk u hapet barku këtyre për qytetarët.
Mos u shpërndani, çdo seancë do themi të vërtetat këtu. Do i themi të gjitha. E morët vesh se çfarë i bëri presidenti Donald Trump censurës në Amerikë. E morët vesh ju të gjitha këto. Por ne transparencë do bëjmë, do e bëjmë pas 11 Majit. Janë 64 milionë euro anembanë të vjedhura.
I kërkojmë llogari për vjedhjen e parave të taksapaguesve amerikanë.
-(Berisha kërkon Elisa Spiropalin pasi mbaron fjalën e tij, teksa mban në dorë një poster me mesazh të dekriptuar. Vijon bashkëbisedimin në Kuvend pasi Spiropali nuk ndodhet në podium.
Nuk kthehet, ka ikur për dokumentet e blerjeve online (‘po ble online’, dëgjohet zëri i një prej deputeteve opozitare).
Ai që përgëzonte prokurorin pse arrestoi liderin e opozitës, ai që është i lidhur me McGonigalin. Nuk merrem me gjëra personale. E dini ju. Një ditë para gjyqit u tha shqiptarëve se është lider i jashtëzakonshëm. Do i themi të gjitha se çfarë është bërë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Këtu po e mbyll...! (Spiropali ende nuk ndodhet në vendin e saj, Berisha liron foltoren pas fjalimit)".
Sali Berisha nuk liroi foltoren e Kuvend, ndonëse kishte mbaruar minutat e fjalimit të tij. Me ironi Spiropali i tha se po i kujton Agron Shehajn, ndërsa seancën e ndërpreu për 5 minuta.
Spiropali: Po më kujtoni zotin Shehaj, nuk është kujtim i bukur. Uluni në vend.
Kreu i grupit të PS, Niko Peleshi ka folur në Kuvend për draftin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Peleshi sqaroi se në draftin që ka kaluar sot për votimin nuk përfshihet votimi i emigrantëve shqiptarë me karta të huaja, një kërkesë e ngritur nga opozita.
“Nuk është pjesë e këtij drafti propozimi lidhur me karta të huaja. S’kemi asgjë kundër kësaj pjesë të diasporës, që është rreth 7-8%. Këtu u ngritën pretendime të drejta nga kolegët e grupit parlamentar, lidhur me verifikueshmërinë e kartave të identitetit të një shtetit tjetër, databaset e një shteti tjetër që ne nuk i kemi. Për të sqaruar edhe shqiptarët, nuk është pjesë e paketës së sotme. Është një çështje që i takon KQZ, u bëj thirrje ta shikojnë me kujdes që mos të cenohet integriteti i një procesi, për herë të parë në histori po bëhet e mundur vota e diasporës”, tha Peleshi.
Kreu i PD, Sali Berisha teksa foli në Kuvend, u ndal tek deklaratat e zv/presidentit të SHBA-së JD Vance. Vance u shpreh nga Konferenca e Sigurisë në Mynih se pushteti nuk mund të merret duke arrestuar kundërshtarët politik, apo duke censuruar mediat, deklaratë kjo e cila ishte për vendet e Bashkimit Europian.
Por, Berisha vijon ti përdor për propagandë duke thënë se ato ishin mesazh për politikën në Shqipëri.
Ai tha se i vetmi që ka burgosur kreun e opozitës në Europë është kryeministri Edi Rama. Berisha kërkoi që Rama të vijë në Parlament dhe të miratohet një rezolutë në të cilën të dënohen aktet, të cilat ai i quajti si armiqësore ndaj shqiptarëve.
‘Zv presidenti i SHBA u tha europianëve, shqiptarëve dhe botës se armiku më i madh është ai që keni brenda dhe arreston kreun e opozitës dhe kreun e opozitës në Europë e ka arrestuar vetëm Rama. Tha se armiku juaj është ai që mbyll mediat sociale, tiktok ka vendosur ta mbyll Rama. Foli për arrestim gazetarësh, dy gazetar i arrestoi para dy muajsh Edi Rama. Tani kam një propozim. Edi Rama të vijë urgjent në Parlament dhe të miratohet një rezolutë në të cilën të dënohen këto akte armiqësore ndaj shqiptarëve dhe demokracisë. Ky është propozimi hidheni në votë dhe pastaj vazhdojmë’, tha ai.
Themeluesi i ‘Djathtas 1912’, Enkelejd Alibeaj, nga foltorja e Kuvendit u shpreh kundër që vota e diasporës të numërohet nga PS dhe PD.
‘Vota ime është kundër që vota e diasporës të numërohet nga PS dhe PS. Edi Rama u sul në diasporë, i futi dhe në sherr emigrantët dhe ka hedhur të gjithë administratën e vet të gjejnë shqiptarët atje për ti paguar. Ai i dëboi shqiptarët, i do si kavje eksperimentale për ti marr votën. Që të fitojë pushtetin në 11 maj që ta bëjë termet nga poshtë dhe flak nga lart. Zgjedhjet e 11 majit s’janë për të përcaktuar pushtetin, por do ndajnë se kush do të fitojë korrupsioni apo drejtësia, do fitojë e shkuara apo e ardhmja. Do ishte vrastare që Rama të merrte një mandat tjetër. Erioni dhe Olsi i SPAK po përballen me sulme nga të gjitha anët. Shqiptarët duan drejtësi dhe ndëshkimin e korrupsionit. Palët politike janë bërë bashkë kundër drejtësisë dhe drejtësia e ka në dorë t’i heq kësaj klase politike motivin për të vjedh vota dhe mandate. Duhet të mbështesim SPAK, shqiptarët i kanë sytë nga SPAK’, tha ai.
Deputeti i PS Ilir Metaj, në seancën plenare në Kuvend ditën e sotme, shigjetoi kreun e PD Sali Berisha, ndërsa ka ironizuar duke thënë se edhe presidenti Trump tha 'Amerika e para, po Saliu më i pari'.
Ai tha se Berisha ëndërron që do ti hiqet non grata nga SHBA, por sipas tij non-grata-n që i ka dhënë populli nuk e heq dot.
‘Sepse vota është produkt i pritshmërive, por vota është edhe produkt i memories kolektive. Madje, vota është edhe produkt i statusit non-grata të merituar. Secilit hakun: ky do të jetë verdikti edhe i votës së diasporës. Nga ky verdikt nuk shpëton asnjë. Ama, nuk e kemi fjalën për verdiktet e endrrës së një 1001 netëve dimri. Se kaq netë duhen për të thurrur një ëndërr, ku një ndihmës i raporton i shqetësuar një Presidenti të madh: “Mr. President, ëe have global crises! Middle East is burning, China is expanding, Russia is on the move, Ukraine needs support…” Por Presidenti i madh hedh letrat nga tavolina dhe i nervozuar thotë: ‘Ëait, America first, but Sali firster! Lets Make Berisha Great Again!” Në këtë pikë Saliu, i gëzuar, hap një shishe verë, nga ato që i ka dhuruar dikur Enveri, e që i ruan për raste të rëndësishme. Pastaj del para pasqyrës dhe thotë: “Sali, je i pastër si loti!” Por, vjen nata e 1002, kur hapen kutitë e votimit, ëndrra prishet dhe secilit hakun. Haku, jo vetëm që të përzë nga historia, por nuk të lë më të rrish as si hije. Se non-grata-n që të ka dhënë, ky popull, nuk e heq dot as nëpër ëndrra’, tha ai.
Nënkryetari i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi gjatë fjalës së tij sot në Kuvend tha se 34 295 emigrantëve, u është refuzuar kërkesa për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhje.
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, nga foltorja e Kuvendit, teksa foli për votën e emigrantëve tha se KQZ duhet që të ndihmojë emigrantët që u është refuzuar kërkesa për tu regjistruar që të votojnë në zgjedhje.
“Janë 34 295, gati 19%, pra gati 1/5 e zgjedhësve që kanë bërë kërkesë, por u është refuzuar e drejta për t’u regjistruar për probleme ndoshta dokumentare, pra një në pesë u është refuzuar. E kanë shprehur dëshirën, vullnetin ta kenë dhe kontaktin me Shqipërinë, por në këtë moment nuk e kanë. KQZ duhet patjetër dhe kjo duhet të jetë kërkesë e qartë e këtij Kuvendi, të merret në mënyrë të fokusuar për kohën që ka mbetur duke i kontaktuar një për një, për t’i ndihmuar që të bëjë të mundur regjistrimin e tyre.
Madje data 4 mars që nuk është fundi i afatit ligjor, nuk duhet ta pengojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por deri në përmbushjen e 60-ditëshit përpara ditës së zgjedhjeve, që është diku nga data 11 mars të merret me secilin prej këtyre. Këta e kanë bërë kërkesën, për këta nuk është më çështje afati data 4 mars, duhet të ndihmohen, patjetër shumica dërrmuese prej tyre e kanë dokumentacionin. KQZ nuk duhet të fshihet pas procedurave të ftohta, por duhet t’i kontaktojë. Një në 5 është i refuzuar. Nëse KQZ do të ndjekë këtë linjë pasive, këto 34 mijë persona nuk do të votojnë dot”, tha ai.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, nga Kuvendi pyeti deputetët opozitarë se përse nuk e përmendin raportin e DASH për pastrimin e parave.
Sipas tij, raporti në pjesën për Shqipërinë përmend aferën e privatizimit të klubit Partizani nga dhëndri i Berishës.
"Pse jeni bërë si pula të lagura, si ka mundësi që nuk e përmendni raportimin për pastrimin e parave. Nuk ju dëgjova ta citonit raportin që flet qartazi për dhëndrin e një ish-kryeministri si shembullin e pastrimit të parave që ka fituar 5 milionë euro dhe pastaj të vini këtu e të bëni nga këto skenat si një deputet që kishte marrë në shtëpi fustanin e gruas', tha ai.
Balla deklaroi se e ka kallëzuar Sali Berishën për korrupsion, prandaj i duhet të përballet dhe me 'baltën që vjen prej tij'.
"Më ka akuzuar i pari juaj se kam bërë një kallëzim të rremë dhe se e ka marrë DASH dhe e ka sjellë si shembull, dhe po DASH thotë se Sali Berisha akuzuar për korrupsion pasi dhëndri i tij përfitoi 5 milionë dollarë. Unë kam marrë përsipër baltën që më hidhet prej atij kallëzimi. Ky duhet të jetë një standard politik se kallëzimeve u duhet t'u vëmë emër. Ju e thoni vetë ajo që ndodhi sot, kur kandidati për kryeministër i asaj që rahmet pastë ka mbetur nga PD del dhe thotë se e di që s'do fitojë kurrë, se do shkrijë SPAK faleminderit shumë, shyqyr që ju kemi." deklaroi Balla.
Deputetja e PD Ina Zhupa, ftojë mazhorancën që të votojë ndryshimet në kod që lejojnë që emigrantët të votojnë me dokumente biometrike të vendeve ku jetojnë.
‘Ajo që ndodh në Shqipëri mos mendoni se ngelet në Shqipëri dhe diaspora sa do kohë të ketë që është larguar nuk është ndarë nga zhvillimet në Shqipëri, mos mendoni se familjarët që ata kanë në Shqipëri si thonë se ca ndodh këtu. Nëse nuk keni frikë nga vota e diasporës votoni që ata të shprehen me dokumentin e tyre që kanë dhe ata që s’kanë një dokument shqiptar. Asnjë votë s’keni për të marr, goditja më e rëndë do t’ju vijë nga diaspora. Ju ftojmë që të votoni ndryshimet që lejojnë votën e të gjithë diasporës me dokumentet e tyre biometrike dhe europiane’, tha ajo.
Zhupa u ndal edhe tek deklarata e kryeministrit Rama, i cili tha se nga 60 ministra të PS, vetëm 2 janë të dënuar.
‘Doli kryeministri dhe tha kam dy ministra në burg. Lefter Koka, Ilir Beqaj, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj të gjithë i kishte ministra në kabinetin e parë qeveritar pa kaluar tek kryetarët e bashkisë. Në burgun e Durrësit keni të gjithë dasmorët e dasmës në kala të Erion Veliajt. Qytetarët që hapën shampanjë u morën nga policia dhe u futën brenda, ndërsa qindra zyrtarë të bashkisë që shkuan në SPAK atyre si ndodhi asgjë. U quajtën nga ai që keni ministër këtu, se ata janë simpatizantë, ndërsa ata që hapën shampanjë duhet që të procedoheshin. Ky është standardi që keni vendosur. Dy standardet e njerëzve të korruptuar', tha ai.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së Niko Peleshi mbajti fjalën në parlament. Ai foli edhe mbi marrjen e LaCivitas nga PD për të drejtuar fushatën e 11 majit.
Peleshi që një parti si PD-ja ta gjejë shpëtimin te një kompani marketingu duket si një dorëzim para zgjedhjeve.
'E rëndësishme për ju, keni gjetur një shpëtim, një kompani marketingu. Për një kompani kaq të rëndësishme, si PD ta mbështes shpresën në një kompani marketingu që e bën të zezën të bardhë, duhet të jetë një dorëzim. Kjo foltore duhet të jetë për mendime, alternative. Nuk ka ndryshim që vjen nga qielli. Kur e merrni fjalën mos na fyeni inteligjencën shqiptarëve. Kemi gjetur një kompani marketingu që di të bëjë të zezën të bardhë.'
Deputeti i PS Pandeli Majko, në fjalën e tij në Kuvend ku po flitet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ka folur për konsensusin e arritur mes PD e PS, për t’iu drejtuar komisionit rregullator të KQZ lidhur me votimin me pasaporta të huaja të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Ai e ka cilësuar këtë, si një aventurë e rrezikshme që kërcënon votën e emigrantëve.
“Mua kjo më mban shumë erë, dhe më mban një erë që s’dua ti vë emrin. Dy palët kemi rënë dakord që votimi me dokumente të huaja të vlerësohet nga Komisioni Rregullator. Do jetë një arsye që votimi për emigrantët të bllokohet do jetë e papërgjegjshme që ky propozim të shkojnë në komisionin rregullator të KQZ. Çfarë do të ndodhë me shpenzimet tani e në vijim, nëse ky komision nuk do të ketë votat e nevojshme, konsensusi për t’ia kaluar cështjen e vlerësimit për pasaportat e huaja, krijon një precedent të rrezikshëm. Sot që flasim mbi 100 mijë vetë kanë aplikuar për të votuar, nëse do ecim me logjikën që komisioni rregullator do vendosë për cfarë nuk biem dakord ne këtu atëherë kthehemi në një komision prej 5 anëtarësh.
Të mos ndërrmarin hapin aventuresk, t’u heqin të drejtën shtetasve jashtë vendit të regjistruar tashmë për të votuar do ishte një aventure shumë e rrezikshme. Votimi me pasaportë të huaj, teknikisht është i pamundur. Dhe ky është një problem shumë i madh që prek integritetin e sistemit tonë elektoral. Dikush nesër mund të vi të thotë edhe brenda vendit mund të votohet me pasaportë të huaj. Propozimi mund të shtyjë gjithë procesin në drejtim të paditur, shpresoj që komisioni të mos ndërrmarrë aktin aventuresk dhe tu heq të drejtën e votës emigrantëve”, u shpreh Majko.
PD vijon të këmbëngulë që maxhoranca duhet të pranojë votimin e diasporës me kartën e identitetit të vendit ku ata banojnë.
‘KQZ të merret ne uljen e numrit të personave që u është refuzuar kërkesa për tu regjistruar si votues nga jashtë. U është refuzuar kërkesa, janë 19 për qind e zgjedhëvse që kanë bërë kërkesë dhe u është refuzuar. KQZ duhet patjetër që të merret në mënyrë të fokusuar duke i kontaktuar që të bëjnë të mundur regjistrimin e tyre. KQZ duhet të merret me secilin prej tyre, ata duhet që ti ndihmojnë sepse ata e kanë dokumentacion, KQZ nuk duhet të fshihet pas procedurave të ftohta por duhet që ti ndihmojnë. Është teknikisht e mundur.
Hapini rrugën që KQZ të bëjë ndryshimet dhe ata të regjistrohen, parlamenti duhet të heq barrierat për ata që duan të regjistrohen dhe të votojnë më 11 maj’, tha ai.
PS dhe PD negociojnë për Avokatin e Popullit. Report Tv mëson se PD i ka ofruar sot PS emrin e Besim Ndregjonit kryetarin e shoqatës së ish-të përndjekurve politikë dhe pritet që votimi për Avokatin e Popullit të bëhet po sot në kuvend ku kërkohen 84 vota.
Edhe Berisha e konfirmoi kandidaturën e tij
Kandidat i Partisë Demokratike është kryetari i Unionit të të Përndjekurve Politikë, zoti Besim Ndregjoni, tha ai.
Në garë për Avokatin e Popollit janë 7 kandidatura, Vitore Tusha, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Bledar Dervishaj, Dardan Mustafaj, Edison Frangu dhe Erald Aga.
Drejtuesja aktuale të këtij institucioni Erinda Ballanca i ka përfunduar mandati tre vjet më parë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, gjatë fjalës së tij në Kuvend u ndal tek vota e diasporës për të cilën tha se teksa na ndajnë edhe pak kohë nga zgjedhjet e 11 majit, opozita do të ndryshojë rregullat e lojës.
Sipas tij, e gjithë kjo bëhet vetëm nga një njeri, kreu i PD Sali Berisha.
‘Ne shohim që edhe ky proces u bë pis nga politika u fut në atë përplasjet e paimagjinueshme të politikës së vjetër përfaqësuar nga krahu i opozitës. Ne vijmë për të diskutuar dhe negociuar edhe kur ka ngelur me pak se 90 ditë nga dita e votimit, kur kanë shprehur vullnetin 181 357 votues dhe vijojnë që të regjistrohen këta vijnë këtu dhe vënë në diskutim procesin. Sepse kështu funksionojnë me hile dhe me ngatërresa. Tani thonë hajde të ndërrojmë rregullat e lojës për gjëra që nuk qëndrojnë dhe këto s'kanë asnjë arsye që të arealizohen. Këtë e bëjnë se të gjithë profilin e tyre e kanë ndërtuar mbi falsifikimin. Këta vijnë këtu dhe duan që të fusin hilen në mes. Është një hile që prodhohet nga mendja e katiti të 8. Duan ta hedhin në erë dhe të thonë pastaj se ne humbën se nuk patëm mundësi që të realizonim këtë hile’, tha ai.
Komente

Z.Peleshi,ju e paskeni te veshtire te kontrolloni vertetesine e ID te huaja per vote,por nuk degjuam asnje fjale te thoni nese do te vertetoni shtetesine shqiptare te atyre shqipove qe do t'i lejoni te votojne me ID shqiptare te skaduar.
PërgjigjuHILE,apo KRIM èshtè ajo qè ndodh nèn qeverisjen tuaj z.Klosi. Vetèm tek ne, nè kètè vènd çudirash,ndodh qè edhe gomari tè pajiset me kartè identiteti dhe pashaportè. Çdo gjè nè shitje zotèri, kush e ka tè nevojshme, ka edhe 7 identitete, me pashaportat pèrkatèse. Kjo katastrofè kombètare,,,z.Klosi,,,nuk ndodh gjèkundi nè europè, ndaj mos quani HILE,,,gjènè mè normale qè iu jep tè drejtèn kushtetuese djemve dhe vajzave tona nè perèndim, tè ushtrojnè tè drejtèn e votès. Èshtè korrupsioni i administratès suaj, paaftèsia dhe tarafi qè kaplon konsullatat shqiptare nè perèndim, arsyet pse kèta djem e vajza kanè mbetur pa dokumentacionin shqiptar.
Përgjigju