Nga Kodi Penal, te ligjet e drejtësisë, koncesionet e Balldrenit dhe Orikumit/ 16 ligjet e miratuara dhe ata që u shtynë

18 Korrik 2019, 08:30| Përditesimi: 18 Korrik 2019, 22:45

  • Share

TIRANE-Kuvendi i Shqipërisë e mbylli këtë sesion parlamentar me 16 projektligje dhe projektvendime të miratuara në seancën e sotme, ndërsa disa u shtynë për në shtator. Parlamenti miratoi me 96 vota pro 7 ndryshimet në Kodin Penal ku ashpërsohen dënimet për dhunën ndaj mjekëve, policëve, dhunën në sport, sigurinë ushqimore, por edhe të tjera, ndërsa u tërhoqën nga amendamenti i deputetit Ervin Bushati për krimet zgjedhore, pra ndalimin e daljes për 10 vite jashtë vendit të atyre që dënoheshin për krimet zgjedhore. Kaluan me 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim ligjet e mbartura prej 2 vjetësh të reformës në drejtësi. Ligji për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ai për organet e qeverisjes së drejtësisë.

Pikat e tjera të nxehta në rendin e ditës ishin koncesionet. Shumica vetëm me votat e saj miratoi kontratat për dy rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara, ndërsa kaloi edhe kufizimin e ri për PPP-të për rrugët pas kritikave të FMN-së. Ndryshimi në projektligj konsison te propozimet e pakërkuara për rrugët nacionale, heqjen e bonusit për këto propozime përfshi një kontroll më të madh në të gjitha fazat nga ministria e Financave.

Kaloi gjithashtu edhe Rregullorja e Kuvendit, e dakordësuar me opozitën, por edhe projektligji me ndryshimet për asistencën sociale dhe duhanin.  Ndërsa për në sesionin e ri parlamentar në vjeshtë u shtynë; projektvendimi për emërimin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, projektligji për ndryshimet për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, propozimi i Presidentit për Petraq Milon në krye të KLSH-s si dhe ai i 28 deputetëve për shkarkimin e Arben Malajt nga Bordi Drejtues i Bankës së Shqipërisë.

Të gjitha ligjet e miratuara sot në Kuvendin e Shqipëri
Miratohen me 96 vota pro 7 ndryshimet në Kodin Penal
Miratohen me 96 vota ndryshimet në Kodin Penal për keqtrajtimin e kafshëve
Miratohet me 96 vota pro projektligji për mbrojtjen civile
Miratohet me 96 vota pro projektligji për mbrojtjen e faunës së egër
Miratohet me 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim projektligji për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë
Miratohet me 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim projektligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve
Miratohet me 106 projektligji për marrëveshjen e huasë së Fondit Shqiptar me KFW-në
Miratohet me 84 pro, 1 kundër, 1 abstenim projektligji për koncesionet dhe partneritetin publik privat (Kufizimet)
Miratohet me 78 pro, 26 kundër, 4 abstenim koncesioni për rrugën Orikum - Llogara
Miratohet me 78 pro, 26 kundër, 4 abstenim koncesioni për rrugën Milot - Balldren
Miratohet me 81 pro, 22 kundër, 3 abstenim projektligji për Akademinë e Shkencave
Miratohet me 96 vota pro, 4 kundër, 7 abstenim projektligji për nismën e qytetarëve (Mund të paraqesin projektligje në Kuvend)
Miratohet me 89 vota pro projektligji për ndryshimet për taksat kombëtare
Miratohet me 107 pro, 1 kundër, 1 abstenim projektvendimi për Rregulloren e Kuvendit
Miratohet me 92 vota pro, 12 kundër, 2 abstenim projektligji për ndryshimet e ligjit për duhanin
Miratohet me 89 vota pro projektligji për asistencën sociale
Shtyhet me kërkesë të opozitës projektvendimi për emërimin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare
Shtyhet projektligji për ndryshimet për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit

Ora 22:10
'Kryetar nuk e dëgjova'/ Ruçi-ministres: Mos e mbaj mendjen te muhabeti (VIDEO-DEBATI)

Gjatë miratimit të rendit të ditës në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, teksa po diskutohej për kalimin e ndryshimeve në ligjin për duhanin, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i kërkoi Ruçit që të përsëriste edhe njëherë nenet se nuk i dëgjoi. Por kryetari i Kuvendit nuk e priti mirë duke i kërkuar që ta ketë mendjen te votimi dhe jo te muhabeti gjatë leximit.

Debati
Gramoz Ruçi: Zonja ministre, dëshironi të shpreheni?
Ogerta Manastirliu: Më fal kryetar, por nuk dëgjohet, kemi probleme me dëgjimin, nuk dëgjohet cfarë po thua...
Gramoz Ruçi: Cfarë nuk dëgjohet?
Ogerta Manastirliu: Për cështjen e amendimit
Gramoz Ruçi: Atëherë detyrohem, të dëgjoni ju, mos bëni muhabet me njëri tjetrin, ta lexoj dy herë
Ogerta Manastirliu: Por nuk dëgjohet
Gramoz Ruçi: Po të kesh mendjen e dëgjon, ja si ta dëgjosh

Ora 20:30
Ndryshon sërish ligji, ja çfarë u ndalohet duhanpirësve


Kuvendi miratoi sot ndryshimet në ligjin “për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se do të ndalohet konsumimi në ambiente të mbyllura edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike dhe shisha/nargjile, që janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve. Do të ndalohet gjithashtu shitja e produkteve të duhanit me shije karakteristike (mente, vanilje etj) si dhe shitja e paketave të duhanit me numër të reduktuar cigaresh, si masa për të dekujaruar duhanpirjen.

“Këto ndryshime ligjore, nuk janë thjeshtë dhe vetëm ndryshime që forcojnë masat për kontrollin e duhanpirjes por në thelb dekurajojnë konsumimin e duhanit, duke ulur rrezikun e prekjes së popullatës së shëndetshme nga semundjet kardiovaskulare apo ato të mushkërive”, tha Manastirliu. 

Duke theksuar se ndryshimet në projektligj janë hartuar në frymën e Direktivës 40/2014 të BE si dhe Konventës Kuadër të OBSH për kontrollin e duhanit dhe të konsultuara me grupet e interesit, Manastirliu tha se ndryshimet parashikojnë edhe forcimin e masave ndëshkuese në rast të moszbatimi të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit nga produktet e duhanit.

Ndryshimet kane për synim të forcojnë implementimin e ligjit dhe shtimin e mbrojtjes për qytetarët që ekspozohen në mënyrë të pavullnetshëm ndaj tymit të duhanit. Nëse një subjekt shkel 2 herë rresht brenda dy muajve nenin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë gjatë fjalës në Kuvend. Në fund të fjalës saj Manastirliu theksoi se do të fillojë një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi për të informuar qytetarët mbi ligjin e ri të duhanit.

Ora 19:40
Asistenca sociale jo pagesë fikse, por sipas nevojave/ Kalon ligji në Kuvend


Shumica ka miratuar sot projektligjin për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë. Por cfarë ndryshon projektligji ri? Ndihma ekonomike nuk do të ketë më një pagesë tavan prej 8 mijë lekësh, por do të jetë në varësi të nevojave të familjes në skemë. Reforma e re e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë ka hequr kriteret përjashtuese për përfitimin e ndihmës ekonomike përmes sistemit të digjitalizuar.

Ora 19:31
Miratohet rregullorja e re/ Deputetët mund të arrestohen pa prova në Kuvend (Masat)

1563471044_ruci.jpg

Me 107 vota pro, 1 kundër, 1 abstenim është miratuar projektvendimi për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Maxhoranca pak ditë më parë u tërhoq nga neni që i kërkonte prokurorisë prova për të autorizuar arrestimin e deputetëve.

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 janë reflektuar edhe në rregulloren e re të Kuvendit e cila u miratua me konsensus në komisionin parlamentar të ligjeve sot sot mori 107 vota. Pak ditë më parë relatorja Vasilika Hysi sqaroi se ndryshimet nuk tentojnë t`ju rikthejnë deputetëve imunitetin.

Rregullorja parashikon masa disiplinore për deputetët që shkelin rregullat e lobimit, pranimit të dhuratave dhe konfliktit të interesit. Sa i përket shërbimit të Sigurisë në Kuvend Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Prokurori dhe ambasadorët përjashton nga kontrolli fizik. Diskutimet për rregulloren e re të Kuvendit kanë zgjatur thuajse 2 vjet.

Ora 19:27
Miratohet ligji/ Kufizohen koncesionet pas kritikave të FMN-së, jo më PPP për rrugët

1563470466_kuvend.jpg
Kuvendi ka miratuar me 84 vota pro, 1 kundër, 1 abstenim projektligjin për ndryshimet për koncesionet dhe partneritetin publik privat. Por ku konsiston ndryshimi? (Lexo me shume ketu) Sipas këtij drafti të fundit, që është miratuar ndalohet pranimi i ofertave të pakërkuara për koncesionet, një praktikë që deri tani është ndjekur dhjetëra herë, edhe nga qeveritë e mëparshme. Kjo është kërkuar me forcë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi ai kufizonte konkurrencën, por drafti i miratuar në Komisionet Parlamentare që në shkurt ishte lënë pezull dhe dukej sikur nuk do të kalonte këtë sesion parlamentar është miratuar sot.

Ora 19:19
Miratohen koncesionet për rrugët Milot-Balldren dhe Orikum - Llogara, opozita e re kundër

1563470368_parlament.jpg
Kuvendi ka miratuar dy kontratat koncesionare për rrugët Orikum - Llogara dhe Milot - Balldren me shumicë të thjeshtë votash, ndërsa opozita e re votoi kundër.

Votimet në Kuvend për dy kontratat
Miratohet me 78 pro, 26 kundër, 4 abstenim projektligji “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum - Llogara”, sh.p.k. për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti jahteve - By-Pass Orikum - Dukat (Ura e Shën Elizës)”.

Miratohet me 78 pro, 26 kundër, 4 abstenim projektligji “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot - Balldren”.

Milot-Balldren
Kontrata e parë është lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren. Kjo kontratë ngjalli debate të mëdha për koston e lartë të saj, 256 milionë euro me TVSh, por ministria ka sqaruar se nuk është fjala vetëm për ndërtimin, por në kosto përfshihet edhe mirëmbajtja për shumë vjet. Sipas dokumenteve të tenderit, kompania ANK do ta ndërtojë aksin 17.2 kilometër të gjatë nga Miloti në Balldren me paratë e veta dhe më pas do të shlyhet nga buxheti i shtetit me këste për 13 vjet. Milot-Balldren është vepra e tretë e paketës 1 miliard euro, e lindur si një koncesion i pakërkuar, pra jo si projekt i qeverisë, por i propozuar nga vetë kompania ANK. Edhe këtë radhë, ashtu si në dy herët e mëparshme, tenderi është fituar nga kompania që ka bërë ofertën e pakërkuar të koncesionit. Më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte shprehur publikisht shqetësimet se këto koncesione kufizojnë konkurrencën duke paracaktuar fituesit.

Orikum-Dukat
Kontrata tjetër është lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k. për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)””. Ky projekt parashikon ndërtimin e një aksi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve në Vlorë me By Pass-in e Orikumit dhe Dukatin. Në total, kompania do të investojë për ndërtimin e rrugës 51 milionë Euro. Në këtë shumë përfshihet edhe mirëmbajtja e rrugës, e cila e do të ketë gjerësi 7 metra, me dy korsi. Së bashku me bankinën, gjerësia e seksionit të rrugës arrin në 10 metra. Megjithatë, kjo rrugë nuk do të përfshihet në asnjë nga kategoritë kryesore të rrugëve. Por Ministria e Infrastrukturës ka thënë se shpejtësia e lëvizjes në të është projektuar mes 60-80 kilometra në orë. Kontrata koncesionare për ndërtimin e kësaj rruge do të jetë e ngjashme me disa vepra të tjera. Për tre vitet e para, kompania Gjikuria do të shpenzojë 25% nga fondet e saj për ndërtimin e rrugës dhe më pas fillon shlyerja.

Ora 19:06
Opozita e re pro/ Pas dy vitesh pritje miratohen dy ligjet e Reformës në Drejtësi

1563469871_1563469843parlamnet.jpg

Pas dy vitesh pritje janë miratuar dy ligjet e reformës në drejtësi, pasi opozita e re bashkoi votat me PS-në për të bërë kuorumin e nevojshëm, pasi me PD-LSI nuk u arrit konsensusi.

Projektligji për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë dhe ai për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve u miratuan me  106 pro, 1 kundër dhe 1 abstenim.

Ndryshimi i 22 neneve u bë jo vetëm nga mazhoranca, por edhe me votat e opozitës së re. Pas miratimit të dy ligjeve, KLP-së dhe KLGJ-së do u jepet mundësia të marrin masa disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët.

Ora 19:01
Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Penal që ashpërsojnë dënimet

1563468753_votimrrr.jpg
Me 96 vota pro, 11 kundër dhe 2 abstenim janë miratuar ndryshimet në Kodin Penal. Për ndryshimet duheshin 84 vota, të cilat shumica nuk i ka, por ishte deputetët e opozitës së re që jo vetëm plotëson numrin, por e kaluan në 96 pro. Ndërkohë që 11 deputetë ishin kundër dhe 2 abstenuan. Ndryshimet që janë miratuar lidhen mbrojtjen e të drejtës së autorit, ruajtjen e qetësisë publike, sigurinë shëndetësore, sigurinë ushqimore, mbajtjen e armëve pa leje dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ora 16:07
Gjuzi 'kërcënon' Arben Ahmetajn: Mos na vrit me fjalë, nuk jemi aq të lehtë sa dukemi

Deputeti i opozitës së re Kujtim Gjuzi  paralajmëroi deputetin socialist Arben Ahmetaj se nuk duhet ta marrë për të mirëqenë opozitën e re.

"Mos na vrit me fjalë këtu se nuk jemi aq të lehtë sa dukemi. Mund edhe ta fiksosh që të jesh në rregull për herë tjetër", tha Gjuzi.

Ora 13:42
FOTOT pikante nga seanca e sotme plenare
Ora 12:15
Kodi Penal/ Gjonaj: Të hetohet me përgjegjshmëri shkelësi i çdo vepre penale (VIDEO)

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi se ndryshimet në kodin penal janë një domosdoshmëri jo vetëm për ruajtjen e rendit dhe sigurisë por dhe për të qenë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.

"Protestat e dhunshme të opozitës nuk janë thjesht disa veprime kriminale të zakonshme por cenojnë edhe sigurinë e punonjësve me uniformë. Nevoja për mbrojtjen e mjedisit me rritjen ekonomike ka reaguar se legjislacioni sektorial ka nevojë për plotësime. Ndryshime të tjera lidhe me sigurinë ushqimore e cila meriton një vëmendje të veçantë. Këto ndryshime propozohen edhe në vijim të ndryshimeve ligjore të miratuara pak kohë më parë. Lufta ndaj kriminalitetit është gjithë përfshirëse. Jam e vetëdijshëm për shqetësimet se Kodi Penal ka pësuar shumë ndryshime por ka ardhur koha të përgatitet një Kod i ri penal. Ai është një domosdoshmëri e kohës. Kjo iniciativë kërkon një analizë të plotë të situatës aktuale si një kërkesë e përshtatjes me direktivat e BE.  

Për këtë qëllim, roli që luan çdo prokuror, në ndjekjen penale, veçanërisht të veprave penale që cënojnë rëndë rendin publik, apo edhe punonjësit e policisë së shtetit, duke ulur në këtë mënyrë, perceptimin e përgjithshëm për mirëfunksionimin e shtetit, është shumë i rëndësishëm. Vetëm nëpërmjet profesionalizmit të prokurorëve, për të ndjekur penalisht të gjitha veprat penale, veçanërisht ato që cenojnë institucionet kushtetuese, pavarësisht se kush është organizatori apo nxitësi i këtyre veprave penale, Shqipëria do të jetë në gjendje të ketë rezultate të jashtëzakonshme në luftë kundër kriminalitetit", tha Gjonaj.

Ora 11:48
Lleshaj: Nuk e ndalojmë dot futjen e armëve kontrabandë, kufiri ynë nuk është me tela me gjemba (VIDEO)

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi se Shqipëria nuk është një vend që ka kufizime për prodhimin e armëve dhe nuk mund të bllokohet kufiri i gjelbër dhe ashtu si futen cigaret kontrabandë mund të futen edhe armët. Ai tha se duhet forcuar dhe ashpërsuar ligji dhe ndëshikimi ndaj posedimit të armëve. Lleshaj deklaroi se duke forxcuar dënimin penal i shërbejmë jetës së qytetarëve duke sjellë në vëmendje edhe vitin '97 kur u vranë njerëz në mënyrë të pavullnetshme.

"Shqipëria është një vend, që nuk ka kufizime sa i përket prodhimit të armëve në Shqipëri. Pra parimisht edhe Shqipëria mund të prodhojë armë, ka prodhuar, mund të prodhojë dhe nesër dhe mbase duhet të prodhojë dhe nesër. Dhe sot Shqipëria prodhon mjete shpërthyese, prodhon fishekzjarrë nga ato që shtruat pyetjen fort shqetësuese 'nga hyjnë'; edhe prodhohen fishekzjarrë në Shqipëri që ju duhet ta dini, dhe duhet ta dinë edhe të tjerët. 

Sigurisht që prodhohen në mënyrë të paligjshme, ose edhe të ligjshme; janë prodhuar për eksport, por janë keqpërdorur këtu.

Sa i përket bllokimit të kufirit, pati një kontraditë për faktin se ne nuk mendojmë që duhet të bllokojmë kufirin për të ruajtur mosfutjen e armëve në Shqipëri. 

Shqipëria është vend i lirë dhe kufijtë tanë janë shumë porozë për arsye se janë kufij të gjelbër tashmë. Nuk janë kufij me tela me gjemba dhe përmes këtyre kufijve të gjelbër mund të futen. Ashtu siç futen kontrabandë cigare e mallra të tjera, mund të futen edhe armë dhe mjete të rrezikshme. Prandaj duhet forcuar dhe ashpërsuar ligji dhe ndëshkimi penal ndaj posedimit të armëve.

Ne do të shkojmë në një hap më të rëndësishëm më vonë duke forcuar kriteret për mbajtjen e armëve edhe në mënyrë të ligjshme. 

Shqipëria, ashtu si shumica e vendeve europiane ka një politikë penale relativisht liberale sa i përket dënimit penal. 

Ju e dini që ne jemi një vend që nuk e ka dënimin me vdekje, ndërkohë që ka vende të tjera që kanë dënim me vdekje dhe ndjekin politika shumë liberale ndaj armëve, po themi Amerika, e cila i lejon armët, por bashkë me armën të jep mundësinë e uljes në karrigen elektrike apo në shtratin e infuzionit helmues kur ti e shkel.

Ne që e kemi hequr dënimin me vdekje, duhet të heqim edhe mundësinë fizike që dikush të vrasë. 

Kur ja kemi hequr këtë mundësi ligjit dhe shtetit për të vrarë, duhet t’ia ngushtojmë mundësinë çdo qytetari, i cili siç thatë ju nuk mund të pengohet kurrë për t’u çmendur, që një ditë të caktuar duke e patur lehtësisht në dorë armën, edhe mund ta përdorë keq edhe mund të vrasi njeri. Kjo është pak a shumë ideja që është mbrapa këtij propozimi. 

Të forcojmë dënimin penal  ndaj atyre që posedojnë në mënyrë të paligjshme armë, sepse këto armë nuk janë instrumente muzikore nga ato të ahengut që përmendët, po janë mjete të cilat kanë vetëm një funksion - për të vrarë. 

Sa më shumë ta ngushtojmë hapësirën e përdorimit të armëve ose mbajtjes së armëve, aq më shumë i kemi shërbyer jetës së qytetarëve tanë. Mos harroni se në vitin e famshëm ‘97 në Shqipëri janë vrarë mijëra njerëz në mënyrë të pavullnetshme. 

Thjesht për faktin se shqiptarët nuk e dinin ende në atë kohë, shumë prej tyre, diferencën midis një instrumenti muzikor dhe një instrumenti që quhet pushkë. Dhe nga kënaqësia që u shkaktonte tingulli i plumbave që dilnin kanë vrarë njerëz dhe sot nuk e dinë që kanë vrarë. Se i kanë hedhur ata plumba në ajër, të cilat diku kanë rënë dhe kanë vrarë dikë, dhe dikush sot nuk mund të jetë i qartë që s’ka vrarë njeri edhe nuk e di.

Prandaj ju ftoj të reflektoni në këtë drejtim, sa më pak armë të ketë Shqipëria, është më mirë", tha Lleshaj.

Ora 11:41
Murrizi akuza maxhorancës: Hoqët dorë nga ligji për të ndaluar daljen jashtë vendit pasi 'Bujari' ju fali 61 bashki (VIDEO)

Deputeti i opozitës Myslim Murrizi deklaroi se ndryshimet në Kodin penal të sjella nga socialistët vijnë në përputhje me interesat e tyre. Ai tha se ata hoqën dorë nga ligji për të ndaluar daljen jashtë vendit pasi Basha i fali 61 bashkitë Ramës përmes një marrëveshjeje.

"Unë nuk besoj se paskeni marrë indicie për këtë kod. Keni marrë indicie nga një incident që i ndodhi Alimadhit me tre pijanecë të porositur. Nuk ka kod civil që heq skizofreninë nga mendja. Sa janë dënuar për goditje për shkak të detyrë. Ju thoni se goditja e mjekut edhe infermierit por para se t'i ruajmë duhet t'i krijojmë mundësinë që të mos ikin në Gjermani. Edhe goditja vjen për shkak të pagave që i keni lënë. 22 nenet që keni propozuar kanë në thelb mbrojtjen nga protesta. U gëzova që e paskeni heq mbrojtjen me tela me gjemba.  Ju donit prapë të fusnit se kush ia prish qetësinë partisë të futet në burg se kishit frikë se do plaste lufta. Hera e parë që bëjmë ligj që të mos ketë mjete transporti që transportojnë armë. Një javë kemi protestë silencioze, një javë molototvse. Nga i marrin armët ata. Ju doni të godisni të fundit dorën që hedh. Kodin penal e keni hartuar 11 herë nuk keni pse shpikni rrotat. Meqë bujari iua fali 61 bashkitë ju thoni se nuk i ndalon më ata që të ikin jashtë shteti por me marrëveshje", tha Murrizi.

Ora 11:23
Balla sjell 7 propozime për ndryshimet në Kodin Penal: Meta do i kthejë mbrapsht, i intereson vetëm opozita (VIDEO)

Kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla solli në Kuvend 7 propozimet e socialistëve lidhur me ndryshimet në kodin penal lidhur mbrojtjen e të drejtës së autorit, ruajtjen e qetësisë publike, siguria shëndetësore, sigurisë ushqimore, mbajtjen e armëve pa leje, mbrojtjes së mjedisit dhe kodin elektoral.

Balla tha se është i vetëdijshëm se Meta do i kthejë këto ligje në Kuvend pasi nuk mendon për interesin e shqiptarëve por për atë të opozitës.

"Ky kuvend ka bërë një prej gjërave për të mira në 28 vite atë të bllokimit të ushtrimit të lojërave të fatit. Amendamentet e kuadrit ekzistues të Kodit Penal për rendin dhe qetësinë publike janë pasojë e kërkesave në rritje të qytetarëve. Nuk shkon dot në një bregdet shqiptar teksa pranë hotelit dhe shtëpisë ku ke marrë përsipër të çosh familjen për pushime të vjen një boom boom dhe vetëm pushime nuk mund të quhen.

Nevoja për ndryshime në Kodin Penal mbi çështjet për mbrojtjen e të drejtës së autorit vjen si pasojë e debatit të gjërë publik për rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë kundër kopjimeve apo përdorimeve të padrejta të veprave të të tjerëve. 

Ndryshimet që propozohen për ashpërsimin e dënimeve në veprimtarinë e lojrave të fatit janë pasojë e legjislacionit të ri në vend për ndalimin e veprimtarisë së lojrave të fatit dhe bixhozit. 

Amendimet në lidhje me rendin dhe qetësinë publike janë pasojë e ankesave në rritje të qytetarëve anembanë vendit, që subjektet tregtare nuk respektojnë kërkesat e legjislacionit për zhurmat dhe synojnë ashpërsimin e dënimeve në rastet kur ka tejkalim të normave të lejuara me ligj për zhurmat në mjedise që prishin qetësinë publike.

Propozon dhe dekriminalizimin e gabimit mjekësor në rastet kur pasoja nuk vjen si rezultat i neglizhencës së mjekut. Këto ndryshime synojnë të përmirësojnë klimën në të cilën profesionistet e shëndetit kryejnë detyrën e tyre dhe përmbushin misionin e tyre. 

Propozon ashpërsim të dënimeve për mbajtjen e armëve, armëve shpërthyese ose e lëndëve plasëse në kundërshtim me parashikimet ligjore apo pa leje të organeve kompetente si dhe të veprimeve që synojnë pengesat apo ndalimin me çdo mjet e mënyrë, të qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror. 

Problematika e deri sotme në zbatimin dhe detyrimin e legjislacionit për mjedisin ka treguar se mjedisi nuk mund të mbrohet siç duhet vetëm përmes legjislacionit specifik/administrativ. Prandaj ky legjislacion duhet të plotësohet edhe me veprat penale në fushën e mjedisit dhe sanksionet përkatëse të parashikuara në Kodin Penal. 

Gjithashtu, projektligji adreson dhe disa ndryshime të rëndësishme që lidhen me sigurinë ushqimore, si rishikimi i dispozitave ekzistuese që lidhen me sigurinë ushqimore dhe krijimin e figurave të reja të veprave penale. Këto ndryshime kanë rëndësi tejet të lartë në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore që është një komponent i sigurisë kombëtare, e lidhur ngushtësisht dhe me impakt të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe jetën e popullsisë.

Opozita ka të gjithë të drejtën e tij të protestojë. Ka pasur dhe do vazhdojë të ketë pasoja. Nuk ka ndonjë dyshim se këto ndryshime Meta do na i kthejë për t'i votuar në shtator si një partner i opozitës. Nuk kam asnjë dyshim që Ilir Meta nuk ka më sy dhe veshë për të dëgjuar ato që duan shqiptarët por për të dëgjuar ato që duan Lulin, Saliun dhe Monikën. me të filluar shtatorin këto do jemi dhe ne prapë do t'i votojmë. Ritheksoj se në këtë vend pa dyshim që ka mjekë të papërgjegjshëm

Shtatori po vjen, dua t'iu them se në shtator na pret një punë shumë intensive që t'i japim Shqipërisë një kod elektoral që të mos ketë më problematika si në gjithë këto vite", tha Balla.

Ora 10:58
Përmeti: Ka gjithmonë e më pak socialistë si Pandeli Majko, që kanë kurajon të votojnë njëherë kundër (VIDEO)

Deputeti i opozitës së Re Andi Përmeti deklaroi se ligji për arsimin e lartë nuk duhet të anulohet por të shtyhet me të paktën me një vit për t'i dhënë mundësinë të rinjve të përmirësojnë mesataren që të mos largohen nga vendi. Ai tha se në Kuvend ka gjithmonë e më pak socialistë si Pandeli Majko që kanë kurajon të votojnë kundër ligjeve të sjella për miratim nga partia e tij.

"Nuk kërkova pse e keni vendosur në fuqi prapavepruese. Pse e ndryshoni një ditë përpara. Ju i thatë një muaj para përfundimit se ata nuk mund të vazhdonin më ëndrrën e studimeve sepse ju ndryshuat ligjin papritur. A mund të shtyhet mesatarja të paktën për një vit që të paktën 10 mijë shqiptarë të mos ikin jashtë vendit. Ka gjithmonë e më pak socialustë si Pandeli Majko që ka kurajo të votojë të paktën njëherë kundër", tha Përmeti.

Ora 10:47
Shahini: Do e bëjmë 8 notën mesatare për mësuesi, nuk do ketë më arsimtarë nga Kristali e Vitrinat si në kohën e PD (VIDEO)

Ministrja e Arsimit Besa Shahini deklaroi se nota mesatare për degën e Mësuesisë do të shkojë 8 ndërsa dega e Mjekësisë do të ketë një notë akoma më të lartë mesatare. Ajo tha se duhet një selektim i studentëve që do të edukojnë brezat e tjerë e ndërsa deklaroi se ata që nuk kanë vullnet për të arritur rezultate të mira, duhet të ndjekin arsimin profesional duke shmangur koston e humbur por edhe duke kontribuar edhe në tregun e punës.

"Më herët mësuesit dilnin nga universitete si Kristali dhe Vitrinat. Ndërsa kur erdhi PS po ndryshohen standardet pasi arsimtarët duhet të jenë me rezultate të larta dhe të kualifikuar. Ne besojmë se ata që janë të dobët në shkollën e Mesme nuk kanë si të përfitojnë nga studimet Bachelor. kur vjen dikush i dobët në Universitet harxhon kohë dhe kosto për familjet dhe jo pak herë përfundojnë duke marrë një diplomë që nuk i shërben për asgjë. në kohën e PD mbi 60 % e nxënësve kanë qenë analfabetë funksional. Në vitin 2015 pas një viti e gjysmë menaxhim nga PS kjo shifër ra ndjeshëm.  Ne e pamë të arsyeshme që t'i orientojmë ata më të mirët drejt formimit akademik. Qëllimi për përcaktimin e notës mesatare për pranimin në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve është mbështetje e strategjive në funksion të përmirësimit të shërbimit të arsimit të lartë dhe mbështetja e arsimit profesional. Duhet t'i jepet një fuqizim edhe arsimit profesional për të kontribuar në tregun e punës. Ligji i arsimit të Lartë të vitit 2015 i jep këshillit të ministrave tagrin për përcaktimin e një note mesatare. Do e çojmë në 8 notën mesatare për degën e Mësuesisë. Universiteti i Mjekësisë ka vendosur të shkojë përtej vendimit tonë duke vendosur edhe një notë akoma më të lartë mesatare. Kam biseduar me shumë maturantë. I kam njoftuar për vendimin që do merret. Kemi pasur edhe kritika. Miratimi ka qenë nga ata pedagogë që kërkojnë një selektim, ndërsa kritikë kanë qenë ata që mendojnë se do zvogëlohet numri i nxënësve për lëndën e tyre", tha Shahini.

Ora 10:28
Deputeti i opozitës së re: Nuk e dimë nëse 2020 do e gjejë Metën president apo pas hekurave (VIDEO)

Deputeti i opozitës së re Andi Përmeti i cili sot ka thirrur në interpelancë ministren e Arsimit Besa Shahini deklaroi se shqiptarëve i interesojnë problematika që prekin vetë ata. Ai tha se atyre nuk i intereson nëse Meta do jetë president apo në burg në vitin 2020.

"Shqiptarëve nuk i intereson nëse pozicioni që mbajnë ata të tre. Nuk e dinë nëse 2020 do e gjejë Metën president apo pas hekurave. Ne kemi për detyrë të kujdesemi për interesat e shqiptarëve. Për këtë arsye kam thirrur interepelancë me ministren Shahini për plotësimin e kritereve për pranimin në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve", deklaroi Përmeti.

Kujtojmë se mazhoranca ka nisur procedurat për sharkimin e presidentit Ilir Meta, duke ngritur edhe një komision hetimor për të hetuar shkeljet e tij lidhur me anulimin e 30 qershorit.

Ora 10:23
Projektligji për duhanin/ Beqja kërkon të mos votohet! Ruçi: Denonco rastet, nise që nga unë (VIDEO)

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka kërkuar nga kolegët deputetë që sot të mos miratohet projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”.

"Do kërkoja që ky ligj të mos votohet sot, për zbatimet që ne i bëjmë këtij ligji. Nuk është e drejtë të rëndojmë me këtë projektligj shkelës", tha Beqja.

Ruçi tha se ky arsyetim nuk është i mjaftueshëm duke iu drejtuar Beqjas që të denoncojë rastet konkrete duke nisur prej vetë atij që është duhanpirës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?