Socialistët në Kuvend do të nisin menjëherë punën për të vënë në jetë planin e Edi Ramës për ndryshimin e strukturës së komisioneve parlamentare. Niko Peleshi pret nesër krerët e grupeve parlamentare për t’u marrë emrat e deputetëve që do të shpërndahen në organet e Kuvendit, dhe të martën, në dy seanca të njëpasnjëshme parlamentare, me shpejtësi do të ngrihen komisionet e reja, pasi të jetë ndryshuar edhe Rregullorja e Kuvendit.
***
Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë ftuar të hënë nga Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, në një takim konsultues mbi formimin e organeve të reja të parlamentit.
Peleshi mbledh në orën 11:00 krerët e grupeve parlamentare, ku kryesisht nga Taulant Balla dhe Gazment Bardhi kërkon emrat e deputetëve që do të formojnë organe të Kuvendit, si delegacionet, Byroja apo Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren.
Në të njëjtin takim, Kryetari i Kuvendit do t’i njohë palët me një draft për të ndryshuar me shpejtësi, rregulloren e Kuvendit, në mënyrë që Komisionet Parlamentare të rikonceptohen, ashtu siç Edi Rama i shpalli në Asamblenë Socialiste.
Plani është që Kuvendi të mblidhet të martën paradite dhe të ngrejë Këshillin e Mandateve me detyrën e kalimit formal të ndryshimeve në rregullore dhe Kuvendi të rimblidhet pasdite për të votuar rregulloren e re si dhe përbërjen e Komisioneve.
Socialistët kanë mbajtur 7 komisione vetë, dhe i kanë lënë 4 opozitës. Por i kanë hequr asaj komisionin për integrimin, një organ që demokratët e quajnë strategjik.
Pikërisht ky mund të jetë objekt debati, por pavarësisht se mund të mos bien dakord, opozitarët nuk kanë votat për të bllokuar mazhorancën.
Ndryshimi i Rregullores dhe formësimi i komisioneve të reja nuk kërkojnë konsensus, por të paktën 71 vota.
Tradita që Rregullorja e Kuvendit miratohej me dakordësi mes palëve kryesore, është braktisur më herët nga socialistët.
Veç dy mbledhjeve të së martën për të ndryshuar strukturën parlamentare, Kuvendi do të zhvillojë debat maratonë 2-ditor, të enjten dhe të premten, për programin qeverisës dhe kabinetin “Rama 4”.
Komente
