Politikë

Kuvend/ Fillim i ri me ‘halle’ të vjetra! Berisha bllokon foltoren, rrethohet nga Garda! 24 minuta seancë, në 17:00 betohen deputetët (VIDEO)

12 Shtator, 07:07| Përditesimi: 12 Shtator, 12:56

  • Share

TIRANË- Seanca e parë e legjislaturës XI-të e gjeti Kuvendin me të njëjtin tension politik. Partia Demokratike, tashmë edhe më e ‘rrudhur’, me vetëm 50 deputetë, shkoi në Kuvend më të njëjtat akuza të vjetra, se zgjedhjet ishin farsë, por në sallë u kthyen me argumentin se do të mbrojnë interesin e qytetarëve.

"Ky është një akt absolutisht me një mjedis legjitim dhe ky është një hap që ne bëjmë në një përpjekje më të fuqishme që opozita ka bërë ne ekzistencën e saj për çlirim e shqiptarëve nga narkodiktatura. Është parlament jolegjitim, ky është kuvendi i miliarda eurove të vjedhura shqiptarëve”, tha Sali Berisha për gazetarët.

Socialistët për herë të parë u ulën edhe djathtas, pas fitores së thellë me 83 mandate. Seanca u drejtua edhe nga deputeti socialist Vasil Llajo, pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan të marrin këtë detyrë si deputetët më të moshuar. Ai kërkoi bashkëpunim nga opozita, për të çuar para procesin e integrimit të cilin e quan një mision kombëtar.

“Qytetarët duan rezultate që ndihen në familjet e tyre. Të ndërtojmë një kulturë bashkëpunimi për çështje të mëdha kombëtare, duhet të kemi turp nëse nuk e bëjmë këtë. Të ndahemi në debate, e bashkohemi në qëllime. Shqipëria sot është më pranë se sot anëtarësimit në BE. Ky është mision historik i kësaj legjislature. Ky nuk është mision i një partie, por kombëtare, për të cilin do të na gjykojnë brezat që vijnë”, tha Llajo.

Seanca zgjati vetëm 24 minuta, ndërsa opozita u kthye te strategjia e vjetër e bllokimit. Kreu i PD, Sali Berisha mori fjalën për të folur jashtë rendit të ditës dhe bllokoi foltoren, ndërsa u rrethua edhe nga Garda. 

“Nuk lexoji emra te Bajrave, e Pëllumb Gjokës, nuk lexoi emrat e partisë së vërtetë, të krimit. Lexoji Lubi Ballukun...”, tha Berisha.

Garda e rrethoi, ndërsa në emër të shumicës parlamentare, Taulant Balla propozoi 6 emrat për Komisionin e Verifikimit të Mandateve për 140 deputetët e rinj. Derisa komisioni të bëjë punën e tij, deputetët e rinj u larguan dhe do të rikthehen pasdite, në 17:00, për t'u betuar një nga një. 

PD zgjodhi të mos ketë përfaqësuesit e saj në Komisionin për Verifikimin e Mandateve dhe as në Sekretarinë e Përkohshme. Deputetja e PD-së Klodiana Çapja refuzoi t’iu bashkohej dy kolegeve më të reja socialiste.

Seanca u ndoq nga përfaqësitë diplomatike në vendin tonë, e dërguara e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn si edhe klerët fetarë. I pranishëm në sallë ishte edhe kryeministri Rama, i cili ironizoi opozitën që u kthye në sallë me avazin e vjetër e me pankarta në duar që shigjetonin mazhorancën.

Në sallë ulen 140 deputetë, mes tyre 72 që hyjnë për herë të parë. PS hyn me 83 deputetë, nga të cilët 53 i ka emra të rinj, ndërsa PD dhe aleatët me 50 deputetë, 14 prej tyre prurje të reja. PSD  hyn me 3 deputetë, partia Mundësia me 2 deputetë, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet me nga një deputet.

Pas betimit të deputetëve, mazhoranca pritet të propozojë emrin e Niko Peleshit për kryetar të Kuvendit, siç u njoftua një ditë më parë nga kryesocialisti Edi Rama në Asamblenë e PS. Votimi do të bëhet me fletë dhe kuti votimi, ndërsa pas shpalljes së rezultatit Llajo i lë vendin kryetarit të ri, i cili do të mbajë edhe fjalën e tij të parë.

Në seancën e radhës, kryeministri Edi Rama do t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e qeverisë së re dhe programin qeverisës. Pas votëbesimit, kabineti i “Rama 4” do të shkojë për dekretim dhe betim tek presidenti Bajram Begaj.

Anëtarët e Komisionit të Verifikimit të Mandateve
Milva Ekonomi
Olsi Komici
Aulona Bylykbashi
Hatixhe Konomi
Elton Korreshi
 Arkend Balla

 

Ora 11:28
Seanca e parë e Kuvendit, të pranishëm Zaçaj dhe Sadushi! Munguan përfaqësuesit e SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme

1757669348_kuvend.jpeg

Në seancën e parë të Kuvendit të ri, mungoi SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme. Në sallë, karriget e përfaqësuesve të dy organeve të drejtësisë. Ndërsa nga gjyqësori, të pranishëm ishin drejtuesit e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, Holta Zaçaj dhe Sokol Sadushi.

Ora 11:16
FOTOT/ Deputetët në seancën e parë të Kuvendit dhe ‘përballja’ e Ramës dhe Berishës

E gjithë vëmendja, në këtë seancë të parë të Kuvendit, ishte te deputetët e kësaj legjislature të re.  

Në mesin e fotove, spikat edhe një e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së Sali Berisha, të cilët kanë qenë shumë pranë njëri-tjetrit, pasi ishin ulur në të njëjtin rresht dhe vetëm një tavolinë larg.

Ora 10:50
Media greke: Dako, ithtare e helenizmit! Deputetja e Lapajt nga Kuvendi: Jam shqiptare, do përfaqësoj 64 mijë votuesë

Ana Dajko, e dalë deputete nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”. u paraqit sot në seancën e parë plenare të legjilaturës së XI, të Kuvendit të Shqipërisë, për konstituimin e përbërjes së re të dalë nga zgjedhjet e 11 majit. 

Ajo nuk i shpëtoi mediave, të cilat i morën prononcimin e parë, gjatë të cilës 60-vjeçarja dukej e “pushtuar” nga emocionet. 

Dajko komentoi edhe lajmin e medias greke ‘apenadi.blogspot.com’, e cila zbuloi për herë të parë origjinën e 60-vjeçares dhe lidhjet e saj me Greqinë. Krahas kësaj, Dajko tha se do të përfaqësojë 64 mijë votuesit e koalicionit.

“Jam shqiptare dhe kam të drejtë si shtetsase shqiptare që të mendoj...
Unë do punoj për këta djem dhe vajza të rinj që punuan dhe vazhdojnë punën e tyre për të në këto katër vite, Fjala ime do të jetë shprehje për suksesin e të gjithë partisë”,

Dajko, një 60-vjeçare nga Saranda që nuk është marrë kurrë me politikë, dhe që u kandidua fiktivisht në Tiranë, do të jetë deputetja e vetme e Koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Kolegji Zgjedhor i vendosi vulën konfliktit mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, duke mos dërguar në Kuvend as Lapajn më të votuarin e listës së hapur, dha as Kleana Xhuvelin, kushërirën e Lapajt nga lista e mbyllur.

Ora 10:34
Tensione në Kuvend/ Berisha bllokon foltoren, demokratët refuzojnë ngritjen e komisionit për verifikimin e mandateve! Bardhi i prish mikrofonin Taulant Ballës

 

Ndërkohë që kryesuesi i seancës së parë të Kuvendit, deputeti socialist Vasil Llajo i bëri thirrje kryetarëve të partive politike për të lexuar propozimet për deputetët që do të formojnë komisionin e verifikimit të mandateve, kreu i PD-së refuzoi të bënte propozimet.

Në foltore Berisha filloi të akuzonte dhe njëherë PS-së ndërsa Llaho i hoqi fjalën, ndërkohë që u desh ndërhyrja e gardës pas bllokimit të foltores nga ana e demokratëve.

“Nuk lexoji emra te Bajrave, e Pëllumb Gjokës, nuk lexoi emrat e partisë së vërtetë, të krimit. Lexoji Lubi Ballukun...”, tha Berisha drejtuar Vasil Llajos pas leximit të emrave të deputetëve që do të formojnë Kuvendin e ri.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla lexoji 6 propozimet për përbërjen e komisionit të verifikimit të mandateve, ndërsa Bardhi ka prishur mikrofonin.

Propozimet kaluan për votim, ndërsa ka qenë po demokratët të cilët kanë prishur kartonat e kolegëve.

 

Ora 10:27
Ngrihet Komisioni për verifikimin e mandateve të deputetëve, PD bojkoton! Seanca rinis në 17:00 

1757664429_kuvendiishqiperise.jpg

Ngrihet në Kuvend Komisioni që do të verifikojë mandatet e deputetëve të kësaj legjislature të re. Socialisti Taulant Balla njoftoi emrat që do të përbëjnë komisionin, ndërsa PD nuk mori pjesë. Drejtuesi Vasil Llajo, njoftoi se seanca do të rinisë në orën 17:00, ku pritet që të bëhet edhe betimi i deputetëve.

“Bazuar në nenin 2 të rregullorës së Kuvendit, në emër të grupit parlamentar të PS-së, propozojmë për Komisionin për verifikimin e mandateve: Milva Ekonomin, Olsi Komici, Aulona Bylykbashi, Hatixhe Konomi, Elton Korreshi dhe Arkend Balla”, njoftoi Balla.

Ora 10:26
A do ta votojë Peleshin në krye të Kuvendit? Berisha bëhet lëmsh: 10 herë më mirë ai se sa ‘Kamarani’

 

Kryedemokrati Sali Berisha gjatë një prononcimi për gazetarët përpara se të futej në Parlament për seancën e parë plenare për këtë sezon, është pyetur nëse do të votonte Niko Peleshin si kreun e ri të Kuvendit.

Berisha tha se nuk do ta votonte në asnjë mënyrë Peleshin. Teksa më pas u ngatërrua dhe deklaroi se është 10 herë më mirë të votosh Peleshin, sesa Kamaranin, një personazh që sipas tij është bandit.

“Absolutisht jo. Të votosh Niko Peleshin aty është 10 herë më mirë se sesa të votosh Kamarani apo bandën e tij në Korçë. Kategorish jo. Më mirë të vinte ai, se të paktën është i sinqertë, jeton si bandit. Ndërsa ky është bandit me post kryetar Parlamenti. Në asnjë mënyrë”, tha Berisha përpara se të futej në Kuvend.

Ora 10:18
FOTOT/ PD kthehet në Kuvend me 'avazin' e vjetër, shpalos pankarta me akuza kundër PS

Që në seancën e parë plenare të legjislaturës së XI, Partia Demokratike, e cila së bashku me aleatët në këtë mandat ka 50 deputetë, nisi aksionin opozitar, duke shpalosur pankarta me foto të eksponentëve kryesorë të Partisë Socialiste dhe të mbishkruara me akuza.

Ora 10:17
Formohet Sekretaria e Përkohshme në Kuvend, deputetja e PD-së bojkoton! Nuk i bashkohet kolegeve socialiste

 

Mariana Koçeku, Zegjine Caushi dhe Klodiana Çapja janë tre deputetet më të reja të Kuvendit të Shqipërisë dhe rrjedhimisht bazuar në rregulloren e Kuvendit do të formojnë sekretarinë e përkohshme deri në zgjedhjen e byrosë së Kuvendit.

Deputetja e PD-së Klodiana Çapja ka refuzuar t’i bashkohet dy kolegeve nga kampi socialist duke mos marrë vendin e saj në ulësen e sekretarisë së përkohshme.

Ora 10:15
VIDEOLAJM/ PS ulet edhe 'djathtas' për herë të parë në Kuvend

Ka nisur seanca e parë parlamentare e legjislaturës së XI të Kuvendit të Shqipërisë, ku Partia Socialiste dominon edhe në këtë mandat, por me një numër shumë herë më të lartë deputetësh krahasuar 3 mandatet e kaluara.

Plot 83 ligjvënës socialistë të dalë nga zgjedhjet e 11 majt. Për shkak të numrit të lartë, disa prej deputetëve socialistë janë detyruar të ulen “djathtas”, pra në pjesën ku ulet opozita.

Ora 10:14
Nis Kuvendi/ Vasil Llajo drejton seancën e parë: Duhet bashkëpunim! Anëtarësimi në BE nuk është mision i një partie, por kombëtar

 

Deputeti socialist, Vasil Llajo hapi seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit me një mesazh bashkëpunimi mes palëve politike. Ai tha se besimin që shprehën qytetarët më 11 maj, duhet ta kthejnë në realitet, duke punuar së bashku në interes të tyre. Përmendi gjithashtu rrugën evropiane drejt BE-së, teksa tha se nuk është një mision i një partie, por kombëtar. 

“Sot sipas kushtetutës, më është besuar detyra e nderuar për të hapur këtë seancë të parë. Ky është moment solemn sepse fillon kapitulli i 4 viteve të ardhshme ku do të shkruhet historia e vendit tonë. Këtë e shoh si simbol se jeta politike nuk ndërtohet vetëm mbi energjinë e rinisë, dhembshurinë e përvojës por mbi bashkëpunimin e të dyjave. Kemi nevojë për energjinë e brezave të rinj dhe maturinë e atyre që kanë parë më shumë. Me profesionin tim si mjek, kam mësuar se shërbimi ndaj njerëzve është rruga më e ndershme. Kjo duhet të jetë filozofia e punës tonë. Politika ka kuptim vetëm kur prek jetën reale të njerëzve. Kjo legjislaturë është e re në përbërje, qytetarët duan më shumë nga ne, politikë më pranë njerëzve. Është detyra jonë që këtë besim ta kthejmë në realitet. Qytetarët duan rezultate që ndihen në familjet e tyre. Të ndërtojmë një kulturë bashkëpunimi për çështje të mëdha kombëtare, duhet të kemi turp nëse nuk e bëjmë këtë. Të ndahemi në debate, e bashkohemi në qëllime. Shqipëria sot është më pranë se sot anëtarësimit në BE. Ky është mision historik i kësaj legjislature. Ky nuk është mision i një partie, por kombëtare, për të cilin do të na gjykojnë brezat që vijnë. Le të dëshmojmë se dimë të bëjmë politikë të pjekur, ku nuk mungon debati por kur fjala e fundit është interesi i vendit.”, tha ai.

Ora 10:12
Bojkot në zgjedhjet e parakohshme të Tiranës? Berisha: Është një opsion! Ogerta u shkri në dënese kur mori vesh lajmin se do jetë kandidate

Kreu i PD, Sali Berisha jashtë Kuvendi u pyet nga gazetarët nëse e kanë gati kandidatin për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë. Berisha tha se edhe bojkoti është një opsion, por vendimet do të merren me strukturat e PD. Një koment e ka edhe për Ogerta Manastirliun e cila do të jetë kandidatja e PS.

“Vendimet do bëhen të ditura. Me Ramën nuk ka kurrë zgjedhje të lira. Ka dy taktika, edhe ajo është një taktikë. Në përpjekjen e betejës, bojkoti është një armë, është një formë, por ndofta forma më e lehtë. Rama për të mbuluar këtë piramidë krimi që ngrihet sot para shqiptarëve në Kuvendin e drogës, nxori përsëri nga qelia Veliajn. Do të tërheqë mediat me probleme bashkisë së Tiranës dhe përmallim madh të Ogertës. U shkri në dënesë Ogerta kur mor vesh lajmin se do të kandidohet. Janë shashka për mediat dhe për opozitën”, tha Berisha.

Gjatë Asamblesë së PS, kryeministri Rama kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë e Tiranës duke kërkuar shkarkimin e Veliajt. Kandidate për kryetare e PS, ministrja aktuale e Arsimit Ogerta Manastirliu.

Ora 10:08
Berisha: Kuvendi i miliarda eurove të vjedhura shqiptarëve, jolegjitim

 

Edhe pse nuk njeh zgjedhjet, PD është paraqitur në Kuvend. Berisha tha për gazetarët se është një Kuvend jolegjitim

"Ky është një akt absolutisht me një mjedis legjitim dhe ky është një hap që ne bëjmë në një përpjekje më të fuqishme që opozita ka bërë ne ekzistencën e saj për çlirim e shqiptarëve nga narkodiktatura. Është parlament jolegjitim, ky është kuvendi i miliarda eurove të vjedhura shqiptarëve, ky është kuvendi i dhunimit të fjalës së lirë. Hap më legjitim se ky që bën sot PD nuk ka, por ne e kemi betejë, zotohemi të vazhdojmë këtë betejë me të gjitha forcat tona", tha Berisha. 

Ora 10:01
Konstituimi i Kuvendit të ri, të pranishëm dhe ndërkombëtarët! Mbërrin në parlament Nancy vanHorn

Në seancën e parë të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Shqipërisë, përveç deputetëve të rinj e të tjerë të dalë nga parlamentaret e 11 majit, të pranishëm në seancë do të jenë dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

Ndërkohë, në ambientet e Kuvendit sapo ka mbërritur dhe e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy van Horn.

Ora 09:55
Sara Mile në Kuvend, vendos në qafë shallin me akuzat e opozitës: Simbolizon baltën që kanë hedhur mbi mua

 

Deputetja më e votuar e qarkut të Elbasanit Sara Mile, në ditën e parë të Kuvendit ka vendosur dhe një shall në qafë, për të cilin është shprehur se simbolizon të gjithë baltën dhe paragjykimet që opozita ka hedhur mbi të gjatë gjithë kësaj kohe.

Ndër të tjera ajo thotë se tashmë do të tregojë veten e saj dhe se opozita duhet t’i kërkojë falje për të gjitha të thënat nga ana e tyre në fushatë.

“Kam vënë një shall sot, nuk e kam thjeshtë aksesor, është gjithë balta, gjithë akuzat gjithë paragjykimet që janë hedhur për mua gjatë gjithë kësaj rruge.

Kam një mesazh për të gjitha vajzat që në jetë nuk të përcakton aspak balta, por të përcakton puna.

Edhe tani në punët e parlamentit do të keni mundësi të më njihni, do më njohi dhe opozita dhe shpresoj që të kenë guximin të kërkojnë dhe ndjesë kur t shohin se kush është Sara në punët e parlamentit”, tha Sara Mile.

 

Ora 09:52
S’do jetë më ministër drejtësie, Manja: Jemi në procesin e integrimit, Komisionin i Ligjeve do mbajë peshë të madhe

 

Ulsi Manja komenton largimin e tij nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa Rama e kaloi në drejtimin e komisionit të ligjeve.

Manja: Qoftë një legjislaturë e mbarë.

Gazetarët: Pse iu largoi Rama?

Manja: Kryetar i komisionit të ligjeve. Jemi në procesin e integrimit, Komisioni i Ligjeve do jetë komision që do mbajë peshën më të madhe për afrimin e legjislacionin me BE, jam natyralisht aty ku duhet të jem.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rei: 12/09/2025 13:30

    zbaton urdherat e Rames.

    Përgjigju
  • Labèria: 12/09/2025 12:03

    Nepali dhe Shqipèria janè 2 republika simotra, kur sheh "klasèn politike" kèndej e andej. Vetèm popujt, ata ndryshojnè ca. Ai nepalez, u çua nè kèmbè dhe i tregojè klasès politike me vepra, se nganjèherè edhe zjarrfikèsit mè tè mirè tè botès, nuk ia dalin dot tè shuajnè flakèt e zemèrimit popullor. Kèndej nga ne, janè njerèzit mè tè rezervuar, mè tè apasionuar pas teknikès oksidentale me Djellèn nè prapanicè. Ujè pèr tu ruajtur nga zgjebja, nuk kanè shqiptarèt, mbyten nè plehra edhe pse miliardat e paguara pèr inceneratorè, u zhdukèn nè xhepat e politikanève, fèmijè nuk kanè mè shqiptarèt po ashtu sepse mungesa e perspektivès i ka degdisur si çifutèt nè shkretètirè nèpèr botè,,,,,ama pèr protestè si shenjè e artikullimit tè mendimit politik tè njè shoqèrie europiane,,,,,jo jo,,,pèr gjèra tè tilla nuk kanè kohè shqiptarèt. Ta gèzojmè GROPÈN E GJIRIZIT o bashkèkombas,,,,,ASGJÈ TJETÈR NUK MERITOJMÈ.

    Përgjigju
  • Turi: 12/09/2025 11:26

    Filloj avazi ishalla kan fatin e parlamentit në Nepal kto hajna

    Përgjigju
  • Alb: 12/09/2025 11:05

    Nje mute e njeta gja. Iku koha kur kishim unitet lavdi PPSh

    Përgjigju
  • rezi: 12/09/2025 10:41

    Filluan shpellarët e Sali non gratës....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni ndryshimet që bëri Rama në kabinetin qeverisës?