Deputeti socialist, Vasil Llajo hapi seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit me një mesazh bashkëpunimi mes palëve politike. Ai tha se besimin që shprehën qytetarët më 11 maj, duhet ta kthejnë në realitet, duke punuar së bashku në interes të tyre. Përmendi gjithashtu rrugën evropiane drejt BE-së, teksa tha se nuk është një mision i një partie, por kombëtar.
“Sot sipas kushtetutës, më është besuar detyra e nderuar për të hapur këtë seancë të parë. Ky është moment solemn sepse fillon kapitulli i 4 viteve të ardhshme ku do të shkruhet historia e vendit tonë. Këtë e shoh si simbol se jeta politike nuk ndërtohet vetëm mbi energjinë e rinisë, dhembshurinë e përvojës por mbi bashkëpunimin e të dyjave. Kemi nevojë për energjinë e brezave të rinj dhe maturinë e atyre që kanë parë më shumë. Me profesionin tim si mjek, kam mësuar se shërbimi ndaj njerëzve është rruga më e ndershme. Kjo duhet të jetë filozofia e punës tonë. Politika ka kuptim vetëm kur prek jetën reale të njerëzve. Kjo legjislaturë është e re në përbërje, qytetarët duan më shumë nga ne, politikë më pranë njerëzve. Është detyra jonë që këtë besim ta kthejmë në realitet. Qytetarët duan rezultate që ndihen në familjet e tyre. Të ndërtojmë një kulturë bashkëpunimi për çështje të mëdha kombëtare, duhet të kemi turp nëse nuk e bëjmë këtë. Të ndahemi në debate, e bashkohemi në qëllime. Shqipëria sot është më pranë se sot anëtarësimit në BE. Ky është mision historik i kësaj legjislature. Ky nuk është mision i një partie, por kombëtare, për të cilin do të na gjykojnë brezat që vijnë. Le të dëshmojmë se dimë të bëjmë politikë të pjekur, ku nuk mungon debati por kur fjala e fundit është interesi i vendit.”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Fillim i ri me ‘halle’ të vjetra! Berisha bllokon foltoren, rrethohet nga Garda! 24 minuta seancë, në 17:00 betohen deputetët (VIDEO)
Xh.D/r.k./ReportTv.al