Kuvendi miraton dhe me votat e opozitës Anti KÇK-në! Rama-politikanëve: Dita juaj më afër nga sa mendoni! Mezi e pres dhe vetë (VIDEO)

5 Mars 2020, 08:11| Përditesimi: 5 Mars 2020, 22:54

  • Share

TIRANE -Anti-KÇK (kap çfarë të kapësh) nga sot është tashmë një paketë ligjore, e cila u miratua pas diskutimeve të zjarrta në seancën plenare të Kuvendit, ku hasi kundërshtitë e forta të opozitës parlamentare duke e cilësuar mbivendosje të kompetencave të SPAK. Me 89 vota pro, 3 abstenim dhe 17 kundër, Kuvendi ka kaluar paketën ligjore Anti-KÇK, që do të veprojë me një fuqi 1-vjeçare deri më 31 dhjetor, megjithatë gjatë diskutimeve në parlament u la të kuptohej se afati i saj edhe mund të zgjatej në kohë, por kjo do të shihej gjatë zbatimit të saj në vazhdimësi.

Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Rama i është përgjigjur të gjithë skeptikëve lidhur me goditjen e pasurive të dyshuara nga krimi përmes Anti-KÇK, ku sulmoi presidentin, opozitën por dhe avokatin e popullit se  janë rreshtuar kundër qeverisë për t'i dalë në mbrojtje elementëve të krimit të organizuar.

'Operacioni Forca e Ligjit duhej të ishte miratuar më herët' - tha Rama, por sipas tij- 'momenti i duhur ishte me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë që kanë dhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë.'

Akuzat se po merr kompetenca të prokurorëve dhe gjykatës, Rama sqaroi për të gjithë se OFL-ja nuk merret me proceset gjyqësore, por me pasuritë e atyre që kanë pasur probleme me drejtësinë, të cilët kanë barrën e provës të faktojnë nëse gjithçka e kanë vënë me burime të ligjshme apo nga para të botës së krimit.

"Kush nuk është i dënuar, nuk ka lidhje fare me OFL-në. Edhe kriminelë, të cilët janë aktivë, këtu apo jashtë dhe nuk kanë asnjë dënim fare, nuk janë objekt i këtij ligji. Ky ligj është shumë i thjeshtë. Unë di që ti je dënuar me dënim të formës së prerë dhe dënimin e ke për vete dhe nuk kam punë me gjyqin tënd, apo nuk kam ndërmend të bëj gjyqin tjetër. Shteti të thotë trego nga i ke këto pasuri", tha Rama.

Sa për hetim të politikanëve të korruptuar, Rama tha se ajo ditë është më e afërt nga sa mendohet, madje dhe vetë mezi pret që të tregojë se nuk vjen nga zullumi.

"Që do të vijë dita, do të vijë, është më afër sesa duket për të gjithë ne këtu. Unë i pari, pastaj për të gjithë të tjerët këtu, por edhe për ata që janë jashtë do të vijë dita që do të duhet të provojnë që nuk vijnë nga zullumi. Unë mezi e pres atë ditë, sepse më vjen keq kur politika në tërësi, duke thënë “ju kriminelët”, “ju bëni telefon me ata”, “ju... ju... ju...”. Nuk ka “ju... ju...” e keqja dhe balta i bie të gjithëve, ndërkohë që nuk jemi të gjithë njësoj. Ne dhe të gjithë ata që janë subjekt i deklarimit të pasurive kemi një institucion që na kontrollon çdo vit dhe çdo vit, ne bëjmë deklarimin e pasurisë sonë. Ama, nëse nesër vjen dita që dikush nga ne të shkojë përpara prokurorit apo gjykatësit, nuk diskutohet që ajo dosja e deklarimeve do  merret dhe do fillojë avazi. Por me këtë nuk merret policia", tha Rama.

Një tjetër ligj i rëndësishëm i miratuar në Kuvend ishte dhe Ligji i Pronave që kaloi me 94 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenim, duke përfshirë dhe amendamentet e propozuara nga kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Për ligjin e pronave, Rama tha se do të legalizohen të gjitha shtëpitë në fshat, ndërsa shtoi se do të rishikohet titulli i pronësisë për banesat në zonat urbane.

Ora 21:56
Reforma mbi menaxhimin dhe pronësinë e tokës bujqësore, ministri Çuçi tregon çfarë sjell ligji i ri i miratuar në Kuvend

Është miratuar sot në Kuvend projektligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Gjatë fjalës së mbajtur për këtë projektligj, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, tha se reforma në fushën e të drejtave të pronësisë, administrimit dhe menaxhimit të integruar të tokës bujqësore, është reforma më madhore në Shqipëri pas asaj në sistemin e drejtësisë

“Ligji që u miratua në Parlament parashikon që në një afat kohor prej 8 vitesh të mbyllë përfundimisht çështjen e pronësisë së tokës bujqësore. Përmbyllja e këtij procesi është nja garanci absolute për zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale për investimet e fermerëve tanë si dhe investitorëve të ndryshëm. Mbështetja financiare me grantet qeveritare apo fondet e programit IPARD nuk mund të përfitohet nëse marrëdhënia e fermerit me tokën është e paformalizuar”, tha ministri Çuçi.

Sikundër tashmë dihet krijimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ishte një hap i rëndësishëm në reformën institucionale për sa i përket cështjeve të pronësisë. Hapi i dytë po kaq i rëndësishëm ishte projektligji i miratuar sot në Kuvend. Nëpërmjet këtij ligji krijohet një bazë ligjore të thjeshtuar dhe e harmonizuar për përfundimin e proceseve kalimtare të trajtimit të pronës së paluajtshme të shtetit dhe të pronës private në përgjithësi dhe vecanërisht pronësisë mbi tokën bujqësore.

Sipas ligjit të ri, AMTP e dhëna para hyrjes në fuqi të këtij ligji do të regjistrohen duke mos iu nënshtruar verifikimit të ligjshmërisë së tyre nga ASHK nëse plotësojnë këto kritere minimale: Të jetë trajtuar me tokë vetëm në territorin e një kooperative apo ndërmjarrje bujqësore. Toka për të cilën është lëshuar AMTP nuk është vepër i infrastrukturës publike, rërë, plazh apo siperfaqe ujore truall. Edhe nësë AMTP ka probleme/ difekte të formatit të AMTP ato nuk do jenë më pengesë për regjistrimin e tyre, sic kanë qenë deri më tani por do regjistrohen nëse përmbushen kriteren minimale të sipër përmendura. Për të gjithë ata të cilët kur paraqiten për të regjistruar AMTP rezulton se toka është kthyer në pronë publike pas lëshimit të AMTP dhe nuk është shpërblyer më parë, i lind e drejta e kompensimit sipas legjislacionit në fuqi për shpronësimet dhe marrjes në përdorimt të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik. Gjithashtu të drejtën e kompensimit e kanë edhe ata të cilat kanë një vendim gjyqësor të formës së prerë për detyrim regjistrimi të AMTP për sipërfaqet të cilat janë kthyer në prona publikë të patjetërsueshme.

Ora 18:13
Miratohet ligji për pronat/ Balla: Kategoritë që përfitojnë...çfarë ndodh nëse nuk legalizohet prona

Me 94 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenim kuvendi ka miratuar ligjin për përfundimin e procesve kalimtare të pronësisë, përfshirë këtu edhe amendamentet e propozuara nga kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ai ka sqaruar edhe të gjitha ndryshimet e bëra dhe familjet që përfitojnë me ndryshimin e ligjit.

"Doja të prezantoja amendandetin, është pikërisht mbajtja e një angazhimi të shprehur nga Rama edhe në fillim të kësaj seance që ka të bëjë me legalizimin e plotë të të gjithë banesave dhe çdo lloj investimi tjetër të kryer në fshat, me qëllim që të garantojmë që të gjitha familjet që kanë në fshat të legalizohet, por bëjnë përjashtim investimet e kryera pranë veprave të infrastrukturës publike, akset kombëtarë nuk do të legalizohen. Ka të bëjë edhe me territoret në investimet publike. Kush ka AMTP, prej nesër t'i gëzoni certifikatat e pronësisë, jemi 200 familje. Që keni shtëpitë para viteve 90 por nuk keni asnjë copë letë, t'i gëzoni edhe shtëpitë dhe oborret. Kush ka ndërtuar shtëpi me leje të organeve vendore. Kush ka tokën në përdorim, është pronar i tokës. Legalizohen shtëpitë në fshat. Banorët që u ka humbur ndërtuesi, ka ikur në drejtim të paditur, u legalizohet apartamenti dhe marrin certifikatën e pronësisë. Kush hyn në proces legalizimi do të trajtohet përmes politikave sociale, do të marrë një kompesim në bazë të vlerës që ka banesa. Nuk do të jetë më peng, por do të legalizohet", tha Balla.

Ora 18:08
89 deputetë pro, 3 abstenim dhe 17 kundër miratohet Anti KÇK-ja

1583428218_5e61326b8cfd3Screenshot2.jpg

89 deputetë pro, 3 abstenim dhe 17 kundër miratohet akti normativ Anti KÇK

Ora 13:42
Hajdari-Ramës: Për negociatat nuk ta ka fajin ai që del në bulevard, të bëri të gjithëpushtetshëm, bashkë me opozitën (VIDEO)

Deputetja e opozitës parlamentare RudinaHajdari i është drejtuar kryeministrit Edi Rama pas akuzave të këtij të fundit ndaj kreut të shtetit Ilir Meta.

"Sot populli shqiptar paguan 30% më shumë për energjinë elektrike. Dhe shkojnë në burg se nuk kanë mundësi të paguajnë. Le më rritja e çmimit të naftës. E keni parë çfarë thonë raportet ndërkombëtare, si ka mundësi që ky vend që noton mbi naftë jemi vendi i 13-të për çmimin e naftës.

Pwr negociatat, nuk ta ka fajin ai që del në Bulevard, sepse ishe ti ai që e votove. Ai të bëri të gjithë pushtetshëm, bashkë me opozitën. Unë dua të sjell një mision të ri politike, që Shqipëria të anëtarësohet në BE. Dhe do të ndodhë por jo nga këta” tha Hajdari.

Ora 13:09
Rama: Do legalizojmë çdo shtëpi banimi në fshat! Rishikime në zonat urbane

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të legalizohen të gjitha shtëpitë në fshat, ndërsa shtoi se do të rishikohet titulli i pronësisë për banesat në zonat urbane.

"Do marr titull pronësie kush bie dakord për të kalimin e pronës.  Ky ligj ka dhe diçka shumë të rëndësishme se gjithë katrahura për të marrë një letër , marrin fund. Krijohet një sistem i integruar që funsksioni si një sistem dhe qytetari ka të bëjë vetëm me një adresë që është Kadastra Shtetërore. Legalizimet nuk do të bëhen në zonat urbane duke shkelur ligjin sepse nuk mund të bëjmë pronarë njerëz që thonë nesër më shpronëso sepse do bësh shkollën. Do legalizojmë çdo shtëpi banimi në fshat. Kjo do të thotë ekonomi për këto kategori njerëzish që presin të legalizohet toka e tyre në bregdet që i jepen lloj lloj llumi që vijnë nga ajo prurja "Liri-Demokraci". Ju jetoni nëpër këngët, vallet dhe prurjet që vijnë nga larg kur iu mori me vete ai nuk kishte lidhje me lirinë dhe demokracinë. Jemi shumë të prirur të dëgjoj dhe të reflektojmë kur ka disktutim", tha Rama.

Ora 12:57
Rama: Basha mori rolin e figurantit në tubimin e 'Vojo Amerikanit'! Si mund të katandiset PD në këtë formë

1583408526_Screenshot4.jpg

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar qëndrimin e opozitës në që protestën anti-qeveritare të presidentit Ilir Meta. Rama tha se PD është katandisur në rolin e figurantit.

"Kujt do ia çonim ne dosjet për të verifikuar pasuritë e atyre që janë dënuar për gjithë ato vepra të tmerrshme penale, atyre që janë njësh me ata apo atyre vazhdojnë bëjnë krime me çekanin e drejtësisë. Ka shumë arsye për të kundërshtuar. Pse bëheni njësh me ata duke e mbështetur përmes goditjes së qeverisë që po i bie në qafë këtyre të shkretëve. Ejani në vete. Mos i bëni vetes pyetjen "Ku ishe"? Dëgjova një gjë që është shumë interesante. Je i shqetësuar në fytyrë tha parafolësi. E kupton se çfarë i bëre Lulit. Ai nuk shkon lule më lule. Ai është ku rafsha mos u vrafsha, kur bie në duar të mira si ra tek unë. Si mundet që një opozitë e re bëhet servis i Kinostudios Shqipëria e re për të mbështetur Vojo Amerikanin. E keni parë filmin Debatiku. Ishin dy që mblidhnin figurantë që të bëhej vrasja e Colit në një skenë me pleq me plaka dhe në fund vihet ajo muzika që fitoi Coli, pavarësisht se vdiq. Si mund të katandiset PD në këtë formë. Pse rrinë në këmbë për të bërë figurantin.  Biri i partisë nuk e përdorte Mi'That Frashëri, as një nga intelektualët e Ballit Kombëtar sepse është produkt i ideologjisë komuniste. Kur flisni, sikur ktheni mbrapsht pllakën e megafonit. Partia nuk ka bijë dhe bija, partia nuk është nënë. Kur ne ishin bijë të partisë, ku ishte ti. Ata kanë marrë flamurin tani dhe flasin sikur i ka nxjerrë Enveri nga barku. Ju jeni një tufë shërbëtorësh . Ka 30 vjet që ka rënë komunizmi. Rilindni dhe hajdeni me ne ose te Kinostudio do përfundoni me ne. Dëgjoj Hajdarin që Shqipëria nuk ka qenë kurrë kaq keq. Unë di që kriminalizimi i një vendi të tërë, përçudnimi i imazhit të Shqipërisë është produkt i kësaj salle dhe i medieve të caktuara. Si mund të thuhet se çdo gjë që ndërtohet këtu është produkt i krimit. Fole për krimin. Si po lulëzon krimi, sepse në kokat tuaja ka një boshllëk se çfarë ndodh në Shqipëri, sa më përmend edhe rusët sepse unë isha në Rusi. Ta marrësh vesh, po të shikosh sa vrasje bëheshin në Shkodër dhe të shohësh grafikun, e kupton se nuk po lulëzon por e kundërta është e vërtetë", tha Rama.

Ora 12:45
Rama ironizon deklaratën e Rudina Hajdari: Zonjë nuk kam frenuar dot gjatësinë time 2 metër

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me deputeten demokrate Rudina Hajdari duke ironizuar deklaratën e kësaj të fundit e cila tha se kryeministri është shumë i gjatë.

"Nuk di as sa e gjatë jeni ju dhe as kg peshoni ju. Nuk bëhet debati në këtë mëyrë. Unë kam mundur të frenoj dot gjatësinë time, jam zgjatur me këtë rrugë. Prandaj mirë do bëni mos të ma përmëndi kur thoni jeni 2 metra, ndryshe më tregoni si kush duhet të jem ‘, deklaroi Rama.

Ora 12:41
Hajdari-Ramës: Në 7 vite të qeverisjes tuaj vendi ka lulëzuar nga droga! I keni bërë organizatat kriminale më të rrezikshmet në Europë (VIDEO)

Deputetja Rudina Hajdari e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se në 7 vite të qeverisjes së tij, Shqipëria ka lulëzuar nga krimi dhe droga.

"Nuk e di nëse janë ndërhyrjet ruse që ju kanë zbrazur por në këto 7 vite krimi në Shqipëri ka lulëzuar. Në Shkodër bandat janë kthyer në makthin e shkodranëve. Ku keni qenë këto 7 vite kur Elbasani u shndërrua për përpunimin e drogës. Po Porti i Durrësit pika kryesore ku sot vjen droga nga Kolumbia, Ekuadori. Ku keni qenë që thoni se vendi jonë nuk ka pasur kanabis. E keni mohuar vetë dhe sot përmendët organizatat mafioze që ju i keni kthyer në më të rrezikshmen në Europë. Fieri ishte ndër ato që kontrollohej nga bandat. Ku po shkojnë këto para. Në Tiranë është bërë masakër", tha Hajdari.

Ora 12:26
Murrizi-Ramës: Dy ministrat e tu ortakë të subjekteve të OFL-së! Keni hallin e Gjonajt se e ka sharë krushku i saj

1583402585_murrizifoto.jpg

Deputeti i opozitës së re Myslil Murrizi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama se dy nga ministrat e tij janë ortakë të subjekteve të OFL-së.

"Dy ministrat e tu të brendshmëm, kampioni jot dhe ai tjetri janë ortakë të subjekteve të OFL-së Janë kapur në përgjime me ta. Pate dhe hallin e ministres së Drejtësisë se ta paska sharë krushku jot. Lëri krushqit se merren vesh vetë", tha Murrizi.

Ora 12:22
Aministia e pasurive të padeklaruara/ Rama: Deklaroni të ardhurat nëse nuk doni t'iu vijë vajza e OFL-së! Do hyjmë në rrjetin e kontrollit europian

1583404400_rama8.jpg

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se amnistria e pasurisë do të përfshijë qyetarët e thjeshtë duke përjashtuar këtu politikanët, gjyqtarët dhe familjarët e tyre.

"Pse ka një dallim dhe nuk jemi të gjithë njësoj. Një popull i tërë që rropatet në emigracion. Shqipëria është atdheu i të keqes, por nuk është këshu. Shqipëria reale është Shqipëri që punon dhe nëse unë shkoj me disa kolegë dhe vizitoj një zonë që deri dje kishte vetëm ferra dhe tani është bërë një investim 2 mln euro, thonë se ky është ekrani i propagandës. Ku ka këtu njerëz që punojnë. Ka mbetur qeveria e Krimit dhe Vojo Amerikani që ka marrë përsipër të kthejë shqiptarët  nga emigracioni dhe të puthë pa leje flamunjtë e të tjerëve.

Emigrantët nuk i kanë marrë paratë e skllavërisë që t'i fusin nëpër banka. Këtu nuk keni pasur një bankë private të sigurt dhe ata para që u bënë këtu fundosën në Wall Street-in e atij që ju e doni. Ai ju thoshte hajdeni, futuni tek Vehbiu. U bën Vehiu si Will Smith. Sot ku emigrantët çojnë para kalojnë nëpër disa procese kontrolli. Edhe kur blejnë shtëpi këtu i shkon kontrolli. Të gjithë përveç politikanëve gjyqtarëve, policëve dhe kriminelëve dhe familjarëve të tyre ne do i japim mundësi që t'i fusin paratë nëpër banka. Nëse nuk doni të përfundoni te goja e asaj vajës me syze dielli deklaro të ardhurat. Do hyjmë në rrjetin e kontrollit europian të të ardhurave. Shumë e thjeshtë. Do deklarosh, do paguash. Ne udhëheqim, do vazhdojmë të udhëheqim dhe bilancin do e bëjmë vitin që vjen", tha Rama.

Ora 12:19
Rama-politikanëve: Është me afër se ç'duket do vijë dita juaj! Sa të viheni para drejtësisë, OFL merr në sitë dosjen e pasurive tuaja!

1583405978_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama foli gjatë në parlament në lidhje me Anti-KÇK dhe pritshmëritë që qytetarët shqiptarë kanë për të goditur edhe politikanët dhe njerëzit e drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë. Kreu i qeverisë sqaroi se OFL-ja nuk merret me proceset gjyqësore, por me pasuritë e atyre që kanë pasur probleme me drejtësinë, të cilët kanë barrën e provvës të faktojnë nëse gjithçka e kanë vënë me burime të ligjshme apo ng apara të botës së krimit. Shefi i mazhorancës u shpreh se mezi e pret edhe vet që të vihet përballë OFL-së për të treguar se nuk vjen nga zullumi, dhe tha se shumë shpejt do i vijë radha të gjithëve, si atyre që janë në parlament, dhe si atyre jashtë, duke iu referuar opozitës jo parlamentare por edhe presidentit Ilir Meta. 

Kryeministri tha se në rastin e parë që një politikan do të dalë para prokurorisë apo gjykatës atëherë dosja e pasurisë së tyre nuk do të vonojë për të përfunduar në ditën e Operacionit Forca e Ligjit. 

"Një pjesë shohin atë vajzën me syze, shohin që nuk bie shi, por kur të bie shi si i bëhet se edhe ne kemi shtëpi, kemi makina, kemi familjarë të pasur shumë? Do na vijë radha. Dhe pastaj si do i bëhet kësaj pune, se kur i erdhi radha atyre që dukeshin të paprekshëm dhe kishin marrë peng dynjanë me 14 fuoristrada të blinduara në mes të vajzave e djemve e që nxirrnin pushkë nëpër plazhe si filma me kauboj?? Po ne? Ju mos u shqetësoni fare, se që do vij dita do vijë, është më afër se ç'duket, për të gjithë ne këtu, unë i pari, për të gjithë ne këtu, por edhe ata që janë jashtë, do vijë dita që do duhet të provojmë që nuk vijnë nga zullumi. Unë mezi e pres atë ditë, se ndryshe nga ç'flitet këtu, më vjen keq kur shoh edhe disa prej jush që përtej kritikave bëni një dëm shumë të madh vetes suaj, kauzës suaj që është si puna e sferave me helikopter, dhe politikës në përgjithësi, duke thënë "ju kriminelët, ju në telefon me ata, ju ju ju". Këtu e keqja dhe balta i bie të gjithëve ndërkohë që nuk jemi të gjithë njësoj. Mund të kemi mustaqe po i kemi ndryshe përshembull, jemi të një gjinie, por jemi ndryshe, dhe vijmë nga rrugë të ndryshme. Ka një ndryshim të madh, kush nuk është i dënuar nuk ka lidhje fare me OFL. Edhe kriminelë që janë aktivë këtu apo jashtë dhe nuk kanë asnjë dënim fare, nuk janë objekt i këtij ligji, unë di që ti je dënuar me vendim të formës së prerë, dhe dënimin e ke për vete, s'kam punë me gjyqin tënd. Shteti të thotë trego nga i ke këto pasuri. Ne të gjithë dhe ata që janë subjekte të deklarimit të pasurive, kemi një institucion që na kontrollon dhe çdo vit ne bëjmë deklarimin e pasurisë sonë. Nëse nesër vjen dita që dikush nga ne të shkojë para prokurorit apo para gjykatësit nuk diskutohet që ajo dosja e deklarimeve do merret e do fillojë avazi. Por këtë nuk e bën policia.

Thonë pse e filloni nga këta? Duket sikur e kemi filluar nga të varfrit, nga të pambrojturit, nga një shtresë e persekutuar. Jo sikur e kemi filluar nga llumi i llumit. Pse popull janë këta? Këta i kanë ndenjur popullit në qafë 30 vjet.

Imagjinoni sikur ta fillonim nga politikanët, unë dhe kjo qeveri e poshtë dhe këtë ministër nazist që ju hedh gaz serb revolucionarëve që duan një Shqipëri të lirë, sic thonë disa, nga politikanët, do kthehej vitit '45, largoqftë, por do ishte një' 45 në një valë 5G. Kjo as nuk mund të ndodhë , as duhet ta çojë nëpërmend, pavarësisht mllefit ndaj politikanëve, sepse kjo pastaj nuk është drejtësi, por fundi i drejtësisë, kjo është ta zhysësh Shqipërinë 7 pashë nën dhe.

Pse nuk e filloni me gjykatësit thonë të tjerë? E kam thënë mos u deprimoni nga fakti që vettingu i largon dhe këta vazhdojnë jetën", tha Rama.  

Ora 11:57
Rama mesazh Metës: Reforma në Drejtësi mbi të cilën hedh baltë për të penguar negociatat të veprojë njësoj... dhe për 'revolucionarët' (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama i ka çuar një mesazh presidentit Ilir Meta për Reformën në Drejtësi. Rama tha se ai lobon kundër negociatave duke hedhur baltë për Reformën në Drejtësi e cila sipas tij duhet të funksionojë për të gjithë njësoj, edhe për ata që duan të bëjnë revolucione duke iu referuar këtu vetë kreut të shtetit.

"Unë i kuptoj shuë mirë njerëzit që i kërkojnë të gjithë gjërat përnjëherë por duhet durim dhe rezistencë. Ne Reformën në Drejtësi e filluam pas vendeve të tjera ndërsa sot kemi bërë më shumë se shumë vende të tjera. E di shumë mirë edhe ky zotëria që çon letra gjithandej për të lobuar kundër hapjes së negociatave. Tani ata thonë hajde na tregoni që drejtësia funksionon njësoj për të gjithë dhe këtë e dinë këta që bëjnë revolucione dhe tundin flamunjtë e të tjerëve pa leje. Lufta kundër krimit dhe gjyqtarëve që japin vendime të padrejta është fytyra e kësaj qeverie. Ky vend këtë ditë ka pritur se kur vjen puna te ligji ndahemi. Si qenkemi ne kaq të lidhur dhe zhytur ne shkelim tëdrejtat e atyre që na qenkan tona dhe ju i mbroni. Po ju i doni jashtë, i doni të patrazuar që natën të bëjnë punë për ju dhe ditën të na sulmoni ne. T ëbësh politikë me krimin mbështet krimin. Shikojeni Italinë se kush ka qenë njerëzit më të sulmuar nga krimi, ata që iu kundërvunë mafias. Prokruroët e vrarë janë sulmuar nga gazetarucët. Ne nuk kemi hapur një luftë për ta lënë rrugëve. Duhet një strategji e tërë për të rrethuar të keqen dhe kriminelët në sistemin e drejtësisë. Ky është qëllimi", u shpreh Rama.

Ora 11:56
Rama: Kundërshtarët tanë i dalin në mbrojtje gjyqtarëve anti-KÇK, ata i lirojnë kriminelët që i japin ushqim (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar tha se opozita dhe presidenti i kanë dalë në krah gjyqtarëve të cilët janë shënjestruar nga ANTI-KÇK-ja, pasi siç ai tha se janë të lidhur me ta për të liruar nga burgu kriminbelët.

"Kjo politika që bëhet këtu me hartime nuk duhet fare. Nga një vesh hyn dhe nga një vesh del. E bën njeriun gjithmonë e më të neveritur dhe të mos dëgjojë fare se çfarë bëhet këtu. Ju, ata keni dështuar dhe do të dështoni. I gjithë fronti i kundërshtarëve dhe kritikëve tanë ka dështuar dhe do të dështojë jo se ne nuk kemi gabime dhe të meta por ju jeni pa lidhje. Mundohuni të kuptoni se e kam me të gjithë ju që më dëgjoni tani nga ekrani. Nuk e ndjeni këtë popull dhe nuk e ndjeni fare se çfarë  do ky vend dhe këta njerëz. Kjo është arsyeja pse njerëzit janë shumë më mirëkuptues ndaj nesh dhe  dinë të ndajë kush bën gjithçka . Mirë këta. Po për këta gjykatësit dhe prokurorët që nuk e kanë kaluar vettingun dhe vetëm për vitin 2019 kanë dhënë 28 vendime të paligjshme. Apo ata ju duhen se ndërkohë që lirojnë kriminelët ju japin ushqimin që të villnin vrerin që janë arsyeja pse lirohen ata. Ju nëpër këto klubet e mbrëmjes ku ulen UFO me drejtime të ndryshme që janë me elitë. Ulen atje dhe fillojnë rrotullimin e helikes me shpejtësi të madhe aq sa në përgjegjësi moderatorët janë pa flokë. Duan të dalin atje dhe të thonë u lirua një kriminel nga një notere, arkëtare. Kjo është Reforma në Drejtësi e dështuar. Çfarë ju shqetëson ju që këta njerëz thonë KÇK dhe e dinë që nuk do kalojnë vettingun. Kapin çdo ditë pronat e njerëzve që me sa kam dëgjuar ju i përfaqësoni dhe ju jeni ata që qani hallin e pronarëve të ligjshëm. Ju jeni mbështetja më e madhe e KÇK dhe e grabitjes së pronave. Uleni në vendin e gabuar dhe bëni një zhurmë që ndihmon vendimin e atyre", tha Rama.

Ora 11:52
Rama: Të provojë trafikanti që ishte korrier pasi mblidhte domate në Itali e Greqi, ndryshe dyert e lyera me flori i merr shteti

Kryeministri Edi Rama tha se Operacioni Forca e Ligjit duhej të ishte miratuar më herët, por momenti i duhur ishte me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë që kanë tashmë edhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë.

"Çfarë po bën OFL dhe pse, dhe pse nuk ka lidhje me shtet policor, mbivendosje të kompetencave, por ka lidhje me atë që po të kishim pasur mundësi do e bënim me kohë e me vaktë. Dje e patë që SPAK mori të pandehur ish-kryeprokurorin e Përgjithshëm. Imagjino të bënim aktin pa u krijuar SPAK, pa vetting, dhe t'ia çonim KÇK-së në dorë, X-i është i dënuar, dënim sipas ligjit, por duhet të provojë që ndërkohë këto pasuri që gëzon nuk buron nga krimi por nga puna e tij e rëndë në mbledhjen e domateve e mandarinave në Itali e Greqi. U krijua institucioni i parë i drejtësisë, me njerëz që kanë mbështetjen e plotë të publikut dhe të partnerëve dhe që siç e shikoni dosjet i marrin, i shohin dhe i çojnë në gjykatën speciale duke konfirmuar kërkesën për sekuestro. Në gjithë numrin e tyre mund të ketë njerëz që kanë ngrënë një lugë çorbë të prishur, kanë vjellë njëherë dhe kanë kaluar në dietë vegjetariane. Për këta ka një proces ligjor pas sekuestros ku shkojnë me avokat dhe kanë barrën e provës, ata, jo shteti. Ky është ndryshimi themelor që bëri Italia dhe shumë vend me armiqtë e sigurimit të sigurisë së jetës, kur puna vjen tek kapja fyt më fyt. Të provojnë që "jam i dënuar për trafik droge, por isha korrier dhe bëja korrierin kur mbaroja së mbledhuri domate për atë skllavopronarin greke apo italianë". Nëse nuk e provojnë ato janë pasuri që i takojnë popullit, shtetit, ato karabinatë e vogla, si e vogla fare që ishte një karabina që po binte dhe i kishte dyert të lyera me ngjyrë flori ato kthehen në asete publike, dhe pastaj sigurisht vazhdon procesi, se ka pjesë tjetër mbrapa", tha Rama.

Ora 11:46
Rama: Për kë i qan zemra bashkëpunëtorëve të shoqërisë civile që sulmojnë Anti KÇK-në?! (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha se ata që po dalin kundër Anti-KÇK-së kanë interesa të tjera që fshihen pas. Pa përmendur emra ai la të kuptohet se persona që marrin projekte për mbrojtjen e njerëzve të trafikuar, të dhunuar, për rehabilitimin e përdoruesve të drogës, etj, janë bashkëpunëtorë të tyre, teksa ngriti pyetjen "Për kë i qan zemra", kur sulmojnë aktin normativ.

"Shumë kanë të gjitha arsyet që ta shohin këtë moment si një moment "o sot o kurrë". Ilir Meta ka të gjitha arsyet që sot të jetojë si një moment "o sot o kurrë" sepse sot vija ndarëse mes të shkuarës dhe të ardhmes po bëhet gjithmonë e më e pafshishme me gomën e pazareve politike kur vjen puna tek drejtësia. Sot gjykatësit janë çdo ditë e më shumë në hallin e tyre, sepse sot është marrë një vendim ekstrem nga kjo shumicë për t'i dhënë dorën përfundimtare krimit të organizuar. Krim të organizuar ka në gjithë botën, në çdo vend të BE, në SHBA, por krimi i organizuar qëndron në perimetrin e vet, nuk hapet sediljesh gjithandej. Doni s'doni ju, të gjithë bashkë sa jeni, të gjithë ata që kanë dalë kundër, krimin e organizuar ne do ta fusim brenda perimetrit të vet. Po këta eksponentë të shoqërisë civile që nuk mund të akuzohen si bashkëpunëtorë të krimit, që jetojnë me projekte për të mbrojtur gratë e dhunuara dhe trafikuara, për të nxjerrë nga rruga e varësisë prej drogës të reja dhe të rinj, që jetojnë me projekte për të ndihmuar integrimin e atyre që janë vrarë nga armët e subjekteve të këtij ligji, çfarë kanë këta? Kë mbrojnë këta, për kë i qan zemra aty, cilat të drejta po cënon qeveria? Çfarë e drejte cënohet nëse vjen një ditë, dhe kjo ditë do të vijë për të gjithë ata që kanë hesape të pambyllura me ligjin. Dhe kjo është ajo që në mos e kuptofshin e ndjenë ata që sot janë më të tërbuar se kurrë, siç është ai i pari i kinostudios Shqipëria e re, e kam fjalën për PD-në. Vijimësisht në këtë foltore, kam ndarë me palën që ishte këtej vërtetësish perceptimin e opinionit publik në momente të caktuara. Po ju them sot, opinioni e mbështet 72% anti KÇK-në dhe jam i pakënaqur me këtë shifër, se e di shumë mirë që shifra do të jetë më e lartë sa më shumë mjegull t'i largohet nga sytë njerëzve", tha Rama.

Ora 11:41
'Horrat dhe hipokritët me kostum avokatë të vrasësve', Rama: Presidenti, opozita dhe avokati i Popullit po mbrojnë kriminelët nga Anti-KÇK (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur nga foltorja e Kuvendit të gjithë speptikëve lidhur me goditjen e pasurive të dyshuara si të goditura nga krimi përmes Anti-KÇK. Rama tha se nga presidenti tek avokati i popullit janë rreshtuar kundër qeverisë për t'i dalë në mbrojtje elementëve të krimit të organizuar. Rama foli edhe për sulmet e presidentit Meta ndaj ministres së Drejtësië Etilda Gjonaj duke e inkurajuar këtë të fundit si iniciuese të projektit kundër krimit.

"Paketa është fytyra e qeverisë sonë dhe nga ana tjetër ju siguroj se shqiptarët nuk pyesin për syzet e diellit pa ditë me shi të asaj vajës por për shiun e lotëve të shumëkujt që ka një zë në publik përfshirë edhe juve, për ata që jua kanë fshirë diellin nga sytë viktimave të krimit, mijëra vajzave të trafikuara në rrugët e Europës, mijëra prindërve që i shohin fëmijët e tyre të droguar dje shumë jetimëve që baballarët ia kanë vrarë këta. Unë nuk jam aspak i befasuar nga gjithë përkrahja që ka gjetur elita e krimit të organizuar sapo ne kemi shpallur betejën më të skajshme kundër kësaj mortje që ka tollovitur Shqipërinë për tre dekada me radhë dhe falë të gjithë horrave dhe hipokritëve me kostum që e ndjekin vendin tonë dhe hedhin helm. Si ka mundësi që pikërisht kur shfaqja më e thellë vija e kuqe me shtetit dhe krimit ngrihet një koalicion kaq i larmishëm mes segmentesh dhe protagonistësh nga media tek i ashtuquajturi presidenti i Republikës. Nga opozita deri tek Avokati i Popullit për t'i qarë hallin këtyre të shkretëve që kanë vrarë që kanë grabitur çfarë kanë mundur dhe kanë shantazhuar sa nuk merret as me mend. Tani po dhunohen në të drejtat e tyre njerëzore. Turp a nuk ju vjen fare që keni një mikrofon në dorë dhe jeni bërë karvan qorrash për të bërë pelegrinazhin në drejtim të qelive ku janë kyçur një pjesë e këtyre dhe në drejtim të atyre që nuk janë çuar akoma duke çuar mesazhin që ne jemi me ju, Ju çfarë prisni. Ngrihuni, bashkohuni dhe bëni atë që duhet bërë, mundësisht na i hiqni qafe. Si ka mundësi që kur ne shpallën këtë ofensivë këto viktima ishin djalli vetë në prehrin tonë dhe tani u kthyen në disa rob zoti që duhen marrë në mbrojtje sepse janë viktimë e qeverisë dhe shtetit policor. Si mundet të sulmohet nga maja e piramidës ministrja e drejtësisë e cila ka hapur një llogari që të tjerë nuk kanë guxuar ta hapnin. E dini ju ca është 42 biss, është regjimi i izolimit të kriminelëve mafiozë në vendin fqinj që solli telash për ata që e ngritën dhe ndërkohë mbrohen demonët, ata që janë të dënuar nga gjykata dhe jo të dyshuar nga policia. Ju nuk dini çfarë flisni. E kam me të gjithë ata që flasin për këtë punë. Janë njerëz që çohen tek SPAK-u jo si të dyshuar por si të dënuar që posedojnë asete dhe pasuri që janë produkt i dyshimtë. Nga vijnë këto pasuri dhe si mundet të arrihet në këtë absurd që të konsiderohet kapje e shtetit që ligji ul ministrin e Brendshëm në bashkërendim të këtij operacioni. Në këto vite Ministria dhe prokuroria jo vetëm që janë ulur, por e kanë sulmuar njëri tjetrin. Italia e përkufizoi shkatërrimin e mafies ekzaktësisht në të njëjtën mënyrë. Këtu të çohen autoritet publike, si ai që rri në majë të piramidës dhe kërkon revolucione, dhe ta konsiderojnë si mëkat të qeverisë", u shpreh Rama.

Ora 11:13
Murrizi përplasje me Lleshajn për Anti-KÇK-në (VIDEO)

Deputeti Mylsim Murrizi tha se nuk është i bindur për të votuar në Kuvend aktin normativ Anti - KÇK, pasi e quan propagandë të qeverisë. Ai tha se është kundër që takimet mes prokurorit të Përgjithshëm, prokurorit të SPAK, SHISH e institucioneve të rëndësishme t'i drejtojë ministri i Brendshëm. Ai tha se me angazhimin e këtyre institucioneve në luftën e pasurive të dyshuara të ardhura nga bota e krimit, SPAK nuk do të ketë mundësinë të merret me të konsideruar peshqit e mëdhenj. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj iu përgjigj duke thënë se është një sistem i tërë i drejtësisë që merret me "peshqit e mëdhenj" dhe se OFL është e orientuar në parandalimin e krimit dhe goditjen e pasurive të tyre.

Myslim Murrizi: Është nismë e kryeministrit, jo e ministrit. Dhe e filloi me ndërtimet pa leje, se çfarë lidhje kanë ndërtimet pa leje nuk e mora vesh. E keni përdorur për propagandë, për të bërë diversitet në politikë, që ju jeni të mirët e doni të luftoni kriminelët, dhe ata që nuk e  duan për arsye të ndryshme, janë të këqinj dhe kanë qejf të mbrojnë kriminelët. Kjo është propagandë siç keni bërë në 7 vite që në 2013-ën kur i premtuat shqiptarëve parajsën. Unë do të shtroja disa pyetje.  Së pari, ky është një akt normativ që nuk e di çfarë emergjence kishit me drita ndezur! Na e sollët mbas 36 ditësh në limitet e asaj që thotë kushtetuta. 5 ditë kur kuvendi ishte i mbledhur duhet të kishte ardhur këtu. Nuk e di se çfarë ju shkrepi në kokë si rrufe në qiell të pastër, se krimi qenka ngritur në këmbë më 31 janar dhe ju i mësytë me kokë të lyer me bojë, me kokë çorape, me syze prada, nuk latë gjë pa nxjerr me idenë që ju të bëni namin. Çfarë nami të bëni ju? Pardje të vranë dy veta në Durrës, vriten përditë në mes të Lushnjes, Durrësit, Elbasanit, në bllok. Çfarë bën kjo OFL? E nisi me vrull ky ish-ministri para teje, e stonoi se i erdhi në derë të shtëpisë OFL-ja, u mek.  A ishin me letra automjetet e blinduara, a kanë hyrë nëpërmjet pikave foganore, kush ia ka dhënë lejen për të mbajtur mjete të blinduara? A keni ju ndodnjë evidencë për përgjegjësit që i kanë lejuar këto mjete të blinduara? Vetë keni mjet të blinduar ju zoti ministër? Keni pajisur me mjet të blinduar lloj lloj halabaku në këtë vend se i keni përdorur për të marrë vota dhe për t'i bërë presion votuesit të vini në këtë karrige. Ky akt, fakti që kërkon shumicë të thjeshtë, bie në kundërshti me konventat ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat.

Si mundet me një të rënë të lapsit ju rreshton si ushtarë nën urdhrat tuaja prokurorin e  përgjithshëm, të SPAK, drejtorin e shish, nuk po pyes për ministrat se këta i ke nën resht sa i ka i pari juaj. Si mundet që prokurori i përgjithshëm do të vijë në mbledhje do të marrë urdhra nga ti. Ky Kraja i SPAKUT të famshëm që ne presim të luftojë peshqit e mëdhenj ju doni ta ktheni tek cironkat kokëpalara.  Ky ishte qëllimi që iu ngrit SPAKU? Peshqit e mëdhenj ku janë? këta të dosjes 184, 339, 185? Peshqit e mëdhenj i keni këtu, çdo gjë buron nga këtu, këtu jepen tenderat, këtu merret çdo gjë në telefon? Ndaj keni filluar të nxirrni ju fotot e njëri tjetrit, këtu ka qenë ai që i nxorët fotot, këtu mbrapa jush.

Nuk e shoh bindës që unë të jap votën, megjithëse nuk ke nevojë për provën e votës.  Megjithëse Taulanti thotë që e ka me ligj opozitën por edhe atë provë do ta bëjmë shumë shpejt. Meqë Meta kërkon ta bëjë pa ligj, do të përpiqemi ta bëjmë ne këtu me ligj e të shohim sa nga këta që kanë ardhur ruajnë surratin e tyre dhe nuk janë në xhepin e mazhorancës, sa e kanë seriozisht mandatin që e kanë marrë për një kauzë më të madhe se një rrogë në muaj. e ta shohim sa mundësi ekonomike

Sandër Lleshaj:Lidhur me çështjen e peshqve të mëdhenj, jo gjithë gjallesat e detit janë peshq, madje më të mëdhenjtë fare janë gjitar. Ky ligj nuk trajton këtë çështje, çështjen e peshqve të mëdhenj, korrupsionin në radhët e jakave të bardhave, është një prokurori speciale, po ngrihet BKH, dhe është një gjykatë speciale. Një sistem i tërë i drejtësisë që merret me peshqit e mëdhenj.

Si mundet të ndodhet herezia që ministri të takohet me prokurorin e drejtuesit e rëndësishëm të institucioneve të sigurisë, dhe kjo ju duket herezi, herezi do ishte e kundërta, që ministri mos të takohej me këta titullarë që kanë në dorë sigurinë e këtij vendi. është krijuar kultura absurde e pavarësisë. unë të varur kam vetëm këto gjëra që kam në trup tek unë. Këtu bëhet fjalë për të krijuar institucione që të punojnë për çështje të përbashkëta që nuk mund të zgjidhen veten.

Çdo tryezë ka nevojë për një njeri që e moderon por nuk e bën në krye, e mbani kot si merak se nuk i kam unë në varësi, nëse doni përdoreni për politikë.

Nuk ka vrasje përditë, kemi numrin më të vogël të vrasjeve në historinë tonë, merrni shifrat tuaja paraqitini para shqiptarëve. jo i nderuar, vrasje në Shqipëri nuk ka përditë, dhe ka përherë e më pak vrasje.  Nëse paskemi goditur ata njerëz që thoni se i kemi pasur afër, kjo është pozitive.

Ora 10:34
Lleshaj: Gjyqtarët nxorrën nga burgu 28 kriminelë të rrezikshëm. Anti KÇK emergjencë, votojeni 100% (VIDEO)

Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, shpjegoi në Kuvendin e Shqipërisë përse qeveria veproi me emergjencë duke kaluar me akt normativ për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe konsolidimit të rendit dhe sigurisë, pagëzuar si "Anti-KÇK". Ministri tha se situata emergjente është krijuar veçanërisht pas vendimeve skandaloze të gjykatave vitin e fundit që ka liruar nga burgu të dënuar për krime të rënda.

"Ne besojmë se ka ardhur momenti për një kthesë serioze, historike, për të shkatërruar modelet që shkatërrojnë shoqërinë nëse lihen të mbijetojnë kështu siç janë. Akti normativ, jo thjesht se na e kërkon BE, se këtë pastrim të thellë e kërkon integrimi, por e kërkon e ardhmja jonë. Vendim unik, i panjohur më parë, në bazë të një recete origjinale, që synon së pari të vendosë drejtësi në një vend që ka munguar. Sot rezultojmë në një shoqëri që kemi të rinj analfabet dhe milioner. Janë krijuar modele kriminale biznese dhe kanë joshur të rinjtë. Ky model ka shkatërruar rininë, por edhe bizneset që nuk gjejnë hapësirë për tu zhvilluar. Akti ka një kryefjalë, parandalim të krimit.  Është krijuar nevoja e emergjencës, pasi pas vettingu rezultoi se shumë persona të drejtësisë nuk ia dilnin. Rreth 50% e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë futur në vetingut nuk ja kanë dalë vlerësimit.

Përmes vendimeve të papërgjegjshme është mundësuar sidomos vitin e fundit kryesisht dhënia e vendimeve që janë jo vetëm përtej ligjit, por edhe përtej logjikës, mbi 28 vendime, që provojnë këtë situatë të papranueshme. Përmes këtyre vendimeve, po lirohen elementë me rrezikshmëri të lartë kriminale, që sipas pritshmërive të policisë, duhej të ishin në burg. Ndërkohë që policia operon përditë për të çuar elementë kriminale para drejtësisë, burgjet po furnizojnë skemën e krimit me kriminelë të tjerë të dënuar dhe të liruar në kushte absurde. Dalin dhe kanë jashtë edhe logjistikën e madhe kriminale. Ne besojmë fort që kemi një situatë emergjence, e cila duhet adresuar në kushte emergjente përmes aktit normativ", tha ministri i Brendshëm.

Ministri Sandër Lleshaj la të hapur mundësinë që akti normativ të mos e mbyllë misionin e tij deri më 31 dhjetor 2020, kur është parashikuar si masë emergjente e përkohshme. Ai tha se do të shihet për një vendimmarrje në vazhdim nëse në gjykatë do të ketë një numër të lartë subjektesh të dyshuar që nuk justifikojnë pasurinë dhe që e kanë ngritur atë me para të botës së krimit.

"Veprimtari e këtij akti përfundon kohën e tij më 31 dhjetori 2020. Nëse volumi i çështjeve do të jetë i tillë sa që gjykata nuk mund ta kapërdijë këtë, do të shihet për një vendimmarrje të re se çfarë do të bëhet me personat që nuk e kanë kaluar procesin",tha Lleshaj

37 subjekte të tjerë janë në proces për t'u verifikuar nga OFL dhe për t'i kërkuar vetëdeklarimin e pasurive për të vazhduar më tej procedurat drejt SPAK dhe për të pritur vulosjen edhe nga GJykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, që siç Lleshaj tha, deri më tani janë konfirmuar sekuestrime të rëndësishme të OFL-së në gjykatë.

Në fund, ministri i Brendshëm kërkoi votën nga të gjithë deputetët duke shpjeguar edhe pse.

"Ju ftoj ta votoni me 100%. Sepse besoj që është 100% në interes të çdo shqiptari që pronat që janë siguruar përmes gjakut, trafikimit, të mos gëzohen nga ata që janë subjekt i këtij ligji, për të hequr një model të keq nga shoqëria jonë, dhe askush të mos ketë mbështetje në këtë sallë përsakohë është rreshtuar në anën e krimit. Të jepet një mesazh i fortë për krimin, dhe për qytetarët që e presin", përfundoi ministri.

Ora 10:27
Taulant Balla: Meta lobon kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë tek krerët e vendeve të BE-së (VIDEO)

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar se në takimin që ka pasur dje me krerët e diplomacisë së katër vendeve të BE, ka dëgjuar prej tyre qëndrimin kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë të shprehur nga presidenti i Republikës Ilir Meta.

"Dje pasdite zhvilluam një takim me krerët e diplomacisë së katër vendeve të BE. Në asnjë moment këto vende nuk e vënë në dyshim raportin e KE që vlerëson që prej vitit 2018 fillimin e bisedimeve për Shqipërinë. Ky Kuvend bashkë me shumicën parlamentare është një reflektimi i asaj që 97% e shqiptarëve mbështesin rrugën europiane të Shqipërisë. Ne duhet të jemi gjithmonë së bashku. Bashkë me kolegët e opozitës parlamentare jemi ndjerë të trishtuar nga qasja që presidenti i Republikës kishte pasur ndaj ministrave të BE një orë para takimit me ne. A thua se kishin folur me një president të një vendi kundërshtar me Shqipërinë. Duhet të kemi qasje për të fshehur vlerësim. Nuk dua të zgjatem më tej se si me lloj letrash drejtuar presidentëve dhe kryeministrave të vendeve të BE, Ilir Meta bashkë me ndonjë faktor të opozitës ka një përpjekje për të dëmtuar vlerësimin që dha Komisioni Europian. Dua të shpreh vlerësimin që pas shumë kohësh Këshilli Kombëtar për integrimin ka një axhendë intensive sa i përket drejtësisë që mbetet gur themeli për integrimin", u shpreh Balla.

Ora 10:20
Hajdari: Krizë e orkestruar për të mbrojtur paratë e tyre nga drejtësia! Do sulmohem, por do luftoj për integrimin (VIDEO)

Kryetarja e grupit të djathtë parlamentar, Rudina Hajdari, foli me tone të ashpra ndaj klasës politike në Shqipëri, duke i quajtur bllokuesit kryesorë të integrimit të Shqipërisë në BE, për shkak se kanë frikë nga reforma në drejtësi që mund t'i godasë interesat financiarë dhe personalisht ata. 

Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Shqipërisë, për raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit, Rudina Hajdari tha se veprimet e fundit politike tregojnë se e gjitha është orkestrim i krizës së radhës për të dalë keq përpara partnerëve ndërkombëtarë. Ajo tha se vendit i duhet një klasë tjetër politike që të luftojë për integrimin e vendit në familjen e madhe evropiane, dhe për këtë ajo mori angazhim si politikane e re për të luftuar në këtë drejtim pavarësisht sulmeve që do të marrë gjatë rrugës nga ata që nuk e duan integrimin.

"Kur vjen puna tek integrimi të gjithë duhet të jemi bllok të bashkuar.

Me dashakeqësi orkestrojnë krizën e radhës duke na turpëruar para partnerëve ndërkombëtarë. Luajnë ping-pong me të ardhmen e shqiptarëve, vetëm e vetëm që të vonojnë fillimin e bisedimeve, për të prishur të ardhmen.

Kjo i tejkalon përmasat e një krimi kombëtar. Në vend të bëhej bashkë, të ishim avangardë të reformave që na kërkon BE, ata janë bllokuesit kryesorë të afrimit me Evropën, ata e dinë shumë mirë që reformat prekin interesat e tyre personale, financiare. Reformat madhore si ajo e drejtësisë, zgjedhore, që prekin sistemin, trondit këta politikanë, këtë makineri politike të ndryshkur e të kalbur që rëndon mbi kokat e shqiptarëve.

Kupa po mbushet, shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës. Detyrimet tona duhet të jenë shumë më të larta. Ne duhet t'u kthejmë shpresën shqiptarë. Është detyra jonë si politikanë të rinj të largojmë pazarxhinjtë e politikës shqiptare. Këta do na luftojnë do na sulmojnë do na fusin shkopa por ne nuk do të dorëzohemi, do të luftojmë deri në fund. do ta fusim shqipërinë në evropë, do të jetë një rrugë pa kthim", tha Hajdari.

Presidenti Ilir Meta mbajti tubimin e parë anti-qeveritar më 2 mars, duke paralajmëruar të tjerë, për të shpërndarë parlamentin, e ndoshta edhe për të mësyrë me dhunë brenda tij nëse mazhoranca dhe ndërkombëtarët, që ai i quajti mafiozë që ndër vite kanë luajtur me sovranitetin e shqiptarëve, nuk e marrin seriozisht dekretin që ai paralajmëroi të firmosë. 

Ora 10:11
'Zoti e ndaloftë dhe na ruajtë'...Ralf Gjoni kërkon koronavirusin në rend të diskutimeve në Kuvend (VIDEO)

Deputeti Ralf Gjoni i kërkoi kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi që në rendin e ditës të futet edhe një raportim për masat që Shqipëria ka marrë për parandalimin e koronavirusit, ndërsa shprehu habinë se si vendi ynë ende nuk ka asnjë rast të identifikuar. 

Kryeparlamentari Ruçi tha se për këtë kërkesë duhet ndjekur rruga procedurale duke e rrëzuar atë. 

Ralf Gjoni: Të futet në rend dite para se të jetë vonë në përhapjen e një epidemie, se përse në Shqipëri nuk ka asnjë rast me koronavirus.  Zoti e ndaloftë dhe na ruajt nëse këtu ka një përhapje të koronavirusit të padetektuar. Mos të ecim me anekdota" hë mos se nuk ka gjë se kap të vjetrit". Zoti kryetar kërkojini kryeministrit që sot në rendin e ditës të bëhet raportim sa i përket informacionit që qeveria ka për koronavirusin

Gramoz Ruçi: Jo më larg se dy ditë ministrja Ogerta Manastriliu, pa e kërkuar asnjë nga deputetët më ka kërkuar mua ta informoj kuvendin për masat që ka marrë Shqipëria. Nëse kjo nuk është e plotë ju i dini si kërkohet ministrja dhe kryeministri në interpelancë, ndiqni procedurat parlamentare, por kërkesa juaj nuk mund të merret në konsideratë sot për sot.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tironsi vjeter: 06/03/2020 09:07

    Shife mor si thot, ta provoj ai qe mblithe damote e te bohet korrier droge po pse mor shok ai AMG, PORSHi, AUDI i BLINDUM me damote blehet, ene masanaj anej ka belloku me cat dal ne xhiro me biciklet e kush ma var mo mure nuk prish pune qe jom 20 vjec, a e kuptove shokun tat ti apo jo.

    Përgjigju
  • Anri: 06/03/2020 01:04

    Kryeministri e kuptojme qe politike ben, duke treguar perralla e llafosur miqte. Ai eshte pozicioni i tij xhanem. Dhe e ben shkelqyer. Po ministrit "teknik" si i behet? E kuptoni kur ia fut si kau peles?! "Pritshmerite e policise jane qe ato te jene ne burg"???? Dmth sipas ketij pilafit tone, nese policia la nje pritshmeri dhe ajo sdel, jemi para nje Emergjence dhe OBURRA futi nje akt normativ

    Përgjigju
  • Erik: 05/03/2020 19:08

    Sa keq me vjen per Spartak Ngjelen qe e sulmoi ligjin anti-KÇK si jo kushtetues dhe parashikonte qe parlamenti nuk do e votonte. Edhe ne kete rast si shume te tjere parashikimi i tij nuk ka dale. Pres komentet e tij sot ne ndonje televizion mbi faktin e kryer.

    Përgjigju
  • Emi: 05/03/2020 13:16

    Per qa je aty ne karrige ram kapi e plasi mren tan Populli ka tash 30 vjete si prete dreci.

    Përgjigju
  • Konjak: 05/03/2020 12:50

    Zoterinj kryepolitikane ,kryeministra ,ministera ,drejtor drejtorish ,president , kryebashkiak, intelektual me detyra te rendesishme ne krye te institucioneve te popullit , mos beni te paditurin dhe te habiturin ,per gjendien jo te mire te vendit, apo saktesisht , te themi problematike . Nuk eshte se trasheguam ndonje gjendie te mir nga sistemi i kaluar ,por themi me plot gojen se ,keto 30 vjet ,kane qen ,dhe jane teresisht te allakatura .Fajtor per gjendien aktuale ,jane te gjithe c'kan qeverisur ,dhe qeverisin ,keto vitet e pseudo--demokracise -- .Nuk kam ndonje deshire per te fajsuar apo ofenduar askend ,por fakti i gjendies social shoqeror e ekonomik ,flet qart ,per kete gjendie ,aspak shpresedhenese .Si eshte e mundur qe secili KM ,sipas radhes ,kan qeverisur ,ne menyren me te keqe te mundshme ,dhe per mosarritiet, kan shar e perbaltur paraardhesit ,pa e vrar mendien se ,c'far kan bere e c'far bejne vet ata .Asnje nga KM nuk ka qene i buhuri ,nga 90 -ta gjer me sot .Ne jemi deshmitar te gjall, te realitetit ,dhe askush nuk mund te thot ,se fajtor nuk jan keta zoterinj ,te kapardisur e te pasuruar ,-por populli qe s'di c'kerkon- .Ka dhe ndoshta do ket ,nje pjese te vogel te popullit ,qe mbeshtet politiken e dites ,per nje cope buke ;por shumica dermuse kerkon, drejtesi, sinqeritet ,vertetesi ,pune .Si eshte e mundur qe gjthe KM-ve tane ,-per mosarritiet -ua paska fain tjeteri ,-;sigurisht jane te vetedijshem per paaftesite e tyre ,prandaj mundohen gjithmon te mashtrojne popullin me silogjizma . Ju marte e mira ju marte ,nese s'mundeni ,-hapni rruge brezit te ri .Faleminderit .

    Përgjigju
  • dulja: 05/03/2020 12:50

    Rama pashe ZOTIN mose u talle ME Olegene

    Përgjigju
  • Presi.: 05/03/2020 12:33

    Ky Presidenti i leshit do nise perseri protesta!!!!!!!! Aman do zoti te ulet dhe njehere ne rruge,e me ato duart e shpifura te nje hajduti te bej ate shqiponjen alla Muta se na i shpifi fare ky zgjebarak qesharak.

    Përgjigju
  • Ismail: 05/03/2020 11:55

    Me kriminelet ka vetem nje negociate PLUMBI dhe vetem PLUMBI

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?