Ne kuvend seanca vijon, demokratët ulen këmbëkryq në oborr

Opozita vijon 'mosbindjen civile' në Kuvend! Të përjashtuarit përplasen me gardën, karriget jashtë, këmbëkryq në oborr! Të tjerë bllokojnë foltoren!

31 Tetor, 08:01| Përditesimi: 31 Tetor, 20:50

  • Share

Tirane-   Opozita vijoi edhe sot aksionin e mosbindjes civile në Kuvend. Deputetët e PD të cilët janë të përjashtuar nuk u lejuan të hyjnë në kuvend, ndërsa të tjerët që ishin pa masë ndëshkimore fillimisht u vendosën para foltores duke u përpjekur të bllokojnë seancën dhe më pas morën karriget dhe i nxorrën jashtë.

Ndërsa deputetët e PD-së që ishin jashtë hoqën dorë nga përplasja me Gardën duke mos tentuar të futen në sallë por u ulën këmbëkryq në tokë, me në krye Flamur Nokën, i cili mban veshur bluzën ‘Free Berisha’.

Në seancë Enkelejd Alibeaj, kreu i Partisë “Djathtas 1912”, i shkëputur nga Berisha dhe Basha u doli në mbrojtje. I kërkoi kryetares së Kuvendit Spiropali të mbyllë seancën të thërrasë byronë dhe të marrë masa për të shfuqizuar vendimin që përjashton deputetët e PD-së.  Ai i kërkoi mazhorancës të ulej e të bisedonte me opozitën për të zhbllokuar situatën e tensionuar prej disa javësh në Kuvendin e Shqipërisë. Spiropali tha se mazhoranca ishte e gatshme të ulej në çdo moment për të diskutuar me opozitën por se kjo e fundit duhej të hiqte dorë nga dhuna.

Enkelejd Alibeaj: “Keni përjashtuar gjysmën e deputetëve. Merrni masa të ktheni normalitetin’ 

 Elisa Spiropali: Ne jemi të gatshëm të ulemi në çdo kohë, ama të ulemi në karriget në të cilat na kanë zgjedhur qytetarët, jo ti djegim. Për zjarrin që vënë të tjerë, ju më mirë se kushdo e dini se cili është autor dhe arsyet. Por, duke mos i hyrë problemeve të brendshme tuajat, për të cilat edhe ju jeni bashkëvuajtës si ne të gjithë, po ju them edhe një herë, që jemi të gatshëm të ulemi në çdo tryezë, përfshirë Konferencën e Kryetarëve dhe Byronë dhe gjithçka tjetër, për të bërë të mundur që deputetët e nderuar të opozitës të gjejnë një mënyrë dinjitoze pë t’u kthyer sërish në Kuvend, siç e gjetëm në janar”.

Tensioni në sallë zgjati pak minuta. Deputetët demokratë më karrige në dorë dolën jashtë. Aty ku i pritën këmbëkryq deputetët e tjerë.

Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi e akuzoi Spiropalin si zëdhënëse të krimit

Me Pëllumb Gjokën dhe zëdhënësit e tij nuk komunikojmë, ne jemi përballë krimit të organizuar", tha Bardhi.

Jashtë deputetët demokratë i bënë thirrje gardës të distancohen se po përdoren nga Edi Rama.

“T’ju vijë turp! Ku jemi këtu në Kore të Veriut! E keni kthyer në diktaturë. Mos u përdorni nga Edi Rama”   thotë Asllan Dogjani.

Këmbëkryq në hyrje të Kuvendit, deputeti demokrat Dashnor Sula ka hedhur akuza ndaj qeverisë duke thënë se vetëm vjedhin.

Këto janë i vetmi shtet në Europë që të dënojnë pa ligj, pa kushtetutë dhe pa rregullore. Aksionin  po e bëjmë për Shqipërinë. Parlamenti është këtu dhe jo aty brenda. Çfarë kemi bërë ne të përjashtohemi 40 ditë. Masa maksimale për një deputet është 10 ditë, ne jemi dënuar me 40 ditë. Këta fillojnë buxhetin dhe ne nuk jemi aty' tha Sula.

Pas rezistencës disa minutëshe jashtë kuvendit i gjithë grupi parlamentar u drejtua në bashkinë e Tiranës ku vijoi protestën për largimin e kryebashkiakut Veliaj dhe u rikthye në Kuvend për mosbindje civile. 

Në Kuvend mbërriti dhe ambasadori i BE-së që iu desht të kalonte jo vetëm gardhin e policisë por dhe kangjellat metalik të vendosur nga garda jashtë derës së Kuvendit. 

Pas takimit disa minutësh me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali, të cilës i dorëzoi progres raportin diplomati europian i përcolli opozitës të njëjtin mesazh që përcolli dhe në konferencën me kryeministrin Edi Rama. 

"Ju lutem lexoni raportin. Shpresoj që opozita të luajë rolin e saj brenda kuvendit" tha ai.

Me largimn e ambasadorët të BE-së u larguan dhe deputetët e opozitës.

Ndërkohë aksioni i mosbindjes civile të opozitës nuk e ndali maxhorancën të vijojë seancën normalisht duke votuar pr/ligjet në rendin e ditës.

Kuvendi votoi në përfundim ligjin e debatueshëm për Kërkimin Shkencor, zgjati deri në 14 nëntor afatin për hetimin parlamentar mbi koncesionet në shëndetësi, si dhe rrëzoi një dekret të Presidentit Begaj mbi ligjin për inspektimet.

Po sot dy deputetët e rinj, Andrea Mano dhe Erjon Meka u betuan në Kuvend. Ata marrin mandatet e Ervin Salianjit dhe Jurgis Çyrbjas, të dy në burg.

Ora 12:36
FOTOGALERI/ Pasi dogjën karrige e manekinë tani ulen këmbëkryq në oborrin e kuvendit

Edhe këtë seancë parlamentare, deputetët e PD-së, të cilët janë përjashtuar nga Kuvendi, u përplasën me Gardën.

Por duke qenë të pakët në numër dhe të lodhur nga përplasjet e vazhdueshme, rezistenca e tyre nuk ka zgjatur shumë.

Ata janë ulur këmbëkryq në tokë, me në krye Flamur Nokën, i cili mban veshur bluzën ‘Free Berisha’.

Ky është aksioni i fundit i opozitës, në vazhdën e aksionit të mosbindjes ciivile me karrige të djegura, manekinë në flakë në oborr

Ora 12:35
PS rrëzon dekretin e Begajt, ktheu ligjin 'Për inspektimet', merr edhe 5 vota nga opozita! Zgjatet afati i Komisionit hetimor për 'Sterilizimin e Check Up'! Miratohet 'Kërkimi Shkencor'

Tirane-  Mazhoranca rrëzoi me 74 vota dekretin e Presidentit që ktheu për rishqyrtim ligjin për inspektimet. Kundër veç deputetëve socialistë kanë votuar edhe 5 deputetë të opozitës, Flutura Açka, Arbi Agalliu, Merita Bakiu, Gezim Ademi dhe Nusret Avdulla.  

"Vota jonë kundër është më shumë një tërheqje vëmendje ndaj Presidentit sesa vetë ligjit të cilin e keni kaluar tashmë dhe nuk prisni votat tona për ta përmbyllur aksionin tuaj politik. Çështja është se zoti President nuk duhet fare të ndikohet nga temperaturat e argumenteve tuaja fluide të mazhorancës" tha Açka.

Një votë pro Begajt ishte nga deputeti i PS Paulin Sterkaj.

Më 14 tetor Begaj u ktheu ligjin duke argumentuar se shkakton 'konfuzion, mbjell paqartësi dhe sjell pasiguri” por në komisionin e ligjeve ku dekreti u shqyrtua para se të kalojë për votim në kuvend, u argumentua se iniciativa ligjore vjen në kuadër të kërkesave të Bashkimit Evropian.

Është nismë ligjore në kuadër edhe të kërkesave të BE, dhe na duhet për të përfituar nga plani i rritjes”, deklaronte Klotilda Bushka.

Ligji i ri parashikon reformimin e inspektoriateve, duke i shkrirë ata në 8 në total si dhe synon të ulë ndjeshëm vizitat e papritura të inspektorëve në dyert e bizneseve.

Eshtë parashikuar që trupa e inspektoratit të ulë në 20% numrin e inspektimeve në një vit kalendarik dhe të përfshijë në kontrolle njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Me 73 vota pro dhe 2 kundër Kuvendi miratoi dhe projektligjin “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

Gjithashtu u miratua zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor “Për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up-it në Shëndetësi”. Ky vendim u miratua me 68 vota pro, 6 abstenime dhe 5 kundër. Kështu afati i veprimtarisë së Komisionit Hetimor do të zgjatet deri në datën 14 nëntor. Kundër votuan Frrok Gjini, Erjon Braçe e Nasip Naço.

Gjithashtu u miratua me 72 vota pro dhe 2 abstenime edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë”.

Me 73 vota pro dhe 3 abstenime u miratua edhe projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

Me 72 vota pro dhe 2 abstenime u miratua projektligji për një ndryshim në ligjin, “Për fondin kullosor”, i ndryshuar.

Me 73 vota pro dhe 2 kundër projektvendimin “Për një ndryshim të vendimit nr. 66/2021 “Për zgjedhjen e Byrosë dhe përbërjen e sekretariateve të Kuvendit”, i ndryshuar”.

Sipas këtij projektvendimi Petro Koçi emërohet anëtar zëvendësuar në Sekretariatin për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Ndërsa Niko Peleshi emërohet sekretar i Sekretariatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ora 12:26
Në SPAK për 21 janarin, deputeti Xhemal Qefalia ironi me Alibeajn: Më pyetën a është Enkelejdi ky që ka automatik

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia ka treguar në Kuvendin e Shqipërisë arsyen se pse u thirr sot në Prokurorinë e Posaçme.

Në një replikë ndaj demokratit, Enkelejd Alibeaj në seancën plenare në Kuvend, Qefaliaj tha se në SPAK u thirr për të dëshmuar për 21 Janarin.

Qefalia iu drejtua Alibeajt, duke i thënë se në SPAK i kanë treguar një foto, duke e pyetur ‘A është Enkelejdi ky që ka automatik, që po u gjuan protestuesve?’.

“Jo jo i thash se Enkelejdi ka qenë këshilltar, ka qenë brenda. Enkelejd, isha në SPAK dhe dëshmova për 21 Janarin. Po ajo që më habiti, ishte se më thanë për një fotografi, më thanë ‘A është Enkelejdi ky që ka automatik, që po u gjuan protestuesve?’. Jo jo i thash se Enkelejdi ka qenë këshilltar, ka qenë brenda. Zotëri, se sa herë ndërron ngjyrën ti, herë Lul, herë Berishë, herë 1912, ti mbetesh Enkelejdi, që vjen tani dhe të ka ardhur zëri pasi ikën këta për të folur. Ne do i përgjigjemi SPAK-ut se kemi besuar të drejtësia, një drejtësi që do vendoset për të gjithë. Te ajo fotografia nuk ishe ti, se ishte veshur me një formë tjetër, ishe mbyllur atje brenda të ajo kështjella që vratë dhjetëra demonstrues", tha deputeti socialist.

Ora 12:22
Replikat/ 'Keni lajthitur', Spiropali debat me Shehajn në Kuvend: Lini pozat e TikTok-ut

 

Në seancën e sotme plenare në Kuvend nuk kanë munguar as debatet. Deputeti i pavarur Agron Shehaj është përplasur në Kuvend me kryeparlamentaren Elisa Spiropali.

Pjesë nga debati:

Elisa Spiropali: Keni kërkuar fjalën për cilën arsye për replikë? Po ju pyes pse e keni kërkuar fjalën?

Agron Shehaj: Për procedurë

Elisa Spiropali: Për procedurë apo për replikë? Është për të njëjtën çështje

Agron Shehaj: Zonja kryetare, (I fikin mikfrofonin dhe flet i revoltuar nga vendi)

Elisa Spiropali: E keni marrë disa herë fjalën për procedurë për të njëjtën çështje

Agron Shehaj: Po bëheni qesharakë

Elisa Spiropali: Se kush është qesharak e gjykon publiku. Mos mu drejtoni mua flisni për procedurë

Agron Shehaj: Nuk caktoni ju se kujt i flas unë dhe për çfarë flas unë, Keni lajthitur, harroni ju që, e dini që ju që jeni kryetare parlamente jo e maxhorancës

Elisa Spiropali: E doni fjalën apo jo?

Agron Shehaj: Do më lejoni të flas Ju kujtoj që s’jeni kryetarja e maxhorancës, nuk mund të përjashtoni

Elisa Spiropali: Ju lutemi lini këto poza TikTok sepse nuk ngjit askund ky populizëm krejt banal. Nuk impresionohem nga këto poza. Jam kryetarja e Kuvendit dhe ju kam dhënë fjalën.

Ora 11:06
Bardhi i përgjigjet Spiropalit për dialog: Nuk komunikojmë me zëdhënësit e Pëllumb Gjokës

Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila tha se janë gati që të ulen në karrige me opozitën për të dialoguar.

Por, Bardhi e akuzoi Spiropalin si zëdhënëse të Pëllumb Gjokës.

"Kush e kishte bërë këtë? Pëllumb Gjoka? S’kam qenë në burgun e Fierit që ta takoj, i paska transmetuar një mesazh zonjës, me Pëllumb Gjokën dhe zëdhënësit e tij nuk komunikojmë, ne jemi përballë krimit të organizuar", tha Bardhi.

Ora 10:34
Të përjashtuar, deputetët e PD heqin dorë nga përplasja me Gardën! Ulen këmbëkryq në tokë

 

Deputetët e Partisë Demokratike kanë hequr dorë nga përplasja me Gardën dhe nuk kanë tentuar të futen në sallë.

Ata janë ulur këmbëkryq në tokë, me në krye Flamur Nokën, i cili mban veshur bluzën ‘Free Berisha’.

1730366937_deputtetkembekryq.jpg

Ora 10:31
Deputetët e PD nxjerrin karriget e Kuvendit jashtë salle

 

Deputetët e Partisë Demokratike kanë nxjerrë jashtë salle karriget e Kuvendit.

Ora 10:16
Tensione në Kuvend/ Deputetët e përjashtuar të PD përplasen me Gardën

 

Deputetët e përjashtuar të PD kanë mbërritur në Kuvend dhe po tentojnë të futen në sallë. Ndërkohë, Garda nuk i lejon.

Flamur Noka tha në një prononcim për mediat se nuk i përjashton dot ‘narkosi’ por vetëm vota e qytetarëve.

Noka: Çdo kuvend ka mision, të përcjellë zërin e zgjedhësve dhe ne atë detyrë kemi. Na përjashton vetëm populli e vota, s’na përjashton dot askush pavarësisht dëshirave të narkos apo 5 mln eurove të doganave.

Dogjani: Mos u përdorni nga Rama. Diktaturë, turp.

Ora 10:11
Kuvend/ Betohen dy deputetët e rinj, zënë vendin e Ervin Salianjit dhe Jurgis Çyrbjes

Parlament, Andrea Mano dhe Erjon Meka marrin mandatet e Ervin Salianjit dhe Jurgis Çyrbjas 

Dy deputetët e rinj, Andrea Mano dhe Erjon Meka u betuan në Kuvend.

Mano do të zërë vendin e ish-deputetit të PD, Ervin Salianjit, pas dënimit të tij me 1 vit burg për kallëzim të rremë në dosjen Babale.

Ndërkohë, Meka do zërë vendin e ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja, i cili u arrestua për lidhje me bandat kriminale në Durrës.

Ora 09:40
Zëvendëson Jurgis Çyrben, Erjon Meka shkon në Kuvend për betim

 1730364191_erjonmeka.JPG

Foto: Erjon Meka duke hyre ne Kuvend, 31 tetor 2024

Në seancën e sotme të Kuvendit shkoi dhe Erjon Meka, deputeti që zëvendëson Jurgis Çyrben tashmë i arrestuar.

Ai u pa të hynte krah deputetit socialist i Shijakut, Ilir Ndraxhi.

Jurgis Çyrbja u arrestua mbrëmjen e 20 tetorit, bashkë me Ahmet Mashën, kunati i vëllait, edhe bashkëpunëtori i ish-deputetit. Akuza të rënda rëndojnë ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, i cili u ‘fundos’ pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin e koduar ‘Sky ECC’. Shitje e sekretit shtetëror tek kriminelët, dekonspirim i operacioneve të Policisë së Durrësit, informoi Altin Hajrin për lëvizjet e policisë pas vrasjes së Jan Prengës, e deri tek bashkëpunimi me Hajrin për t'i siguruar vota në qarkun e Durrësit, ku Çyrbja ishte edhe në listën e sigurt për deputet në zgjedhjet parlamentare 2021.

Ora 09:21
Zëvendëson Salianjin, deputeti i PD Andrea Mano shkon në Kuvend për betim

1730363008_andreamano.JPG

Deputeti i PD Andrea Mano ka shkuar ditën e sotme në Kuvend për betim.  Mano është paraqitur për marrjen e mandatit të deputetit, pasi do të zëvendësojnë ish deputetin e PD Ervin Salianji, pasi ky i fundit është dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burg për akuzën e shpifje.

Në fotot e siguruara nga Report Tv, shihet se Mano është i shoqëruar edhe nga deputeti i PS i Korçës, Ilir Pendavinji. 

S.B//ReportTv.al
Komento

Komente

  • gaspër: 31/10/2024 14:40

    Ka plot 33 vite që opozita është marë peng nga malokëria,nga NON GRATA,nga shpellarë të tipit Noka,Mziu,Dogjani,nga katundaria dhe mungon qytetaria...

    Përgjigju
  • Populli: 31/10/2024 10:42

    bravo Flamur je lider tregoju si behet kuvendi

    Përgjigju
  • asolingo: 31/10/2024 09:35

    U be bajate kjo gje dhe remuje dhe roga roge,nje figure shume e keqe qe nxit vetem kaos dhe ne jeten e perditeshme.Deri kur???? A ju eshte prere roga apo dita e punes tere ato dite qe protestojne dhe a kane paguar demet,per kete fajtore eshte qeveria,opozita gjen e ben.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?