Një 26 vjeçar i shpallur në kërkim që pas sulmeve në KZAZ-në nr 42 në Kavajë është arrestuar ditën e sotme nga policia.
I arrestuari mësohet të jetë një ish-punonjës bashkie me ermin Shpëtim Derjaj.
Sipas policisë ky person në datë 19.06.2019, gjatë zhvillimit të protestës para KZAZ nr 42 Kavajë, duke tentuar të hyjë me forcë në ambjentet e KZAZ-së ka qëlluar me sende të forta, mjete piroteknike dhe shishe molotov punonjësit e policisë të dislokuar në shërbim pranë kësaj KZAZ-je.
I dyshuari banues në Kavajë akuzohet për veprat penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, i mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”
Më tej, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar, të përfshirë në këto veprime të kundraligjshme.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme.