Miroslav Lajçak

Lajçak dhe këshilltarët e rinj nga Gjermania dhe Franca vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, synim përparimi në dialog

5 Shtator 2022, 16:59| Përditesimi: 5 Shtator 2022, 17:10

  • Share

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarë të sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun, do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin më 9 shtator. Qëllim i vizitës është “të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Gjatë vizitës janë të planifikuara takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç”, konfirmoi Stano.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftuan të shtunën se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiçit, dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u bënë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhej, mes tjerash, në letër.

Duke folur për REL-in, Stano tha se BE “dëshiron të bëjë sa më shumë që mundet për t’i ndihmuar të dyja palët që t’i gjejnë kompromiset e nevojshme” dhe që “të çojnë dialogun drejt fundit”.

Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit. Pas angazhimeve të tyre diplomatike, dy vendet arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përkatësisht për heqjen e dokumenteve hyrëse/dalëse.

Serbia, për më shumë se një dekadë, ka lëshuar dokumente të posaçme për qytetarët e Kosovës, që kanë hyrë në territorin e saj. Kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa reciproke nga 1 gushti, disa serbë lokalë në veri të vendit janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada, për t’i penguar autoritetet në zbatimin e vendimit të tyre.

Për shkak të rritjes së tensioneve dhe me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, Prishtina zyrtare ka shtyrë zbatimin e atij vendimi për 30 ditë. Por, ndërkohë, është arritur marrëveshja për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse/dalëse nga të dyja anët.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Aktualisht, sfidë mbetet çështja e targave të makinave. Më 1 shtator, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e vendimit të saj për riregjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia në RKS - Republika e Kosovës. Beogradi pret negociata edhe për këtë çështje, përkatësisht propozon targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por këtë gjë Prishtina e refuzon.

I pyetur për planifikimin e ndonjë rundi të mundshëm të bisedimeve midis bartësve kryesorë të dialogut, Kurti dhe Vuçiç, Stano tha:

“Për këtë, ne gjithmonë duhet të kemi një marrëveshje nga të dyja palët. Kjo do të thotë se ato duhet të bien dakord për kohën dhe agjendën e atij takimi”.

Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit më 18 gusht, pas tensioneve në veri, por nga ai takim nuk doli asnjë marrëveshje./REL

D.GJ//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?