Ish-presidenti Hashim Thaçi me babanë e ndjerë Haxhi Thaçi

Kosova & Rajoni

Ndahet nga jeta babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi! Osmani: Kontributi i tij për atdheun të shndërrohet në udhërrëfyes! Rama: Iku krenar! Kurti letër ngushëllimi familjes

16 Mars, 23:51| Përditesimi: 17 Mars, 16:07

  • Share

KOSOVË- Një lajm i trishtë vjen nga Kosova, ku bëhet me dije se pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Mediat e Kosovës raportojnë se Haxhi Thaxhi po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare, por nuk e fitoi dot betejën me sëmundjen e rëndë dhe ndërroi jetë mbrëmjen e sotme, 16 mars.

Lajmi i konfirmua nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili i ka shprehur  ngushëllime presidentit Thaçi, familjes Thaçi dhe mbarë kombit shqiptar.

"Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të Presidentit Hashim Thaçi. Sot, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin dhe edukatën e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë.  

Ngushëllimet më të sinqerta Presidentit Thaçi, familjes Thaçi dhe mbarë kombit shqiptar. Haxhi Thaçi ishte më shumë se një prind – ai ishte një shtyllë e fortë e vlerave atdhetare, një njeri i urtë dhe fisnik, i cili la pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë tonë.  U prehtë në paqe", shkruan Krasniqi.

Një reagim të shkurtër ka pasur edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama i cili teksa ka ndarë një foto të ish-presidentit Thaçi me babanë e ndjerë shkruan "Baba iku krenar Hashim".

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka dërguar një letër ngushëllimi familjes Thaçi, ku shkruan mes të tjerash se Haxhi Thaçi kujtohet për urtësinë, respektin dhe dashurinë për vendin.

Vetëm 4 ditë më parë, më 13 mars, Gjykata Speciale në Hagë i dha leje ish-presidentit Thaçi dhe erdhi në Kosovë për të vizituar babanë e tij në gjendje të rënduar shëndetësore. Gjykata kishte refuzuar disa herë kërkesat e Thaçit për të vizituar babanë në spital, por më 13 mars u dha leja, ndërsa Thaçi u prit me thirrjet “UÇK, UÇK” dhe “O Hashim, o hero, krejt Kosovën këtu e ke”.

Pasi ka përfunduar vizitën te babai i tij, Hashim Thaçi është kthyer në Hagë, ku po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit bashkë me ish-eprorët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Ora 16:04
Ndarja nga jeta e babait të Hashim Thaçit, homazhet dhe varrimi do të bëhen të martën

1742223938_HaxhiThaci1.jpg

Komuna e Skenderajt ka njoftuar se ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi do të zhvillohet më 18 mars, në orën 15:00. 

Sipas njoftimit të bërë publik nga sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, homazhet do të mbahen nga ora 09:00 deri në 12:00 në palestrën “Ilaz Kodra” në Skënderaj.

Komuna e Skenderajt, në emër të qytetarëve të saj, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Thaçi dhe për të gjithë ata që kanë njohur dhe vlerësuar jetën e të ndjerit Haxhi Thaçi.

Ora 13:03
Ndarja nga jeta e babait të Hashim Thaçit/ Kurti letër ngushëllimi familjes: Do të kujtohet për urtësinë, respektin dhe dashurinë për vendin

1741519260_albinkurti.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar një letër ngushëllimi familjes së Hashim Thaçit për ndarjen nga jeta të babait të tij. 

Në një postim në Facebook, teksa ka bërë publike letrën e dërguar familjes Thaçi, Kurti shprehet se Haxh Thaçi do të kujtohet gjithmonë për urtësinë, respektin dhe dashurinë e madhe për vendin. 

“E nderuara familja Thaçi,

Na pikëlloi shumë lajmi që më i dashuri i juaj, Haxhi Thaçi, u nda nga jeta. Do të kujtohet gjithmonë për urtësinë, respektin për të tjerët dhe dashurinë e madhe për vendin. 

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timin ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta juve, dashamirëve të familjes tuaj dhe miqve të ish presidentit Hashim Thaçi. U preftë në paqe!”, thuhet në letrën e Kurtit. 
 

Ora 12:37
Vdekja e babait të Hashim Thaçit, Osmani: Dhimbje e pamatshme, kontributi i tij për atdheun, shpresoj të shndërrohen në udhërrëfyes dhe kujtime krenarie

Foto: Haxhi Thaçi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe familjen e tij për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit.

“Me pikëllim mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të z. Haxhi Thaçi, babait të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi. Humbja e babait është dhimbje e pamatshme, e cila lë boshllëk të pazëvendësueshëm tek më të dashurit. Kontributi dhe dashuria e tij për atdheun, shpresoj të shndërrohen në udhërrëfyes dhe kujtime krenarie për të gjithë ata që e njohën”, thuhet në letër ngushëllimin e presidentes.

Në emër të saj dhe në emër të popullit të Kosovës, Osmani ju ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta ish-Presidentit Thaçi, gjithë familjes Thaçi, si dhe miqve e të gjithë të afërmve të z. Haxhi Thaçi.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, përfundoi Osmani.

Ora 11:04
Vdekja e babait të Hashim Thaçit, Specialja: Mund të bëjë kërkesë për të ardhur në varrimin e babait të tij

1742206072_hashimthaci.JPG

Ish- presidenti i Kosovës që po mbahet në Hagë, Hashim Thaçi, dje i vdiq babai, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Specialja i dha leje Thaçit që pak ditë më parë të vizitojë babanë e tij, Haxhi Thaçi, në QKUK ku qëndroi për rreth tri orë nën masa të rrepta sigurie.

Por, Dhomat e Specializuara të pyetura nga mediat në Kosovë nëse do ta lejojnë Thaçin të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, thanë se të paraburgosurit kanë të drejtë të ushtrojnë kërkesa për të cilat më pas marrin vendim gjyqtarët.

“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’u bëjnë kërkesa gjyqtarëve kompetentë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për kërkesa të tilla”, thuhet në përgjigje.

Ora 10:28
Vdekja e babait të Hashim Thaçit, Haradinaj: E mbylli jetën duke lënë pas një histori të tërë sfidash e sakrificash

Foto: Ramush Haradinaj dhe Haxhi Thaçi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të babait të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Haradinaj shkruan se ai i mbylli sytë duke lënë pas një histori të tërë sfidash e sakrificash, teksa thekson se familja e tyre jo vetëm po përballet me vdekjen të dashur, por edhe me mungesën e Hashimit, më

Postimi i plotë:

Lajm i hidhur ndarja nga jeta e Haxhi Thaçit, babait të luftëtarit të orëve të para, bashkëluftëtarit tim dhe ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Baca Haxhi e mbylli jetën duke lënë pas një histori të tërë sfidash e sakrificash, por ndarja e tij vjen në një moment edhe më të rëndë për familjen Thaçi. Në këtë ditë zie, familja Thaçi po përballet jo vetëm me humbjen e njeriut të tyre të dashur, por edhe me mungesën e Hashimit, i cili, me bashkëluftëtarët e tjerë, po mbron luftën e shenjtë të UÇK-së në Hagë.

Në këtë moment dhimbjeje, jam pranë mikut dhe bashkëluftëtarit tim Hashimit dhe mbarë familjes Thaçi.

Zoti ju forcoftë!

Ora 10:13
Vdekja e babait të Hashim Thaçit, Veliaj: Humbje e madhe për familjen dhe këdo që e njohu

Foto: Erion Veliaj

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg ka reaguar sot për ndarjen nga jeta të babait të Hashim Thaçit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Veliaj shprehet se kjo është një humbje e madhe për familjarët dhe të gjithë ata që e njohën.

“Me trishtim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Axhës Haxhi, babait të Hashim Thaçit. Një humbje e madhe për familjen, për miqtë dhe për këdo që e njohu.

I shpreh ngushëllimet më të ndjera Hashimit dhe familjes Thaçi. U prehtë në paqe”, shkroi Veliaj në Facebook.

Haxhi Thaçi ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme, pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje të rëndë.

Ora 08:03
Djali i Hashim Thaçit reagon për vdekjen e gjyshit: I mbylli sytë i qetë pas takimit të fundit me babin! Vuajtjet nga padrejtësia u bënë të papërballueshme

Endrit Thaçi, djali i presidentit Thaçi, ka bërë një reagim për vdekjen e gjyshit të tij Haxhi Thaçi, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme pas një sëmundje të rëndë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ai shprehet se gjyshi i tij iku nga kjo botë pas takimit të fundit me Hashim Thaçin.

 “Baci i mbylli sytë i qetë pas takimit të fundit me babin. Ke qenë gjithmonë frymëzim për mua dhe familjen. Vuajtjet nga padrejtësia e bënë të papërballueshme. Prehu në paqe.”, ka shkruar Endriti.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • goni: 17/03/2025 20:20

    I NGJAN SHUME HASHIMIT,,,GATI KOPJE,,NUK THONE KOT,,,, BEME BABA TE TE NGJAJ,,,..PO C'TU DESH O HASHIM QE U NGATARROVE KOT ME PUNEN E KUFIJVE TE KOSOVES,,,,PER ATE TE MBAJNE NE HAGE,,,,,DO ISHE I LIRE SOT,,,,NE PUNEN TENDE,,,...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?