Në hollin e Universitetit të Arteve ku dha kontributin e tij, familjarë, miq, kolegë e ish-studentë i japin artistit Ali Oseku lamtumirën e fundit.
“Sot largohet, jo thjesht një emër me rëndësi i artit pamor, por një njeri shumë i rëndësishëm, një polemist shumë i rëndësishëm, një debutues, një njeri me humor, si dhe mbi të gjitha një njeri shumë i ndershëm. Një model që rrallë se mund të përsëritet më ”, shprehet artisti Artan Peqini, mik dhe koleg i tij.
I konsideruar si një nga emrat më të mirë të artit bashkëkohor vendas, piktori mbylli sytë këtë të martë në moshën 80-vjeçare.
“Është një mik, është një artist shumë i rëndësishëm i artit shqiptar. Dashamirësia e tij me brezin tonë na ka impresionuar të gjithëve, prandaj sot është një ditë tejet e trishtë”, shprehet studiuesi i artit pamor Ermir Hoxha.
Artisti ‘i dritës’ së përhershme e etiketojnë dashamirësit e tij, edhe për vet sagën që Oseku kaloi në diktaturë. Me një lirshmëri e talentin që spikati, ai solli që në fund vitet ’60 një frymë të re në artin pamor.
“Ne në atë kohë e njohëm fillimisht përmes ‘legjendës’ së Ali Osekut. Dëgjonim për personazhin që ka bërë dekoret e “Prometeut” të “Traviatës” që përdorte shumë simbolikën”, tregon piktori Gazmend Leka.
Deri në 1973-shin do të realizonte mbi 300 vepra, të cilat do të detyrohej po vet t’i hidhte në zjarr, për shkak se do të përballej me akuzat për frymë moderniste, duke shpëtuar vetëm portretin e nënës e një “Portret Burri”. Kështu nga skena e Teatrit të Operas ku propozonte skenografi ndryshe, do të kalonte përmes kalvarit të riedukimit gjatë dy viteve në Elbasan. E më pas për 4 vjet deri në ’79-ën në Burgun e Spaçit.
“Është nga të vetmit njerëz që ka vuajtur Spaçin, që nuk u ankua njëherë. Nuk pranoi medaljone për atë që ndodhi, dhe u mbështet te gëzimi i jetës, familja, shoqëria dhe tek arti”, thotë më tej Leka.
Demokracinë do e priste si punëtor i krahut të lirë, duke iu mohuar gjatë kësaj kohe e drejta e ekspozimit.
“Ishte një shuplakë e rëndë që i dhanë, por Aliu nuk ishte ai i burgut, ishte ai i pas burgut, që pikturonte, pikturonte, pikturonte..” thotë Leka.
Pas ’90-ës, punoi për 8 vjet si kurator në Galerinë e Arteve. Më pas, si pedagog e shef i Katedrës së Grafikës , ndërsa prej 2014-ës iu dedikua krijimtarisë së lirë. Çeli dhjetëra ekspozita brenda dhe jashtë vendit, më fundit ishte “E gjithë drita që nuk mund të shohim pranë “Harabel”.
“Komunikimet e fundit ishin telefonike dhe ishin disi si përtej. Edhe piktura e tij (ekspozita e fundit) ka qenë disi e tillë që kërkonte një sforco për t’u kuptuar. Por, ai mbetet një artist me identitet të fortë”, shprehet Peqini.
Me largimin e tij fizik, mbetet shqetësimi i miqve, që krijimtaria e tij të mos neglizhohet.
“Është një peshë që duhet ta mbartin institucionet shqiptare, që kapitali njerëzor i këtyre njerëzve me peshë që largohen të menaxhohet”, thotë Hoxha.