Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të skenës shqiptare dhe regjisorit, Dhimtër Anagnosti. Meta shprehet se Anagnosti ka lënë pas një trashëgimi të madhe dhe të vyer, që edhe pse e krijuar në kohë të caktuar historike, do të vijojë të mbetet shembull dhe frymëzim për gjeneratat e ardhshme.
“Në panteonin e kulturës kombëtare dhe artit të kinemasë shqiptare, Artisti i Popullit, Dhimitër Anagnosti, do të mbetet përjetësisht i nderuar mes korifejve më të mëdhenj.
Kineast dhe regjisor i shquar, skenarist e mendimtar, ai na la trashëgim një vepër të ndritur, që do të vazhdojë të frymëzojë gjeneratat e ardhshme, duke u bërë metaforë emblematike e historisë së kinematografisë shqiptare dhe model frymëzues i një brezi krijuesish idealistë e patriotë.
Filmat e Anagnostit, edhe pse të krijuar në një kohë të caktuar historike, falë vizionit e talentit të tij të jashtëzakonshëm, mbeten vepra universale që përcjellin mesazhe të përjetshme dhe gjithmonë aktuale.
Me pikëllim të thellë u shpreh familjes dhe komunitetit të artistëve ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të këtij personaliteti të rrallë të artit dhe kulturës sonë kombëtare, i cili i dha emër e dinjitet kinemasë shqiptare dhe lartësoi identitetin tonë kulturor.
Trashëgimia e tij e vyer do të mbetet një monument i pavdekshëm në kujtesën e kombit.
Të prehet në paqe! I paharruar kujtimi!”, shkruan Meta.
Lajmi kryesor:
Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Arti dhe politika kujtojnë ‘babain’ e kinematografisë: U shua një institucion! Trashëgimia e tij, monument i pavdekshëm
Xh.D/ReportTv.al