Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, mjeshtrit të madh të kinemasë shqiptare, solli reagimin e aktorëve e kolegëve, por edhe figurave të njohura të politikës. Ata ndanë kujtimet me regjisorin, ndërsa përcollën edhe mesazhe mirënjohje për trashëgiminë e lënë në kinematografi.
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”, shkroi vajza e tij, Juna Anagnosti, teksa njoftoi ndarjen e tij nga jeta.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi atë si "babain e kinemasë shqiptare", duke kujtuar lidhjen personale që kishte me të.
“Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shënjuan rrugën e kinematografisë sonë në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese. Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master,” shkruan Rama.
Presidenti Bajram Begaj, shprehu ngushëllimet e tij, duke thënë se plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput sot një tjetër yll.
"Lamtumirë, Dhimitër Anagnosti! Shqiptarët do të vazhdojnë të magjepsen nga arti yt i madh”, u shpreh Presidenti.
Edhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, theksoi se Anagnosti ka lënë pas një trashëgimi të çmuar për kulturën kombëtare.
"Një jetë e tërë e përkushtuar artit, ku në karrierën e tij mbi 40-vjeçare ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke lënë pas një trashëgimi të vyer për kulturën kombëtare.", shkroi Gonxhja duke përmendur disa nga filmat më të spikatur të tij.
Ndërkohë, ish presidenti Ilir Meta u shpreh se trashëgimia e tij do të mbetet monument i pavdekshëm.
"Kineast dhe regjisor i shquar, skenarist e mendimtar, ai na la trashëgim një vepër të ndritur, që do të vazhdojë të frymëzojë gjeneratat e ardhshme, duke u bërë metaforë emblematike e historisë së kinematografisë shqiptare dhe model frymëzues i një brezi krijuesish idealistë e patriotë.", tha Meta.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përcolli gjithashtu një mesazh ngushëllimi.
"Me personazhet emblematikë që krijoi, Anagnosti do të mbetet përgjithmonë në panteonin e artit kombëtar dhe do të jetojë në kujtesën tonë si një ndër më të mëdhenjtë e kinemasë shqiptare.", shkroi Spiropali.
Profesori Përparim Kabo u shpreh se me ndarjen nga jeta të regjisorit Dhimitër Anagnosti u shua një institucion arti.
Ndërkohë, aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj e përshkroi si një “diktator të së bukurës”, duke shtuar se nuk ka më Anagnost ekrani, nuk ka një të dytë si ai.
Regjisori Dhimitër Anagnosti
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të mjeshtrit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, duke e cilësuar këtë humbje si një goditje të rëndë për artin, kulturën dhe qytetin e Tiranës.
“Ndarja nga jeta e mjeshtrit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, është një humbje e madhe për artin dhe kulturën tonë, e po aq e rëndë edhe për qytetin e Tiranës. Tirana humbi një nga qytetarët e saj model, që e deshi aq fort e ku ai krijoi aq shumë filma, që tani janë pjesë e historisë së çmuar kinematografike të Shqipërisë.
Një krijues vizionar si ai, që i kushtoi jetën filmit shqiptar, artit të kinemasë dhe ekranit, do të mbahet mend për kontributin e jashtëzakonshëm në kulturën tonë kombëtare”, shkruan Veliaj.
Regjisori Dhimitër Anagnosti
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të regjisorit Dhimitër Anagnosti. Spiropali shkruan se me personazhet emblematikë që krijoi, Anagnosti do të mbetet përgjithmonë në panteonin e artit kombëtar.
“Dhimitër Anagnosti, artisti, kineasti, skenaristi dhe regjisori i klasit të parë, u largua sot nga bota jonë, duke lënë pas dhjetëra filma të tij, në të dy kohët, në të cilët pasqyroi në mënyrë të epërme botën shqiptare. Me personazhet emblematikë që krijoi, Anagnosti do të mbetet përgjithmonë në panteonin e artit kombëtar dhe do të jetojë në kujtesën tonë si një ndër më të mëdhenjtë e kinemasë shqiptare.
Kuvendi i Shqipërisë nderon sot me respekt të thellë deputetin që shërbeu me përkushtim gjatë dy legjislaturave,1991–1992 dhe 1992–1996, si dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve gjatë viteve 1992–1994. U prehsh në paqe Mjeshtër!”, shkruan Spiropali.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja thotë se Dhimitër Anagnosti ka lënë pas një trashëgimi të vyer për kulturën kombëtare. Në një postim në rrjete sociale, ministri thekson se ai spikati me një sërë filmash që i dhanë kinemasë identitet dhe madhështi.
"I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të kinematografisë shqiptare, “Nderi i Kombit” Dhimitër Anagnosti!
Një jetë e tërë e përkushtuar artit, ku në karrierën e tij mbi 40-vjeçare ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke lënë pas një trashëgimi të vyer për kulturën kombëtare. Mes tyre spikasin filma që kanë hyrë në kujtesën kolektive si “Lulëkuqet mbi mure”, “Komisari i dritës”, “Plagë të vjetra”, “Në pyjet me dëborë ka jetë”, “Nëntori i dytë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Duel i Heshtur”, “Në shtëpinë tonë” e të tjera vepra që i dhanë kinemasë shqiptare identitet dhe madhështi.
Lamtumirë Mjeshtër!", shkruan Gonxhja.
Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta ditën e sotme të aktorit dhe regjisorit Dhimitër Anagnosti.
Në profilin e tij në Facebook, Begaj shkruan se shqiptarët do të vijojnë të admirojnë punën e vyer të Anagnostit ndërsa nga radhët e njerëzve të shquar, u shkëput një yll.
“Plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput sot një tjetër yll.
Lamtumirë, Dhimitër Anagnosti!
Shqiptarët do të vazhdojnë të magjepsen nga arti yt i madh”, u shpreh Presidenti.
Postimi i Bajram Begajt
Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të skenës shqiptare dhe regjisorit, Dhimtër Anagnosti. Meta shprehet se Anagnosti ka lënë pas një trashëgimi të madhe dhe të vyer, që edhe pse e krijuar në kohë të caktuar historike, do të vijojë të mbetet shembull dhe frymëzim për gjeneratat e ardhshme.
“Në panteonin e kulturës kombëtare dhe artit të kinemasë shqiptare, Artisti i Popullit, Dhimitër Anagnosti, do të mbetet përjetësisht i nderuar mes korifejve më të mëdhenj.
Kineast dhe regjisor i shquar, skenarist e mendimtar, ai na la trashëgim një vepër të ndritur, që do të vazhdojë të frymëzojë gjeneratat e ardhshme, duke u bërë metaforë emblematike e historisë së kinematografisë shqiptare dhe model frymëzues i një brezi krijuesish idealistë e patriotë.
Filmat e Anagnostit, edhe pse të krijuar në një kohë të caktuar historike, falë vizionit e talentit të tij të jashtëzakonshëm, mbeten vepra universale që përcjellin mesazhe të përjetshme dhe gjithmonë aktuale.
Me pikëllim të thellë u shpreh familjes dhe komunitetit të artistëve ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të këtij personaliteti të rrallë të artit dhe kulturës sonë kombëtare, i cili i dha emër e dinjitet kinemasë shqiptare dhe lartësoi identitetin tonë kulturor.
Trashëgimia e tij e vyer do të mbetet një monument i pavdekshëm në kujtesën e kombit.
Të prehet në paqe! I paharruar kujtimi!”, shkruan Meta.
Dhimitër Anagnosti
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të regjisorit Dhimitër Anagnostit. Përmes rrjeteve sociale, kreu i qeverisë e cilëson Anagnostin si babain e kinematografisë shqiptare, ndërsa kujton se si e ka njohur regjisorin e madh.
“Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjizori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult “Lulëkuqe mbi mure” që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart
Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master”,- shkruan Rama.
Profesori Përparim Kabo thotë se me ndarjen nga jeta të regjisorit Dhimitër Anagnosti u shua një institucion arti. Në një reagim në rrjete sociale, Kabo shprehet se iku fanari i madh i 'detit' të filmit shqiptar, ndërsa shton se përulet me respekt për artin që ka lënë pas.
"U shuajt fanari i madh i detit të filmit, filozofi ynë i pelikulës Dhimitër Anagnosti. Sa fat që ishim bashkëkohës me të dhe shijuam artin e tij.” Komisari i Dritës”, ” Dueli i Heshtur”, ” Plagë të Vjetra”, ” Në shtëpinë tonë”, “Malet me blerim mbuluar”, dhe më tej me kryevepra si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrall nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, ” Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka i biri i Abazit”. Mbeti skenar e më tej u kthye në roman një ngjarje shumë interesante titulluar: “Koburja nga Europa”.
Dhimitër Anagnosti ndërtonte figura filmike tejet organike, larg zbukurimeve si fiksion, kombinonte mrekullisht fizionominë dhe karakterin e artistit me tipologjinë dhe tiparet e personazhit. Filmi tij refuzoi deklarimet sepse ai si rrallë kush kombinoi imazhin me lojën, episodin, ngjarjet dhe tërësinë arkitektonike të filmit krejt organikisht.
U shuajt institucioni Dhimitër Anagnosti. Të përunjem me respekt për artin që na fale. Të falënderoj nga zemra për kohën e bisedave, telefonatave dhe mundësisë për një intervistim kur shkruajta shkrimin me titull: “Të faleminderit Anagnosti ynë”. Çfarë boshllëku po lë pas ” Felini” ynë. Deti Jonë nga sot do jetë i trishtuar, malet e jugut diçka do të murmurisin me erën, ullinjtë do të heshtin këtë vjeshtë.
Ndofta tani si shpirt engjëllor, brigjeve të tjera deteve të eterit, sheh gjemitë e Anagnostëve që u nisën deteve dhe s’u kthyen më. Sa e dhimbshme do të jetë që tani e tutje për Rozën, trëndafilin tënd të jetës që nga viti 1965 që e shihnim pranë jush, do e takojmë pa Ty, i paharruari, filozofi i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti.
Me lotë në sy të themi qofsh me dritën e pasosur!
Panteoni i të Mëdhenjëve ju pret asaj bote të paqtë!
MIRENJOHJE, MIRENJOHJE, MIRENJOHJE!", ka shkruar Kabo.
Aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të Dhimitër Anagnostit. Në një postim në rrjete sociale, ai shkruan se ishte mjeshtër i ndërtimit të karaktereve shqiptare.
Ai shkruan se Shqipëria ka pësuar një humbje të madhe, dhe se kinemaja do të jetë e varfër pa të.
“Lamtumirë "diktatori i së bukuŕës", maja e arritjeve artistike të ekranit shqiptar!Lamtumirë mjeshtri i ndërtimit të karaktereve shqiptare! Nuk ka më Anagnost ekrani, nuk ka një të dytë si ai! Shqipëria sot ka pësuar një humbje të madhe, sa e varfër kinemaja pa ty Anagnost! Sa të pasur na e ke lënë dijen për jetën shqiptare! Ngushëllime Roza, Juna, Era!", ka shkruar ai.
Komente
