Profesori Përparim Kabo thotë se me ndarjen nga jeta të regjisorit Dhimitër Anagnosti u shua një institucion arti. Në një reagim në rrjete sociale, Kabo shprehet se iku fanari i madh i 'detit' të filmit shqiptar, ndërsa shton se përulet me respekt për artin që ka lënë pas.
"U shuajt fanari i madh i detit të filmit, filozofi ynë i pelikulës Dhimitër Anagnosti. Sa fat që ishim bashkëkohës me të dhe shijuam artin e tij.” Komisari i Dritës”, ” Dueli i Heshtur”, ” Plagë të Vjetra”, ” Në shtëpinë tonë”, “Malet me blerim mbuluar”, dhe më tej me kryevepra si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrall nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, ” Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka i biri i Abazit”. Mbeti skenar e më tej u kthye në roman një ngjarje shumë interesante titulluar: “Koburja nga Europa”.
Dhimitër Anagnosti ndërtonte figura filmike tejet organike, larg zbukurimeve si fiksion, kombinonte mrekullisht fizionominë dhe karakterin e artistit me tipologjinë dhe tiparet e personazhit. Filmi tij refuzoi deklarimet sepse ai si rrallë kush kombinoi imazhin me lojën, episodin, ngjarjet dhe tërësinë arkitektonike të filmit krejt organikisht.
U shuajt institucioni Dhimitër Anagnosti. Të përunjem me respekt për artin që na fale. Të falënderoj nga zemra për kohën e bisedave, telefonatave dhe mundësisë për një intervistim kur shkruajta shkrimin me titull: “Të faleminderit Anagnosti ynë”. Çfarë boshllëku po lë pas ” Felini” ynë. Deti Jonë nga sot do jetë i trishtuar, malet e jugut diçka do të murmurisin me erën, ullinjtë do të heshtin këtë vjeshtë.
Ndofta tani si shpirt engjëllor, brigjeve të tjera deteve të eterit, sheh gjemitë e Anagnostëve që u nisën deteve dhe s’u kthyen më. Sa e dhimbshme do të jetë që tani e tutje për Rozën, trëndafilin tënd të jetës që nga viti 1965 që e shihnim pranë jush, do e takojmë pa Ty, i paharruari, filozofi i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti.
Me lotë në sy të themi qofsh me dritën e pasosur!
Panteoni i të Mëdhenjëve ju pret asaj bote të paqtë!
MIRENJOHJE, MIRENJOHJE, MIRENJOHJE!", ka shkruar Kabo.
Lajmi kryesor:
Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Arti dhe politika kujtojnë ‘babain’ e kinematografisë: U shua një institucion! Trashëgimia e tij, monument i pavdekshëm
Xh.D/ReportTv.al