‘Lamtumirë zonjë e gazetarisë’, kolegë e miq të hidhëruar për humbjen e Rudina Dervishit

16 Shtator 2023, 19:03| Përditesimi: 16 Shtator 2023, 19:04

  • Share

Gazetarja e njohur e Zërit të Amerikës, Rudina Dervishi është ndarë nga jeta pas një beteje me kancerin e gjirit. Të shumtë kanë qenë reagimet e kolegëve e miqve të gazetares të cilët shprehin ngushëllimet për humbjen e saj. Një ndër kolegët e saj në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj thotë se është i pikëlluar nga humbja e parakohshme e bashkëpunëtores së tij të ngushtë.

“Lamtumirë Rudina Dervishi! Thellësisht i pikëlluar nga humbja e parakohshme e koleges së dashur dhe bashkëpunëtores së ngushtë, Rudina Dervishi. U prehtë në paqe”, shkruan Elez Biberaj.

“Sa herë e kam dëgjuar zërin e Rudina Dervishit, më është kujtuar gjyshi i vdekur. Ai e dëgjonte rregullisht Zërin e Amerikës. Nga sot zërin e këndshëm të Rudinës, fatkeqësisht, më nuk do ta dëgjojmë. Zonja Dervishi ka me kanë kujtim i mirë i fëmijërisë time. Lamtumirë, zonjë e gazetarisë”, shkruan Mirlin Behluli.

“Jam i helmuar nga ky lajm i zi për shoqen dhe kolegen tonë të qeshur dhe zemërbardhë. Rudina e dashur nuk do të telefonojë më, por zërin dhe këshillat e saj do t'i kem përherë në vesh dhe në mendje. Pusho në Paqe, Yll bote! Do të mbetesh gjithmonë e paharruar për mua dhe familjen time...”, shkruan Ilirjan Agolli.

“Ndër njerëzit ma human e shpirtgjanë që kam taku nga mërgata shqiptare në Amerikë, Rudina Dervishi, paska ndrrue jetë! Fytyra ikonë e Zanit t’Amerikës. Pushofsh n’paqe, oj dritë”, shkruan Valbona Xhakja.

“Nga sot e do tutje do të na mungojë zëri i këndshëm përtej Atlantikut! Rudina Dervishi, gazetarja me çerek shekulli kontribut në median dhe gazetarinë shqiptare, ikona e 'Zërit të Amerikës', u nda nga ne fizikisht, për të jetuar në përjetësinë e kohërave përmes veprave e mirësisë së saj. Ngushëllime familjes së saj, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë shqiptarëve që e ndoqën dhe e deshtën gjithë këto vite”, shkruan Sibel Halimi.


Lajmi kryesor:

Ndahet nga jeta gazetarja e njohur e Zërit të Amerikës, Rudina Dervishi


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?