Endri Shabani dhe Adriatik Lapaj

Politikë

Lapaj e ftoi që të heqin dorë të 2 nga mandati, Shabani: S'dua më të bëhem deputet, le të bëhet e afërmja jote, dajën tim nuk e bind dot

22 Korrik, 17:25| Përditesimi: 22 Korrik, 23:22

  • Share

Endri Shabani i është përgjigjur Adriatik Lapajt, i cili ditën e sotme nga selia e "Shqipëria Bëhet" e ftoi që të dy bashkë të heqin dorë nga mandati i deputetit në Qarkun Tiranë, dhe atë ta marrë gruaja më e votuar në listën e hapur të koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet" që garoi në zgjedhjet e 11 majit. 

Përmes rrjeteve sociale, Shabani thotë se deklarata dhe sfida të tilla të shpallura nga Lapaj janë përpjekje të këtij të fundit për të dalë "nga një çorbë që e ka gatuar vetë".

Kreu i "Nisma Thurje" thotë se në asnjë moment nuk ka patur si qëllim pengimin e Lapajt për të marrë mandatin e deputetit në Tiranë, por retorika e tij poltike kontradiktore në publik ka irrituar Zeqir Kordhonin (daja i Shabanit), i cili është ndjerë i përdorur dhe ka vendosur të revokojë dorëheqjen nga mandati i ligjvënësit. 

Sidoqoftë, kreu i "Nisma Thurje" nënvizon se nuk dëshiron më të bëhet deputet dhe zotohet se do të lejojë që mandatin të mund ta marrë Kleana Xhuveli, kushërira e Lapajt e renditur e katërta në listën e mbyllur, pasi partnerja e tij e renditur e 2-ta do të tërhiqet, por thekson se nuk mund të bindë dajën e tij, Zeqir Kordhonin, që të bëjë të njëjtën gjë, që të mund të zbatohet propozimi i kreut të "Shqipëria Bëhet".

Reagimi i plotë i Endri Shabani: 

Një përgjigje për deklaratën e sotme të Z. Adriatik Lapaj

Në mënyrë të përsëritur dhe fatkeqësisht për turpin e “politikës së re”, jam thirrur në një duel publik me mjete të pabarabarta nga Adriatik Lapaj.

Theksoj “me mjete të pabarabarta” sepse shpifja, gënjeshtra, fabrikimi i të vërtetës janë mjete që kanë një epërsi të caktuar mbi atë që nuk di dhe nuk do që t’i përdorë.

Adriatik Lapaj po shpif ndaj meje, po gënjen për mua dhe po përpiqet të fabrikojë një të vërtetë të tijën, duke u përpjekur të dalë i larë nga një çorbë që e ka gatuar vetë.

Unë nuk kam pasur, nuk kam dhe s’kam pse apo si të kem ndonjë qëllim për të penguar Adriatikun të hyjë në Parlament.

E kam bërë të qartë publikisht dhe privatisht me të, se për mua ai, apo kushdo tjetër që ai do (përfshi Greta Ambelin apo Kleana Xhuvelin), mund të shkojë dhe të marrë mandatin.

Nga ana tjetër, ia kam bërë të qartë po ashtu Adriatikut se unë nuk e bind dot dajën tim që të harrojë kërcënimet me jetë, apo dhunën publike dhe mediatike të frymëzuar, në mos porositur, nga Adriatiku.

Përpara se të kalohej në dhunë e kërcënime, Adriatiku është dëshmitar që jam ulur bashkë me të për t’i kërkuar dajës t’i hapë rrugën, dhe nuk ia kemi dalë.

Unë nuk jam Zeqiri dhe as dua të bëj avokatin e tij, por nuk kemi argumente as unë, as Adriatiku për ta bindur që ai të mos i kërkojë hesap Adriatikut për sa i përket fjalës së dhënë.

Kur kemi folur me Zeqirin, ai na ka thënë troç që nuk është politikan dhe premtimet i merr seriozisht. Prandaj edhe e kishte besuar Adriatikun kur thoshte se do të jepte dorëheqjen nëse do të ishte deputet i vetëm.

Kështu si shkuan gjërat, sidomos pas kërcënimeve nga njerëz të partisë së Adriatikut, ai ndihet edhe më i bindur që nuk duhet të dorëzohet përballë presionit, sepse sipas tij, Adriatiku është një gënjeshtar si çdo politikan i vjetër.

Ajo që unë nuk kuptoj është përse Adriatiku kërkon të më bëjë mua përgjegjës për vendimet individuale të dikujt që, po, është i afërmi im, por ka kokën e vet, kur Adriatiku vetë nuk mban përgjegjësi as për familjarët e tij që kërcënojnë në emër të tij.

Unë besoj njësoj si Adriatiku që ai s’ka përgjegjësi për vjehrrin që nuk e kaloi Vettingun. Por nuk është problemi im nëse ai beson që përgjegjësia e dikujt tjetër është e imja – dhe kjo nuk ka ku të rrijë!

Më vjen keq që një lider i ri si Adriatiku nuk merr asnjë përgjegjësi vetë për këtë teatër politik me familjarët, të cilin na e sugjeroi si një “gjetje gjeniale”. Ky truk ekstra-ligjor kishte padyshim risk, sepse varej te vullneti i atyre që pranonin të përdoreshin si “placeholders” (mbajtës rradhe). Prandaj edhe duhej menaxhuar me shumë kujdes.

Megjithatë, do të doja që ky absurd të mbaronte. Dhe personalisht, së bashku me ata familjarë që mendojnë si unë, e kam hapur krahun pa asnjë problem.

Motra e Adriatikut po bëhet deputete sot vetëm sepse njeriu im më i afërt ka pranuar t’ia lirojë vendin asaj.

Ndërsa Adriatikut do t’i lutesha që çfarë ka me dajën, të mos ma kërkojë mua, sepse për më tepër, sado qesharake të duket, dajës tim iu lut ta përfshinte në listë në minutën e fundit, kur nuk gjente dot kandidatë për të mbushur listat.

Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë histori.

As jam deputet dhe as dua më të bëhem deputet.

Këtë e di Adriatiku dhe e dinë të gjithë ata që duhet ta dinë, me gojë dhe me shkrim.

Prandaj, mos më tërhiqni mua në një valle që duhet të mbyllet sa më parë. Jo për mua, por për të shpëtuar sadopak nga fytyra e zhgarravitur tashmë e “politikës së re”!

Ditën e nesërme Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të shpallë emrat e deputetëve fitues të Qarkut Tiranë, vendimmarrje që do t'i japë përgjigje dhe debatit Shabani-Lapaj.

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pitagora dhe Aristofani: 22/07/2025 21:00

    Nuk eshte qudi qe e gjithe lista te behen me rradhe deputet qendrojne nga 1 muaj dhe per 3-4 vjet i bie plot 17 deputet nxjerr ky kualicion duke kerkuar rishikim te ligjit per listat kjo do ishte nje manover politike por Kohet e fundit shume po shikohet se politika dhe deputeti Jane bere vende punesimi per rroga dhe benefite , dikur doli edhe Zoti Gjuzi fitues me loje “shtese” nuk eshte qudi per 3-4 vjet kjo bashkim partiak ti nxjerri mbi 17 deputet a ku di une sa ka lista ne Tirone kjo i jep ligjit nje rishikim pasi nuk parashikohet ky rast unik edhe pse ne fakt perveç partise se Arlind Qorrit partite e reja te tjera deshtuan sepse edhe zoti Agron ishte deputet thjesht priti penalltine politike ! Ndaj kjo histori do zgjase dhe do mbije mbi media e gazeta edhe ne 2026-2027-2028 deri kur mbaron mandati dhe jemi ne 2029 qe Rama tha ju jap pasaporten Tikut me shokë te dalin maleve te Zvicres (ose Zvernecit ) se per nje germe eshte kjo pune ahaha

    Përgjigju
  • A...Zh: 22/07/2025 19:35

    Cfare te thuash, corbe qensh!

    Përgjigju
  • Topet e Kendezit: 22/07/2025 18:34

    Ja ku mori fund dhe endrra e nje nate vere e nje sharlatani nga Saranda qe e ka ngjizur Nik Spahiu qe ne 2012. Su bere dot deputet i LLape. Mandatin ta gezoje Zeqo djali. Do e perdaqesoje miletin me mire se ty

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    9 vite nga reforma në drejtësi, a janë përmbushur pritshmëritë?