Politikë

Punëtori i ndërtimit i rrezikon mandatin/ Lapaj për Report Tv: Do e takoj ‘sy më sy’! Kordhoni pjesë e ‘Thurjes’ së Shabanit, s’kemi konflikte

10 Korrik, 17:29| Përditesimi: 10 Korrik, 18:19

  • Share

Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, më i votuari nga listat e hapura të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet e 11 majit, në qarkun e Tiranës, shprehet se mandati i tij nuk rrezikohet dhe është në mirëbesim të marëveshjes që kanë bërë në koalicion.

Ky ishte reagimi i tij sot për ‘Studio Live’ në Report Tv, për moderatorin Arbër Hitaj, pas lajmit se një prej kandidatëve të listës së mbyllur, Zeqir Kordhoni, ka kërkuar të verifikohet firma e dorëheqjes së tij në KQZ, pasi nuk mbante mend ta kishte hedhur.

Lapaj tha se lista e mbyllur u hartua me familjarë të përfaqësuesve të koalicionit politik, me qëllim që ata të dorëhiqeshin dhe kjo rrugë politike u zgjodh në shenjë proteste për të kundërshtuar Kodin Elektoral që PS-PD miratuan për listat e mbyllura.

Lapaj shpjegoi se Kordhoni është kandidat nga “Nisma Thurje” e Endri Shabanit, me të cilin nuk ka asnjë krisje dhe ky formacion politik vijon të jetë i bashkuar.

“Në këtë betejë kemi hyrë për parimet dhe kemi sjellë një model tjetër. Kemi ndjekur këtë rrugë për të kundërshtuar Kodin Elektoral të famshëm nëpërmjet dorëheqjeve dhe kandiduam në listat e hapura. Zoti Kordhoni është pjesë e listave, te lista e mbyllur u futën familjarë. Do e takoj pa problem fare, sy më sy, janë familjarë tanë, në dijeninë time kanë bërë dorëheqjen. Nuk kam pasur informacion fare për Kordhonin, ai është kandidat i Nismës Thurrje. Mos e keni merak, unë jam në terren. Ne jemi më të fortë dhe më të vendosur se më parë. Çdo qasje e pushtetit për të na penguar nuk funksionon”, tha ai.

Lapaj u shpreh se kjo rrugë kandidimi u zgjodh në mirëbesim, kurse Kordhoni ndodhet shumë poshtë listës për t’u bërë deputet. Ai deklaroi i sigurt se nuk e rrezikon mandatin dhe se këto ishin manovra të pushtetit, pasi janë trembur.

“Nuk rrezikohet mandati im. Zoti Kordhoni është shumë poshtë listës, nuk ekziston ajo. Ai është pjesë e listës së Shabanit. Unë jam në mirëbesim në këtë rast, nëse dikush e trajton ndryshe, do marri përgjigjen si shërbëtor i shtetit. Me zotin Shabani nuk kemi probleme. Nuk më kthejnë dot pas, as me shantazhe, as me kërcënime e ndërhyrje. Në koalicionin tonë gjithçka shkon mirë, nuk ka krisje”, theksoi Lapaj për Report Tv.

Që Lapaj të futet në Kuvend, duhet të refuzojnë mandatin 12 kandidatët e listës së mbyllur. Report TV mësoi ekskluzivisht se një prej emrave, që rezulton se është një punëtor ndërtimi, Zeqir Kordhoni, po reziston dhe është vënë në komunikim me KQZ-në.

Fituese e mandatit të NSHB në Tiranë aktualisht është Ana Dajko, ndërsa më i votuari nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Që ai të hyjë në parlament, duhet që Ana Dajko dhe 11 të tjerët e listës së mbyllur të refuzojnë mandatin, në mënyrë që karrigen e Kuvendit ta zërë lideri i koalicionit. Por, Kordhoni nuk është më i bindur për lënien e mandatit dhe i është drejtuar KQZ-së me një letër me shkrim dore, ku e cilëson veten deputet dhe kërkon kopje të dorëheqjes së tij.

Ora 17:57
Largimi i Duleviç, Lapaj: Nuk mbajmë njeri me forcë, votat i mori partia! S’ka bashkëpunim me PD, nuk më blejnë dot! Unë bukë me kos ha!

 

Adriatik Lapaj u shpreh sot për ‘Studio Live’ se do vijojë misionin politik të nisur me Shqipëria Bëhet dhe se një ditë ata do e drejtojnë Shqipërinë.

Ai komentoi edhe largimet nga partia së fundmi, mes tyre edhe kandidati Azmer Duleviç, inxhinieri elektrik që e humbi mandatin në qarkun e Fierit më 11 maj vetëm për një grusht votash. Lapaj tha se nuk mban njeri me forcë, teksa u kundërpërgjigj me lajmin se po bëhen anëtarësime të reja në parti, mes tyre edhe anëtarë të PS-së.

Ai nënvizoi se ka nisur një tur falenderimesh për votuesit, duke filluar nga Dimali ku morën 15% vota, shifra më e lartë, si dhe në zonat bujqësore ku partia u votua më shumë. Lapaj mohoi bashkëpunimin me PD në të ardhmen, ashtu sikurse nuk e ndalin as shantazhet, kërcënimet apo blerjet nga pushteti.

“Ne do luftojmë dhe punojmë fortë që një ditë të drejtojmë dhe ndryshojmë Shqipërinë. Kemi dëshirën, bindjen dhe idealin të palëkundshëm, një ditë do ta drejtojmë Shqipërinë, një ditë ajo do drejtohet nga ne. Nuk do të kemi bashkëpunim me PD-në. Nuk më shantazhojnë dot, nuk më kërcënojnë dot, nuk më ndalin dot dhe as na blejnë dot. Unë bukë e kos ha në darkë, të jenë të qetë, gjumin e bëj rëhat. Ai parlament atje nuk tregon asgjë”, tha kreu i Shqipëria Bëhet, që pret të jetë deputet i Parlamentit në shtator, pasi është i pari në listën e hapur të Tiranës me më shumë vota, por që të ndodhë kjo duhet të refuzojnë mandatin 12 emrat e listës së mbyllur të koalicionit, ku tashmë një prej tyre, Zeqir Kordhoni, po reziston që ta bëjë.

Por tani duket se ‘plaga’ e largimeve ka prekur edhe partinë e tij, teksa e minimizoi këtë problematikë politike, duke deklaruar se po bëhen anëtarësime të reja, edhe të njerëzve me peshë, por pa dhënë emra. Për kandidatin Duleviç ai tha se në Fier votat i mori partia.

“Kjo është një rrugë e njerëzve të lirë. Nuk i mbajmë dot njerëzit as me dhunë, as me forcë. Nëse mendojnë nëse më ndalin në rrugën time, e kanë gabim. Nuk ka kthim pas. Zoti Duleviç ka marrë 1700 vota, partia i ka marrë votat atje në Fier, 9 mijë vota, ka dhe vota të kandidatëve të tjerë. Kemi anëtarësime të reja, madje edhe nga PS kanë ardhur te partia jonë, njëri është drejtor në Berat”, u shpreh Lapaj.

Gjithashtu komentoi edhe zhvillimet e fundit me aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, mes tyre rastin e Thethit. Kritikoi edhe kryeministrin Edi Rama për ndërhyrjen në kompetencat e bashkive për shkarkimin e drejtorëve, edhe pse theksoi se zyrtarët duheshin shkarkuar, por jo në këtë rrugë.

Lapaj tha se “pasi u mori votën më 11 maj, Rama u prishi ndërtimet banorëve në Theth dhe në zona të tjera të vendit”, duke e bërë përgjegjës politikisht.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Precedent i rrezikshem: 10/07/2025 18:28

    Zoti Zeqir duhet te shkoje ne parlament kjo ben precedent te rrezikshem intimidimi listave ndaj garda nuk duhet te lejoje intimidimin sipas kodit zgjedhor zoti Zeqir ka dale fitues , krijimi precedeenteve te zevendesimit perben rrezik madh kushtetues

    Përgjigju
    • Popo: 10/07/2025 20:56

      Ka fituar po se njef kush haha

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?