Adriatik Lapaj tha sot se Shqipëria Bëhet finalizoi koalicion me Nismën Thurje jo për votat, sepse Endri Shabani nuk mori dot vota për t’u bërë deputet dhe nuk kishte mbështetje sipas sondazheve, por për frymë dhe për të ndryshuar sistemin.
Ai u shpreh se mandatin e koalicionit e ndan KQZ-ja me vendimin e saj, por ai kërkoi që të respektohej marrëveshja dhe mandati të shkonte tek personi që kishte marrë më shumë vota në listën e hapur. Por me zhvillimet e fundit, ai u shpreh i gatshëm që KQZ mos t’i njohë dorëheqjet dhe mandati t’i shkonte zonjës Greta Ambeli.
“Koalicionin me Shabanin e bëmë për frymë, për mesazh kundër sistemit, sepse nga sondazhet dilte se zoti Shabani dhe Nisma Thurje nuk kishte as 0,2%”, tha Lapaj.
Ai shpjegoi edhe se çfarë kërkonte aktualisht pas krizës politike të koalicionit.
“Ne kërkojmë të mos njihen dorëheqjet. Ata mund të jenë bërë pjesë e shantazheve dhe kjo duhet ndaluar. Ne duhet të luftojmë që ato dorëheqje të pranohen, ne nuk luftuam për dajot e zotit Shabanit dhe as për dajot e tjerë. Çfarë të bëjmë tano, t’ia lëmë dajo Zeqirit të zotit Shabani që ta çojë te Rama? Vota duhet të shkojë atje për ku është hedhur, 64 mijë vota, për kandidatët e listës së hapur. Se ku do shkojë mandati do e shohim nesër kur të vendosë KQZ-ja. Ne nuk e kemi problemin me njerëzit e Nismës Thurrje, por me ata që kanë qasje ndryshe. Zoti Shabani kandidoi në Tiranë, donim të merrte sa më shumë vota, nuk i ka marrë, problemi i vet”, u shpreh ai.
Gjithashtu shpjegoi edhe bisedimet me Shabanin, dëshirën e tij për të kandiduar si kryebashkiak i Tiranës dhe për drejtimin e përkohshëm të koalicionit.
“Më ka kërkuar drejtimin për dy vite të koalicionit, më ka kërkuar kandidimin si kryebashkiak të Tiranës, i kam thënë nëse do kandidosh do të mbështes. Ka kërkuar edhe fondin prej 30 mln lekësh për drejtimin politik që do bënte. I kam thënë se do diskutoheshin dhe do vendosej, do pritej edhe certifikimi i zgjedhjeve dhe do diskutoheshin”, tha Lapaj.
Lajmi kryesor:
Lapaj s’ka më shpresë për mandatin: Unë, Shabani e Soko të ikim, ta marrë Greta Ambeli! S’do bëjmë deputet dajo Zeqirin
A.Q/r.k./ReportTv.al