Banorë të fshatrave Drashovicë, Kuç, Beshisht protestuan këtë të shtunë kundër projektit për ujësjellësin e Himarës.
Ata u mblodhën buzë lumit, Shushica, njohur ndryshe si “Lumi i Vlorës” duke kërkuar anulimin e projektit të qeverisë, që parashikon devijimin e ujit të lumit.
“Ndal projekteve tinazare të devijimit të ujit që në burim duke e çuar atë në resortet e Himarës. Askush nuk ka bërë studime e nuk na ka treguar për pasojat për marrjen e ujit. Shushica derdhet në Vjosë ndaj nuk duhet të preket”, tha një banor.
Protesta e banorëve u mbështet nga ambientalistët, të cilët thanë se për ujësjellësin e Himarës po shfrytëzohen “Buronjat e Kuçit”, që aktualisht derdhet në Lumin e Vlorës, e prej tij në Vjosë. Ky projekt thanë banorë dhe ambientalist do të thajë Lumin e Vlorës, që banorët e përdorin për vaditje. Po kështu dëmton ekosistemin e Vjosës, Park Kombëtar i mbrojtur nga shteti.
“Ky ujë i lumit të Vlorës u shërben për banorët. Këtë ujë s’mund ta marrë kryeministri. S’ka mundësi që uji të merret këtu e të çohet në një komunitet tjetër. Lumi I Vlorës nuk duhet të preket! Buronjat e Kuçit nuk do preken. Për të furnizuar Himarën, le të shfrytëzojë qeveria burimet e Borshit”, tha Guri.
Prej 7 muajsh po punohet në fshatin Kuç të Vlorës për shtrirjen e tubacioneve të ujësjellësit të Himarës. Është një investim me vlerë 9. 5 milionë euro i Fondit Shqiptar për Zhvillim dhe Bashkisë së Himarës.