Letërporosia/India sjell një kërkesë të dytë: Prangosni vëllezërit indianë, janë mashtrues

6 Tetor 2019, 07:52| Përditesimi: 6 Tetor 2019, 07:58

  • Share

TIRANË- Në një kohë kur në Gjykatën e Apelit Tiranë ka filluar procesi për ekstradimin në Indi të shtetasit Indian Hiteshkumar Patel,i akuzuar për akuzën e “Mashtrimit me shuma të mëdha”, në Tiranë ka mbërritur një letërporosi e dytë nga India. Drejtësia e këtij vendi mësohet se prej një muaj ka sjellë një letërporosi, ku kërkon arrestimin dhe ekstradimin e dy vëllezërve indianë të quajtur Nitin Sandesara dhe Chetan Sandesara të akuzuar njësoj si kunati i tyre “Hiteshkumar Patel” për “Mashtrim me shuma të mëdha” në dëm të një banke indiane në Dehli, të cilës i kanë marrë 725 milion dollarë.

Materiali i mbëritur në ministrinë e Drejtësisë Shqiptare është përkthyer dhe mësohet se prej një muaji ndodhet në tavolin e prokurorit të Tiranës, Avni Kraja. Gjatë kësaj kohe e deri më sot nuk është bërë asnjë përpjekje për arrestimin e dy vëllezërve Nitin Sandesara dhe Chetan Sandesara, pasi mësohet se ata janë larguar nga Shqipëria në një vend tjetër. Ndërsa kunati i tyre i Hiteshkumar Patel i arrestuar në muajin prill 2019, ka qëndruar vetëm 40 ditë në burg dhe më pas është liruar. Patel i shpëtoi dhe ekstradimin në Indi, pasi gjyqtari i shkallës së parë Gerd Hoxha, vendosi të refuzojë kërkesën për ekstradim. Çështja ndaj Patel vijon të jetë ende “patate e nxehtë” në gjykatën e Apelit Tiranë, ku një trupë gjykuese e kësaj gjykate ka hapur procesin gjyqësor për ekstradimin ose jo të Patel. Hiteshkumar Patel, i cili është kunati i Nitin Sandesares ka lënë ambientet e paraburgimit dhe gjendet në “arrest shtëpie” në Tiranë ku edhe ruhet nga forcat e policisë. Zbutja e masës së sigurisë për 59 vjeçarin që dyshohet të ketë pastruar gjithashtu para, erdhi në përfundim të masës me afat 40 ditor të shpallur nga Gjykata e Tiranës. Nitin Sandesara, pronari i kompanisë farmaceutike që përgjatë 3 viteve ka përvetësuar në Indi gati një miliard dollarë, rezulton të ketë hyrë në vendin tonë në datën 6 shkurt 2018, në orën 13, dhe pikërisht atë ditë ai ka marrë edhe pasaportën shqiptare.

Në kohën që kërkohej në vendin e tij, ai hyn përmes Aeroportit të Rinasit si shtetas indian, qëndron një javë në Tiranë dhe më tej largohet me të njëjtën shtetësi, për t’u rikthyer një vit më vonë, kësaj radhe duke iu treguar autoriteteve në Rinas pasaportën shqiptare. Ndërkohë, i vëllai i tij Chenatkumar Sandesara kishte hyrë në dhjetor të vitit 2017, ndërsa nuk ka asnjë të dhënë se kur ka hyrë në Shqipëri, Diptin Sandesara, gruaja e njërit prej dy vëllezërve që kërkoheshin në vendin e tyre për skandalin financiar të mashtrimit, por që ndërkohë në Shqipëri jo vetëm kishin marrë pasaporta, por njëri prej tyre kishte marrë edhe mandatin e Konsullit të Nderit, duke përfaqësuar Shqipërinë në Nigeri. Në fillim të këtij viti Nitin Sandesara u shpall Konsull Nderi i Shqipërisë në Nigeri, një mandat që ju ndërprerë në mënyrë të menjëhershme nga Ministria e Punëve të Jashtme, sapo plasi skandali i mashtrimit në media. Indianët që u natyralizuan me letra Shqiptarë, ishin përfshirë dhe në listat e zgjedhësve të Njësisë Administrative të Farkës, Nitini dhe Cetankumari kishin përkatësisht numrat 432 dhe 434. Por numri 433 në listën e zgjedhjeve është bashkëshortja e një prej dy vëllezërve. Ajo quhet Diptiben Sandesara.

Ajo ka marrë nënshtetësinë dhe Pasaportën shqiptare në shtator të vitit 2018 disa muaj pas bashkëshortit të saj. I vëllai i saj Patel u arrestua në muajin Prill 2019 në aeroport, ndërsa dyshohet se gruaja mundi të largohej nga Shqipëria. Po kështu bënë dhe dy vëllezërit Sandersara, për të cilët tashmë ka mbërritur në Shqipëri një mandate arresti nga drejtësia Indiane.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?