101 gola në Champions League për Robert Lewandowskin. Fitorja e Barcelonës 3-0 kundër Brest edhe me dopietën e polakut, bëri që sulmuesi të kapte dhe kalonte shifrën jubilare.
Ai shënoi 69 gola me fanellën e Bayern Munich. Polaku shënoi 17 herë për Borussia Dortumund dhe 14 gola për Barcelonën.
"Jam shumë i lumtur, shumë i kënaqur. Më parë, për shumë vite, nuk e mendoja se mund të shënoja 100 gola në Champions League. Fitore 3-0, në fund edhe një gol më shumë nga unë…, jam shumë i lumtur. Kemi luajtur si ekip. Në fund, duke luajtur me durim, arritëm të shënonim dy gola të tjerë në pjesën e dytë.
Pas ndeshjeve ndërkombëtare, ndeshjen e parë në kampionat nuk e luajtëm mirë, por e dimë që duhet të japim 100% që nga minuta e parë në çdo ndeshje. Kemi shumë ndeshje dhe nuk duhet të luajmë gjithmonë me presion, por ta kontrollojmë lojën.
Pedri dhe Casado kanë shumë cilësi. Nuk ka rëndësi kundërshtari apo ku luajmë, gjithmonë duam të fitojmë", tha polaku 36-vjeçar.
Sulmuesi i Barcelonës arrin kuotën e 101 golave në Champions League duke u bërë kështu një nga tre futbollistët e vetëm në historinë e këtij kompeticioni që ka arritur këtë shifër realizimesh, së bashku me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon që janë para tij.