Gjyqtarja Altina Xhoxhaj

Lidhja me PD, Xhoxhajt i del në mbrojtje Avokatja e Popullit

24 Prill 2018, 08:00| Përditesimi: 24 Prill 2018, 08:41

  • Share

Rënia e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, në lakun e Vetingut, duket se ka alarmuar Partinë Demokratike, e cila pasi kundërshtoi nga Tirana në Venecia, për dy vjet me radhë, ligjin për skanimin e gjyqësorit, tashmë po lëviz gurët e fundit, për të shpëtuar njerëzit e saj në drejtësi nga ‘kosa’ e Vetingut.

Në mbrojtje të zonjës Altina Xhoxhaj, gjatë seancës së llogaridhënies para trupës së Vetingut, doli dje Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e emëruar një vit më parë në këtë post nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si një nga kushtet për të hyrë në zgjedhjet parlamentare dhe për të firmosur marrëveshjen politike me kryeministrin Edi Rama.

Zonja Balanca, e cila sipas Kushtetutës duhet të mbrojë të drejtat e popullit shqiptar, ishte për herë të parë e pranishme vetë në një seancë dëgjimore, ku komisioni i bazë i Vetingut arriti në konkluzionin se gjyqtarja Altina Xhoxhaj nuk justifikon pasurinë e saj, duke paralajmëruar kësisoj përjashtimin e saj nga gjyqësori. Balanca deklaroi se e ka njohur Xhoxhajn si një ndër gjyqtaret më korrekte, duke kërkuar që verifikimet të jenë të drejta dhe të sakta.

“E kam njohur Xhoxhaj si një ndër gjyqtaret më korrekte. Verifikimet duhet të jenë të drejta, të sakta. Gjyqtarët kanë të drejtat e tyre dhe ato duhen respektuar. Nuk isha këtu si shoqe e Xhoxhajt, por erdha ta dëgjoj mbrojtjen e saj, pasi e njoh si një person korrekt”, tha Ballanca.  

Prapaskenat  
Prezenca e Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, në seancën për zonjën Xhoxhaj, duket se reflekton një shqetësim të Partisë Demokratike për fatin e gjyqtares. Karriera e zonjës Xhoxhaj në krye të piramidës së drejtësisë në Shqipëri përkon me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike. Një vit pas ardhjes së PD në pushtet në 2005, Altina Xhoxhaj u bë anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 2010.


Avokatja e Popullit Erinda Ballanca

Në vitin 2010, me votat e Partisë Demokratike është emëruar si anëtare në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkaq, bashkëjetuesi i gjyqtares Altina Xhoxhaj, Arben Idrizi, ka qenë sekretar i Përgjithshëm në institucionin e Presidentit të Republikës, gjatë presidencës së Bujar Nishanit.

Për shkak të kësaj afrie me PD, Xhoxhaj ka pasur përplasje jo direkte me mazhorancën aktuale. Pak vite më parë, Altina Xhoxhaj u detyrua të japë dorëheqjen nga trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese, me kërkesë të Kuvendit, kur do të shqyrtohej ankesa e ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për shkarkimin nga ana e mazhorancës aktuale të ish-kreut të ILDKP-s Zana Xhuka.

Asokohe, mazhoranca kërkoi dorëheqjen e Xhoxhajt nga shqyrtimi i kërkesës, pasi ajo ishte bashkëshortja e Sekretarit të Përgjithshëm të Nishanit, në atë kohë, President i Republikës. Xhoxhaj e pranoi kërkesën, ndryshe nga Vladimir Kristo edhe ky i fundit në konflikt interesi pasi kishte të birin që i punonte në Presidencë, për Bujar Nishanin.

Karriera para 2006
Altina Xhoxhaj u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1994. Në vitet 1992-1993 kryen studime të Programit Tempus në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Trentos, Itali. Në vitet 1994-1995 ka punuar juriste pranë Ministrisë së Drejtësisë. Prej vitit 1995 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Gjatë viteve 2006-2010 ka qenë anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2008 merr gradën “Master”në shkencat civile. Në janar të vitit 2013 ka marrë gradën shkencore "Doktor". Në periudhën 1995-2000 ka qenë pedagoge e jashtme në Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Cubi: 25/04/2018 16:22

    Po patjeter qe do ta mbroje ,se i duhet me vone.Bashke nga nje cet cijn,ceta e baba qorrit.

    Përgjigju
    • S.M.: 27/04/2018 18:17

      Gjyqtare politike me kariere ne sherbim te politikes. E pamundur te lejohet te vijoje punen ne sistemin e drejtesise. Keto mbetje te politikes abuzuve duhet te fshihen nga kujtesa e hedhur ne koshin e pastrimit te drejtesise

  • Hasan Pordha: 24/04/2018 10:43

    Kjo duhet te ishte e para qe ti nenshtrohet Vettingut.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?