Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho i ka bërë thirrje mazhorancës që të tërheqin nga seanca ligjin për zonat e Mbrojtura dhe të hapin konsultimin publik me shoqërinë civile dhe Delegacionin e BE.
Në një deklaratë publike për mediat, Xhixho tha se duhet të dëgjohet zëri i ekspertëve të mjedisit, shoqërisë civile dhe banorëve të zonave që mund të preken direkt.
‘Ligji i ri i sjellë në Parlament nuk është gjë tjetër por zgjatim i ligjeve të tjerë të së njëjtës filozofi qeverisëse që frymëzohet, financohet dhe iu shërben interesave të babëzisë kriminale të një grushti oligarkësh.
Me këtë ligj, çdo zonë e mbrojtur mund të kthehet në shesh ndërtimi për t’u shndërruar në resorte, komplekse pallatesh apo biznese që të ushqejnë me pasurinë kombëtare xhepat e tyre edhe të padronëve të tyre në qeveri, në dëm të florës, faunës dhe peizazhit natyror të vendit.
Me këtë ligj, Shqipëria nuk do të ketë më pasuri natyrore të mbrojtura nga shteti. Pasojat e tij do të jenë të pakthyeshme. E njëjta maxhorancë që dy vjet më parë i hapi ditën jeshile grabitjes së portit të Durrësit, apo që më parë shkatërroi Lagunën e Nartës me aeroportin e Vlorës që mund të ndërtohej shumë mirë diku tjetër, sjell për miratim një ligj tjetër që i hap rrugën shkatërrimit të zonave të mbrojtura, në kundërshtim të hapur me rekomandimet e BE.
Delegacioni i BE ka kërkuar sikundër edhe shoqëria civile që komisioni parlamentar të rihapë procesin e konsultimeve “në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse” për ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura, pas draftit të ri të dorëzuar nga qeveria që lejon investimet strategjike brenda tyre.
U bëj sot thirrje kolegëve deputetë të maxhorancës të tërheqin nga seanca ligjin dhe të hapin konsultimin publik me shoqërinë civile dhe Delegacionin e BE. Le të dëgjojmë edhe njëherë zërin e ekspertëve të mjedisit, shoqërisë civile dhe banorëve të zonave që mund të preken direkt.’- tha Xhixho.
Ndërkohë një grup aktivistësh të shoqërisë civile kanë paralajmëruar protestë para Kuvendit, kundër miratimit të Ligjit për Zonat e Mbrojtura.
Lajmi kryesor:
Miratohet ligji për 'Zonat e Mbrojtura', opozita: I hap rrugë investimeve strategjike! PS: Vetëm ndërtime ekologjike! BE: Të zbatohet sipas direktivave tona
M.Q./ReportTv.al