KLOS- Pas marrjes në pyetje, vëllezërit e autorit të krimit të dyfishtë në Klos, Fatmir e Besnik Mjeshtri, janë lënë të lirë. Shtatë herë u shkrep arma e zjarrit pasditen e djeshme nga Fiqiri Mjeshtri, një prej plumbave dhe të fundit, vetes. U qëllua me një pistoletë tip TT, të cilën 39-vjeçari e kishte pa leje.
Mësohet se dy të miturit, Kenado Shira dhe Renado Hasula, njiheshin me vajzën e Fiqiriut, 17 vjeçe, madje e mitura pretendon se përndiqej nga dy bashkëmoshatarët, kryesisht përmes rrjeteve sociale.
Në korrik të këtij viti vajzës iu vodhën dy adresa në rrjetin social Instagram, fillimisht nga Kenado, i cili e shantazhonte dhe kërcënonte se do t'ia bënte publike të gjitha pamjet dhe fotot që kishte në bisedat e rrjetit social. Tre javë më parë është diskutuar dhe sqaruar mes familjeve kjo histori dhe konsiderohej e mbyllur. Pesë ditë para masakrës me tre viktima dhe dy të plagosur, Renado Hasula ka rinisur ta kërcënojë të miturën.
Ajo, tre ditët e fundit nuk është paraqitur fare në shkollë, nga shantazhi dhe kërcënimet. Pas këtij momenti, ajo i tregoi të atit çfarë po ndodhte, teksa ky i fundit ka thirrur të atin e Kenados, Liri Shira dhe vëllain e vetë, Fatmirin, për të sqaruar situatën. Në kafenenë ku janë takuar nisi debati, që përfundoi në të shtëna me armë zjarri.
Në vendin e ngjarjes u gjetën 5 gëzhoja, por u qëllua me shtatë plumba, pasi njëra nga predhat u konstatua më vonë në vendngjarje. Vëllezërit e tij komunikuan me policinë pas krimit për të negociuar me Mjeshtrin, por që pas disa minutash u gjet i vetëvrarë 100 m larg banesës së tij.
Renado ka deklaruar para hetuesve, i pyetur në Spitalin e Traumës, ku ndodhet për mjekim, se do të japë shpjegime në një moment të dytë, duke treguar shkurtimisht historinë që ka përmbajtjen e deklarimeve të të miturës. Babai i tij, Eglantin Hasula ndodhet në reanimacion në gjendje të rëndë dhe në pamundësi për të dëshmuar.
Besnik, Fatmir dhe Fiqiri Mjeshtri
Lajmi kryesor:
Tragjedia me 3 viktima, Report Tv në Klos! Në vendin ku u vra 17-vjeçari vendosen lule! Familja Shira hap dyert e mortit! Banorët: Me fisin Mjeshtri kishin lidhje gjaku
M.Q.//ReportTv.al