Pjesë nga përgjimet dhe Hamza Tola, ish shoferi i Drejtorisë së Burgjeve

Lihet në burg ish shoferi i Drejtorisë së Burgjeve! Si mashtroi qytetarin për certifikatë pronësie: Më jep 3 mijë euro se punoj në Ministrinë e Drejtësisë

17 Korrik 2022, 11:30| Përditesimi: 17 Korrik 2022, 11:54

  • Share

Ish shoferi në Drejtorinë e Burgjeve, Hamza Tola është lënë në burg me kërkesë të SPAK. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka siguruar dosjen se si merrte para duke i premtuar personave të ndryshëm se do t’i mbaronte punë pasi kishte akses dhe njohje në shtet. Një prej rasteve është kur Kastriot Kreku i kërkoi cerfitikatë pronësie dhe Tola premtoi se do ia jepte në këmbim të 3 mijë eurove pasi njihte drejtuesen e Kadastrës Sarandë.

Takimin për herë të parë e kishin në hotelin e Krekut, i cili në dëshminë e tij thotë se i bëri përshtypje Tola sepse interesohej për tokat dhe dokumentet. Në prezantim i kishte thënë se punonte në Ministrinë e Drejtësisë, por kur u interesua, Kreku mësoi se Tola punonte si shofer në Drejtorinë e Burgjeve në Tiranë. Pasi u njohën, nisën të bisedonin për legalizimin e tokës në Sarandë dhe ranë dakord që nëse do të nxirrej leja, mund të hapnin biznes së bashku.

“Nga fundi i muajit korrik 2021 takova një shtetas dhe më thotë që donte një dhomë me qera te hoteli im dhe i thashë që nuk kam dhe e çova përballë te një hotel dhe i thashë që pas tre ditësh mund të vish te hoteli tim.

Më bëri përshtypje sepse ky shtetas interesohej shumë dhe unë nuk i kisha shpjeguar asgjë, por ai interesohej për tokat, për dokumentet në përgjithësi. Që ditën e parë që erdhi në Borsh, darkën e hëngri te hoteli tim dhe aty filluam diksutonim dhe unë i shpjegova problemin që kisha. Ky shtetas mu prezantua si Hamza Haxhi Tola, i datëlindjes 13.12.1968 dhe më tha që punonte te Ministria e Drejtësisë dhe nuk ma tha pozicionin e se ku ishte, por kur u interesova e mësova që punonte si shofer në Drejtorinë e Burgjeve, në Tiranë. Pasi vajtëm te toka dhe e pamë të dy së bashku, Hamza Tola më siguroi që për këto toka do më nxirrte lejet që unë interesohesha dhe të dy ne ose fëmijët tanë mund të hapnin një biznes së bashku", thuhet në dëshmi.

Megjithatë Tola i dha siguri se do ia zgjidhte problemin me tokën dhe i kërkoi 3000 euro për disa shpenzime që duheshin për legalizimin. Në fund të shtatorit të vitit 2021 i tha se e kishte gati dhe i kërkoi që të paraqitej tek legalizimet për të bërë kërkesë për pajisje me certifikatë pronësie. Fillimisht i kishte dërguar 2000 euro dhe më pas i kërkoi shifrën 1000 euro në mënyrë urgjente duke i thënë se kishte problem dhe do bëhej kontroll tek ASHK Sarandë. Kjo shkaktoi debat mes tyre dhe prishje të marrëdhënies, aq sa Kastriot Kreku nuk është pajisur ende me certifikatë pronësie.

Hamza Tola më tha që problemin e tokës e kisha të mbaruar dhe realisht kështu ndodhi, ky shtetas më kërkoi që ka disa shpenzime për të legalizuar shtëpinë dhe më kërkoi 3,000 Euro dhe unë i dhashë 2,000 Euro dhe në fund të shtatorit, 2021 e përfundoi lejen e legalizimit. Unë mendova se pagesa prej 2,000 Euro ishte që unë s'kisha për të kryer më pagesa dhe Hamza Tola më tha që ik te legalizimet se e ke gati dhe merr faturat për të bërë pagesën. Kur vajta te legalizimet, mora faturat dhe vajta te banka dhe paguajta rreth 400,000 Lekë dhe u pajisa me lejen e legalizimit, të cilët pas 30 ditësh bëra kërkesë për tu pajisur Certifikatë Pronësie. Në datë 06.10.2021 unë bëra aplikimin për tu pajisur me certifikatë pronësie.

Tola më tha që njihjte drejtoreshën e ASHK-së Sarandë dhe më tha që kam folur me drejtoreshën, me shtetasen Aida Demi. Problemi qëndronte se Hamza Tola filloi të më kërkonte lekë të tjerë dhe me tha me duhen 1,000 Euro dhe mi kërkoi urgjentisht dhe unë ia dërgova këto lekë me Moneygram dhe këto Euro ia nisa shtetasit Ervis Gjuzi-t, i cili ishte shoku i ngushtë i Hamza Tolës. Këto leke mua mu kthyen nga Moneygram sepse ishte mbi limitin që kishte kompania, por pas 3 ditësh me ËesterUnion i dërgova 500 Euro shtetasit Ervis Gjuzi-t, për t'ia dhënë Hamza Tolës dhe shtetasi Hamza Tola ma konfirmoi që i mori këto lekë.

Kur u ktheva në Shqipëri, në fund të nëntorit, të vitit 2021 unë takova Hamza Tola dhe vajta te shtëpia e tij në Tiranë dhe më bëri përshtypje se më tha që kishte një problem dhe do bëhet kontroll te ASHK Sarandë dhe do të bënin kontroll, pra kjo ishte si një presion nga ana e tij për të treguar fuqinë që kishte. Unë fillova të debatoja dhe i prishëm marrëdhëniet dhe me tha nuk do ta marrësh me Certifikatën e Pronësisë sepse ai kishte lidhje me drejtoreshën e ASHK-së Sarandë. Që në moment që marrëdhënia jonë u prish, e vërteta është se unë nuk u pajisa me Certifikatën e Pronësisë dhe ky problem është edhe sot dhe unë nuk jam po pajisem dot”, thuhet në dëshminë e Krekut.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?