Materniteti i Fierit

Lindi foshnjën në moshën 16-vjeçare, zbardhen detaje nga ngjarja e Mallakastrës! U zbulua pasi e mitura shfaqi komplikacione, ‘babai’ në kërkim

12 Shtator, 14:52| Përditesimi: 12 Shtator, 15:00

  • Share

Mallakastër- Zbardhen detaje nga ngjarja tronditëse e ndodhur në Mallakastër, ku një vajzë e mitur, vetëm 16 vjeçe, ka sjellë në jetë një foshnjë para katër ditësh (e hënë 9 Shtator).

Mësohet se nëna e re e ka lindur fëmijën në Qendrën Shëndetësore të Fratarit dhe më pas për shkak të komplikacioneve të shfaqura është dërguar nga familja në Maternitetin e qytetit të Fierit.

E mitura sipas dëshmive të mbledhura, e ka kryer lindjen e asistuar nga infermierja dhe mjeku i qendrës, por më tej shfaqi probleme shëndetësore dhe u dërgua bashkë me foshnjën e sapolindur në maternitet. Aty është raportuar dhe referuar informacioni edhe në Policinë vendore, e cila për shkak të Kodit Penal dhe ligjit, nisi menjëherë verifikimet dhe hetimet (rast i ngjashëm me 14-vjeçaren në Korçë).

Pas verifikimeve rezultoi se vajza kishte pasur marrëdhënie seksuale me një 31-vjeçar nëntë muaj më parë, fryt i të cilës dyshohet se është edhe fëmija. Policia konfirmoi se tani ka shpallur në kërkim të riun me inicialet B.H., për kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitura. Policia po e heton si abuzimin seksual për shkak të moshës së vajzës.

Tani e mitura dhe foshnja mësohet se gëzojnë shëndet të plotë pas ndihmës mjekësore, por rasti ka tronditur mjekët e Maternitetit, të cilët referuan ngjarjen në polici. Në kohën e ngjarjes vajza rezulton se ishte vetëm 15 vjeçe dhe në deklarime ka pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me dëshirë. Nëna e saj ka qenë në dijeni dhe ka ndjekur shtatëzaninë deri në dërgimin në spital.

Mjekët thanë se e mitura është shtatvogël dhe foshnja e saj lindi me peshë 2,3 kg. Psikologë të Komisariatit dhe Maternitetit të Fierit po asistojnë qëndrimin dhe marrjen në pyetje të vajzës, që gjithashtu do hetohet bashkë me familjarët për faktin se nuk kanë treguar më herët apo raportuar.

Kështu e parashikon edhe procedura e Kodit Penal për të tilla raste.

E mitura u ka treguar fotot e 31-vjeçarit efektivëve të policisë, si dhe identitetin e tij, por nuk ka dhënë sqarime të hollësishme duke kërkuar kohë për t’u qetësuar. Në deklarimet e para e ëma e vajzës ka thënë se nuk do ta mbajë foshnjën, madje ka kërkuar të largohen bashkë me vajzën, duke e lënë vogëlushen e sapolindur në maternitet.

Por stafi mjekësor i ka kërkuar të presin për të dërguar foshnjën në një qendër të posaçme për foshnjat e sapolindura në Tiranë. Aty do të qëndrojë për 40 ditë. Nëse edhe pas kësaj kohe fëmija nuk pranohet nga familja, do dërgohet në një institucion kujdesi.

E mitura jeton me të ëmën, vëllanë 19-vjeçar dhe gjyshin në Fratar të Mallakastrës, ndërsa i ati është emigrant në Greqi. Nëna mungon në pjesën më të madhe të kohës në shtëpi, pasi punon si kujdestare për një të moshuar.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?