Nënkryetari i PD-së, Enkeleljd Alibeaj ka reaguar pas lirimit të 4 personave të akuzuar për nxjerrjen e të dhënave personale të 694 mijë qytetarëve. Me një deklaratë për mediat Alibeaj akuzoi se pas këtij vendimi të Gjykatës së Tiranës qëndron kryeministri Edi Rama që, sipas tij, po mbron 'krimin e vet për vjedhjen e zgjedhjeve'.
"Vendimi i sotëm i gjykatës për të liruar 4 personat e akuzuar për nxjerrjen e të dhënave personale të shqiptarëve është dëshmi e qarte se Edi Rama po mbron krimin e vet për vjedhjen e zgjedhjeve. Është gjithashtu e qartë, se vendimi tregon se segmente te drejtësisë mbeten nen ndikimin direkt te Edi Rames dhe i shërbejnë pushtetit të tij të vjedhur. Vendimi i sotëm, në thelb, vulos me pafajësi një nga krimet më të mëdha të Edi Ramës në lidhje me zgjedhjet dhe një nga skandalet me të mëdha të kësaj qeverie në lidhje me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave personale të qindra mijëra shqiptarëve", tha Alibeaj.
Sipas tij, autorët e publikimit të këtyre të dhënave janë Rama dhe vartësit e tij. Alibeaj tha se që prej publikimit të këtij skandali, kryeministri ka tentuar ta zvogëlojë atë, teksa e akuzon se 'ka futur duart në sistemin e drejtësisë'.
"Vendimi i sotëm i gjykatës është dëshmi e qarte se autoret e publikimit të të dhënave, përfshire dhe atë të patronazhisteve janë kryeministri dhe vartësit e tij. Nuk ka asnjë shpjegim juridik apo logjike normale që të justifikoje gjykimin në gjendje të lirë për 4 personat qe kryen krimin, i cili i ka shërbyer para së gjithash, Edi Ramës. Të dhënat e kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetarëve u vodhën për të vjedhur zgjedhjet! Ato janë pjesë e skemës kriminale të patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit, në shërbim të pushtetit personal të një njeriu të vetëm, Edi Ramës. Që në fillim të shpërthimit të skandalit, Edi Rama u përpoq ta zvogëlojë përmasën e skandalit, ndërsa sot, me tentakulat e tij në sistemin e drejtësisë, doli hapur dhe liroi 4 personat, që akuzohen zyrtarisht për publikimin e të dhënave. Shqiptarët e kanë të qartë se krim nuk është vetëm publikimi i të dhënave! Krim është mbledhja e këtyre të dhënave që prekin sigurinë e qytetarëve për qëllime elektorale. Partia Demokratike dënon ndërhyrjen flagrante te Edi Ramës në vendimin për të liruar vartësit e tij dhe për të mos i shkuar deri në fund skemës kriminale të patronazhimit përmes vjedhjes së të dhënave personale të shqiptarëve. Me taksat e tyre, shqiptarët kanë paguar në 8 vjet qeverisje të Edi Ramës, 160 milionë euro me qëllimin e vetëm që të dhënat e tyre të jenë të sigurta. Me Edi Ramën në krye të qeverisë nuk ka asgjë të sigurt: as vota nuk është e sigurt, as puna, as siguria në familje. Një kryeministër që keqpërdor dhe tradhton qytetarët për pushtetin e vet personal duhet të ishte sot para drejtësisë!", shtoi Alibeaj.
Lajmi kryesor:
Për Gjykatën e Tiranës vjedhja e rrogave të 694 mijë qytetarëve s'është skandal! Gjyqtari pa vetting, Artan Gjermeni liron të arrestuarit! 2 punonjësit e Tatimeve bëhen bashkëpunëtorë të drejtësisë
//ReportTv.al