Lirimi i 3 policëve të Kosovës, Rama: Lajm i mirë, por i vonuar, s'lejojmë një ‘Donbas’ ballkanik në zemër të Europës! Begaj: Palët t'i kthehen dialogut

26 Qershor 2023, 11:18| Përditesimi: 26 Qershor 2023, 16:17

  • Share

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, nga Brukseli, ku d të zhvillojë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel ka reaguar për lirimin e tre policëve të Kosovës, që u rrëmbyen nga forcat serbe rreth 12 ditë më parë. Në një reagim në ‘Tëitter’, Rama shkruan se lirimi i tre policëve të pafajshëm është një lajm i mirë ndonëse i vonuar. Ky veprim, sipas Ramës i hap rrugë de-eskalimit të situatës dhe rikthimit të dy palëve në dialog.

"Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi  mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë", shkruan kryeministri.

Në takimin qe do të zhvillojë me Michel, Rama thotë se do t’i përcjellë shqetësimet e tij lidhur me situatën kritike në rajon. Për t’i dhënë fund këtyre tensioneve, Rama shkruan se do t’i propozojë Michel që me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, të mbahet një konference pa afat kohor mes Kurtit e Vuçiçit, me dyer të mbyllura, dhe të përmbyllen të gjitha pikat e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Sapo kemi mbërritur në Bruksel, ku pas pak do të takohem me Presidentin e Këshillit Europian, mikun e çmuar të Shqipërisë dhe rajonit tonë, Charles Michel. Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit.

Sipas kryeministrit shqiptar, Kurti e Vuçiç i kanë kthyer kurrizin dialogut dhe janë fokusuar tek politika e brendshme e retorika nacionaliste. Rama thekson se duhet bërë çmos që të mos lejohet një ‘Donbas’ ballkanik mu në zemër të Europës, e palët të reflektojnë e t’i kthehen planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve. Degradimi i situatës në veri, sipas Ramës do i kushtonte jo vetëm Serbisë dhe Kosovës, por të gjithë rajonit, i cili do bënte hapa pas. Prandaj, kreu i qeverisë thekson se Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë.

“Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin. Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një “Donbasi” ballkanik mu në zemër të Europës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht.

Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri,  mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare.

Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë, sepse do të ishte një çmenduri që paqja e brishtë që kemi ndërtuar përgjatë këtyre viteve, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, të rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike, duke na rihedhur të gjithëve jashtë rrugës së integrimit europian, në fuçinë e vjetër të barutit në mes të Europës", shkruan Rama.

Edhe presidenti Bajram Begaj ka përshëndetur lirimin e tre policëve, ndërsa kërkon që palët t'i rikthehen dialogut. Reagimi pati edhe nga radhët e opozitës. Ilir Meta e Jorida Tabaku kërkojnë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. 

Ora 13:44
Lirimi i 3 policëve të Kosovës, Begaj: Uroj kthim sa më të shpejtë të efektivëve dhe palëve në tryezë dialogu

1686755404_bajrambegaj.jpg

Presidenti Bajram Begaj ka përshëndetur lirimin e 3 policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga Serbia.

“Përshëndes lirimin e tre policëve të Kosovës.

Uroj kthim sa më të shpejtë e efektiv të palëve në tryezën e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së dakordësuar në Bruksel dhe Ohër.”- shkruan Begaj

Ora 13:03
Lirimi i tre policëve, Meta: I jap rrugë rikthimit tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë

1686571756_meta.jpg

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për lirimin e tre policëve të Kosovës, që ishin rrëmbyer nga forcat serbe. Meta shkruan se lirimi hap rrugë rikthimit tek dialogu me normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

"Lirimi i tre policëve të Kosovës, edhe pse i vonuar, është një veprim pozitiv, që i dha fund një akti tepër të rëndë provokativ. Rikthimi tek dialogu dhe finalizimi i marrëveshjeve të negociuara përmes BE dhe SHBA është rruga e vetme për normalizimin përfundimtar të situatës dhe të marrëdhënieve Kosovë- Serbi", shkruan Meta. 

Ora 12:22
Lirimi i 3 policëve, Berisha: Vendim në drejtimin e duhur! Ka shpresë për zbatimin e planit franko-gjerman nga Kosova dhe Serbia

1687775019_gfgar.JPG

Ish kryeministri Sali Berisha ka komentuar lirimin e 3 policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia.

“Lirimi vendim në drejtimin e duhur, por zbardhja dhe ndëshkimi i organizatorëve të këtij akti. Nga ana tjetër u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës se marrëveshja e mirë, është interesi më i madh i Kosovës dhe popullit shqiptar. Marrëveshja nuk i intereson Vuçic dhe Serbisë. Ndaj në këtë kuadër, ka shpresë se në kuadër të planit franko-gjerman të arrihet një marrëveshje që fillimisht do të sillte një normalizim të marrëdhënieve, e më pas njohjen. Por unë jam po këtu për të dënuar ndërhyrjen e Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës.”- thotë Berisha.

Ora 11:47
Lirimi i 3 policëve të Kosovës, Tabaku: Hap pozitiv, dialogu e vetmja mënyrë që Kosova të njihet nga Serbia

1687428811_tabaku.jpg

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar për lirimin e 3 policëve në veri të Kosovës. Tabaku thotë se është hap pozitiv.

“Lirimi i 3 policëve të Kosovës të mbajtur në burg jashtë çdo logjike ligjore është hap pozitiv. Dialogu me mbikëqyrjen e partnerëve tanë strategjikë është rruga e vetme drejt normalizimit deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Ballkani ka nevojë të gjejmë gjuhën e dialogut dhe jo gjuhën e vjetër të konfliktit dhe luftës. Rruga e përbashkët e Ballkanit Perëndimor është drejt BE. I detyrohemi kaq në respekt të së djeshmes dhe të ardhmes!”- thotë Tabaku.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Miço: 26/06/2023 13:51

    Bravo gjigand!Zoti Rama je i pa pare e detyrove Vuçiçin te dorzohet para teje bravo!

    Përgjigju
  • Jona: 26/06/2023 12:59

    Vendim i duhur qe do te sjelle shuarjen sadopak te konfliktit midis ketyre dy shteteve

    Përgjigju
  • Ema: 26/06/2023 12:56

    Vendim mese i nevojshem per ata police sepse ishin te pafajshem

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?