Ambasadorja amerikane Yuri Kim e cilëson ‘zhgënjyese’ lirimin nga burgu të ish ministrit Saimir Tahiri, i cili do të kryejë në shtëpi pjesën e mbetur të dënimit, 1 vit e 8 muaj. Në një reagim në Facebook, Kim thotë se vendimi që u dha sot për Tahirin është mënyrë e vjetër e sistemit të drejtësisë që nuk ndëshkon dhe privilegjon disa persona.
Një mesazh duket se jep edhe për prokurorët e gjyqtarët duke thënë se do kenë pasoja veprimet e atyre që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve për të ndihmuar miqtë e fuqishëm. Yuri Kim kujton edhe njëherë se SHBA e konsideron korrupsionin si kërcënim thelbësor të sigurisë shqiptare dhe duhet të refuzohet nga Shqipëria, vend aspirant për t’u bërë pjesë e BE.
“Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirantëve të BE-së dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare. Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve - për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm - duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”, shkroi Yuri Kim.
Ndërkaq kreu i grupit të PD-së, Gazmend Bardhi e konsideroi ' turp për drejtësinë' lirimin nga qelia e Saimir Tahirit për të kaluar pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi, që sipas tij nxit thellimin e korrupsionit të abuzimit me pushtetin.
Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha ka një tjetër arsye për lirimin e Saimir Tahirit. Sipas tij ish ministri i Brendshëm u lirua pas ultimatumit që i vuri Ramës se do të zbërthente lidhjet e tij me bandat.
Për ish kreun e PD Lulzim Basha, edhe një i dënuar që ishte në burg për shpërdorim detyre u lirua duke i dhënë goditje shpresave të rinisë për drejtësi. Ai tha se për t’i dhënë fund kësaj çfarë ndodh në politikë, dhe për të ndaluar angazhimin e njerëzve të korruptuar, duhet të realizohet vettingu.
Nga sot ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi dhe jo në një nga qelitë e burgut të Kosovës në Lushnje ku po vuante dënimin me 3 vjet e 4 muaj dhënë në muajin shkurt 2022. Vendimi për lirimin me kusht është marrë sot (2 qershor 2023) nga gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Matilda Fetahu e cila pranoi kërkesën e bërë nga avokatët e Tahirit, pesë muaj më parë. Kështu Saimir Tahiri u lirua nga burgu një vit e 8 muaj para përfundimit të dënimit "për shpërdorim detyre".
Shkak për vendimin u bë një raport i mjekësisë ligjore që shkruante se bashkëshortja e ka të pamundur për shkak të gjendjes shëndetësore dhe se ish-zyrtari i lartë do të kujdeset për dy fëmijët e mitur. Kështu Saimir Tahiri rifiton lirinë pas gati 16 muajsh në qeli. Dënimin e mbetur do ta kalojë në shtëpi dhe sipas vendimit të Gjykatës, mund të lëvizë nga banesa vetëm “për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare kur Shërbimi i provës është dakord”.
Lulzim Basha ka reaguar për lirimin e Saimir Tahirit duke thënë se është goditje për shpresat e rinisë për drejtësi. Në një takim me të rinjtë demokratë tha se duhet bërë patjetër vettingu i politikanëve në mënyrë që të mos ketë abuzime me pushtetin.
"Vetingu i politikanëve. Edhe një që ishte i dënuar doli nga burgu. Ndërkohë vazhdon çështja në SPAK, për “shpërdorim detyrë”, goditje për shpresat e rinisë për drejtësi.Vetingu njësoj si në drejtësi dhe polici, politikanët të jenë subjekt i holluar për pasurinë dhe të afërmit e tyre. Duhet të merret vesh kush është i korruptuar, kush është peng dhe tek kush.
Me fakte dhe jo me fjalë. Vetingu i politikanëve duhet bërë.
Edhe një politikan i zgjedhur me votë nga qytetarët nuk do të abuzojë me pushtetin, por do të qëndrojë sipas mandateve, 2 mandate që të arrijë axhendën që ka marrë votën e qytetarëve. Tre propozime që kthejnë fuqinë tek vota juaj. Jo bojkot, por të keni mundësi të flisni me votë. Rinia të flasë me votë. Gjëja e parë që të garantohet kjo është që ju të dëgjoheni', tha Basha.
Sali Berisha ka reaguar për lirimin nga burgu të Saimir Tahirit.
Saimir Tahiri u lirua me urdhër të Edi Ramës me ultimatumin që i çoi se është dita e durimit, përndryshe do zbërthej të gjitha lidhjet e Olsit dhe Edit me bandat që nga Meksika deri në Afrikë të Jugut. Kështu që është një urdhër direkt i Edi Ramës. Saimir Tahiri ia dha këtë ultimatum botërisht. I keni parasysh deklaratat e tij. Më në fund ai arriti ta mposhtë Edi Ramën, i cili tani është i ngërthyer në aferën McGonigal. Po bën lobimin më të fuqishëm, por nuk do të shpëtojë dot me gjithë angazhimin e Soros dhe miqve të tij. Unë kam bindjen se drejtësia amerikane do i tregojë vendin këtij korruptori të McGonigal.'- tha Berisha.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar për lirimin e Saimir Tahirit. Ai shkruan se ky vendim i marrë nga Gjykata e Elbasanit ishte politik.
"Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të mbahet mend si ministri kampion i Edi Ramës që garantojë paprekshmërinë e grupeve kriminale, thellojë bashkëpunimin e shtetit me to dhe si kurrë më parë me leje shtetërore mbushi vendin me kanabis, duke favorizuar fuqizimin e krimit të organizuar.
Lirimi para kohe me kusht i tij është një tallje e drejtësisë me drejtësinë. Ndërsa qytetarët shqiptarë presin nga drejtësia e re ti jepet fund pandëshkueshmërisë, zyrtarët e lartë të korruptuar përfitojnë nga vendime gjyqësore thellësisht politike, që i shndërrojnë dënimet e tyre në qesharake.
Abuzuesit e pushtetit duhet të vujanë të plotë dënimin e tyre, pa asnjë favorizim politik dhe duke u trajtuar të barabratë me cdo qytetar tjetër. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e konsideroj vendimin e sotëm politik të Gjykatës së Elbasanit një turp të drejtësisë dhe si një nxitje për thellimin e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin."- shkruan Bardhi