Sylvinho dhe Armando Broja

Sport

LISTA/ Nisin 'ethet' e Kombëtares, Bare dëmtohet sërish! Brruti risi, Sylvinho 'lutje' Evertonit për Brojën

14 Mars, 11:51| Përditesimi: 14 Mars, 14:42

  • Share

Mungon vetëm ndonjë detaj, pasi Sylvinho e ka gati listën për grumbullimin e parë në kualifikueset e Botërorit 2026. Kombëtarja e futbollit luan kundër Anglisë më 21 mars në Londër dhe tre ditë më vonë në Tiranë mbërrin Andorra, teksa tanët kërkojnë të bëjnë një nisje të mbarë në Grupin K kualifikues, kjo për të harruar dështimin në Ligën e Kombeve.

Braziliani i stoli vjen edhe këtë herë me risi, duke afruar në ekip mesfushorin e Malishevës, Etnik Brrutin. Djaloshi ishte kapiten i Kosovës U-21 dhe kalimi te Shqipëria pati jo pak polemika nga ana tjetër e kufirit (imagjinar).

Ndërkohë, mësohet se Keidi Bare i Real Zaragozës e kishte një ftesë për t'u rikthyer në ekip, por mesfushori ka pësuar një dëmtim në Spanjë dhe nuk pritet të jetë i gatshëm.

Veç tij edhe Broja, Tuci dhe Hysaj nuk duket se do jenë gati për ndeshjet e marsit, ndërsa shqetësojnë edhe Ismajli dhe Manaj. Dilemë është afrimi i Brojës, pasi duket se sulmuesi po kryen stërvitje të plotë dhe Everton mund ta përfshijë në listën e fundjavës për në Premier League. Nëse merr minuta, Broja mund të thirret edhe nga Sylvinho, me vetë trajnerin që ka kontaktuar klubin nga Liverpooli.

E shtuna e 15 marsit të jetë dita kur Sylvinho do zyrtarizojë listën me emrat kuqezi.

Lista me emrat e mundshëm që mund të jenë pjesë e Kombëtares në mars:

Në portë: Thomas Strakosha, Alen Sherri, Elhan Kastrati, Simon Simoni

Mbrojtja: Arlind Ajeti, Naser Aliji, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj

Mesi i fushës: Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Etnik Brruti, Qazim Laçi, Medon Berisha, Nedim Bajrami

Sulmi: Taulant Seferi, Ernest Muçi, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Anis Mehmeti, Myrto Uzuni?, Mirlind Daku

Në dyshim nga lëndimi: Ardian Ismajli, Rey Manaj?

Lista e pritjes: Mario Dajsinani, Arinaldo Rrapaj, Andi Hadroj, Edison Ndreca, Amir Abrashi

Të dëmtuar: Armando Broja, Indrit Tuci, Elseid Hysaj

Ora 13:14
FOTO/ Everton 'nxjerr provat', Armando Broja stërvitje të plotë! Shpreson Sylvinho


Armando Broja prej disa javësh tanimë po merr ngarkesën e duhur fizike te Everton. Pas dëmtimit të 9 janarit në kyçin e këmbës së djathtë, Broja ka qenë jashtë dhe nuk ka marrë asnjë minutë në ndeshjet zyrtare.

Sulmuesi i Kombëtares duket në formë dhe sipas informacioneve nga mediet angleze, trajneri David Moyes po e konsideron për ta pasur në fundjavë të paktën në stol për përballjen kundër West Ham (e shtunë 16:00).

Lajm i mirë ky edhe për stafin e Kombëtares që e dëshiron sulmuesin për dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026, kundër Anglisë më 21 mars në Londër dhe Andorrës më 24 mars në Tiranë.

Nëse Everton vendos ta grumbullojë Brojën, gjasat janë që edhe Sylvinho ta bëjë një gjë të tillë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?