Primoz Roglic merr fanellën rozë pas Etapës së Dytë të 'Giro d'Italia', Tiranë 10 maj

Sport

Mbyllet Etapa e Dytë e 'Giro d'Italia' në Tiranë, Joshua Tarling vendos kohën më të mirë dhe futet në histori! Roglic merr fanellën rozë

10 Maj, 13:24| Përditesimi: 10 Maj, 18:07

  • Share

TIRANË - "Karvani rozë" mbylli të ashtëquajturën 'garën kundër kohës' në Etapën e Dytë të "Giro d'Italia" të zhvilluar në Tiranë më 10 maj. Joshua Tarling u fut në histori duke u bërë çiklisti më i ri që ka fituar në garë kronometri, duke qenë ndër të tjera edhe debutues.

Çiklisti Joshua Tarling ka vendosur kohën më të mirë duke u shpallur fitues në kronometër, garë që ishte debutuese për të. Distancën prej 13.7 kilometrash britaniku 21-vjeçar e përshkroi për 16 minuta e 07 sekonda duke lënë pas me një sekondë pretendentin kryesor për të fituar këtë etapë të kronometrit, sllovenin Primoz Roglic.

Megjithëse i dyti, Roglic ka mundur t'i "rrëmbjë" fanellën rozë Mads Pedersen, fituesit të Etapës së Parë. Pavarësisht një sprinti në kilometrin e fundit dhe një performance të shkëlqyer në provën kohore, Mads Pedersen e humbi fanellën rozë ndaj Primoz Roglic me vetëm 1 sekondë.  

Joshua Tarling - Joshua Tarling (21 vjeç, 2 muaj dhe 25 ditë) bëhet fituesi më i ri në moshë i garës me kohëmatës në historinë e Giro-s. Ai mund Romeo Venturellin; 21 vjeç, 5 muaj dhe 11 ditë, fitues në Sorrento në vitin 1960. Pas Tarling u rendit Roglic me një sekonde pas, Jay Vine me tre sekonda pas, Affini me gjashtë sekonda, Vacek me gjashtë, Hoole me tetë, Pedersen me 12, Hayter me 14 dhe Ayuso me 17 sekonda pas.

Ndërkohë sa i takon fanellës rozë është Primoz Roglic që ia ka marrë Mads Pedersen, fituesit të Etapës së Parë. Në total Roglic ka kohën 3:52:32, për të lënë një sekondë pas Mads Pedersen.

Renditja e përgjithshme - 1. Primoz Roglic (Red Bull - Bora - Hansgrohe) – 2. Mads Pedersen (Lidl-Trek) 1 sekondë pas – 3. Mathias Vacek (Lidl-Trek) 5 sekonda pas.

Ndarja e fanellave:

Primoz Roglic do jetë mbajtësi i fanellës rozë për Etapën e Tretë (e diel në Vlorë), Mads Pedersen atë çiklaminë, Sylvain Moniquet fanellën blu dhe Mathias Vacek atë të bardhë.

Etapa në kryeqytet - Etapa e Dytë në Tiranë nisi në orën 13:25 dhe ishte kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga i biri, Zaho, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si edhe nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, që valëvitën flamurin e nisjes së çiklistit të parë.

Incidentet - Në garën e nxehmjes një qytetar kaloi rrugën pranë "Myslym Shyrrit" dhe një çiklist në rrugë u përplas me të. Ndërhyrja e policisë qetësoi gjithçka, me çiklistin që nuk pësoi lëndime. Ndërkohë gjatë garës Lucas Plapp u rrëzua pranë "Arenës Kombëtare" duke humbur sekonda të vlefshme në garë.

Nën një mot të ngrohtë, mijëra qytetarë dhe turistë e kthyen Etapën e Dytë në një festë për kryeqytetin shqiptar, teksa gjatë gjithë itinerarit pati duartrokitje nga kureshtarët për këtë event që për herë të parë po zhvillohet në vendin tonë në edicionin e 108-të. Nesër (e diel, 11 maj) zhvillohet Etapa e Tretë dhe e fundit në tokën shqiptare, me Vlorën që pret kampionët e çiklizmit.

Etapa e Tretë e "Giro d'Italia"

11 Maj / Vlorë - Vlorë

Xhiro do të nisë rreth orës 13:15, nga Lungomare, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në rrugën “Demokracia”, nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë itinerarin drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparos, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas do të kthehen nga Qafa e Llogarasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet Rrugës “Murat Tërbaçi” do të kthehen në Vlorë. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:26 në Rrugën “Sadik Zotaj”.

Komentet e rëndësishme:

17:15 - Pavarësisht një sprinti në kilometrin e fundit dhe një performance të shkëlqyer në provën kohore, Mads Pedersen e humbi fanellën rozë me 1 sekondë. Fanella rozë i takon Primoz Roglic.  

17:14 - Çiklisti Joshua Tarling ka vendosur kohën më të mirë. Distancën prej 13.7 kilometrash britaniku 21-vjeçar e përshkroi për 16 minuta e 07 sekonda. Mbyllet Etapa e Dytë.

17:00 - Fanella rozë, e mbajtur nga fituesi i Etapës së Parë, Mads Pedersen; është i fundit që niset në garën e kronometrit.

16:57 - Wout Van Aert del në rrugë i veshur me fanellën çiklamine.

16:33 - Primoz Roglic nuk e kalon dot Terling dhe renditet me një sekondë pas. Slloveni e mbylli me kohën 16'08''.

16:22 - McNulty përfundon i 5-ti me 16'20", 13 sekonda pas Tarling. Kampioni amerikan humbi shumë kohë në pjesën e dytë, pjesën më të shpejtë të pistës.

18:08 - Tani emrat e mëdhenj po vijnë njëri pas tjetrit, i radhës është Adam Yates (UAE Team Emirates-XRG).

15:54 - Vendi i 8-të për Arensman, 22 sekonda pas Tarling. Një performancë e mirë nga piloti holandez, i cili me shumë mundësi nuk e ka gjetur ende formën e tij më të mirë.

15:46 - Britaniku Joshua Tarling merr kreun me kohën 16:07 (tre sekonda më shpejt se Vine).

15:11 - Jay Vine merr drejtimin me kohën 16 minuta e 10 sekonda (i ekipit Emirates-XRG), 3 sekonda më shpejt se Affini.

15:00 - Australiani Lucas (Luke) Plapp i skuadrës 'Team Jayco–AlUla' u rrëzua pranë stadiumit "Arena Kombëtare". Asnjë dëmtim për çiklistin që humbi kohë në garën e kronometrit, paçka se vijoi garën me biçikletë të re.

14:50 - Vetëm dy sekonda e ndajnë liderin e përkohshëm të garës me kohëmatës, Affini, nga Dan Hoole.

14:25 - Kampioni evropian i ITT-së, italiani Edoardo Affini merr kreun me kohën 16 minuta e 13 sekonda. Mesatarja 50.7 km/orë për Affinin, i cili mori kryesimin në garën kohore të Tiranës.

13:59 - Pasi 13-të çiklistët e parë arritën në vijën e finishit, Hayter e mbylli i pari me kohën 16 minuta 21" sekonda dhe është në krye, i ndjekur nga Tratnik (4 sekonda pas) dhe Zijlaard (18 sekonda pas). Entuziazëm i madh në Tiranë përgjatë itinerarit, mijëra njerëz në rrugë duartrokitën garuesit.

13:55 - Jan Tratnik (Red Bull-Bora-hansgrohe) është në vendin e dytë, vetëm 4 sekonda pas Hayter.

13:54 - Natë e qetë për Mikel Landën, i cili pësoi një frakturë të vertebrës së njëmbëdhjetë torakale gjatë Etapës së Parë. I shtruar në spital në Tiranë, spanjolli do të largohet nesër nga Shqipëria për t'u kthyer në shtëpi.

13:49 - Hayter (Soudal) përfundoi me kohën 16'21", me një shpejtësi mesatare pak mbi 50 km/orë dhe përkohësisht kryeson renditjen e sprovave me kohëmatës.

13:45 - Të shumtë janë qytetarët dhe turistët që kanë dalë në rrugët e Tiranës për të ndjekur këtë Etapë.

13:25 - Gjermani Märkl sapo ka nisur udhëtimin dhe tani nisjet do të pasojnë me çdo çiklist.

13:25 - Nis Etapa e Dytë e "Giro d'Italia" e cila i takon kronometrit dhe forcës pedaluese të çiklistit. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga i biri, Zaho, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si edhe nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, kanë valëvitur flamurin e nisjes së çiklistit të parë.

Të dhënat e Etapës së Dytë dhe itinerari:

Terreni - Etapa e dytë e 'Giro d'Italia', një garë kohore tërësisht urbane u zhvillua përgjatë rrugëve të gjera të Tiranës të lidhura me kthesa U. Në pjesën qendrore, një ngjitje e shkurtër për në Sauk klasifikohet si 'ngjitje malore' (matja e ndërmjetme ndodhet në të njëjtin pozicion). 2 km e fundit që përkojnë me etapën e ditës së mëparshme. 3 km e fundit e sheshtë. 500 metrat e fundit ishin të drejta dhe krejtësisht të sheshta mbi asfalt me ​​gjerësi 8 metra.

Itinerari - Gara nisi nga Sheshi “Skënderbej” rreth orës 13:25, në drejtim të Bulevardit “Gjergj Fishta”, në rrugën "Muhamed Gjollesha", pastaj nëpërmjet Bulevardit “Bajram Curri” drejt sheshit “Nënë Tereza”, në Rrugën e “Elbasanit” drejt Saukut, u rikthye në Bulevardin “Bajram Curri”, nga Ura e Brrylit drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tek Sheshi “Nënë Tereza”, ku rreth orës 17:15 përfundoi xhiroja.

Ora 17:10
Giro d'Italia/ Kalimtari futet në rrugë pranë 'Myslym Shyrrit', çiklisti e përplas dhe rrëzohet (VIDEO)

Një tjetër incident është regjistruar në etapën e dytë të “Giro d’Italia” që po zhvillohet në Tiranë. Pranë 'Myslym Shyrrit' një çiklist u përplas me kalimtarin në rrugë.

Ky i fundit kaloi rrethimin për të kaluar në krahun tjetër të rrugës. Ndërhyrja e policisë ishte e menjëhershme, duke ndaluar kalimtarin që theu rregullat.

Ora 16:38
VIDEO/ Gianni De Biasi ndjek 'Giro d'Italia' në Tiranë

Gianni De Biasi, ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit (2011-2017) ndodhet sot në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" ku po ndjek nga pranë Etapën e Dytë të "Giro d'Italia". Trajnerit italian nuk mund t'i humbiste ky shans për një vizitë në Shqipëri. Pamjet u siguruan nga gazetari Ernest Koçi.

Ora 15:06
Çiklisti Lucas Plapp rrëzohet pranë stadiumit 'Arena Kombëtare'


Australiani Lucas (Luke) Plapp i skuadrës 'Team Jayco–AlUla' u rrëzua pranë stadiumit "Arena Kombëtare". Asnjë dëmtim për çiklistin që humbi kohë në garën e kronometrit, paçka se vijoi garën me biçikletë të re.

Ora 14:13
VIDEO/ Kryeministri Rama bën nisjen e Etapës së Dytë të 'Giro d'Italia'

Duke filluar nga ora 13:25 nisi Etapa e Dytë e "Giro d'Italia" e cila i takon kronometrit dhe forcës pedaluese të çiklistit, nga sheshi 'Skënderbej' në Tiranë. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga i biri, Zaho, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si edhe nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, kanë valëvitur flamurin e nisjes së çiklistit të parë.

Ora 13:12
VIDEO/ Me Lindën dhe Zahon, kryeministri Edi Rama ndjek 'Giro d'Italia' nga sheshi 'Skënderbej'

TIRANË - Një orë nga nisja e Etapës së Dytë të "Giro d'Italia" në Shqipëri, kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda dhe djali i vogël, Zaho, janë parë në sheshin "Skënderbej" në Tiranë.

Duket se numri një i ekzekutivit ka shfrytëzuar heshtjen zgjedhore dhe ka zgjedhur të shikojë nga pranë çiklistët botërorë me Etapën e Dytë që zhvillohet në Tiranë dhe nis në orën 13:55 nga sheshi "Skënderbej", për të vijuar në disa rrugë dhe Bulevarde të kryeqytetit.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju është dukur fushata zgjedhore?