Etapa e Tretë e 'Giro d'Italia', Vlorë - 11 maj 2025 - Festa e Mads Pedersen

Sport

'Giro d'Italia' mbyll garën në tokën e 'Shqiponjave', Etapën e Tretë në Vlorë e fiton Mads Pedersen dhe rikthen fanellën rozë

11 Maj, 13:23| Përditesimi: 11 Maj, 17:59

  • Share

VLORË - Mads Pedersen i skuadrës Lidl u shpall fitues i Etapës së Tretë të "Giro d'Italia", zhvilluar të dielën e 11 majit me nisje dhe përfundim në Vlorë. 160 kilometrat me terren kodrinoro-malor, danezi 29-vjeçar i përshkoi për 3 orë, 49 minuta dhe 10 sekonda, me sprintin final që ishte deçiziv.

Pedersen, i cili fitoi edhe Etapën e Parë të Shqipërisë para dy ditësh; edhe në Vlorë fitoi me "foto-finish" duke rikthyer sërish fanellën rozë vetëm 24 orë pasi e humbi në garën e kronometrit në Tiranë (Etapa e Dytë).

Me fanellën rozë garën e sotme e nisi Primoz Roglic që nuk mundi të renditet mes dhjetë më të mirëve për çështje sekondash. Ndërkohë që pas fituesit Pedersen u renditën Corbin Strong, Orluis Aular, Brandon Rivera dhe Edoardo Zambanini. 10 italianë në 15 çiklistët më të mirë.

Mads Pedersen - Pedersen kthehet të marrë fanellën rozë dhe me 52 fitore në karrierë bëhet çiklisti danez më i suksesshëm i të gjitha kohërave. Mads Pedersen është gjithashtu atleti i parë danez me 2 fitore në 'Giro d'Italia'.

Fanella rozë dhe ngjyrat e tjera për garën e radhës në Itali (Leçe, 13 maj)

Mads Pedersen rikthehet të rrëmbejë fanellën rozë me dy gara të fituara në tre Etapat e Shqipërisë. Danezi ka kohën totale 7 orë, 42 minuta dhe 10 sekonda, duke lënë pas Primoz Roglic me vetëm 0.09 sekonda dhe Vacek me 0.14 sekonda.

Fanellat Rozë dhe Çiklaminë janë për Pedersen, por çiklisti i cili u rendit i dyti do e mbajë atë Çiklaminë në garën që vjen për shkak të rregullit që të katërta fanellat duhet të jenë në garë dhe një çiklist nuk mund të mbajë veshur dy të tilla. Fanella Blu shkoi për Lorenzo Fortunato, ngjitësi malor më i mirë. Mathias Vacek merr fanellën e Bardhë, për të riun më të mirë nën 26 vjeç.

Kështu, "Giro d'Italia" i jep fund tre etapave në Shqipëri për edicionin e 108-të, aty ku në Durrës, Tiranë dhe Vlorë kanë qënë mijëra qytetarë që kanë parë nga pranë garën e famshme të çiklizimit. Veç garës, vendi ynë mori edhe një vëmendje botërore pasi "Giro d'Italia" transmetohet në më shumë se 200 televizione të botës, me më shumë se 800 milionë teleshikues që panë bukuritë e vendit tonë.

Tanimë Giro do rikthehet në Itali, aty ku në Leçe më 13 maj do vijojë Etapa e Katërt.

Komentet e rëndësishme:

17:19 - Pedersen fiton me sprint në Vlorë. Dopietë për danezin pasi fitoi edhe Etapën e Parë Durrës - Tiranë. Corbin Strong (Israel-PremierTech) dhe Orluis Aular (Movistar) mbetën pas.

17:19 - 'Giro d'Italia' mbyll garën në tokën e 'Shqiponjave', Etapën e Tretë në Vlorë e fiton Mads Pedersen dhe rikthen fanellën rozë.

17:01 - Aksioni i Fortunatos dhe Bilbaos mbaroi. Grupi i vogël që po i ndiqte, me Roglic dhe Pedersen, i arriti dhe tani pelotoni po garon së bashku. Jemi 15 km larg vijës së finishit në Vlorë.

16:58 - 18 km kanë mbetur! Fortunato dhe Bilbao u rikuperuan, grup "kompakt" deri në fund. Emocione për fituesin.

16:53 - 20 kilometra nga fundi, Pello Bilbao dhe Lorenzo Fortunato vetëm 15 sekonda para grupit.

16:41 - Fortunato merr fanellën blu pasi ishte i pari që kaloi Qafën e Llogarasë. Pas tij Pello Bilbao, pastaj Hamilton dhe Tonelli. Tani vjen zbritja e gjatë dhe shumë teknike drejt pjesës së fundit të garës. Grupi është 30 km larg vijës së finishit. Grupi është 36 sekonda prapa.

16:31 - Roglic dhe Pedersen janë në krye të grupit, i cili është rreth dyzet sekonda pas liderëve, të cilët tani janë Bilbao, Hamilton dhe Fortunato. Tonelli largohet.

16:12 - Nis ngjitja e Qafës së Llogarasë.

16:04 - De Bondt shpon gomën, por nuk ka më shpejtësinë për të kapur pesë çiklistët e parë. Tani lë pesë para tij. De Bondt bashkohet përsëri me grupin.

15:51 - Problem mekanik i padëmshëm për Egan Bernal, i cili ndërroi biçikletën.

15:42 - Engelhardt (Jayco Alula) pësoi një shpim të gomës ndërsa po udhëhiqte grupin. Epërsia e gjashtë kryesuesve të parë vazhdon të ulet dhe 65 km para fundit është 1 minutë e 40 sekonda. 

15:26 - 2'40" avantazhi i të shkëputurve, Tarling praktikisht mbetet në krye të klasifikimit të përgjithshëm.

15:12 - Njihuni me Hamilton, një prej kryesuesve. Chris Hamilton (Team Picnic PostNL): Australiani, i lindur në vitin 1995 është ende në kërkim të fitores së tij të parë si profesionist. Si alpinist, ai iu afrua shumë kësaj në Bagno di Romagna në Giro d'Italia 2021, i mundur nga Vendrame dhe më pas në disa raste të tjera në Vuelta a España, gjithmonë me arratisje në distanca të gjata. Profesionist që nga viti 2017, ai gjithmonë ka garuar me Picnic PostNL.

14:58 - Midis gjashtë kryesuesve, i vetmi në renditje është Tarling, fituesi i garës kohore të djeshme, 1'34" para Roglicit që mban fanellën rozë.

14:45 - Fillon ngjitja e Qafës së Shakellës (kategoria e 4-t, 5.3 km me 4.2% pjerrësi). Kilometri i fundit i kësaj ngjitjeje është veçanërisht i vështirë, me një pjerrësi mesatare prej afër 9%, por duke pasur parasysh kontekstin aktual të garës, nuk duhet të shkaktojë shumë dëme. 100 km deri në fund.

14:37 - Gjashtë liderët ruajnë një ritëm të qëndrueshëm, ndërsa grupi sheh rritje të diferencës: 3'10" me 100 km të mbetura. 

14:24 - Midis gjashtë çiklistëve kryesorë, një nga më aktivët është Joshua Tarling, fituesi i garës kohore të djeshme. Alessandro Tonelli gjithashtu pranë. Grupi po udhëton shumë pas midis 2'45" dhe 3 minuta. 

14:18 - Kur Etapa e Tretë kishte një orë nga nisja, një dhi doli në rrugë dhe për pak aksidentoi çiklistët. Për fat asnjë incident dhe gara vijoi.

13:55 - Situata është e përcaktuar mirë në krye, ku katër çiklistë janë në krye: Germani (Groupama), Tarling (Ineos), Donovan (Pro Cycling Team) dhe Hamilton (Picinc PostNL). Grupi është 1 minutë prapa, por në mes kanë dalë dy kundërsulmues, De Bondt (Dekathlon) dhe Tonelli (Polti), 30 sekonda prapa kryesuesve.

13:45 - 15 km të përshkruara. Situata është ende në zhvillim e sipër, 4 kryesuesit mbajnë një epërsi prej 25″ ndaj De Bondt dhe Tonelli, ndërsa është në rritje diferenca me pelotonin.

13:39 - 4 çiklistë ndodhen në krye. Ata janë Joshua Tarling (Ineos Grenadiers), Lorenzo Germani (Groupama-FDJ), Mark Donovan (Q36.5) dhe Chris Hamilton (Picnic PostNL).

13:33 - Menjëherë disa sulme nga çiklistët. Në 3 km e parë rruga ngjitet pak, kështu që menjëherë ka mundësi për një ndryshim. Ngjitja e parë e klasifikuar si GPM do të arrijë vetëm pas 60 km garë.

13:29 - Çiklistët mbërrijnë në kilometrin 0, nis zyrtarisht gara.

13:21 - Ayuso kërkoi ndihmë në fillim të ecjes për të ndryshuar rrotën e përparme. Operacioni u krye shpejt dhe spanjolli u kthye menjëherë në grup.

13:18 - Pjesëmarrje e madhe nga qytetarët në rrugë, duke e kthyer ditë feste në qytetin e flamurit.

13:18 - Nis në Vlorë Etapa e Tretë e "Giro d'Italia" me prezencën e 182 çiklistëve. Dy daljet e vetme nga gara erdhën nga përplasja në fazën e parë, me Mikel Landa (Soudal-QuickStep) dhe Geoffrey Bouchard (Decathlon AG2R La Mondiale) që u detyruan të ngrinin 'flamurin e bardhë'.

Itinerari - Xhiro nisi rreth orës 13:15, nga Lungomare, ku u bë nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arritën në KM 0, në rrugën “Demokracia”, nga ku do të startoi gara. Sportistët vijuan itinerarin drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparoit, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas u kthyen nga Qafa e Llogarasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet Rrugës “Murat Tërbaçi” përfunduan në Vlorë në orën 17:19.

Terreni - Një skenë e gjallë me një fillim dhe fund shumë të ngushtë. Rruga ishte në thelb një unazë mali rreth 'Majës së Qores' (mbi 2000 m e lartë në buzë të detit). Më pas "karvani rozë" udhëtoi në juglindje përgjatë luginës së Lumit Shushicë në rrugë të gjera e të rrjedhshme.

Në det u arrit nëpërmjet Qafës së Shakellës, ku filloi një segment prej mbi 40 km rrugë bregdetare me kthesa dhe ngjitje e zbritje të shumta deri në ngjitjen e Qafës së Llogarasë prej rreth 11 km me pjerrësi mbi 7%. Pasoi një zbritje e shpejtë për në Vlorë. 3 km e fundit ishin bregdetare, praktikisht të sheshta me ndryshime të shkurtra drejtimi për të lidhur disa rrugë të drejta. Pistë e fundit prej 1200 m në asfalt me ​​gjerësi 8 m.

Ora 14:23
Dhia futet mes çiklistëve në Etapën e Tretë të 'Giro d'Italia' në Vlorë (VIDEO)

Në orën 14:18, kur Etapa e Tretë kishte një orë nga nisja, një dhi doli në rrugë dhe për pak aksidentoi çiklistët. Për fat asnjë incident dhe gara vijoi.

Momente frike në 'Giro d'Italia 2025' gjatë etapës së tretë shqiptare. Rreth 120 km nga vija e finishit, ndërsa grupi po përballej me ashpërsinë e maleve, një dhi u nda nga tufa e saj që po kulloste në livadhin buzë rrugës dhe papritmas hyri në karrexhatë duke i prerë rrugën grupit që po kalonte në atë moment me mbi 60 km në orë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria votoi për Kuvendin e ri, si ju duk procesi i votimit?