Kombëtarja shqiptare e futbollit ka 'ndezur motorët' për në Euro 2024. Kuqezinjtë e Sylvinhos do zhvillojnë dy teste miqësore, i pari kundër Kilit në Parma këtë të premte (20:45) dhe kundër Suedisë më 25 mars në Stockholm (19:00).
Tanimë ekipi ndodhet në Parma dhe nga stadiumi "Ennio Tardini" trajneri Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë dalë para gazetarëve për konferencën zyrtare para ndeshjes me Kilin.
Trajneri tha se Manaj dhe Broja mund të luajnë në një formacion pasi kanë karakteristika të ndryshme, teksa mendja është në dy ndeshjet e radhës dhe jo në Euro 2024.
"Nesër do jetë një stadium i mbushur me shqiptarë dhe do jetë ndeshje e bukur. Nuk e kemi mendjen te Euro 24, ne po flasim për dy ndeshjet e radhës. Për ne nuk ka miqësore. Kili vjen me emra të rëndësishëm, mos harrojmë se kanë luajtur nëntë herë në Botëror, kanë fituar dy Kupa të Amerikës Latine. Janë mësuar të luajnë me ekipet më të mëdha në botë. Ndeshen me Italinë, Brazilin apo Argjentinën. Për mua si amerikano-latin është një ndjesi e bukur.
Manaj dhe Broja mund të luajnë të dy? Po, mund të luajnë në një formacion sepse kanë karakteristika të ndryshme. Është një moment i veçantë, Manaj vjen për herë të parë me mua, Hoxha po, Broja kthehet nga dëmtimi dhe Muçolli është interesant. Kemi edhe Alen Sherrin në portë sepse Berisha ka pasur probleme me dëmtimin. Në futboll mund të ndodhë gjithçka dhe mund të luajmë në shumë mënyra, pra Manaj dhe Broja mund të jenë në një formacion.
Përvoja te Shqipëria? Kam qenë asisteni i Tite me Brazilin dhe ka qenë një mësim për mua. Fakti që kam punuar me një kombëtare më ka shtyrë që të punoj me një kombëtare. Është ndryshe krahasuar me klubet, ka shumë lojtarë, ndryshime dhe filozofia është ndryshe. S'mund të flas për situatën që ka çdo lojtar me klubet e tyre, unë dua që të luajnë. Te Interi krah Mancinit ka qenë përvojë që e vlerësoj, ai është një fenomen.
Momenti të vlerësojmë të gjithë futbollistët, në sensin pozitiv. Edhe ata që nuk janë i kemi në konsideratë. Mujën, Dakun, Gjasulën, të gjithë. Nuk e mbaj mendjen te lista finale, askush nga ne nuk mendon për listën. Është momenti për Kilin dhe Suedinë", tha Sylvinho. Trajneri vlerësoi edhe lojtarët e Kilit, duke thënë se janë shumë të mirë dhe i njeh gjithë bota.
Kapiteni Berat Gjimshiti shton motivin në ekip, duke thënë se kanë shanse të surprizojnë edhe Italinë në grupin B të Euro 2024.
"Për ne që kemi shumë kohë që po luajmë në Itali, populli shqiptar do të na përkrahë, do të jetë shumë bukur. Sigurisht që Italia është kombëtare që ka historinë e vet, gjithmonë është aty. Ne kemi një frymë shumë të mirë dhe lojtarë me cilësi. Ekipi është në rrugën e duhur, pse të mos bëjmë surprizën ndaj Italisë, pse jo?!
Ne nuk mendojmë për Europianin, mendojmë vëtëm për dy miqësoret, që janë të rëndësishme.
Alexis Sanchez? Emër i madh, ka bërë karrierë për t’u respektuar, karrierë të bukur. Një lojtar me shumë cilësi, i nivelit botëror. Duhet ndihma e ekipit për ta ndalur, por të ndalim gjithë ekipin e Kilit, jo vetëm një lojtar.
Mbrojtja? Nuk është vetëm Ismajli dhe Kumbulla, në mbrojtje është edhe Mihaj. Nuk është problem se kush luan në mbrojtje. Ne flasim një gjuhë dhe është trajneri që vendos se kush luan. Rivalët? Si sulmi dhe mbrojtja janë të rëndësishme, duhet të punojmë bashkë sepse këto lidhen. Ne mbrojmë dhe sulmojmë si ekip. Janë dy aspekte që na bëjnë mirë për të përballuar rivalët.
Superiorja? Është zhvilluar shumë futbolli në Shqipëri. Skuadrat kanë provuar të ndërtojnë diçka në kompeticionet europiane. Nuk është aq e thjeshtë, në botë ka shumë talente, por duhet më shumë puna se talenti. Ka shumë shqiptarë që e duan dhe jetojnë për futbollin. Shpresoj që të rinjtë të bëhen më të mirë se ne. Ta çojnë Shqipërinë në futboll sa më lart, kjo është më e rëndësishmja”, tha kapiteni.
Në konferencë të shumtë kanë qenë gazetarët nga Italia dhe Amerika Latine, me formën e mirë të kuqezinjve që ka shtuar interesin e medieve të huaja për Kombëtaren.
Kujtojmë se kuqezinjtë do kenë edhe dy miqësore në qershor, pak ditë para nisjes së "Gjermani 2024". Në grupin B të Europianit tanët kanë rivalë emra si Italia, Spanja dhe Kroacia. Euro 2024 nis në 14 qershor dhe finalja luhet më 14 korrik.