Përkundër dy përgënjeshtrimeve se nuk i ishin bllokuar llogaritë bankare, Federata shqiptare e futbollit doli zbuluar, teksa mori pjesë në seancën e parë gjyqësore, në procesin kundër Përmbarimit. E përfaqësuar me juristin Aldi Topçiu, Federata në nisje të seancës paraqiti të njëjtat dokumente që kish publikuar më parë në media, se transaksionet bankare të lekëve të UEFA-s i kishte bërë në llogari zyrtare të Klubit të Tiranës.
“Si ka mundësi që federata bëhet pjesë e transfertave të parave? Ajo është thjeshtë distrubutore. Ajo vetëm t’ia kalojë klubit paratë që vijnë nga UEFA dhe të drejtat televizive. Nuk ka asnjë të drejtë që t’i shpërndajë paratë sipas mënyrës që ajo mendon,”-deklaroi Arben Hakani, avokat i familjes Seferi.
Ndërkohë përmbaruesi i hedhur në gjyq nga FSHF, pas bllokimit të llogarive thotë se Federata asnjëherë nuk i ka vendosur në dispozicion transaksionet bankare që ka bërë me klubin e Tiranës.
“Kontraditat mes palëve janë të forta për shkak se ne kemi kërkuar herë pas here informacion në lidhje me fondet që klubi i Tiranës kishte për të marrë nga Tirana por asnjëherë nuk na janë vendosur në dispozicion,”-u shpreh Altin Latifi, përmbaruesi.
Seanca e radhës në procesin ku FSHF ka paditur përmbaruesin për bllokimin e lologarive bankare do të mbahet me 14 dhjetor. Llogaritë e federatës shqiptare të futbollit vijojnë të jenë të bllokuara që prej datës 10 nëntor, për shkak se përmbaruesi kërkon të ekzekutojë një vendim që detyron klubin e Tiranës të paguajë një gjobë mbi 600 milion lekë për ish-presidentin Metush Seferi, nëpërmjet të ardhurave që derdhen në klubin kryeqytetas nga federata.
Lajmi kryesor:
Llogaritë e FSHF-së mbeten të bllokuara, gjyqi i radhës më 14 dhjetor! Ekspertët në Report Tv: Duket se s'ka 'dritë në fund të tunelit'! Avokati i familjes Seferi: Federata jep lekët sipas qejfit
Ne.k./ReportTv.al