Lloji i ri i koronavirusit/ Shtohet lista e shteteve që ndalojnë fluturimet me Britaninë e Madhe! Kaos në Londër për avionin e fundit drejt Dublinit

21 Dhjetor 2020, 09:10| Përditesimi: 21 Dhjetor 2020, 15:07

  • Share

Pas Italisë, Holandës, Belgjikës, Gjermanisë dhe Austrisë, shtohet lista e shteteve që kanë bllokuar fluturimet me Britaninë e Madhe, pas njoftimit se është shfaqur një lloj i ri i koronavirusit, deri në 70% më i transmetueshëm se i pari.

Franca u bashkua me Irlandën, Italinë, Hollandën, Belgjikën, Austrinë, Bullgarinë, Gjermaninë, Finlandën dhe Danimarkën në ndalimin e të gjitha fluturimeve që transportojnë pasagjerë drejt Britanisë për të paktën një periudhë 48 orëshe.

Izraeli, Turqia, Maroku, Kuvajti, Arabia Saudite dhe El Salvador më vonë ndoqën shembullin e tyre, ndërsa presioni po shtohej natën e kaluar në Shtetet e Bashkuara për të marrë masa pasi kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se Kanadaja po vendoste një ndalim 72-orësh të udhëtimeve me Mbretërinë e Bashkuar.

Aeroporti Heathrow i Londrës ishte në kaos natën e kaluar ndërsa qindra pasagjerë mezi po prisnin fluturimin e fundit për në Dublin disa minuta para ndalimit të udhëtimit.

Boris Johnson do të kryesojë një takim të komitetit të urgjencës së Qeverisë Cobra sot pasi shumë vende fillimisht në Evropë dhe më pas në të gjithë botën njoftuan se po ndalonin fluturimet nga Britania e Madhe, pas zbulimit të koronavirusit të ri.

Varianti i ri i COVID, i zbuluar pak ditë më parë në Britaninë e Madhe ka ngjallur frikë në Europë, duke sjellë kështu dhe pezullimin e udhëtimeve. Zyrtarët shëndetësorë thonë se nuk ka ende asnjë provë që tregon se varianti i ri është më vdekjeprurës, ose do të reagonte ndryshe ndaj vaksinave. Varianti i ri i koronavirusit u identifikua më 13 dhjetor në komunën e Kentit në Anglinë e jugut dhe analizat fillestare të shkencëtarëve qeveritarë çojnë përfundimin se ky virus “po përhapet më me shpejtësi se variantet ekzistuese”.

Ora 16:00
Greqi, karantinë nga 3 në 7 ditë për të gjithë ata që vijnë nga Britania e Madhe

Për shkak të shfaqjes së variantit të ri të COVID-19 shumë shtete kanë ndërprerë fluturimet me Britaninë e Madhe, megjithatë Greqia nuk ka vendosur anulimin e plotë të fluturimeve por ka ndryshuar masat. 
Zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas ka lajmëruar ditën e sotme se i vetmi ndryshim qe do të bëjë Greqia ne raport me zhvillimet e fundit pandemike në Angli është zgjatja e karantinës së personave të cilët vijnë nga Britania e Madhe nga 3 në 7 ditë. 


"Në vendin tonë, nga ora 6 e këtij mëngjesi, kushdo që vjen nga Mbretëria e Bashkuar duhet të vetë-izolohet për 7 ditë dhe jo për 3 ditë ashtu sikurse kërkohet për ata të cilët vijnë nga territore të tjera. Një komitet ekspertësh nga Ministria e Shëndetësisë do të vlerësojë më gjerë të dhënat shkencore dhe do të përgjigjet me rekomandime të mëtejshme”, tha Stelios Petsas, zëdhënës i qeverisë greke.

Gjithashtu, çdo pasagjer I cili vjen nga Britania I kërkohet të ketë një tampon me rezultat negativ për COVID-19. 

Ora 11:04
Mutacioni i COVID-19, Maqedonia e Veriut ndalon fluturimet me Britaninë e Madhe

Ministria e Shëndetësisë se Maqedonisë së Veriut deklaroi sot në mbledhjen e Shtabit Kryesor për Menaxhimin e Krizave se janë miratuar masa të reja kufizuese për ndalimin e përhapjes së mutacionit të ri të COVID-19.

Ata paralajmëruan ndalesën për fluturimet me Britaninë e Madhe dhe anasjelltas deri në fund të vitit.  Ministria e Shëndetësisë shtoi se gjithashtu është miratuar masa për izolim të detyrueshëm 14-ditor për të gjithë qytetarët që do të vijnë në vend me fluturime të drejtpërdrejta nga Britania, po e njëjta masë do të zbatohet edhe për pasagjerët që mbërrijnë  në Maqedoni nga Britania e Madhe përmes rrugëve tokësore.

Ora 10:16
Varianti i ri i COVID, Panariti: Muajt që vijnë do të jenë shumë të vështirë por vendimtarë! Gara për vaksina po kthehet në makth

Shfaqja e variantit të ri të COVID, i zbuluar pak ditë më parë në Britaninë e Madhe ka ngjallur frikë në Europë dhe diskutime të mëdha për pasojat që mund të sjellë te njerëzit.

Pjesë e këtyre diskutimeve është bërë edhe shefi i kabinetit në presidencë Edmond Panariti, i cili thotë se me mutacionet që po pëson COVID në disa shtete, muajt që do vijnë do të jenë shumë vendimtarë.

Duke i konsideruar muajt në vijim si shumë të vështirë por vendimtarë, sipas tij gara për vaksina po kthehet në një makth. "Kush vaksinon i pari, kursen jetë dhe pasoja shëndetsore në njerëz", thotë Panariti.

Postimi i plotë:

Askush nuk di asgjë!

"Genomika", pra mënyra e sjelljes dhe e veprimit të virusit COVID-19, mbetet ende një mister i madh!

Po ndjek reagimet e virologëve, epidemiologëve, imunologëve të qëndrave më të spikatura botërore lidhur me sjelljen e tashme dhe të ardhme të virusit dhe shprehjet më tipike të tyre janë:

Nuk kemi prova të mjaftueshme, ka të ngjarë, ndofta, është e mundur!

Por ajo që me sa duket po ndodh është ndryshimi konstant i virusit.. (varianti anglez është ai më i fundit, po ashtu ai Afrikano Jugor, ai Danez para disa muajsh ai i Italisë së Veriut etj)

Këto ndryshime ndodhin për dy qëllime :

1. Që virusi të përhapet më shpejt.

2. Që ai të godasë më fort

Këto quhen me gjuhë Darviniane, përshtatje të mbijetesës së virusit. Që potencialisht mund të neutralizojnë edhe skemat e luftimit të tij. Varianti anglez i ndryshimit më të fundit, duket se përshpejton përhapjen në popullatë!

Varianti Danez, i para një muaji i krijuar te kunadhet  pas infektimit të tyre, duket se shtyp reagimin imunitar, pra rrit agresivitetin e virusit. Çfarë po ndodh? Koha do ta tregojë!

Muajt që vijnë do të jenë shumë të vështirë por vendimtarë. Prandaj gara për vaksina po kthehet në një makth

. Kush vaksinon i pari, kursen jetë dhe pasoja shëndetsore në njerëz !

Ora 10:10
Varianti i ri i COVID/ Bota 'i mbyll dyert' Britanisë, në Shqipëri  tashmë ka mbërritur avioni i parë, nesër priten 3 të tjerë

1606391956_1541583759autorinas1502624221.jpg

Teksa thuajse e gjithë Evropa ka ndaluar ose në proces për ndalimin e fluturimeve me Mbretërinë e Bashkuar pas daljes së variantit të ri të koronavirusit, në Shqipëri ende nuk ka asnjë vendim.

Në Aeroportin e Rinasit ka mbërritur orët e parë të mëngjesit të sotëm avioni i parë nga Londra.

Ndërkohë që në Rinas për ditën e nesërme janë parashikuar tre fluturime që vijnë nga Londra: Në orën 01:25, i dyti në orën 11:20 dhe fluturimi i tretë do të jetë në 11:25.

Autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende informacion në lidhje me masat që mund të merren në këtë drejtim.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?