Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në intervistën e dhënë për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, u shpreh se korrupsioni është një fenomen global dhe si i tillë kërkon ndërhyrje edhe ndërkombëtarisht.
"Unë besoj që në kuadrin edhe të konferencës së organizuar nga OKB, që është e para për louftën kundër korrupsionit, u vu re që korrupsionit ndodh në të gjithë vendet e botës. Sot nuk mund ta shikojmë korrupsionin vetëm në kufijtë nacionalë. Në OKB u nënshkrua një deklaratë për luftën që duhet bërë kundër korrupsionit ndërkombëtarisht", tha Gjonaj.
Duke u kthyer në Shqipëri ministrja shprehet se me sistemin e ri të drejtësisë, institucionet ligjzbatuese i kanë të gjitha hapësirat e nevojshme ligjore për ta luftuar me efikasitet korrupsionin dhe krimin e organizuar.
"Ne ndërtuam një sistem të ri drejtësie ku një vend të posaçëm do e kishin pikërisht institucionet që merren posaçërisht me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në bëmë ndryshimet në ligj që SPAK dhe GJKKO të kenë hapësirat e nevojshme për ta bërë punën e tyre me efeciencë", tha Gjonaj.
E pyetur nga gazetari Rusta për atë që quhet 'Procesi 41 biss', Etilda Gjonaj vlerësoi bashkëpunimin me prokurorinë dhe gjykatën e posaçme.
"Procesi 41 biss nuk ka aktor vetëm Ministrinë e Drejtësisë. Unë jam shumë e kënaqur me bashkëpunimin që kemi pasur me SPAK dhe GJKKO që vazhdimësia e këtij procesi të jetë e pacenueshme. Ky është një regjim që vazhdon dhe në momentin e parë që do të kemi kërkesa nga Prokuroria e Posaçme do të marrim vendimin tonë siç na takon", tha ministrja e Drejtësisë.
Lajmi kryesor:
Kërkesa e KLGJ për uljen e numrit të gjykatave, Gjonaj për Report Tv: Nuk jemi dakord që të kemi vetëm një Gjykatë Apeli, pasoja për qytetarët (VIDEO)
K.T.//ReportTv.al