Kronikë

Lufta me flakët në Livinë të Finiqit, Report Tv ndjek operacionin e evakuimit të të moshuarve

9 Gusht, 13:39| Përditesimi: 9 Gusht, 14:04

  • Share

Orë tmerri përjetuan paraditen e sotme banorët e fshatit Livinë në Bashkinë e Finiqit, ku zjarri i madh përfshiu zonën e banuar.

Gjithë fshati ishte mbuluar nga reja e zezë e tymit, ndërsa të moshuarit patën vështirësi me frymëmarrjen.

Rreth orës 10:00, policia dhe zjarrfikësja urdhëruan evakuimin e banorëve. Gratë dhe të moshuarit u mblodhën në qendrën e fshatit, ndërsa burrat luftuan për të shpëtuar pronat në bahçet e tyre.

Report Tv ndoqi nga afër operacionin për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve. Një e moshuar u shoqërua me makinë policie drejt qendrës shëndetësore për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

Në operacionin e vështirë të shpëtimit janë angazhuar dhjetëra forca tokësore, ndërsa ndërhyrja nga ajri u krye me helikopterin Black Haëk dhe avionin kroat Canadair, i cili erdhi përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.

Në orën 13:00 situata u përmirësua dhe kaloi rreziku për banesat, por fatkeqësisht u dogjën sipërfaqe të mëdha me ullinj dhe drurë frutorë.

“Sipas parashikimeve do të ketë vazhdimësi, kalon mbi malin e Livinës, mund të drejtohet në drejtim të fshatit Dhrovjan. Angazhimi për të vënë nën kontroll flakët duhet të jetë maksimal. Po bëjmë të pamundurën që të shpëtojmë jetët e njerëzve në radhë të parë dhe banesat e gjithçka tjetër. Nuk kemi vlerësime të sakta të dëmeve deri tani për shkak të situatës së vështirë. Në mëngjes në Navaricë, situata ishte e vështirë por ka kaluar rreth fshatit dhe nuk ka pasur dëme në banesa”, u shpreh nënprefekti i Sarandës, Kristaq Kiço.

Vatra e zjarrit është shfaqur pasditen e së martës në mali mbi fshatin Dhivër dhe përfshiu gjatë pesë ditëve disa fshatra të Bashkisë Finiq, përfshirë Dhivër, Leshnicë, Dhrocjan, Kularat, Cerkovicë, Shën Ndre dhe Janicat.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se hapësirat publike që po çlirohen do 'ripushtohen' sërish?