Pesë gazetarë të Al Jazeera-s janë vrarë në një sulm izraelit pranë Spitalit Al-Shifa të Qytetit të Gazës.
Korrespondentët Anas al-Sharif dhe Mohammed Qreiqeh, së bashku me kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa, ishin në një tendë për gazetarët në portën kryesore të spitalit kur u godit, raportoi Al Jazeera.
"Vrasja e synuar" e të dielës ishte "një tjetër sulm i hapur dhe i paramenduar ndaj lirisë së shtypit", shtoi më tej Al Jazeera.
Menjëherë pas sulmit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmuan se kishin shënjestruar Anas al-Sharif, duke shkruar në një postim në Telegram se ai kishte "shërbyer si kreu i një qelize terroriste në Hamas".
Gjatë gjithë luftës, Izraeli nuk i ka lejuar gazetarët ndërkombëtarë në Gaza të raportojnë lirisht. Prandaj, shumë media mbështeten te gazetarët vendas brenda territorit për mbulim, shkruan BBC.
Ndërkohë Australia do të njohë shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, duke ndjekur kështu Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Kanadanë.
Foto: Anthony Albanese
Australia do të njohë shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, pas hapave të ngjashëm nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kanadaja.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri australian Anthony Albanese.
“Një zgjidhje me dy shtete është shpresa më e mirë e njerëzimit për të thyer ciklin e dhunës në Lindjen e Mesme dhe për t’i dhënë fund konfliktit, vuajtjeve dhe urisë në Gaza”, tha Anthony Albanese.
Çfarë do të thotë njohja e shtetit palestinez?
Palestina është një shtet që ekziston dhe që nuk ekziston. Ka një shkallë të lartë njohjeje ndërkombëtare, misione diplomatike jashtë vendit dhe ekipe që garojnë në gara sportive, përfshirë Lojërat Olimpike.
Por për shkak të mosmarrëveshjes së gjatë të palestinezëve me Izraelin, ajo nuk ka kufij të dakordësuar ndërkombëtarisht, nuk ka kryeqytet dhe nuk ka ushtri.
Për shkak të pushtimit ushtarak të Izraelit, në Bregun Perëndimor, autoriteti palestinez, i krijuar pas marrëveshjeve të paqes në vitet 1990, nuk ka kontroll të plotë mbi tokën ose popullin e tij. Gaza, ku Izraeli është gjithashtu fuqia pushtuese, është në mes të një lufte shkatërruese.
Shteti i Palestinës njihet aktualisht nga 147 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së. Në OKB, ajo ka statusin e një "shteti vëzhgues të përhershëm", duke lejuar pjesëmarrjen, por pa të drejtë vote.
Komente
