Udhëheqësit e vendeve të NATO-s deklaruan në Samitin që po mbahet në Vilnius të Lituanisë se do ta ftojnë Ukrainën për t’u anëtarësuar në aleancë “kur ata të bien dakord” dhe “të plotësohen kushtet”. Në ditën e parë të samitit liderët e NATO-s ranë dakord për thjeshtëzimin e procesit të pranimit të Ukrainës, duke e anashkaluar Planin e Veprimit të Anëtarësimit. Ky plan përfshin reformat ekonomike dhe politike që një vend kandidat duhet t'i përmbushë, përpara anëtarësimit të plotë.
“Sot pranojmë se rruga e Ukrainës drejt integrimit të plotë euroatlantik ka tejkaluar nevojën për Planin e Veprimit për Anëtarësim. Ukraina po bëhet gjithnjë e më e ndërveprueshme dhe e integruar politikisht me aleancën dhe ka bërë përparim të rëndësishëm në rrugën e saj të reformave”.- u tha në deklaratë.
'Por Ukraina që po përballet me një konflikt të ashpër me Rusinë pas pushtimit që nga shkurti i vitit të kaluar, priste garanci më të mëdha për procesin e anëtarësimit. Presidenti Volodymyr Zelensky, shkroi në Tëitter para miratimit të dokumentit se është “e paprecedentë dhe absurde nëse nuk vendoset një afat kohor për ftesën apo anëtarësimin e Ukrainës në NATO. “Duket se nuk ka gatishmëri as që Ukraina të ftohet në NATO, as të bëhet anëtare e aleancës”, tha Zelensky.
Nga ana tjetër sekretari i përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg tha në një konferencë per mediat se mesazhi i samitit është inkurajues për Ukrainën.
“Nëse i shikoni të gjitha proceset e anëtarësimit, ato nuk bazohen në afate kohore, ato bazohen në kushte - siç ka qenë gjithmonë”, tha Stoltenberg në një konferencë për gazetarë.
Zelensky do të marrë pjesë në ditën e dytë të samitit të NATO-s kur edhe do të formohet Këshilli i Parë NATO-Ukrainë - organ ky që pritet t’i përmirësojë marrëdhëniet mes aleancës dhe Kievit. Ukraina kërkon prej kohësh të bëhet pjesë e NATO-s, por ndërsa lufta vazhdon, e ardhmja e kësaj ambicieje mbetet e paqartë. Vendet e Evropës Lindore besojnë se Ukrainës duhet t’i ofrohet një udhërrëfyes, ndërsa të tjerat, si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, shqetësohen se premtimi për anëtarësim automatik mund t’i japë Rusisë shkas për ta përshkallëzuar dhe zgjatur luftën. Por pavarësisht vendimit për Ukrainën, presidenti amerikan Joe Biden dhe Sekretari i Përgjithshëm i aleancës Stoltenberg e cilësuan takimin historik, duke iu referuar tejkalimit të mosmarrëveshjeve me Turqinë për anëtarësimin e Suedisë në NATO.
"Ne i bëjmë thirrje Iranit të ndërpresë mbështetjen e tij ushtarake për Rusinë, veçanërisht transferimin e e dronëve që janë përdorur për të sulmuar infrastrukturën kritike, duke rezultuar në viktima të shumta civile." Kështu u shprehën aleatët e NATO-s në një deklaratë të përbashkët gjatë ditës së parë të samitit të Aleancës në Vilnius.
Në deklaratë, vendet anëtare të NATO-s shprehin "shqetësim serioz për aktivitetet dashakeqe të Iranit brenda territorit aleat", duke përsëritur "vendosjen e tyre të qartë" për të parandaluar Republikën Islamike të zhvillojë një armë bërthamore.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur ditën e sotme në Samitin e NATO-s e cila po zhvillohet në Vilnius.
Në këtë samit liderët e vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë për një anëtarësim të mundshëm të Ukrainës në NATO.
Para disa orësh në një postim në Twitter, Zelensky ka shkruar se nuk shihte "gatishmëri as për ta ftuar Ukrainën në NATO dhe as për ta bërë atë anëtare".
"Pasiguria është dobësi. Dhe unë do ta diskutoj hapur këtë në samit", ka shkruar Zelensky.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi se është i kënaqur me vendimin e Turqisë në lidhje me anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke u shprehur se edhe takimi i tij nesër me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan mund të jetë një fillim drejt ndërmarrjes së hapave të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe me Ankaranë.
“E mirëpres vendimin e Turqisë dhe presidentit turk Erdogan për pranimin e Suedisë në NATO. Shpresoj që së shpejti Suedia të jetë anëtari i 32-të. Kjo na bën të gjithëve më të sigurt dhe më të fortë. Mezi pres që procesi të përfundojë”, tha Mitsotakis në hyrje të Samitit të NATO-s, i cili po mbahet në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius.
Duke kujtuar se nesër do të zhvillojë takim dypalësh me presidentin Erdogan në Samitin e NATO-s, Mitsotakis tha:
“Do të jetë takimi ynë i parë pas zgjedhjeve në të dyja vendet. Besoj se ne mund të bëjmë hapin e parë drejt rifillimit të marrëdhënieve Turqi-Greqi, me mbështetje të fortë publike”.
Ai tha se megjithëse ka mosmarrëveshje të rëndësishme mes Turqisë dhe Greqisë, problemet mund të zgjidhen në bazë të marrëdhënieve së dy palëve në kuadër të së drejtës ndërkombëtare.
Kryeministri grek theksoi se ka qenë pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe në muajt e fundit.
Ditën e sotme, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan zhvilloi një takim me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, në samitin e NATO-s, të cilët diskutuan për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.
Takimi u zhvillua në Qendrën e Ekspozitave dhe Kongreseve të Lituanisë (LITEXPO) në Vilnius, Lituani.
Sunak e ka mirëpritur mirë vendimin e mbështetjes së Turqisë për anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe për këtë gjë përgëzoi Presidentin Erdogan për përpjekjet e tij.
Udhëheqësit riafirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për të siguruar që marrëdhënia Britani-Turqi të arrijë potencialin e saj të plotë, duke u mbështetur në lidhjet tregtare në rritje dhe bashkëpunimin e fortë të mbrojtjes dhe sigurisë.
Në diskutimin e tyre ata kanë përfshirë edhe teknologjinë më të avancuar të mbrojtjes, po ashtu edhe adresimin e sfidës së përbashkët të emigracionit të paligjshëm. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se përballja me bandat kriminale të kontrabandës së njerëzve është një prioritet kyç për të.
Ata ranë dakord të caktojnë detyrën e ministrave të tyre të Jashtëm për të parë fushat për bashkëpunim më të ngushtë mbi migracionin dhe krimin e organizuar. Udhëheqësit ranë dakord gjithashtu për të thelluar shkëmbimin e inteligjencës dhe bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit.
Në deklaratën e fundit, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është shprehur se do të ishte "absurde" nëse Ukraina nuk do të ftohej për t'u bërë anëtare e NATO-s dhe se pasiguria mbi anëtarësimin e saj ishte motivim për Rusinë që të "vazhdojë përpara në terrorin e saj".
"Është e paprecedentë dhe absurde kur nuk përcaktohet afati kohor as për ftesën dhe as për anëtarësimin e Ukrainës. Duket se nuk ka gatishmëri as për të ftuar Ukrainën në NATO dhe as për ta bërë atë anëtare të aleancës”, ka shkruar Zelensky në një postim në Twitter.
NATO ra dakord në vitin 2008 që Ukraina "do" të bëhej anëtare, por aleanca nuk dha një vendim të prerë se kur mund të ndodhte kjo gjë.
"Tani, rrugës për në Vilnius, ne morëm sinjale se disa gjëra po diskutohen pa Ukrainën", shtoi Zelensky.
Ai thekson se kjo gjë ka të bëjë me "ftesën për t'u bërë anëtare e NATO-s, jo për anëtarësimin e Ukrainës".
"Pasiguria është dobësi. Dhe unë do ta diskutoj hapur këtë në samit", ka shkruar Zelensky.
Në një deklaratë të re Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se do të dërgonte raketa me rreze të gjata të tipit Scalp për të ndihmuar forcat e Kievit të godasin objektivat ruse.
Teksa mbërriti në samitin e NATO-s i cili po zhvillohet ditën e sotme në Vilnius, Macron është shprehur se dërgesa e re e raketave ishte projektuar për të lejuar Ukrainën që të godasë forcat pushtuese ruse gjatë kundërsulmimit të saj për të çliruar territorin e saj.
SCALP/Storm Shadoë është një armë anglo-franceze me një rreze veprimi prej 250 kilometrash, më e gjata nga çdo armë perëndimore e furnizuar në Ukrainë deri më tani, dhe Britania njoftoi në maj se do të furnizonte një grup të armëve të avancuara.
Macron nuk deklaroi se sa raketa do të dërgoheshin, por Franca mendohet se ka një arsenal prej më pak se 400, sipas rishikimit të specializuar të mbrojtjes DSI.
Joe Biden ditën e sotme është në Lituani për një samit të liderëve të NATO-s, i cili do të zhvillojë edhe një takim me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se ky takim do të ndodhë në ditën e dytë të mbledhjes në Vilnius.
Ky takim mes dy liderëve vjen pasi ditët e fundit Biden shprehu dyshimet e tij për qëllimin e shumëkëkrkuar të Ukrainës për t’u bashkuar në NATO.
"Unë nuk mendoj se ka unanimitet në NATO në lidhje me futjen apo jo të Ukrainës në familjen e NATO-s tani, në këtë moment, në mes të një lufte. Nëse lufta po vazhdon, atëherë të gjithë jemi në luftë. Ne jemi në luftë me Rusinë, nëse do të ishte kështu”, tha ai për CNN javën e kaluar.
Presidenti tha gjithashtu se Ukraina do të duhet të bëjë reforma në drejtim të "demokratizimit" përpara se të bashkohet me aleancën.
Presidentët Biden dhe Zelensky u takuan për herë të fundit në maj në një samit të G7 në Japoni.
Diskutimet e tyre ka të ngjarë të përqendrohen në ndihmën e SHBA për Ukrainën, si dhe në garancitë e sigurisë me pamje më të mëdha.
Ditën e sotme, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka mbërritur në Vilnius për samitin e NATO-s, i cili është parë duke ecur së bashku me Presidentin Lituanez, Gitanas Nauseda.
Biden shpreson të sigurojë pjesën tjetër të aleancës duke menduar se Uashingtoni është një partner i besueshëm në luftën e Ukrainës kundër Rusisë, edhe pse politikanët në vend mbeten të ndarë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kievin.
Biden është zotuar të mbështesë Ukrainën, por nuk do të miratojë hyrjen e saj në aleancë për momentin nga frika se NATO mund të tërhiqet në luftën me Rusinë.
Ai gjithashtu mund të pyetet edhe për vendimin e tij për të dërguar bomba thërrmuese në Ukrainë.
Ditën e sotme Turqia më në fund ka miratuar ofertën e Suedisë për t’u bashkuar në NATO, e cila ishte një nga dy anëtarët e fundit së bashku me Hungarinë që kishte vënë veton ndaj përpjekjeve të vendit nordik për t'u anëtarësuar.
“Jam shumë i lumtur, është një ditë e veçantë për Suedinë”, tha kryeministri suedez Ulf Kristersson.
Çdo vend i NATO-s duhet të bjerë dakord për një anëtar të ri, edhe pse Turqia kishte bllokuar përpjekjet e Suedisë për t'u anëatrësuar në NATO, duke e akuzuar atë për pritjen e militantëve kurdë.
Më parë, Turqia kishte kërkuar ekstradimin e dhjetëra personave që Ankaraja pretendonte se ishin terroristë, duke bërë kështu që marrëdhënia e tyre të tensionohej më tej për shkak të djegies së Kuranit në Suedi, të cilën Turqia e dënoi ashpër.
Kreu i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi mëngjesin e sotëm në Vilnus, se Ukraina ka bërë një rrugë të gjatë që nga viti 2008, që në momentin kur NATO ra dakord që Ukraina ‘do të bëhet’ anëtare e aleancës.
Ai tha se anëtarët e aleancës ushtarake do të "dërgojnë një mesazh shumë të fortë dhe pozitiv nga NATO në Ukrainë" në samit.
"Ukraina është shumë më afër NATO-s, kështu që mendoj se ka ardhur koha për ta reflektuar këtë gjë në vendimet e NATO-s”, tha Stoltenberg.
Për momentin NATO mbetet e ndarë për anëtarësimin e Ukrainës për arsye se shtetet e Evropës Lindore duan që Kievi të bashkohet si një anëtare e plotë, ndërsa të tjerët janë më të tërhequr pasi kanë frikë se do të tërhiqen në një konflikt të drejtëpërdrejtë me Rusinë.