Emmanuel Macron e Donald Trump

Bota

Macron u ofron aleatëve mburojën bërthamore: Çmenduri të mbetemi spektatorë përballë kësaj bote të mbushur me rreziqe

6 Mars, 08:04| Përditesimi: 6 Mars, 08:26

  • Share

"Nga java e ardhshme do të mblidhen në Paris shefat e shtabeve të përgjithshme të vendeve që dëshirojnë të marrin përgjegjësinë e tyre" sa i përket dislokimit të forcave evropiane në Ukrainë për të garantuar një marrëveshje të mundshme paqeje.

Një njoftim konkret dhe operativ, brenda një fjalimi 15-minutësh, me të cilin presidenti francez Emmanuel Macron iu drejtua qytetarëve mbrëmë në orën 20:00 me një ton solemn dhe të jashtëzakonshëm:

"Atdheu ka nevojë për ju, për angazhimin tuaj. Vendimet politike, pajisjet ushtarake, buxhetet janë një gjë, por nuk do ta zëvendësojnë kurrë forcën e shpirtit të një Kombi. Brezi ynë nuk do të mund të shijojë më përfitimet e paqes. Vetëm nga ne varet nëse fëmijët tanë do të mund të përfitojnë nesër nga angazhimi ynë i sotëm. Nëse veprojmë bashkë, do t’ia dalim", përfundoi presidenti, në prag të samitit të Këshillit Evropian që mbahet sot në Bruksel.

Macron vendosi t’u flasë francezëve pasi në ditët e fundit në Pallatin Elize kanë mbërritur qindra mesazhe nga qytetarë të shqetësuar. "E di që jeni me të drejtë të shqetësuar për ngjarjet që po tronditin rendin botëror. Shtetet e Bashkuara, aleati ynë, ka ndryshuar pozicion mbi konfliktin, po e mbështesin më pak Ukrainën dhe kanë lënë pezull të ardhmen (...). Po hyjmë në një epokë të re", tha Macron, duke e cilësuar Rusinë si "një kërcënim për Francën dhe Evropën"

“Kush mund të mendojë se Rusia e sotme do të ndalet në Ukrainë?”  “Përballë kësaj bote të mbushur me rreziqe, të qëndrojmë spektatorë do të ishte çmenduri”. Presidenti njoftoi gjithashtu «investime shtesë» në mbrojtje "pa rritur taksat"

Takimi i sotëm në Bruksel do t’u shërbejë liderëve evropianë për të diskutuar opsionet e financimit të mbrojtjes, të propozuara nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe për të detajuar më tej propozimet e përfshira në letrën e saj të së martës.

Lajmi më i rëndësishëm është se Gjermania po shqyrton mundësinë e ndryshimit të Paktit të Stabilitetit (gjë e paimagjinueshme deri pak ditë më parë), për të lejuar investime të mëdha dhe afatgjata në mbrojtje. Sipas rregullave aktuale, klauzola kombëtare e sigurimit që von der Leyen synon të aktivizojë për të lejuar shpenzime shtesë për mbrojtjen deri në 1.5% të PBB-së për katër vjet, ka kufizime: mund të përdoret një herë për një periudhë që e përcakton Këshilli dhe mund të zgjatet vetëm edhe një vit tjetër. Prandaj, Berlini është i hapur për një ndryshim të synuar, ndërsa Holanda dhe Austria mbeten tërësisht kundër.

Nga diskutimet e sotme, Komisioni Evropian do të formulojë propozimet që do të përfshihen në Librin e Bardhë të Mbrojtjes më 19 mars, për t’u diskutuar në Këshillin Evropian më 20-21 mars. Sipas burimeve diplomatike, samiti i sotëm në Bruksel pritet të jetë shumë i ndërlikuar. Është thelbësore që Evropa të japë një imazh uniteti. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë personalisht në drekën e punës, përpara se liderët e BE-së të diskutojnë për Ukrainën vetëm mes tyre, pa telefona ose pajisje, për të garantuar konfidencialitetin maksimal.

Deri dje, kryeministrat Viktor Orbán (Hungari) dhe Robert Fico (Sllovaki) kundërshtonin konkluzionet për mbështetjen evropiane ndaj Ukrainës në procesin e paqes, dhe Macron u përpoq të bindte Orbán gjatë një darke në Elize, para se ta takonte përsëri sot në Bruksel. Mes vendeve anëtare ka një marrëveshje mbi urgjencën e përshpejtimit të mbrojtjes së përbashkët, por mbeten dallime mbi mjetet që duhen përdorur.

Në çdo rast, Macron kujtoi se Franca ka një «forcë bërthamore frikësuese» dhe shprehu gatishmërinë për të diskutuar me vendet evropiane mbi mënyrat e vënies së kësaj mbrojtjeje në dispozicion të tyre. /Corriere della Sera/

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?